Kur Ptolemeu i Aleksandrisë përmendi për herë të parë emrin ‘alban’
Muharrem Abazaj – gjuhëtar
Një ndër detyrat themelore të albanologjisë ka qenë sqarimi i kuptimit të etnonimit alban/ arbër të kombit tonë. Shumë studiues kanë dhënë mendimet e tyre, por asnjëri prej tyre nuk ka marrë pëlqimin e përgjithshëm. Mbështetur në njohurit e mjaftueshme që kemi sot për gjuhën e lashtë shqipe, po paraqesim mendimet tona për kuptimin e këtij etnonimi.
Emri arbër për herë të parë është përmendur me trajtën alban nga Ptolemeu i Aleksandrisë në shek II e.s. Me këtë emër ai lidh një fis ilir i cili shtrihej në një trevë të Shqipërisë të mesme midis Durrësit Tiranës, Lezhës dhe Dibrës me kryeqendër Albanopolis. Mirëpo pas daljes së tij, ky emër nuk shfaqet më në dokumentet historike për më se 2000 vjet. Ai rishfaqet përsëri në shek.XII –XIII. Këtë rishfaqje e vëmë re tek autorët e veprave letrare në gjuhën shqipe të kësaj periudhe të cilët vendin tonë e quajnë Arbënë, popullin arbënesh dhe gjuhën e tij arbëneshe. Një mungesë e këtij emërtimi për një periudhë kaq të gjatë kohore u bë shkas që mjaft studiues të huaj si Eras Vranus, Bariç etj.të shfaqnin mendimin se ky kontinuitet, kjo vazhdim[si, nuk ka ndonjë domethënie, sepse shqiptarët nuk kanë mundur të trashëgojnë këtë emër prej banorëve të vjetër ilirjanë në atdheun e tyre të ri. Ata kanë qenë të mendimit se ilirët këtë emër e kanë trashëguar prej popullsisë së lashtë “joindoevropiane”.
Mungesa e këtij emri në këtë periudhë lidhet me shumë faktorë, por arsyeja më kryesore e paraqitjes së vonë të emrit Arbëri, ka qenë praktika administrative, kancelareske e kishtare e shtetit bizantin për të përdorur elemente të traditës antike,si: Iliri, Epir, Maqedoni etj. Shkrimtarët e vjetër shqiptarë e të huaj emërtimet Epir e epirot i kanë përdorur si sinonime të emrave Arbëri e arbën. Maqedonia është përdorur si emër më i vjetër dhe Arbëria si emër mesjetar, duke u konsideruar si dy emra sinonime.
Emri arban dhe arbëresh jo vetëm që ka ekzistuar pa ndërprerje, por ai ka patur një shtrirje edhe më të gjerë. Kështu një fshat në jugëlindje të Tiranës quhet Arbana, një fshat tjetër në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Në pjesën Jugore të vendit disa krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe Gjirokastrës e Delvinës quhen Arbër e Arbëri dhe banorët arbëreshë e arbërorë. Gjithashtu ky emër del edhe në disa vise të tjera të Shqipërisë me trajta të ndryshme ( arbën, arbër, arbënesh, arbëresh, arbnuer arbëror), emërtim i cili përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni apo nga ndonjë anëtar i ndonjë popullsie ballkanike. Studiuesi Ludvig Jeriçek i cili ka bërë studime të gjera për këtë çështje, citon disa burime në latinisht, sidomos në burimet kishëtare, në të cilat vendi quhet arbanum, populli arbanenses, prej nga rrjedh italishtja, ( në literate raguzes 1320, albanese). Mbështetur në këto të dhëna Jirecek arrin në përfundimin: se “ në Arbanum perfshiheshin gjithë vendet prej Alpeve shqiptare midis lumenjve Lim e Drin e gjer te malet në jug të Elbasanit”. Mbështetur në aktet raguziane te vitit1386, në veri shtrihej deri në Sergius ( sot Shrtiq në grykë të Bunës) në dokumente të vitit 1419 përfshin Tivarin, në të vitit 1413, përfshin Lushtricën. Një përshkrim rreth vitit 1570, Arbër quhet vendi prej Uqinit gjer ne Vlorë, në malet e Himares. Dihet se edhe vendi i Kotorrit u quajt Albani venetjane. Në kohen e Napoleonit quhej si Albania franceze, para 1448 si Albania austriake.
