Ilir Kaduku: “Rilindja” shqiptare dhe depresioni i madh
Mbështetur në aksiomën mitologjike “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur”, personalisht nuk jam penduar aspak për ”verbërinë ” dhe ”fanatizmin” tim demokratik. Preferoj “Sokratin e vuajtur”. Konsekuencat e zgjedhjes personale, mund të kenë qene të rënda për mua, familjen dhe grupin shoqëror që unë i përkas. Pavarësisht të qenurit “Sokrat i varfër”, “fanatik” dhe “i verbër”, oshilacionet e para emocionale i pësova nga komentet gjatë debatit në rubrikën “Opinion” të udhëheqësit të madh të partisë-shtet, shokut Edvin Kristaq Rama.
I shokuar nga situata aspak komode dhe i depresuar nga demagogjia “cipëplasur” postkomuniste e “rilindasve”, preferova të futem thellë në botën e mikut tim të vjetër, librit. Kuptohet se per zgjidhjen e aksiomës se mësipërme, si sistem referimi marr shtetin simbol të demokracisë: SHBA. “Rilindasit” me siguri do të marrin si referim kohën e mbretit Zog ose ’97-ën e Berishës. Zakonisht mbështetem tek eksperienca e shkollës së mesme, të cilën fatmirësisht e kam mbaruar pa shkëputje nga puna në gjirin e “kllasës” punëtore. Nga kjo shkollë tepër e “fortë” e lagjes Zdrale të fshatit Shkodër, kam mësuar “vjedhurazi” për depresionin e madh të Amerikës së viteve 30’.
Nga biblioteka ime e varfër dhe nga kompjuteri personal demode (prodhim i viteve ’97), arrita të kem ne dorë enciklopedinë e Amerikës. Shfletoj vitet e depresionit të madh. Për të qënë sa më i saktë po ju pasqyroj në pak rreshta historinë e Presidentit të SHBA, njeriut amerikan të shekullit të kaluar, Franklin Delano Roosevelt. Në Qershor 1932, Roosvelt ishte zgjedhur nga Partia Demokratike si kandidat për president kundër kundërshtarit republikan, Presidentit Herbert C. Hoover. Në nëntor 1932, Roosevelt u zgjodh unanimisht President i SHBA. Ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë në kulmin e krizës ekonomike kur kaosi, frika dhe dëshpërimi kishin mbërthyer vendin.
Fjalimet inaguruale të Rooseveltit inspiruan shpresë dhe i dhanë forcë popullit të stresuar. Të paharruara do të mbeten fjalët magjike të njeriut amerikan të shekullit, Franklin Delano Roosvelt, para kombit amerikan: “kombi kërkon aksion, aksion urgjent. Ne duhet dhe do të veprojmë shpejt dhe me force”. Burri i Shekullit, amerikani Roosvelt çdo gjë e bëri realitet. Gjatë të famshmes “Hundred days” (mars – Qershor 1933), administrimi i shtetit amerikan mori një pamje të re nëpërmjet zbatimit despotik të ligjeve të aprovuara me emergjencë nga kongresi amerikan. Në 100 ditët e para, Presidenti Franklin Delano Roosvelt bëri ndryshime të rëndësishme vitale në legjislacion, sepse populli kishte humbur besimin tek sistemi politik amerikan. Për të realizuar një program të tillë ai filloi me planin e famshëm të quajtur “new deal no. 1″.
Në 100 ditët e para të qeverisjes ai bëri më shumë se asnjë president para tij. Legjislacioni në 100 ditët përfshinte:
1. akte emergjente bankare,
2. akte ekonomike,
3. korpusin e mbrojtjes civile,
4. aktet e rigjenerimit industrial kombëtar,
5. aktet e rigjenerimit kombëtar.
