DITA E VERËS – DITA E GJITHË SHQIPTARËVE
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Vite më parë “Dita e Verës” konsiderohej si “privilegj” i trevës së Elbasan, Peqinit, Gramshit, Belshit, Cërrikut dhe Librazhdit, por që në forma të ndryshme festa pagane festohej edhe fshehtas në të gjitha trevat e shqiptarisë. Ishte ekzakt 14 Marsi. Edhe në diktaturë gjendej një mënyrë për të festuar dhe gëzuar në Elbasan e Çermenikë, në Cërrik dhe Belsh, në Librazhd e Përrenjas dhe jo vetëm. 14 Marsi shikohej si dita e largimit të dimrit dhe që lajmëronte ardhjen e pranverës. Legjenda e shikon zanafillën tek faltorja e Zanës së Çermenikës e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës në zemër të shqiptarisë. Legjenda thotë se “kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit”. Por a nuk dilte kjo zanë edhe në Çamëri, Labëri, Kosovë, Malësinë e Mbishkodrës, në çdo pyll të trevave shqiptare. Një ditë vere e mbushur me lule, e ngrohtësi, me erëra që lajmëronin më shumë dritë dhe diell, bereqet e gëzime duke përzënë në mënyrën e vet të ftohtit, të keqen, dhe ndillej e mira që pritej me lule e ëmbëlsira karakteristike. Një mik nga Kosova këtë mëngjes pasi shkëmbyem urimet e rastit më thotë se, Dita e Verës nuk ishte vetëm e Prizrenit, Elbasanit e gjetkë, por në mbarë trevën e shqiptarëve të Kosovës, zakone që i kanë marrë me vete edhe në diasporë. Nga ëmbëlsirat shumëkush njeh kryembretëreshën e ëmbëlsirave “ballokumet”, por ka me dhjetra ëmbëlsira, si i thotë maksima popullore “fshat e zanat”, ku nuk mungojnë verorja që është një lidhëse me dy ngjyra e bardhë dhe e kuqe, të cilën vajza, gra, meshkuj dhe fëmijë e vendosin në dorë një natë para ditës së verës. Është njera nga mënyrat që lajmëron dhe simbolizon ardhjen e pranverës. Verorja është një objekt me vlerë që meriton plotësisht të mbrohet edhe nga UNESCO. Ato i heqim kur vijnë dallëndyshet dhe i vëmë në pemë që t’i marrin ato për të bërë folenë, më karakteristike për vajzat në prag martese. Ato verore që merren të parat për të ndërtuar foletë e dallëndysheve janë edhe “vajzat që kanë radhën e martesës”, thotë legjenda e lashtë që nga paganizmi. Në lidhje me zanafillën e ditës së Verës dhe e largimit të dimrit lidhet në një farë mënyre edhe me besnikërinë e elbasanasve për “Ditën e Verës”, duke e bërë qytet të përkëdhelur nga fati, por mbi të gjitha nga mirësia njerëzore elbasanase. Elbasani është ndër qytetet më të njohur për tradita të veçanta kulturore dhe përtej tyre. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Dhe tashmë kjo është e provuar plotësisht për ngrohtësinë që sjell kjo ditë. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve. Është kjo arsyeja që Elbasani është mikëpritës për tju sjellë edhe qytetarëve të tjerë shqiptarë për një verë më të ëmbël dhe plot ngjyra të bekuara dhe të solidarizuara për unitet më të fuqishëm me njeri-tjetrin. Një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë. Respektimi i ditës së verës është respektim i natyrës, që të kenë një verë të shëndetshme e të mbarë. Simbolika e luleve është shumëllojshmëria me emërtime të jashtëzakonshme si: jasemini, karafilët, trëndafilat, lule që mbillen masivisht në të gjitha familjet në qytet dhe në fshatra me qëllim që të dhurohen lulet e tyre në ditën e verës për të afërmit. Dreka e kësaj dite në fakt ështrë një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët, zakonisht, e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore dhe gjithëfarë aktivitetesh. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë, elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur, ndërkohë që qyteti dhe jo vetëm hedh vellon e gëzimit dhe ja “rrëmben” emrin kryeqytet Tiranës, të paktën për një ditë në vit. Por bizilikët bashkëshoqërohen me ballokume dhe ushqime të larmishmne e Elbasanit, janë edhe këngët e vallet, kostumet e grupeve folklorike nga qyteti dhe bashkitë e qarkut, që janë kaq seriozë në stafetën e argëtimit muzikor nga Elbasani, Librazhdi, Peqini e Gramshi, që axhendën e ditës së verës e kanë muzikalitetin e kohës sonë, të mbushur me muzikë popullore, ekspozita të punimeve artizanale, festime me kostumografi të zonave të ndryshme. Shitësit ambulantë në rrugë i japin një dimension të bukur festës pagane e Ditës së Verës. Ëmbëlsira tradicionale e ballokumes ka “thyer” kufijtë e kryeqendrës së festimeve, sepse me ardhjen e qindra qytetarëve, nga rrethe të tjera të vendit, nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por edhe nga diaspora nga vendet e largëta, për të “prekur” tempullin e shenjtë të Zanës së Çermenikës apo perëndeshës e hyjneshës së gjuetisë, pyjeve dhe gjithë natyrës “Diana”. Hapësirat arbërore që prej paganizmit në brigjet e