Ndër arsyet kryesore të shndërrimi të këtij emri të fisit të albanëvë, arbanëve në një emblemë të përbashkët edhe për fise të tjera në territoret ilire, është kundërshtimi i pandalur ndaj invadorëve sllavë që filluan të depërtojnë në Ballkan qysh nga shek.VII.e.s. Ky rrezik forcoi ndjenjën e solidarsisë etnike ndër fise të ndryshme ilire dhe si rrjedhim u arrit edhe pranimi i një emëri të përbashkët, për t’u paraqitur si një fuqi e bashkuar
Të gjitha këto të dhëna na shpien në përfundime se ky emërtim u takon shumë brezave që kanë banuar në këto troje nga lashtësia deri në daljen e emërtimit të sotëm shqiptar. Edhe pse në fillim është dokumentuar si emërtim për një fis ilir, atë të albanëve dhe i shtrirë në një territor të kufizuar, ai fitoi shtrirje më të gjerë gjeografike duke u bërë etnonimi i të gjithë kombit tonë.
Cili është kuptimi i emërtimit arbër?. Dy pikëpamje kryesore kanë konkurruar për gjuhën me të cilën është formuluar ky emër. Çabej ka mendimin se fjala alban, arban, i përket gjuhës ilire pasi e vëmë re në onomastikën ilire tek emri arbër dhe Arbëri Sipas tij “ nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike …. Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj, nuk kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi “fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në arbën të përmendur më lart, mund ta afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten e vjetër aroura “arë, tokë buke”, me fjalën kelte të irlandishtes së mesme arbor, shumës arbanna “drithë”.( Çabej “Shqiptatët midis Perëndimit dhe Lindjes”)
Pikëpamja tjetër është ajo e përfaqësuar nga H.Bariçi dhe Jokli, që mbështesin pikëpamjen se rrënja alb duhet të jetë e trashëgimisë paraindoevropiane, duke e lidhur atë me kuptimin lartësi, mal.
Nga të dy këto pikëpamje, ajo që mbështet Çabej është më pranë së vërtetës. Por edhe Çabej, duke mos njohur gjuhën ilirishte, nuk arrin ta sqarojë plotësisht kuptimin e këtij etnonimi.
Banorët e kësaj treve ilire, ku na shfaqet ky emër, duhet të kenë qenë vendosur në këto troje shumë shekuj më parë, se koha kur e përmend këtë emër Ptolemeu. Studimet e kohëve më të reja pranojnë se ardhja e ilirëve në këto troje i përket një epoke shumë të lashtë, midis mezolitit dhe neolitit, e mbështetur kjo pikëpamje edhe me gjetjet e shumta arkeologjike në këto troje që i përkasin kësaj epoke të lashtë, si ato në Xarë Saradë, Vlushë Skrapar. Maliq Korçë etj. Kjo do të thotë se gjuha me të cilën është lëçitur në zanafillë fjala alban, ka qenë gjuha e këtyre banorëve të lashtësisë. Duke qenë se ilirët, si shumë popuj të lashtësisë, janë shkëputur nga një trung shumë i lashtë i përbashkët, edhe gjuha e tyre do ketë qenë ajo e këtij trungu amë. Këtë gjuhë amë të përbashkët të kësaj popullsie të lashtë e vëmë re edhe në gjetjen e fjalës alban në shumë vende të tjera. Një ishull në Dalmaci mban emrin Arbe. Albi është emri i një qyteti në Francë. Ky emër gjendet edhe në Itali, Angli, Skoci, në Azinë e Vogël, në Kaukaz deri dhe në Amerikën Qendrore.