Të gjitha ligjet ishin fokusuar në zhdukjen e varfërisë, papunësisw dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Pas 100 ditëve, filloi “New Deal No. 2“. Legjislacioni ishte fokusuar në ndryshimet sociale:
1. Sigurimi social,
2. Marrëdhëniet e punësimit kombëtar,
3. Administratës Publike. “New deal “ pati impakt negativ në zhvillimet politike, por në përgjithësi pati impakt pozitiv në ekonomi. PBB arriti nivelet e viteve më të mira të para krizës. Roosvelti në mandatin e parë arriti mesataren më të lartë të rritjes ekonomike të viteve të kohës së paqes. Megjithatë ato ishin më të ulta se në Japoni dhe në gjermaninë e Hitlerit. Roosvelti ishte një person i favorizuar i Presidentit Wilson, ai ishte burri i Paqes për shekullin e kaluar. Për vite me rradhë ai ishte fokusuar në Amerikën e tij dhe kishte injoruar gjithçka që ndodhte matanë atlantikut. Pavarësisht se SHBA nuk ishte përfshirë në luftën përtej oqeanit, Roosvelti kishte krijuar legjislacionin optimal për kur t’i nevojitej. Legjislacioni për prag lufte përbëhej nga:
1. akti i neutralitetit i vitit 1941,
2. lend – lease i vitit 1941. Për të kuptuar më qartë se cila ishte amerika e atyre viteve, po ju informoj në mënyrë telegrafike:
– mbi 77 % e sistemit bankar e falimentuar,
– mbi 13 000 000 të papunë,
– korrupsion totalitar dhe shteti amerikan i përfshirë nga virusi endemik “state chapture”,
– mungesë e plotë transparence në nivele të qeverisjes qëndrore dhe lokale,
– parazitizmi dhe kriminalizim i admistratës shtetërore,
– krimi i organizuar në kulmin e persosmërisë së aktivitetit.
(Në kujtesën e secilit prej nesh, Amerika në këto vite identifikohej me Al Kaponen, John Murphin dhe financierët e tyre). Të më “ndjejë” al kapone shqiptar dhe ministrat e tij të “Rilindjes” se ndoshta janë ofenduar me krahasimin fëminor që bëra. Jam i sigurte se po të ishte gjallë Al Kapone do të donte me shpirt të ishte anëtar i Byrosë Politike të “Rilindjes”.
– Evazioni fiskal dhe informaliteti total ekonomik,
– Sistem gjyqësor “egërsisht” i korruptuar,
-Hiperinflacion traumatik,
– Superprodhim i pakontrolluar dhe i deformuar (për “fatin” e mirë tek ne nuk ekziston një “fatkeqësi” e tillë),
– Riaktivizimi i komunizmit dhe lindja e embrionit të fashistizimit politik të vendit,
– Depresion social dhe psikologjik i shoqërisë amerikane, etj.
Hapat kryesore që ndërmori Presidenti Roosvelt dhe qeveria e tij gjatë “Hundred days“ në përmbushjen e programit emergjent dhe zbatimi i memorandumit afatmesëm “new deal“, konsistonte në këto aspekte kryesore:
1. Financat dhe bankat amenduan korniza të reja ligjore. u krijuan agjencitë institucionale për trajtimin e kredive të humbura dhe të sigurimit të depozitave,
2. Për herë të parë në SHBA u formuluan të mirënjohurat “standartet e arta” për bankat e financat,
3. Për herë të parë u konstituan një seri agjencish qeveritare – më të përmendurat dhe që funksionojnë dhe sot janë: administrata e rigjenerimit kombëtar, administrata e rregullimit dhe Planifikimit Bujqesor, si dhe administrata e Punëve Publike. Qëllimi i krijimit të këtyre agjensive ishte riorganizimi dhe ristrukturimi i industrisë dhe bujqësisë, supervizioni nga shteti dhe çlirimi i ekonomisë nga shpenzimet e shumta të fondeve publike,
4. Më vonë u bënë shumë reforma legjislative dhe u krijuan dhe shumë agjenci shtetërore. Komisioni i letrave me vlerë u themelua në 34’ me qëllim që të rregulloheshin bankat dhe këmbimet valutore. Administrata e progresit dhe motivimit të punësimit kishte si qëllim të ofronte programe për të papunët, ndërsa legjislacioni për sigurimet shoqrore ishte baza e një programi afatgjatë për mbrojtjen e punonjësve nga papunësia, sëmundjet dhe mosha,
5. Qeveria gjithashtu mori rol direkt në zhvillimin e resurseve natyrale të vëndit me themelimin e autoritetit të famshëm të quajtur “Tennesee Walley”,
6. U krijua dhe administrata e elektrifi kimit rural. Në historinë e SHBA-së, kjo periudhë u quajt “the american days of depression“ (ditët amerikane të depresionit). Madhështia e burrit amerikan të shekullit të kaluar qëndron në faktin se nuk i zhgënjeu shpresat e demokracisë të Amerikës. Ja si shprehet historiani i Shtëpisë së Bardhë, Z. Raymond Moley me rastin e ardhjes së Roosveltit në Shtëpinë e Bardhë:
“Shpirti i popullit filloi të ndryshoj, ndjenja e shpresës u ringjall. Programi qeverisës Roosveltian “Hundred days“ ose “new deal no. 1“, u kthye në një memorandum mbarëkombëtar, i detyrueshëm për t’u zbatuar dhe mori formën e një kushtetute ekonomike, sociale dhe politike për cdo shtetas dhe pushtetar amerikan. Sot, në manualet e historisë botërore, ky program njihet me emrin big – ben. Bashkëkohëse e saj është dhe memorandumi presidencial “new deal no. 2“ (marrëveshja e re nr. 2), e publikuar për herë të parë nga radio e Shtëpisë së Bardhë, me datë 4 Nëntor 1932.
