Albspirit

Media/News/Publishing

Përkujtohet shkrimtari dhe përkthyesi brilant Jusuf Vrioni, i burgosur nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot një figurë të shquar të kulturës shqiptare, Jusuf Vrionin, burgosur nga diktatura komuniste.

Jusuf Vrionin, juristin, politologun, shkrimtarin dhe përkthyesin brilant të formuar në shkollat më prestigjioze franceze, i njohur si “përkthyesi i Kadaresë”, trashëgimtarin e fisnikërisë shqiptare dhe atdhetarin, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar.

Vrioni lindi në datë 16 mars 1916 në Korfuz. Pas emërimit të babait të tij, Iljaz bej Vrionit në pozicionin e ambasadorit, familja e tij u shpërngul në Paris. I diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, ai u kthye në Shqipëri gjatë pushtimit të saj nga Italia fashiste.

Me vendosjen e regjimit komunist, Jusuf Vrioni u akuzua si agjent i Francës. U dënua me 15 vite heqje lirie dhe me punë të rëndë në burgun famëkeq të Burrelit. Pas lirimit në vitin 1958, u internua në Fier.

Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, u emërua në Tiranë si përkthyes.

Ndër përkthimet e tij të para numërohen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes i pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, u angazhua në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërbeu si “Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut”. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë burrin e moshuar që ai ish, të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë nga UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias bej Vrioni, ishte dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris, në maj të vitit 2001 ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi.

Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë, më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani më 14 prill të vitit 2017, i akordoi Jusuf Vrionit Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Si përkthyes i shkëlqyer i letërsisë shqipe në përgjithësi dhe veprës së Ismail Kadaresë në veçanti, në një prej gjuhëve më të rëndësishme të qytetërimit botëror, atë frënge, duke mundësuar njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare, si një nga intelektualët me formim të konsoliduar perëndimor, që vuajti më shumë se një dekadë ferrin e burgjeve komuniste, si dhe për kontributin e dhënë në diplomacinë kulturore, duke përfaqësuar Shqipërinë në UNESCO”./atsh

Please follow and like us: