Pirro Millona: Takim përmallues i ish-maturantëve “Asimzenelas” dhe Zyshe Zhaneta Nova
Takim përmallues i ish-maturantëve “Asimzenelas” dhe Zyshe Zhaneta Nova, për festën e Mësuesit
…Po afrohej 7 Marsi dhe përgatitëm takimin e rradhës me Zyshe Zhaneta Novën. Nga biseda në telefon një ditë para i thamë se do të venim ta festonim bashkë, si zakonisht tek “Vila Verder”, ne ish-nxënësit e tu.U gëzua pa masë!
Të nesërmen datë 7 Mars, siç e lamë me Zyshen grupi prej pes vetash Ylli Musta, Ludmilla Hashorva, Pirro Minella Millona, Jorgo Qirko dhe Raif Mene, para orës 11 ishim të rehatuar tek mjediset e brendshme të “Vila Verder”. Në qoshe si gjithmonë rregulluam dy tavolina dhe i qarkuam me karriket.
Kishim në duart tona buqeta me lule, kurse dikush kishte blerë një tortë me mbishkrimin “Gëzuar 7 Marsin”.
Prisnim Zyshen e Letërsisë, si dikur kur ishim nxënësit e saj, ashtu e re e bukur…
Fiks në orën 11, u shfaq Zyshe Zhaneta. ashtu Zonjë Fisnike, e veshur me pallto të rëndë, ngjyrë mjalti të çelur, me jakë të gjerë dhe në të djathtë një simbol në po atë ngjyrë si lule, me shallin që i zinte gjoksin, me rrypin në mes, por të pa mbërthyer palltoja.
Dikush u ngrit dhe i hapi derën dhe e shoqëroi tek ish-nxënësit e saj të dikurshëm.
Ndryshoi shumë shpirti i saj, e pasqyronte dhe në fytyrën dhe buzëqeshjen aq të plotë.
Takoi me radhë të pranishmit, nxënësit e saj Jorgon, Raifin… U përqafua fort me Ludin, miken më të afërt që nuk e lë kurrë pa pyetur për shëndetin e Zyshes.
Takoi edhe Yllin Mustën dhe tha:
-Tani mu mbush më shumë shpirti im.
I dinim marrëdhëniet tepër të ngrohta me Yllin, por edhe marrëdhëniet familjare të hershme.
Në fund më takoi edhe mua.
U kënaq shumë me buqetat me lule që i kishim sjellë.
Dikush, solli këngën e bukur për fëmijë…
O mësues i dashur,
Ne të duam shumë,
Ti për ne je prind i dytë,
Që na edukon
Ne në shkollë shkojmë,
Gjithmon’ të gëzuar,
Ne mësimet i mësojm’,
Siç na ke mësuar…
Festën e mësuesit,
Gjthmon’ do ta festojmë,
Lulet më të bukura,
Ne do t’ja dhurojmë..
Bashkë me këngën edhe Zysh Zhaneta këndonte me shpirtin e saj të ri si fëmijë, biles edhe vargjet i artikulonte tepër saktë.
U bashkuam të gjithë në kor,
Ylli me zë më të ëmbël, Jorgo po dihet për prirjet për muzike, Ludi e lindur artiste, Raifi dhe në fund nga cilësia e zërit vija unë, që e ula që të mos prishja atë melodi aq të akorduar…
Zysha në fillim me atë zë që i gufonte nga shpirti na tha:
-Sa lumturi, më sollët, më rikthyhet plotësisht në atë kohë, në atë moshë, në atë frymë rinore. Më duket sikur para kam tetëmbëdhjetë vjeçarët e dikurshëm, ashtu të qeshur, çapkënë, por tepër të sjellshëm dhe që mësonit me vullnet.
-Kurse ne- ju përgjigjëm ne- ju rigjetëm përsëri po ajo Zysha e ëmbël, e qeshur dhe me temp jete.
-Ja duke ju parë secilin në fytyrë më kujtohen copëza nga ajo kohë.
Zysha vërtet ishte transformuar shumë.