Adriatikut dhe Jonit e kanë njohur edhe popujt fqinjë në thellësi të shekujve. Kohët historike, ideologjike e besimtare, nuk mundën të shuanin zjarret purifikuese, për ta “ndihmuar” dhe për t’i dhënë forcë diellit në oborr e kopshte, me rite magjike për të “ndëshkuar” cdo qënieje dëmtuese e grabitëse. Një ditë para ardhjes së ditës së verës, në disa zona njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi, një rit i lashtë që ruhet dhe festohet në dhjetra qytete të Shqipërisë në veri dhe në jug të vendit, sikurse edhe në Shqipërinë e mesme. Në disa treva shqiptare nuk mungonin dhe kurorat e luleve, që i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat, mbarësi dhe bollëk në të ardhura bujqësore e blektorale. Mendja njerëzore ka bredhur shekujve dhe ka sjellë edhe pasurim dhe përsosje të kësaj feste duke sjellë edhe dimesion humori dhe gëzimi. Kështu n jë gojëdhënë thotë se mëngjesin e ditës së Verës kryhej edhe një rit tjetër disi i pazakontë, ku djem të moshës 7-8 vjecarë herët në mëngjes i binin çekiçit të portës së jashtme të familjeve fqinjë. Nëse nga brenda dëgjohej zëri “Kush është”, atëherë djemtë fillonin këngën me vargjet: “Marrsh morrat e pleshtat,/Gjumin e sabahut,/Ethet e verës,/Me çekiça derës…”, që simbolizonte largimin e të ligave nga porta, për t’ia lënë derës tjetër.., gojëdhëna të tilla ka me dhjetra, që janë një pasuri interesante e popullit që trashëgohet brezave. Faik Konica për festën e ditës së Verës. Faik Konica për ditën e verës, më 1911 shkruan: “Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri (dëbora), kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës. Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikë padashur dhe pa dijtur, do të rrethojnë me verore degët e thanavet, të dëllinjavet, të dafinavet të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave…”. Tradita e festave që sjellin mirësi janë “festa të vjetëra të racës s’onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë…”. Shprehje plot kolorit ngjyrash që vjen në një stil të sofistikuar nga shkrimtari Faik Konica. Ka edhe nga ata studjues që duke e ngatërruar e quajnë “festë arbëreshe”, duke harruar se arbëreshët e morën me vete këtë festë nga trojet e të parëve. Prof. Mark Tirta, studiuesi i shquar i etnografisë, kulturës, riteve e zakoneve të shqiptarëve dhe popujve të tjerë, e lidh Ditën e Verës me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin që jep shpirt. Ritet e kësaj natyre janë të dokumentuara të paktën prej tre mijë vjetësh. Ai flet për një traditë mesdhetare, për të mos shkuar më tej. Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit, sepse në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit, sipas kalendarit Julian. Në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian, edhe pse ende ruhen gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Emrat nuk kanë ndryshuar edhe pse nga 15 tetori 1582, datë kur hyri në fuqi reforma gregoriane, muajt janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë. Prof. Kristo Frashëri, argumenton se kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, më 46 pes. Dita e parë e marsit shënonte, sikurse dhe sot, fillimin e stinës së pranverës, ndërkohë që ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e ngrohjes globale që nuk kishte filluar ende. Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë. Para kjo ishte simbolika e ringjalljes së natyrës. Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të kodrave dhe të maleve kudo në Shqipëri, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri. Adhurimin e tyre për perëndinë e tyre “Diell”, shqiptarët e përjetësuan me emrin “e diel”, sikurse anglezët, ndryshe nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar “Dita e Zotit”. Ndërkohë poliedriku Fan Noli thoshte qartësisht, “…se pas dimrit,/vjen një verë”, një verë shprese dhe gëzimesh shumëdimensionale në të gjitha planet. Sepse dita e Verës shoqërohej edhe me zjarre, zakonisht dëllinjash mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit dhe që sinjalizonin pranverën që po troket. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet e besimit e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore edhe në Shqipëri, sepse ishte një festë e trashëguar pagane, e festuar që në lashtësi. Faik Konica ka një urim origjinal për këtë festë: “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari!”. Festa e ditës së Verës është pjesë e krenarisë, kulturës që rrjedh që nga hershmëria e shqiptarëve, traditave të mira dhe mirësisë njerëzore të shqiptarëve. Tashmë Dita e Verës është një ditë e shenjuar si dita kombëtare e shqiptarëve e njohur edhe juridikisht, duke shtuar një ditë në kalendarin e festave shqiptare.