Rifat Ismaili: SFERAT HYJNORE TË MUZIKËS
Lidhja e shenjtë mes muzikës dhe valles
Muzikë dhe lëvizje! Nuk mund të gjenden fjalë aq të afta për të kapur dy nga gjërat më të magjepsshme të botës. Muzika na habit, na mbështjell me misterin e saj hyjnor, na kurdis mekanizmin e shpirtit dhe spontanisht lind lëvizja, gjestet instinktive, apologjia e vallëzimit, që nuk ka nevojë të kërkosh nënkuptime për ta përkthyer. Madje në këtë rast, fjalët sikur vrasin, i bëjnë paksa keq asaj ndjenje lirie primitive që krijohet në çdo zemër njerëzore, pushtojnë rastësitë e papërcaktueshme të një magjie të vjetër sa dhe njeriu, me rrënjët thellë në nënvetëdije. Më shumë se fjalët, muzikës dhe vallëzimit i duhet një atmosferë e papërshkrueshme, surreale, një lloj bing-bangu i përjetshëm, një botë ende e egër dhe kafshërore, thirrje që të turbullojnë, që shpërthejnë nga humnerat e shqisave.
Në të dyja rastet trupi njerëzor shpërthen si gonxhe nga palëvizshmëria dhe ngurosja e së përditshmes, nga gjestet e lëvizjet e kontrolluara, nga mërzia e ngadaltë e vetvrasëse, për t’iu lënë vendin mendimeve dhe ëndrrave më të pamundshme që bëhen të mundshme nga lëvizjet e lirshme, të lehta, eterike, duke hyrë në gjendje ekzaltimi mes parajsës e ferrit. Ajo që ka rëndësi nuk është më kuptimi dhe deshifrimi i gjesteve dhe lëvizjeve, por lëvizja në vetvete! Të vallëzuarit shprehet nëpërmjet gjesteve dhe imazheve duke futur ne kurth shikimin tonë dhe shpirtin, në një lojë magjepsëse te pafundme. Na deh me hyjnësi e na përfshin me qenie të lehta e te padukshme, me vetë perënditë. Po përtej muzikës dhe lëvizjes, ata që kontribuojnë në ekzaltimin e shpirtit janë edhe erotizmi, një lloj gjendjeje e pafalimentueshme e gradës më të lehtë të gëzimit, të ngrënët, ato lloj ushqimesh që ruajnë ende shijen e më të këndshmes ndjenjë të të ngrënit, poezia, ajo mistike, që na përputh e na bashkon me natyrën, kafshët e perënditë, pijet dhe eliziret, por sipër së gjithash, krijimi spontan.
Muzika dhe vallja, mikesha të pandashme, intime e të thella, gjer në fshehtësinë më të madhe te çdo krijesë. Nuk ka vallëzim pa muzikë; mund të vallzohet edhe pa një orkestër përreth nesh, por gjendet gjithnjë muzika, ajo muzikë e brendshme në thellësinë e qenies tonë, që shtyjnë e bëjnë për vete hapat, gjestet e lëvizjet tona.
Lidhjet e hershme embrionale midis muzikës dhe këngës
Muzika e ka origjinën nga humnerat më të paimagjinueshme të Universit dhe të kënduarit është një nga shprehitë më të shenjta e hyjnore që i është dhuruar njeriut. Që prej mijëvjeçarësh, të kënduarit nuk ka qenë vetëm shprehi e devotshmërisë, por edhe një mjet për t’u lidhur e prekur esencën hyjnore që gjendet brenda çdo njeriu, në çdo gjë që frymojmë e bëjmë.
Kur njerëzit nuk njihnin ende shkrimin, fantazitë e tij, kujtimet e tij të shenjtërisë dhe profanizmit, të gëzimit e të dhimbjes, i shprehte nëpërmjet poezisë dhe këngës. Nëse ne njohim sot epopenë e Gilgameshit, botën homerike, legjendat e mitet, kjo, falë traditës gojore, e mbi të gjitha këngës. Të kënduarit për të moçmit paraqiste plotësimin dhe realizimin e të gjitha instancave të jetës, por edhe si rrugëdalje e vërtetë nga errësirat dhe të panjohurës së mistershme që turbullonte zemrën njerëzore. Pra, nuk është muzika dhe kënga si gjëra të shenjta, por mbi të gjitha janë lidhjet që mund të krijojnë ndërmjet qenieve njerëzore, e ndërmjet perëndive e qenieve njerëzore, mes njohurisë reale e mistiçizmit të pakapshëm drejt të mbinatyrshmes, të atyre qenieve që jetojnë më lart se ne, në një fluturim të përjetshëm nëpër qiell, në sintoni me çdo atom e molekulë të universit. Përveç kësaj, çdo tingull e notë muzikore, ushtron një influencë dominuese mbi ne: fizik, mendor, me efekte të habitshme.