Gjuhësia botërore e ka pranuar ekzistencën e një gjuhe të tillë të përbashkët në periudha shumë të lashta, të një gjuhe mëmë, nga e cila lindën të gjitha gjuhët e tjera duke formuar familje gjuhësore siç është ajo indoevropiane. Mendimi i shumë gjuhëtarëve është se kjo gjuhë mëmë ka qenë gjuha pellazge. Ka më se dy shekuj që një numër i madh gjuhëtarësh dhe studiuesish kanë shprehur mendimin dhe kanë këmbëngulur se gjuha shqipe lidhet drejtperdrejt me gjuhën pellazge. Një lidhje e tillë, një vazhdimësi gjuhësore pellazgo – shqipe, mund të themi pa frikë se sot është faktuar.
Nga të dhënat që disponojmë për gjuhën pellazge po japim shkurt tiparet kryesore te saj. Gjuha pellazge ka qenë një gjuhë njërrokëshe. Fjalët e saj kanë patur trajta të ngurta, pasi pellazgjishta si një gjuhë e lindur, e pa zhvilluar plotësisht, nuk ka patur mjete ndihmëse gjuhësore si: parashtesa, prapashtesa, mbaresa. Çdo fjalë e saj ka patur një trajtë të vetme, përmes së cilës shprehte të gjitha kuptimet gramatikore. Kështu fjala at, e cila ruan të njëjtën trajtë në shqipen e sotme, është përdorur në këtë trajtë të vetme si për të treguar një person ashtu dhe për të treguar shumë persona. Fjala di ka patur vetëm këtë trajtë të ngurtë di, por ajo ka patur shumë kuptime. Kështu di ka patur kuptimin e foljes di, me ditë, të mbiemrit i ditur, të numërorit dy, të emrit dhi, etj.
Këto fjalë njërrokëshe të pellazgjishtes ose përqasen ( janë rrenja ) ose janë identike me fjalët respektive të shqipes së sotme. Numri i fjalëve njërrokëshe të pellazgjishtes ka qenë i kufizuar. Për të pasuruar fjalorin e tyre, për të formuar fjalë të reja, është aplikuar në masë të gjerë mënyrën e përngjitjes së fjalëve njërrokëshe. Kjo mënyrë është përdorur edhe për formimin e emrave të personave, të fiseve, vendbanimeve, maleve, lumenjve etj. Emri Bardhyl është formuar nga përngjitja e fjalëve njërrokëshe: bard – yl. Fjala e parë njërrokëshe bard ka dhënë trajtën bardh, pasi d është bërë dh. Fjala e dytë njërrokëshe yl ka dhënë yll, pasi l është bërë ll. Kuptimi i emrit është: “ Yll i bardhë ”. Emërtimi Dimal eshtë formuar nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe: di – mal. Fjala e parë di ka dhënë dy. Kjo vihet re ende në disa të folme krahinore të vendit tonë: sy / si, ki / ky, kam hyrë./ kam hi. Fjala e dytë mal ruan trajtën e vjetër. Kuptimi i emërtimit del “ Dy male ”.Një emërtim i tillë është lidhur me pozicionin midis dy maleve të vendosjes së këtij qyteti të lashtë. Emërtimi Tushenisht ( vendbanim pranë Pogradecit ) është formuar nga përngjitja e tri fjalëve njërrokëshe: tu – shem – isht. Fjala e parë tu ka dhënë psesëzën foljore tuj të dialektit të gegënishtes , në toskërisht duke. Fjala e dytë shem ka dhënë foljen shemb të dialektit të gegnishtes, në toskërisht shembur. Fjala e tretë isht ruan të njëjtën trajtë. Kuptimi i emërtimit del: “ Tuj shemb isht / Ishte duke u shembur ” Një emërtim i tillë mund të ketë lidhje me ndonjë fund tragjik të paralajmëruar për banorët e këtij vendbanimi të hershëm. Duke qenë se pellazgjishtja ka qenë gjuha e përbashkët e një bashkësie të gjerë njerëzore, edhe emërtimet e lashta të shumë vendeve bëhen të kuptueshme me gjuhën pellazgo – shqipe.