Roosvelti, përfaqsuesi më tipik i një partie të djathtë, lufton për realizimin e një programi të majtë. Nga pikëpamja e zhvillimeve politike kemi simetri ndërmjet Amerikës së 30’ dhe Shqipërisë së shekullit XXI. Shqipëria, e detyruar nga kriza ekonomike, politike, sociale dhe kombëtare që po kalon vendi, ishte e detyruar të zbatojë perkohësisht programe që anojnë nga qëndra dhe e majta. E theksoj përkohësisht, sepse me t’u vendosur ekuilibrat sociale, është më se normale që të kërkohet një diafragmë e re në organizimin politik. Rreziku i shkarjes në një politikë populiste është evident vetëm nëse nuk zbatohet “përkohshmëria” dhe interesat e shtresave të tilla, si: të shpronësuarit, të persekutuarit politikë, intelektualët, etj.
Respektimi i programeve politike dhe i të drejtave të shtresave të tilla shoqërore, bëhet me luftë të “pastër“ politike parlamentare dhe me respektimin e vullnetit poltik të forcës qeverisëse. Një gjenerozitet i tillë është pasqyruar më së miri në luftën parlamentare të kongresit amerikan, ku opozita e Roosveltit e kryesuar nga republikani Alfred M. Landon e cilësonte si “tradhëtar“ të klasës së tyre në 36’. Roosevelt kishte fituar me shumicë votash ndaj republikanit Alfred M. Landon , i cili fitoi votat e vetëm dy shteteve. Qëndrueshmëria, intensiteti, skrupuloziteti i zbatimit të programit dhe personaliteti i fortë i Roosevelt e aneksoi dhe e konvertoi në bashkëpunëtore opozitën. Thëniet e tij, “biseda rreth vatrës”, transparenca ndaj publikut nëpërmjet medias, e ndihmoi Roosveltin t’i spjegojë popullit amerikan politikat dhe problemet. Vetëm në këtë mënyrë, ai bëri të mundur përmbushjen e mandatit të tij presidencial.
Jeta është e pamëshirshme. Roosvelti, i mbiquajturi Fdr i Shtëpisë së Bardhë, vdiq në moshën 63 vjeçare, me 12 Prill 1945, në duart e mbesës së tij, Lucy Mercer. Ai ishte i vetmi President i SHBA , i rizgjedhur katër herë. Vetëm pas vdekjes së tij Shtëpia e Bardhë ndryshoi ligjin për mundësinë e rizgjedhjes në vetëm dy mandate. Nëse keni ndonjë dyshim për vërtetësinë e fakteve të mësipërme, jeni të lirë t’i referoheni Wikipedia në linkun: the History of USA. XX Century.
Le të shohim se cila është Shqipëria e Edvin Kristaq Ramës, e gubernës së “rilindjes”, sot pas 30 muajve ose 897 ditëve të “invadimit” total të komunizmit konçesionar. Paraprakisht shokëve qëndrorë: Ditzi Bushati, Taulant Ballori, Saimir Tahiri, Pandush Athina Majko dua t’i kujtoj testamentin e të madhit rilindas hungarez, Shandor Petëf: “Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap edhe dashurinë”.
