Pjelloria e bejtexhinjve/Vjershëtorët si gardianë të vetë Avangardës Poetike
S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2022.
(…në letrat shqipe vjershologjia është një fushë fort pjellore, sa i përket pjellorisë mund të krahasohet me gjithë luginën e Nilit, përsëgjati Egjiptit të lashtë dhe të atij modern…)
I dashur Berat (artikullin tënd e lexova në Alb-Spirit), meqë paske zgjedhur, përzgjedhur, botuar e edhe shkruar, tani u bëra mjaft kureshtar pse (si titull) qenka përdorur “Vjershat më të Bukura të Dashurisë”, e jo “Poezitë më të bukura…”! E kishe cekur se zgjedhjet e tua qenë bërë sipas “shijeve personale” – fare e natyrshme kjo.
Thelbi i komentit tim është: ndoshta ka ardhur koha që dhe në Kosovë (në Shqipëri po ashtu, pse jo) të ndahet njëherë e përgjithmonë se çfarë na qenka “poezi” e çfarë na qenka “vjershë”. Apo ndoshta kjo është e qartë, kristal, ndarja e tillë është bërë qëmoti. Ky ndoshta s’ishte qëllimi yt i përdorimit të titullit, sidoqoftë, kureshtia ime ngelet. Për t’shmangur keqkuptime e “keqlexime” eventuale, gjithçka që them tutje në këtë koment, do ia filloj me “sipas meje”…
SIPAS MEJE, çdosecili lexues i kësaj bote është unik, secili lexues i përfaqëson përvojat e një universi në vetvete. Nuk është vetëm “shija personale”, por gjatë leximit lindin lloj-lloj idesh në kokat e lexuesve, sepse është supozuar ashtu. Idetë autoriale madje janë dhe diç si “katalizatorë” të ideve, bëjnë të lindin lloj-lloj filiza të rinj idesh (në kokat e lexuesve). Në fakt kjo sikur dhe është “magjia” e komunikimit letrar.
SIPAS MEJE, besoj dhe sipas gjithë botës, shijet personale janë një faktor fort i rëndësishëm i “leximit”, faktor kyç i raportit krijues-lexues, faktor kyç i gjuhës “ndërkomunikuese”. Gjithçka varet nga niveli ynë si lexues, nga nevojat (si ushqim shpirtëror), nga momentumi “intelektual” dhe nga parapritjet. Për fat të mirë, pjesa dërrmuese e vjershave janë krijime të “hapura” (s’janë aso të ashtuquajtura “krijime hermetike”). Vjershat s’na mundojnë as nuk na lodhin, problemi lind e vjen duke u rritur kur hëpërhë na teket t’i lexojmë e kuptojmë poezitë…
SIPAS MEJE, duke komunikuar me poezinë (me letërsinë, me gjithë artin në përgjithësi) shpesh madje dalin lloj-lloj problemesh në sipërfaqe; jo rrallë në kokat e lexuesve tërthurohen edhe keqkuptime, edhe hamendësime, edhe moskuptime, edhe idealizime, edhe parabolizime etj etj 1 milion etj. Të lexosh dtth. të krijohet “kontakti” (me krijuesin), në rastin e Poezisë kjo me fjalë të tjera dmth. të komunikohet (edhe shpirtërisht), të kapet ai kumti shpirtëror i autorit.
Nëse unë shkruaj vjersha, herë patriotike e herë aso “amoreske”, çfarëdoqofshin, fort bukur. Ashtu-kështu, në letrat shqipe vjershologjia është një fushë fort pjellore, sa i përket pjellorisë mund të krahasohet me gjithë luginën e Nilit, përsëgjati Egjiptit të lashtë dhe të atij modern. Ama vjershat e dashurisë, shpalosja e botëkuptimit tim, shpalosja e vuajtjes apo e delirit, ballafaqimi me letrën, jo patjetër më bëjnë POET. Mbase lexuesit besnikë, pas ca vëllimeve vjershologjike varg e varg, do më cilësonin si “vjershëtor” fort i zoti.
SIPAS MEJE, një poet i vërtetë kurrë s’do lajthitej e të merret me “vjersha” për Xhaxhi-Hoxhën (si shembull, në kuptimin ideologjik), me frymëzime për Titon, për partinë, për internacionalen e proletariatit… etj etj. Dhe pastaj në një tjetër kohë, në një epokë tjetër, kur fluturat dhe velat e “historisë” ta kenë bekimin tjetërsoj të Zefirit, hooop ta ndryshojë “trakën” e frymëzimeve. Jo, poetëve kurrë dhe hiçkurrë, mund t’u ndodhë vetëm vjershëtorëve diç e tillë.
