Albspirit

Media/News/Publishing

Dianthus – Lulet e dashurisë hyjnore, floriadat dhe emrat simpatikë!

Senad Guraziu – ars poetica, tetor 2021

 

[Ngjitur: pikturë e Evelyn de Morgan – Klorisa (Flora), 1880-2, dhe lulet me emrat rreth dashurisë]
– Dianthus ‘Dashuria e Parë’ (First Love)
– Dianthus ‘Romanca e Parë’ (First Romance)
– Dianthus ‘Pasioni’ (Passion)
– Dianthus ‘Kujtimet’ (Memories)

 

 
(…nga thirravajet e Orfeut dhe vetë Hadesi sikur pati shtangur në fronin e vet, gruaja e tij perëndesha Persefona qe kthyer në një qaralaçe të paparë, qe katandisur si mos më keq nga sentimentet…)

***
Dashuria është dhuratë hyjnore, ashtu ia themi… apo jo, sikur që padyshim janë dhe lulet. Tekefundit mitologjia na thotë se lulet qenë zbutur e zbukuruar falë poetit të lashtë, Orfeut. Falë tij qenë pajisur me aromat, me ngjyrësinë e ëmbëlsinë… falë zërit të ëmbël të tij. Orfeut ia kemi borxh gjithçka. Me ta dëgjuar këngëtimin, pothuaj gjithçka e florës dhe faunës qe zbutur e përkulur. Elegjitë e tij ishin tepër drithëruese, gjithçka e gjallë qe zbutur.
Elegjiakja shpirtërore orfeiane bënte të dridhej shpirti e të plogështohej zemra, bie fjala sytë e ciklopëve dhe titanëve (të burgosur) në Tartarus patën shterruar, e dëgjonin vajin e tij nga përtej grilave, zemrat u qenë tretur nga dhimbja. Por jo vetëm titanët, qe tretur e përvëluar dhe vetë Tantali, e pati harruar etjen, urinë, pati harruar gjithçka, vaji i Orfeut aq i dhimbshëm.
Se mos vetëm Tantali, edhe Sizifi qe prekur e lëkundur në shpirt. Të thuhej se nuk i kishte ardhur në “majë të hundës” me zbritje-ngjitjet, do ishte gënjeshtër e madhe ose shtrembërim, fakti i mitologjisë do na bëhej shtrembalaç. Vetëm ca hapa afër majës… dhe qe ndalur, qe ulur mbi gurin ashtu në faqen e pjerrësirës. Jo të pushonte por s’mundej tutje, nga thirravajet e Orfeut zemra i qe dobësuar sa s’ka më.
Iksioni po ashtu, i pati harruar ëndrrat rreth bukuroshes Hera, i pati harruar të gjitha romancat “platonike” të largësisë, s’i shkonte mendja tek asnjë bukuroshe e botës, e as tek Hera. Dhe atë jo se nuk e sfidonte mendja, as jo se gjoja na kishte frikë nga Zeusi, burri i Herasë (nëse t’ia kishte frikën, paçka se Kryezot, ai madje s’do kishte filluar fare me “platonikat”). Por thjesht s’mundej tutje në rrotullamat e flakëve të dhimbjes. Flakët e rrotë-ngujimit të tij nuk fikeshin, as dhimbja e zemrës assesi të fashitej.
Madje dhe vetë Hadesi, zoti i botës së të vdekurve, pati shtangur në Hades, në mbretërinë e vet. Thua se qe gozhduar në fron, askush s’ia shihte zemrën por ama vetëm sa s’i rridhnin lotët. Sa për gruan e tij mos pyet, Persefona qe kthyer në një qaralaçe të paparë, qe katandisur si mos më keq nga sentimentet. Aq sa Kerberusi (ai qeni i llahtarshëm me tri koka) i pati harruar të gjitha portat e Nëntokës, qe hutuar tek këmbët e saj. Sepse përveç dhimbjes për Orfeun, qeni besnik i Hadesit fort mirë e ndjente dhe dhimbjen e perëndeshës, pikëllimi ia pati rënduar sa zemrën po aq dhe të trija kokat.
Orfeu këndonte e vajtonte, vinte e shkonte, ia niste dhe vazhdonte, aneskaj zgafellave të Hadesit zëri i tij kumbonte. Vetë ujërat e Stiksit e të Lethas sikur qanin. Thuase lotët derdheshin ashtu si me shtamba nga sytë e pesëdhjetë Danadave vrastare. Thuase përveç shtambave të përjetësisë… tashmë shtretërit e pesë lumenjëve të Hadesit duhej t’i përballonin edhe vërshimet sentimentale.
Shkurt, me këngët e veta Orfeu i pati zbutur të gjitha zemrat, gjithçka të Florës e Faunës. I ngrati, ishte tretur e rraskapitur, ashtu i përhumbur në pafatësinë e tij i dhimbsej tokës e nëntokës… u dhimbsej perëndive të qiellit njësoj sikur dhe Hadesit, këngëtimi i tij ishte lutje ndaj perëndive që t’i kthehej dashuria, lutje që t’ringjallej gruaja e vdekur, Euridika fatkeqe.
Dhe s’duhet mohuar, Hadesit pirolla i qoftë, qe lëkundur në shpirt si një burrë-perëndi i vërtetë. Njësoj siç në botën e të gjallëve herë-herë lëkunden kryeheronjtë, trimat e mëdhenj. Ai Hadesi i madh, i cili që nga rrëmbimi i Persefonës (kuptohet, nga dashuria, por me të cilin akt i pati sjellur mjaft dhimbje nënës së saj, Demetra) sikur qe betuar se kurrë më s’do t’i thyente “principet” – ia pati plotësuar dëshirën Orfeut. Pirolla i qoftë, do ishte turp që rreth këtij mëshirimi madhor hyjnor, të mbulohen nga pluhuri e moskujdesi analet mitologjike.
Tjetër që, ashtu sikur dhe e dashura Euridika, tashmë dhe ky do na ishte një fatkeq i madh. Në fakt, nëse ta krahasonim bie fjala me Bajronin, ky na ishte një fat-lumturush i madh, më i madhi nga më të mëdhenjtë. Fare lehtë do ketë qenë poeti më fatlum i të gjitha kohërave. Ndërsa Orfeu i ngratë, u muar vesh, poeti më fatkeq që njeh mitologjia, parahistoria e histori-grafia moderne e njerëzimit.