Mbështetur në këto njohuri që kemi për gjuhën e lashtë shqipe( pellazgjishten) ne e shohim ndryshe nga Çabeji, përbërjen e fjalës alban, arbër, rrënjën e së cilës ai e ka pare tek fjala alb.. Emri alban / arban, duke qenë se është formuar në një periudhë të lashtë, duhet të jetë formuar, si të gjitha fjalët e reja, përmes përngjitjes së fjalëve njërrokëshe: al – ban / ar – ban. Përse ka ndodhur ky ndryshim tingëllor l/r tek ky emërtim? Ndyshimi ka ndodhur në përputhje me zhvillimin fonetik të gjuhës shqipe. Bashktingëllorja l në mjaft raste ka ndryshuar ne r, për shkak të dukurisë fonetike të qiellëzorizimt. Ndryshimet tingëllore historikisht janë lidhur me zhvillimin e organeve të të folurit. Vini re si flet një fëmijë. Ai thotë: eldha, jo erdha, u vlava, jo u vrava etj. Me zhvillimin e organeve të të folurit fëmija e ndyshon tingullin nga l në r. Kështu ka ndodhur edhe me fjalën al, e cila është bërë ar. Në gjuhën e lashtë shqipe emri bir ka patur trajtën bil. Në gjuhët e huaja është ruajtur trajta e lashtë alban, pasi tek këto gjuhë nuk veprojnë ligjet fonetike të shqipes.
Fjala ar është identike me fjalën arë të shqipes, tokë e punuar, e vënë nën kulturë, kurse fjala ban është identike me foljen ban të shqipes, por në trajtën e dialektit të gegënishtes. Në toskërisht kemi trajtën bën. Kuptimi i emërtimit del: “ Arë ban “.Fare lehtë mund t’u ndërrojmë vendet fjalëve dhe të themi “ Ban arë ” Përngjitjen e fjalëve të tilla e vëmë re dendur në gjuhën shqipe: punon hekurin > hekurpunus, gdhend gurin > gurdhendës., qep rroba, rrobaqepës,etj.
Si të ketë lindur ky emërtim dhe çfarë shpreh ai? Arbanët kanë qenë një ndër fiset e shumta ilire që zinin të gjithë bregdetin lindor të Adriatikut.Të gjithë këta fise kanë patur një gjenezë të përbashkët, që do të thotë edhe një gjuhë të përbashkët. Por çdo fis ka pasur një emër të veçantë. Ashtu si emri i një personi nuk vihet nga vetë ai, por nga persona të tjerë, edhe emrat e fiseve nuk janë vënë nga vetë fiset, por nga fiset fqinjë. Fqinjëve të lashtë të tyre, që flisnin të njëjtën gjuhë, u ka rënë në sy ndonjë tipar i veçantë i këtyre banorëve fqinjë. Për banorët e trojeve ku është shfaqur emri alban, ata kanë vënë re se këta banorë kanë patur aftësi të rralla për punët e bujqësisë. Ata kanë parë se këta banorë të këtij territori arrijnë që të shndërrojnë në tokë buke, ta bëjnë arë, çfarëdolloj terreni. Këto aftësi të tyre si bujq të aftë për bërjen e tokave të ndryshme ara prodhuese, do të jenë bërë objekt diskutimi tek fqinjët e tyre. Duke u përmendur shpesh kjo aftësi e rrallë e tyre, ajo është bërë si një tipar dallues për këta banorë. Kur është dashur të flitet për ta, gjithmonë është përmendur tipari më karakteristik i tyre: bërja e arave. Ky tipar i veçantë, me kalimin e një kohe të gjatë, është bërë emri i tyre arban.