Muzika si shërim i trupit dhe shpirtit
Shpesh tingujt i përdorim për të patur mirëqenie nga fuqitë e tyre shëruese. Koncepti i mjekimit dhe shërimit nëpërmjet muzikës është shumë i moçem, egjiptianët, grekët e romakët dinin gjithçka për forcën e saj. Në çdo kohë vibrimet e tingujve kanë shërbyer për të shëruar apo sëmurur, për të magjepsur apo për të çmendur dikë. Po të mendojmë një çast për gjarprin që shtanget nga jehona e flautit (pikturë e Rusoit), apo sirenat që me këngët e tyre tërhiqnin marinarët dhe pastaj i bënin të vdisnin, për kafshët shtëpiake që përveç ushqimit e kurave, bën pjesë edhe një program muzikor për ta, për pacientët me probleme të ndryshme psikike, për të medituar nëpër kulturat induiste e budiste, apo si instrumente torturimi për të çmendur apo vdekur të burgosurin.
Poeti latin Lukani shkruante se “edhe murtaja arratiset kur përballet me fluksin e këngës”. Ndërsa Platoni e këshillonte magjinë e këngës kundër dhimbjeve të lindjes.
Njerëzit kanë besuar gjithmonë te fuqia e fjalës e magjia e muzikës. Njëra prej tyre është edhe Karmeni, që është si një lloj lutjeje, por gjithnjë si një lloj urdhërese që i drejtohet Satanait për ta mundur e për të shkatërruar veprat e tij të këqija e të ndyra. Tito Livio na referon historinë e 27 vajzave që marshuan nëpër qytetin e Romës duke kënduar për një ditë të tërë një Karmen për të purifikuar qytetin nga lindja e një ermafroditi. Dhe ka shumë episode të tjera të ngjashme. Disa prej shprehive më sugjestionuese të muzikës dhe këngës së moçme janë padyshim edhe këngët e harmonishme të Altait, tokë mongole e luftëtarit të tmerrshëm Ghensis Khan, këngët sufi që impenjojnë qenien në totalitetin e vet, këngët arabe që shprehin madhështinë e shpirtit dhe udhëtimin drejt së mbinatyrshmes.
Muzika si harmoni e përjetshme midis njeriut dhe universit
Muzika është në themelin e krijimit, jeton brenda e përreth nesh, shtrihet pakufijshmërisht mes hapësirës e shpirtit. Duke filluar që nga britmat e ulërimat, nga psherëtimat, fjalët, të qeshurat, të gjitha janë manifestimi i një vibrimi të gjallë e të përjetshëm, një forcë që na komandon, që na tërheq në iluzivitetin e koncertit të pandërprerë të jetës. Prej Greqisë së lashtë na vijnë gjer sot, zëra, rituale e ceremoni që shenjtëronin rikthimin e pranverës, jetën nëpër shtëpi e fusha, festat e vreshtit dhe kultit dioniziak të të pirit, mpleksjen fekonduese ndërmjet Zeusit dhe motres së tij Demetrës. Por në Greqinë antike përveç instrumenteve frymorë, janë të përhapura edhe këngët korale.
Harmonia hyjnore e zanoreve është shprehur në ato lloj këngësh të bukura e të thella si për shembull; këngët gregoriane, polifonia shqiptare, apo këngët e murgjërve tibetianë, saçerdotët egjiptianë praktikonin muzikën për të hyrë në një gjendje ekstaze komunikimi me kozmosin.
Njeriu ka pasur gjithnjë kuriozitetin e pashprehshëm dhe dëshirën për të krijuar kontakte e marrëdhënie me perënditë, planetet, stinët, tingujt, ngjyrat, bimët, kafshët, parfumet, kristalet, me erotizmin, emocionet, me ekzistencën e jetës dhe vdekjes. Pitagora i bie lirës së tij dhe si një lajmëtar i Apolonit, përhap frazën e denjë “Çdo kordë në padukshmëri u akordoftë me filozofë e muzikantë”! Ndërsa studiuesi i njohur francez, Philippe Barraque shkruan; “Vepra të shumta artistike kanë lindur nga një fjalë e vetme, farë, nga një akordim muzikor, nga një ngjyrë, nga një përvijim karakteri që kanë qenë të mjaftueshme për të vënë në moto kantierin krijues”.. .e pastaj… “Tërheqja për këngën e shenjtë çon drejt praktikash zhvillimi individual, në të cilat qenësia është zot i trupit e mendjes së tij, i çliruar nga dogmat e nga fetë, duke u futur të bëjë pjesë në një lloj shpirtërimi universal , i zhveshur nga çdo lloj forme ritualesh”.
Pra, muzika është diçka që na drejton në jetë, por jemi edhe vetë ne që orientohemi drejt saj me të njëjtën kënaqësi që provojmë prej dashurisê, me kënaqësinë e të shikuarit dhe lexuarit, të pirit e të ngrënit, të pikturuarit e të të bërit sport?