Këta komunistët e rinj për partiçkën e tyre japin edhe Shqipërinë. Mesa duket “Rilindja” ka marrë mësime nga demagogu Gebels: “Ndergjegja ime është Fyhreri”. Për këto mostra Enver Hoxha është Fyhreri i tyre. Nga gjithë eksperienca njerëzore kemi nxjerrë një mësim të madh: komunistët nuk kanë fe dhe atdhe. Zoti i mëshiroftë, se nuk dinë se çfarë bëjnë. Për simetrinë ekonomike, politike, sociale dhe psikologjike të gubernës shqiptare të shekullit XXI, mund t’iu pasqyroj me pak fjalë vetëm majën e ajsbergu në “oqeanin“ e trazuar shqiptar. Në rang-listat korruptive të ekzaminuara nga institucionet ndërkombëtare, është i turpshëm dhe i pamohueshëm fakti tronditës: Shqipëria ndodhet në “pole position” përsa i përket galopit të korrupsionit, kriminalitetit, prostitucionit, pastrimit të parave, kapjes së shtetit, informalitetit, etj. Të dhënat zyrtare të institucioneve ndërkombëtare tregojnë se ekonomia dhe shoqëria shqiptare po shkon në menyre drastike drejt një kakofonie, një kolapsi total. Ekspertët ndajnë qartazi opinionin e opozitës shqiptare se shkak themelor për këtë rrëshqitje të vrullshme të ekonomisë janë politikat fiskale, korrupsioni galopant qeveritar, kontrabanda e klientëve të pushtetit, si edhe shkalla e lartë e informalitetit. Zbatimi “copy paste” nga guberna rilindase e skenarit Papandreu, e rriti borxhin publik nga 62.7 % në 74 %. me gjithë “respektin” që kam për “feministin” Rama, ia vlen t’i kujtoj Balzakun dhe “lëkuren e Shagrenit“. Ja kush është skaneri i Ramës dhe e ortakëve të tij të “rilindjes” gjatë 897 ditëve të qametit koncesionar:
– një shtet të renditur në parajsën europiane të prostitucionit, trafi kut të drogës, të armëve dhe krimit të organizuar,
– një shtet antikombëtar i konvertuar në një makinë shtetërore për denigrimin politik dhe ekonomik të kombit të vet,
– një shtet që përdor dhunën politike, ekonomike, policore dhe sociale ndaj fisnikërisë të shoqërisë shqiptare,
– një shtet të “droguar” ku indeksi i zbatimit të ligjit është tronditës dhe absurd,
– një shtet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Shteti shqiptar është i vetmi shtet ndër vendet në tranzicion me fenomenin kanceroz “state chapture“. Fatura e “taksës“ së ryshfetit kryeministror arrin masën 1.2 miliard euro,
– një shtet me informalitetin më të madh në Europë,
– një shtet me absorbimin më të vogël të të ardhurave fiskale në raport me PBB,
– një shtet që ka diskriminuar totalisht inisiativën kombëtare në privatizimet strategjike, – një shtet ku i ”zoti i shtëpisë” ditën e përmbytjes biblike, e kalon duke parë ndeshjet e NBA-së në SHBA,
– një shtet ku qeveria ikën si klandestine ditëve të revoltave popullore,
– një shtet policor (Shqipëria ka numrin më të madh të policëve për frymë të popullsisë në Europë),
– një shtet që shpall si parësore të zhvillimit ekonomik, koncesionet,
– një shtet që ushtron gjenocid politik ndaj kundërshtarëve të regjimit të tij,
– një shtet shpikës dhe zbatues të teorisë “së tokës së djegur”, “përdhunues“ konstant i pasurisë kombëtare të shqiptarëve, popullit më të varfër të europës,
– një shtet me një politikë antikombëtare të “portave të shqyera” bankare,
– një shtet që ka varfëruar në mënyrë origjinale popullin e vet (5 % e popullsise zotëron 95 % te pasurisë kombëtare),
– një shtet që e ka shndërruar sistemin bankar dhe fi nanciar në “lavatriçen” më të madhe të pastrimit të parave në rajon,
– një shtet që “plaçkit” thesarin e shtetit ditën për diell,
– një shtet, që “plaçkit” identitetin ekonomik të qytetarit,
– një shtet që “plaçkit ” identitetin fizik të qytetarit (200 000 kërkesa për “Green Card” vetëm pranë ambasadës amerikane),
– një shtet që i katandisi shqiptarët në borxhlinj të bankave të botës me anë të borxhit publik,
– një shtet që ka detyruar rreth 100 000 shqiptare të marrin rrugën e emigrimit,
– një shtet, që premton 300 000 mijë vende të reja pune dhe zyrtarisht ka bërë gati gomonet për punësim matanë detit.
Ky është testamenti politik dhe ekonomik i qeverisjes së “Rilindjes” tënde, o i madhi dhe i gjati Edi Rama. Përpara se të fillosh të “nanurisish” për 897 ditët tuaja të “qametit“, merr mundimin dhe jep llogari për ”hyneret” e tua dhe të koncesionarëve tuaj. Besoj se e ke lexuar mikun tonë të përbashkët, të pavdekshmin Dante Aleghieri. Ti dhe skota jote, e dini mjaft mirë se jeni në shkallën e nëntë të ferrit. Si “mik” të ngushtë.