Në të njëjtën mënyrë, me anën e përngjitjes së fjalëve njërrokëshe, janë formuar edhe emërtimet e fiseve të tjera ilire. Kështu emri i fisit ilir ardian është formuar nga përngjitja e tri fjalëve njërrokëshe : ar – di – an. Fjala ar = arë, fjala di në kontekst të kësaj përngjitjeje fjalësh, ka kuptimin e mbiemrit i ditur, fjala an ka dhënë foljen janë. Kuptimi i emërtimit “ Arë të ditur janë / Janë të ditur për ara, për punë bujqësore”. Shohim një përqasje kuptimore të emërtimit të këtij fisi ilir me fisin arbanë. Kjo bëhet e kuptueshme po të kemi parasysh se edhe terreni ku kanë banuar ardianët ka qenë i ngjashëm me atë të arbanëve, me terrene fushore të hapura nga ana e detit etj, të cilat nënkuptojnë se aktiviteti bazë i tyre ka qenë bujqësia.
Stadi i parë i gjuhës shqipe, ai pellazgjik, me trajta fjalësh njërrokëshe dhe trajta të ngurosura për shkak të mungesës së mjeteve gjuhësore, merr fund me aplikimin e mjeteve gjuhësore: parashtesa, prapashtesa, mbaresa, nyje. Vënia në bashkëveprim të këtyre mjeteve gjuhësore me fjalët njërrokëshe i dha një zhvillim të vrullshëm gjuhës shqipe. Fjalët e reja tani nuk formoheshin aq shumë me anën e përngjitjes së fjalëve njërrokëshe, por me anën e parashtesave, prapashtesave. Aplikimi I këtyre elementëve gjuhësorë u dha fjalëve njërrokëshe fleksibilitet, ndryshueshmëri, aftësi të mëdha shprehjeje. Në këtë periudhë të fillimit të këtij stadi të ri të shqipes, e cila përafërsisht duhet të jetë në shek. X – XI, por që duhet saktësuar më tej, aplikimi i këtyre mjeteve gjuhësore nuk është arritur të bëhej unik në të gjithë territorin shqiptar. Kjo ka shkaktuar lindjen e dialekteve të shqipes. Dialekti i gegënishtes i ruajti më mirë trajtat e stadit pellazgjik, kurse dialekti i toskërishtes pati evoluim më të shpejtë. Në këtë dialekt, në atë të toskërishtes, mori një përdorim të dendur zanorja ë, e cila ndikoi në shpërbërjen e strukturës njërrokëshe të shumë fjalëve dhe u bë shkak i lindjes së dukurisë së rotacizmit, ndërrimin e bashkëtingëllorëve n / r. Në dialektin e toskërishtes zanorja ë filloi t’i zërë vendin zanores a. në disa trajta fjalësh. Kështu fjala ban u bë bën, kam than / kam thënë, kam ran / kam rënë etj. Dukuria e rotacizmit bëri që edhe emri arban të pësojë ndryshime tingëllore. Folja ban u bë bërë dhe trajta arban u bë arbër.
Në mbështetje për sa kemi parashtruar më lart, po sjellim këtu mendimet e dijetarit më të shquar shqiptar, Sami Frashërit..“Prindëritë tanë të vjetërë u quajtënë Arbënë, fjalë të cilën na Toskëtë, pas zakonit tënë që bëjmë n në r, e këthyemë në Arbënë, si e përdorim edhe sot. Do-me-thënë ky komp kaq’ i vjetërë thuhëshë që m’atëherë Arbënë a Arban, do-me-thënë ata që punojnë arënë, që korrin e mbjellinë. Këtë fjalë Romakëtë e kanë këthyer më Alban duke thënë edhe vëndit të tyre Albania, si e thonë edhe sot Evropijanëtë.” ( Shqipëria ç’ ka qenë, ç’ është dhe ç’ do të bëhetë)