SIPAS MEJE, poetët janë të lidhur me “fuqinë” e ndërgjegjes, sikur dhe fuqimisht me ndjesinë e me parandjenjat. Ata s’mund t’jenë vegla indoktrinare dhe as nuk indoktrinohen (diç e tillë do u sillte madje dhimbje), nuk “fiksohen” me ideologjitë dhe as me politikat e makro-politikat. Për kulaçin artistik, brumi i tyre dhe tharmi gjithmonë janë “instrumente” në shërbim të universalizmit.
SIPAS MEJE, një poet i vërtetë rritet nga “brend”, me qumështin e ndërgjegjes. Një poet i vërtetë kurrë s’mund t’jetë diç si “piktor i automatizmit poetik” (si ndonjë Pollock piktural), sepse poeti natyrshëm është diç si “kanal”, si përçues i ndjesisë, poeti s’mund t’i “hedh gjykimet” kuturu në kanavacë. Mund të lajthiten vetëm vjershëtorët, dhe kjo është e njohur, e ditur, s’është ndonjë tragjedi.
Lajthitjet dhe “oportunizmat” e vjershëtorëve s’janë ndonjë “mëkat”, janë fare normale. Ndodhin gjithandej nëpër botë, dhe bota ka me miliona vjershëtorë. Nuk parapritet nga ta t’na jenë diç si “krizalidash” shpirtërore të patjetërsueshme, të lindura, të vulosura që nga “gjeneza”, të natyrshme.
Andaj kur pashë titullin “Vjershat më të bukura…” sikur ngela për një çast, mos vallë paska ndryshuar diç për mirë! Uroj, sepse ndoshta s’mund të vazhdohet deri në askundësi (të letërsisë kosovare) me ngatërrimin e këtyre gjërave. Nëse ta pyesnim Internetin, virtualisht krijohet përshtypja sikur më shumë “poetë” na paska Kosova 2-milionëshe, sesa Kina + India 2-3-miliardëshe. Madje dhe vetëm “fejsbukiada” kosovare sikur do ia kalonte asaj të Indisë e të Kinës së bashku.
Nëse aq shumë poetë na i paskësh Kosova, atëherë mrekullia vetë, qenkemi më fatlumët e rruzullit. Gëzohem për “Vjershat më të bukura…”, qëkur e di mirë se i njëjti libër mund t’ishte dhe “Poezitë më të bukura…”. Apo ndoshta disa gjëra të vjershologëve do ishte mirë të “ndahen” e të definohen sa më saktë.
Përndryshe do ishte pakashumë njësoj si t’bëheshin grumbull futbollistët e bjeshkëve të Restelicës me të zgjedhurit (me seleksionin) e Fadil Vokrrit, në Ligën “Prime” për ta mbrojtur krenarinë futbollistike të Kosovës.
Në Restelicë tërë ditën e gjatë barinjtë kujdesen për tufat e deleve, shpesh dhe mërziten. Ndonjëherë bëhen tok, merren me lojërash, merren vesh si skuadra, shpesh luajnë dhe futboll. Futbolli pakashumë nëkupton që t’vrapohet pas topit të rrumbullakët, i ka të njëjtat rregulla, si në bjeshkë si në UEFA, e madje dhe në FIFA.
Edhe në bjeshkë do ta kemi ndonjë Ronaldo, futboller fort i zoti, golgeter e sulmues i pandalshëm. Ndonjëri nga të skuadrës kundërshtare mbrojtës i dobët, jo dhe aq i shkathët. Goli do na jetë GOOOL, fitorja fitore, e ëmbël dhe gazmore – ndërsa humbja mos pyet, e hidhur dhe inatçore.
Ose dhe një përndryshim tjetër, nëse Kosova na paska aq shumë poetë, atëherë padyshim dhe gjyshja ime do e meritonte të cilësohej një Camajana e Poezisë. Se pastaj (si krenari gjenealogjike) unë vetë, mos pyet: prijatar sa në bisht sa në ballë, gardian fort i zoti i vetë avangardës poetike.
– – – më poshtë ngjitur: një vjershë e “dashurisë së dikurshme ideologjike” – – –
DIELLI I AGIMEVE TONA
Sali Bashota
– Shokut Tito –
Nga shkëlqimi yt
marshon buzëqeshja jonë
e gdhendur në zemra
me oqeanin e paqes
përshendetemi
rreze dielli
fjalët tua
vepra jote revolucion
që rritet e buzëqesh
Tito
diell i agimeve tona.
P.S.: Ilustrimet e poezive janë të albspirit.