A mos është kryeministri Rama i sëmurë psiqikisht?
Gjelok Marko
A mos është kryeministri Rama i sëmurë psiqikisht? Këtë pyetje ma bëri një miku im, mjek psikiatër. Po shikonim së bashku një video me pamje panoramike nga Shqipëria, dhe pas saj, ndërsa ne po bisedonim, doli në ekran një video me titullin: “Edi Rama dëshmon në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve”. Kur miku im gjerman pa pjesën ku kryeministri Rama po fliste për lopët që, sipas tij, kishin marrë dhëmbë peshkaqeni e trup hipopotami, sepse ushqeheshin në grumbujt e plerave, më kërkoi disa herë të përsërit e t’i përkthej me saktësi gjithshka që thuhej. Pastaj pasi qëndroi i heshtur për një kohë të gjatë. Më në fund, shumë i shqetësuar më drejtoi pyetjen: A mos është kryeministri Rama i sëmurë psiqikisht? A është në terapi?
Profesor, iu përgjigja, në qoftë se dikush do të shtronte haptazi një pyetje të tillë në Shqipëri do të bombardohej nga akuza mbi akuza, madje dikush do të mundohej ta ndiqte penalisht!
Profesori m’u përgjigj: Po sikur ne të kishim dëgjuar kryeministrin të kollitej, të kish temperaturë e të manifestonte siptomat tipike të Covid-19 a do të dukej e çuditshme pyetja: A mos është infektuar kryeministri Rama me Covid-19? A është testuar? A është në terapi? Unë jam specialist i sëmundjeve nervore. Personat që preken nga këto lloj sëmundjesh nuk janë raca e specie të ulta, pasi të tilla nuk ka, përkundrazi janë njerëz të zakonshëm, madje disa prej tyre tejet të talentuar. Edhe kryeministrat janë njerëz të zakonshëm. Edhe ata mund të preken nga sëmundjet psikike ashtu siç mund të preken nga sëmundjet e tjera si psh. Covid-19, etj. Me të parë siptomat duhet filluar terapia. Mohimi i fakteve, humbja në kohë nuk favorizon personin, nuk ndihmon shërimin, përkundrazi. Është primitivizëm të trajtosh personat e prekur nga sëmundjet psiqike si persona të dorës së dytë, si persona që duhet të turpërohen, apo të quhen fajtorë për pasojat që u shkaktohen nga sëmundjet psikike. Këto tabu shoqërore duhet të zhduken, për hir të pacientëve në radhë të parë, pastaj edhe për hir të gjithë shoqërisë.
Profesor, iu përgjegja, po ta shtroja unë këtë pyetje publikisht me siguri shumica do të më akuzonte se po e bëj për qëllime politike!
Natyrisht, m’u përgjegj profesori, një rrezik ekziston jo vetëm në Shqipëri po edhe në vendet e tjera që vetëlavdërohen se kanë në traditë të vjetër demokracie, po kur faktet janë të qarta, nuk duhet të druhemi të bëjmë pyetje të tilla. Veçantia e sëmundjeve psiqike qëndron në faktin se pacienti nuk është në gjendje të njohë gjendjen e tij prandaj është i varur nga ndihma e të tjerëve, më shumë se pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera. Në rastin e sëmundjeve psikike mund të ndodhë, më shpesh se në llojet e tjera të sëmundjeve, që pacienti t’i kundërvihet si diagnozës po ashtu edhe terapisë, po kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të na bëjë që ne t’i nënështrohemi presioneve dhe të mos guxojmë të flasim për faktet që janë të qarta para syve tanë.
Pyetja: “A është i sëmurë psiqikisht kryepushtetari i vendit tim?” është një pyetje me rëndësi jetike. Po të ish shtruar kjo pyetje hapur rreth shumë politikanëve do të kishim shmangur shumë tragjedi të historisë. Historia jonë gjermane ka një shembull shumë të qartë në këtë drejtim: Adolf Hitleri erdhi në Gjermani, pasi kish dështuar në karrierën e tij si piktor në atdheun e vet në Austri. Filloi të merret me politikë dhe pati suksese dhe pasues. Shumë kolegë të mi, në atë kohë e kuptuan se Adolf Hitleri kish probleme psiqike. Shumë mjekë pikiatër gjermanë të asaj kohe e kuptuan se shumë nga idetë e tij politike në fakt ishin siptoma patologjike të një truri të sëmurë. E kuptuan, por heshtën. Mendimet e diagnozat e tyre i shkruan vetëm në ditarët e tyre personalë, po nuk patën guximin t’i shpallin publikisht. Po të kishin folur do të kishin shpëtuar miliona jetë njerëzish. Të njëjtin fenomen e shohim sot me Vladimir Putinin. Siptomat patologjike të tij ka vite që ishin të qarta e megjithatë akush nuk guxoi të flasë. As atëhere kur derdh gjak në Çeçeni, Armeni, Siri, etj; prapë nuk guxuan të flasin. Vetëm tani, kur shohin tragjedinë e Ukrainës dhe rrezikun e luftës bërthamore, vetëm tani po guxojnë të thonë hapur atë që e dinin dhe e kishin të qartë për shumë vite. Jo, nuk është aspak politike, e aq më pak ofenduese të kërkohet që kryeministri i një vendi t’i nënshtrohet testimit nësë ka probleme psikike ose jo. Mjekët, natyrisht mjekë të pavarur nga politika, do të ndjekin kriteret shkencore të mjekësisë dhe do të japin diagnozën e tyre në bazën e këtyre kritereve. Ashtu si zhvillohen edhe testet për Covid-19. Nga ana tjetër, një politikan i cili ka probleme psikike po të lejohet të vazhdojë aktivitetin e tij sipas ideve që ia dikton sëmundja psikike me siguri do të shkaktojë dëme katastrofale ashtu si pamë të ndodhë në rastin e Adolf Hitlerit ose si po shohim sot në rastin e Vladimir Putinit.