Pastaj me Yllin diskutuan dhe për vargjet e poemave aq të fuqishme.
-Doli Shkurti, hajde hyri marsi…
Aa, sa bukur vargjet popullore, sa saktë e përcaktojnë kohën “doli shkurti hyri marsi”, ka më saktë, më të plotë…
Në Mashkullorë tek Rrapi
Tek Rrapi në Mashkullorë
Vendi i ngjarjes, poezia popullore me pak fjalë e jep…
Përpara kishim po atë Zyshen e re që plot me dashuri jepte ‘leksionet’ aq me vlerë për letërsinë.
Nuk e di, por befas ajo filloi të ligjërojë vargje të “Kush e solli Doruntinën”:
…Kostandin ku e ke besen, që më dhe,
se do të më sjellësh Doruntinën
Sa herë të kem nevojë për të…
…Nuk kam kërkend,
Ti që trete besën…
dheu mos të tretë kurrë..
…Me sa pathos recitonte zysha dhe sa memorje të thellë kishte për ato vargje brilante.
Ylli e ndiqte në çdo varg, bashkonim zerat e tyre dhe me gjeste e shprehnin më mirë gjendjen e tyre emocionale. Përballë kisha Jorgon që ishte rreshtuar me Zyshen dhe Yllin dhe recitonte me zjarr. I admiroja nga vendi im.
Pasi mbaruan vargjet, Zyshja iu drejtua Yllit:
-Na ke sjellë poezi të bukura kohët e fundit?
-Zyshe i ke lexuar dy poezitë e fundit të Yllit, janë tepër të bukura në një shkallë sipërore. Janë poezitë “HERONJTË E MONUMENTEVE” dhe “KUR KTHEHEN VARKAT NË AGIM”.
Zyshja u drejtua e tëra nga Ylli, i shtrëngoi dorën dhe u shpreh:
-E njoh mirë kapacitetin e Yllit, ka akoma perla për të nxjerrë.
Pas pak Ylli nga xhepi i brendshëm i xhakaventos nxjerr të palosur gazetën “Telegraf” dhe na drejtohet:
-Ja sot shkrimin tim “Pashko Vasën nuk e mban dot varri!” është botuar.
Biseda ishte e lirë, por tërë vëmendjen e mori zyshe Zhaneta, nuk e mbante vendi kaq mori jetë.
Në mes të gëzimit u bënë foto të rastit dhe videot gjatë gjithë takimit.
Befas në celularin e një ish-nxënësi u shfaq fytyra e qeshur e Sofokli Vasilit nga Athina, matematicienit sot diplomat, Kryekonsull në Ambasadën Shqiptare në Athinë.
Foli me Zyshen, e uroi për festën dhe pastaj na përshëndeti edhe ne duke na thënë:
-Sa të lumtur jeni që keni mes jush atë Zonjë Fisnike me aq vlera dhe një profesioniste e pa arrirë më..
Koha e pamëshishme në këto raste ‘fluturoi’, kuptohet erdhi momenti që zyshe Zhaneta të largohej.
U caktuan dy shoqërues, një do të mbante tortën në dorë dhe tjetri buqetat me lule.
U puth me Yllin dhe Xhorxhin dhe avash në mes të ‘shoqëruesve’ të saj, u nisën drejt hyrjes së saj.
I vendosën me kujdes buqetat me lule, u përqafuam me Zysh Zhanetën dhe u kthyhen tek shokët.
Në fytyrat tona lundronte gëzimi dhe kënaqësia se kishim takuar Zyshen dhe tërë ato momente të bukura dhe malli do t’i merrnim me vete.
…Të nesërmen në mëngjes dikujt nga ish-nxënësit në takim Zysha i telefonon dhe tërë gëzim u shpreh duke i thënë:
“Përcill tek të gjithë nxënësit e mi, që erdhën dje në takim, se më kënaqën shumë, më shtuan disa vite jete…”.
Pjesmarrësit në takim: Ylli Musta, Ludmilla Hashorva, Pirro Minella Millona, Jorgo Qirko, Raif Mene.
Tiranë, më 07. 03. 2022.