***
S’është se të gjitha lulet e kohës sonë janë shpikje origjinale, mrekulli natyrale trashëguar që nga epoka e sentimenteve orfeiane. Nuk janë mrekulli të natyrshme të perëndeshës Flora, as mrekulli të perëndeshës Klorisa (atje diku lulishteve Elisiane).
E qartë, s’janë shpikje origjinale (të natyrës) mjaft lule të Lulandisë e të Francisë, s’janë hyjnore as ato nga serat e Britanisë. Kuptohet se janë kryqëzime ‘origjinale’, herë dështime e herë suksese shkencore.
Që nga eksperimentet e prelatit Mendel dikur në kopshtin e manastirit, herë pas here do ia qëllojmë pikës eksperimentale (me gjenetikat). Meqë ra fjala, Mendel ishte edhe + edhe + edhe, dmth. kureshtar + shkencëtar + klerik i lartë, sot me të drejtë konsiderohet ‘babai i gjenetikës’. Falë studimeve dhe eksperimenteve të tij u zbuluan parimet themelore të trashëgimisë gjenetike.
Apo ndoshta speciet e reja të luleve, kryqëzimet moderne, dhe janë ‘dhuratë hyjnore’, s’kemi si ta dimë… ja që s’duhet përjashtuar hipotetikat. Fare lehtë mund t’jenë frymëzime nga perëndeshat e lashtësisë, nga Flora e nga Klorisa.
Ngjashëm siç, psh. Mnemozina dhe nëntë vajzat e saj, Muzat u pëshpërisin në vesh poetëve, artistëve, shkrimtarëve… Pastaj këta mburren me gjenialitetin e tyre poetik, me përrallat novelistike, me paradokset filozofike etj. etj. Apo ehuuu, veç e thamë, s’kemi si ta dimë : )
Gjithsesi, si specie hibride lulet e Britanisë patën lindur falë eksperimenteve të John Whetman, dhe të kopshtarëve të Devonit (Whetman Garden Plants). Termit “Dianthus” (si emërtim i një gjinie bimësh – nga greqishjtja, ‘dios’ = hyjnore, dhe ‘anthos’ = lule) them se i janë ngjitur në bisht emra fort simpatikë. Sipas meje bukur e kapërthejnë gjithë ciklin amoresk. Mbase ‘dianthus’ duhet ta shohim si vulë të emërtimit për floriadat artifiça.
Më bëri përshtypje përkujdesja rreth zgjedhjes së emrave – pothuaj njësoj si piktorët, poetët e artistët kur mëtojnë ta ujdisin ndonjë tabllo sa më të saktë amoristike, psh. ‘dashuria e parë’, ‘romanca e parë’, ‘pasioni’… në fund dihet, do na ngelin vetëm ‘kujtimet’, përputhet gjithçka : )

***
Dianthus është një gjini prej rreth 300 llojeve të bimëve lulëzuese, familja Caryophyllaceae. Termi Dianthus vjen nga fjalët greke ‘dios’ që do t’thotë hyjnore dhe ‘anthos’ që do t’thotë lule. Bimët e gjinisë Dianthus janë barishtore shumëvjeçare me tufa të lirshme, me lule aromatike, shpesh të dyfishta. Shumica e kultivarëve janë kryqëzime mes tre llojeve: Dianthus caryophyllus, Dianthus gratianopolitanus dhe Dianthus plumarius. Ka me mijëra kultivarë (kryqëzime) që janë zhvilluar me kalimin e kohës. Mbarështimi i gjerë ka sjellur kultivarë në pothuajse çdo nuancë rozë, vjollcë, të kuqe, portokalli, të verdhë dhe të bardhë.

Please follow and like us: