Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Gruaja, kjo krijesё mitologjike…

Vështrim dhe interpretim psikoanalitik.
“Vetёm tre lloje burrash kanё dёshtuar sё kuptuari gratё: tё rinjtё, pleqtё e mesoburrat” – Proverb irlandez.
Mitet greke i takojnë periudhës kur partriarkati, si organizim shoqёror, ishte në kulmin e zhvillimit tё tij. Por, a janë në gjendje kёto mite tё na tregojnё nёse para patriarkatit ka ekzistuar matriarkati? Me gjithë ndyshimet e mundshme që mund t’u ketë bërë koha, a janë ato dëshmi e gjallë e ekzistencës së matriarkatit?
Për të arritur në pёrfundime të drejta do të mbështetemi në analizën që bën Jakob Bachofen për matriarkatin. Ai ka parashtruar hipotezën se në fillim të historisë njerёzore marrëdhëniet seksuale nuk u nështroheshin asnjë lloj norme. Vetёm prejardhja nga vija e nёnёs nuk vihej nё diskutim sepse ajo dhe vetёm ajo ishte autoritarja dhe ligjvënësja. Ishte gruaja ajo që qeveriste, si bërthamën familjare, ashtu edhe atë shoqërore. Duke analizuar dokumente fetare të antikitetit grek dhe romak, Bachofen arrin në përfundimin se epërsia e gruas kishte gjetur shprehjen e vet jo vetëm në sferën e organizimit shoqëror dhe familjar, por dhe nё atë fetar. Ai zbuloi prova që tregonin se kulti i Perandorisë së Olimpit ishte paraprirë nga një fe, ku hyjnitë më të lartё qenë Perëndesha, figura që përfaqësonin nënën dhe ato arrinin të bëheshin sundueset e hierarkisë shoqërore. Sistemi patriarkal që u vendos në këtë mënyrë, karakterizohej nga monogamia (të paktën përsa u takon grave), nga autoriteti i babait dhe roli mbizotërues i burrave në një shoqëri të organizuar mbi bazën e hierarkisë. Feja e këtij qytetërimi patriarkal i përgjigjet atij shoqëror. Në vend të perëndeshave nëna, perёnditë meshkuj u bënë zotëruesit e epërm të njeriut, sikundёr babai ishte zoti dhe sunduesi mё i lartë i familjes.
Bachofen tregoi se ndryshimet midis rendit patriarkal dhe atij matriarkal shkonin më larg se epërsia e thjeshtë shoqërore e burrave ndaj grave, duke sjellë edhe një ndryshueshmëri të parimeve moralo-shoqërore. Qytetërimi matriarkal karakterizohet nga respekti për ligjet e vёna nga njerёzit, nga mbizotërimi i arsyes dhe përpjekjet e njeriut për të ndryshuar dukuritë natyrore. Përsa u takon këtyre parimeve, qytetёrimi patriarkal përbën një përparim të qartë në krahasim me botën matriarkale. Megjithatë, në disa aspekte të tjera, parimet matriarkale qenë më të larta se ato patriarkale, të cilat dolën fituese. Sipas konceptit matriarkal, të gjithë njerёzit janë të barabartë, tё gjithё janë bij nënash dhe bij tё Tokës Mëmë.
Sistemi patriarkal e konsideron bindjen e autoritetit si virtytin kryesor. Në vend të parimit të barazisë gjejmë konceptin e birit të preferuar dhe tё një rendi hierarkik në shoqëri. Zbulimi i Bachofen-it do të vërtetohej edhe nga antropologu amerikan Lewis Henry Morgan. Teoria e tij për sistemin e vlerave në shoqëritë matriarkale është shumë e ngjashme me teoritë e Bachofen-it. Morgan parashikoi hipotezёn se forma më e lartë e qytetërimit do të jetë një përsëritje, por në një nivel më të lartë të parimeve të lirisë, të barazisë, të vëllazërimit, që karakterizonin gensin e lashtë. Si teoria e Bachofen-it, ashtu edhe ajo e Morgan-it, u vunë në diskutim nga pjesa më e madhe e antropologëve. Nga ana e tij, Erich Fromm shkruan se s’ka dyshim që shumë kundёrshti pёr teorinë matriarkale janë të përligjura. Megjithatë, teza kryesore e Bachofen-it, sipas të cilës, nën fenë e re patriarkale të Greqisë ekziston një shtresë më e lashtë e fesë matriarkale, më duket mёse e provuar.
Vetëm pas këtij vizioni që na ofron teoria e Bachofen-it e kemi të lehtë të fillojmë studimin. Do të përpiqemi të gjejmë gjurmë të matriarkatit në mitet greke duke u ndalur posaçërisht në figurën e gruas qё zë një vend të konsiderueshëm në këto mite. Ka shumë të ngjarë që shumë nga perëndeshat në mitet greke tё jenë marrё nga bota e matriarkatit. Kështu, në fazën e konsolidimit të patriarkatit, kur kemi edhe pёrpilimin e shumë miteve, në Olimp, krahas Zeusit e perëndive meshkuj pati edhe shumë perëndi/ hyjnesha femra.
Ja disa prej tyre:
Afërdita- Hyjneshë e dashurisë
Amfitria- Hyjneshë e detit
Artemida- Hyjneshë e gjahut
Ada- Hyjneshë e mashtrimit
Athina- Hyjneshë e mençurisë
Dika- Hyjneshë e drejtësisë
Elitia- Hyjneshë që mundёsonte lindjen e grave
Eos- Hyjneshë e agimit
Erida- Hyjneshë e grindjes
Eriniet- Hyjneshat e mallkimit dhe hakmarrjes
Gea- Hyjneshë e tokës
Heba- Hyjneshë e rinisë
Hera- Hyjneshë e mbrojtjes së martesave
Hestia- Hyjneshë e vatrës shtëpiake
Siç shihet, janë të paraqituara pothuaj të gjitha hyjneshat greke të mitologjisë greke që kryenin funksione nga më të vështirat dhe më të rëndësishmet në jetën shoqёrore. Ky fakt tregon, se gjithsesi, patriarkati nuk mundi të mohojë vlerat e gruas, aftësitë e saj për të vepruar në shumë fusha të jetës. Kalimi i këtyre perëndeshave në mite nuk ёshtё rastësi, por tregon hapur pafuqinë e patriarkatit për t’u shkëputur përfundimisht nga matriarkati.
Teza e Bachofen-it, sipas të cilës matriarkati ka qenë në fillim të shoqërisë njerёzore, vërtetohet me figurёn mitologjike të Geas. Gea, është hyjneshë e tokës dhe vetë Toka që u krijua prej kaosit fillestar. Gea simbolizon nënën e çdo gjëje që rritet dhe vegjeton. Sipas mitit ajo krijoi prej vetvetes, qiellin e yllëzuar të Uranit. Kur Urani mbizotёroi mbi tokë, u bë gruaja e tij dhe lindi dymbëdhjetë trashёgimtarë.
Pra, sipas konceptit që sjell miti dhe që padyshim s’është patriarkal, ishte Gea (e barabartë me tokën), ajo që nga vetvetja lindi Uranin. Pra ishte gruaja ajo që lindi burrin. Është gruaja që lind njeriun. Vijmë në pikën më të nxehtë të konfliktit tё patriarkatit me matriarkatin, konfliktit ndёrmjet gjinisё femërore dhe asaj mashkullore. Kush u lind nga tjetri? Matriarkati mbron idenë se gruaja lindi burrin, ndërsa patriarkati mbron idenё se burri lindi gruan. Këtë ide të patriarkatit e gjejmë në mitin biblik, ku thuhet se Eva u lind nga brinja e Adamit. Pra burri lind gruan prej vetvetes. Bibla dhe feja që propozon ajo, fjalën e fundit ia ka dhënë epërsisё mashkullore. Me kёtё rast Zoti i thotë Evës se dëshira e saj do të jetë ajo e burrit qё ka pёrkrah dhe do të jetё pikёrisht ai burrё qё do tё sundojë mbi tё. Po kush e shtyu Adamin ta hajë mollën?! Kush e mori nismën e para?! Gruaja Evë. Diçka ka dashur tё na fryjё bibla nё vesh, edhe pse nё mёnyrё tё tёrthortё, diçka ka dashur tё thotё gruaja Evё para Adamit.
Duhet thënë se miti biblik vjen pas atij babilonas dhe kjo rrëfen se sundimi i gjinisё mashkullore tashmë kishte filluar me kohë. Në mitin babilonas jepet pikërisht fakti se si sundimi i Nënës së Madhe është sfiduar prej bijve meshkuj. Pra, edhe në këte mit, në fund del fitimtar patriarkati. Fitorja e Mardukut, parakupton vendosjen e epërsisë mashkullore. Fakti se kush ka lindur tjetrin është i lidhur pazgjidhshmërisht se cili do të sundojë mbi shokun.
Por si shfaqet situata në mitet greke që njihen si shumë më të vjetra se miti biblik? Dilemën se kush ka lindur shokun e zgjidh Zeusi, i cili lindi pa ndihmën e askujt Athinanё nga koka e tij dhe Dionisin nga kofsha e tij. Këtu Zeusi i kundërvihet Geas. Ai pranon parimin patriarkal se mashkulli lind njeriun. Në rastin e lindjeve të Zeusit, miti nuk ka qëllim të tregojë vetëm forcën e Zeusit si zot suprem, por edhe epёrsinё totale mashkullore, duke përfshirë këtu edhe “shtatzaninë” që, në fakt, mbetet vetëm një ëndërr mashkullore të cilën Freud-i e ka quajtur dëshirë për shtatzani. Nё jetёn reale njё gjё e tillё nuk ndodh dhe kjo mbetet njё fantazi qё njeriu e realizon vetёm falё miteve dhe pёrrallave. Psikologët mendojnë se pamundёsinё për të mos dhuruar jetё, burrat e kompensojnë me forcën e mendimit. Jo me kot Athinaja do të quhej perëndeshë e mençurisë. Nga ana tjetër, Freud-i i vesh gruas dëshirën për penis. Ky akt në mitet greke e gjen shprehjen e tij tek figura e Aretuzёs. Alfeu tek e pa atë në det e dëshiroi, por ajo nuk kishte nevojë për mashkull, ndaj u shndërrua në burrë. Natyrisht, kjo metamorfozë, përveç kuptimit të epёrsisё që kishte marrë patriarkati, shpreh qartë tezën e Freud-it.
Duket që edhe në mite kemi një kontraditë tё madhe antagoniste mes burrit dhe gruas, kontradiktë që përbën pikën kryesore të luftës mes dy gjinive. Në mitet greke kemi dy variante të vetme e të mundshme dhe e kemi të vështirë të përcaktojmë se cila është përfundimisht zgjidhja që i dhanë grekët e periudhës heroike kësaj kontradite. Kjo vjen, sepse thamё qё mitet i takojnë periudhës së konsolidimit te patriarkatit, por matriarkati, gjithashtu, kishte lënё gjurmët e tij të thella.
Për asnjë çast nuk duhet të harrojmë se tek mitet vazhdimisht ka vepruar censura dhe kamuflimi. E janë pikërisht këta faktorë që do të luajnë një rol të rëndësishëm në interpretimin psikoanalitik të tyre.
Miti i Amazonave
Një mit interesant që vërteton ekzistencën e matriarkatit para patriarkatit ёshtё miti i Amazonave. Amazonat kanё qenё populli i grave luftarake qё ndodhej në brigjet veriore të Azisë së Vogël në Kaukaz, ose në Krimenë e sotme. Historianët grekё flasin për to, si për një popull historik. Në përshkrimin e organizimit shoqëror, të cilit i jepej një kujdes i veçantë, mund të përcillen gjurmët e rregullimit matriarkal. Sipas Diodorit tё Siçilisё, Amazonat ishin popull në të cilin kanë sunduar gratё. Ai e pёrshkruan mënyrёn e jetës së tyre si tё ndryshme nga jeta jonë. Gratë stërviteshin me shkathtësi luftarake dhe për një kohë ishin të detyruara të shërbenin në ushtri. Gjatë shërbimit ushtarak mbeteshin të virgjëra. Pas demobilizimit, martoheshin dhe kishin fëmijë. Gratë kishin gjithë pushtetin publik në duart e tyre. Meshkujt merreshin me punë shtëpiake. Emri i Amazonave mendohet se rrjedh prej fjalës amazoe që do të thotё pa gji dhe, sipas gojёdhёnave, një gji e kanё patur të djegur për të mos u penguar në ngritje të harkut. Sunduesi i Amazonave ishte mbreteresha(t). Në trimëri ato nuk mbeteshin pas meshkujve.
Pa diskutim, miti i tyre është dëshmi e fuqishme për shkallën e zhvillimit të matriarkatit dhe e vendos atë në pozita sipёrore ndaj patriarkatit. Është e rëndësishme të theksohet se ka jo pak mite greke të cilat pasqyrojnë organizimin e njerёzve në rendin matriarkal, pa fshehur dhe elemente interesante të tij.
Antigona, shëmbëlltyrë e humanizmit matriarkal
Pёrplasja midis parimeve matriarkale dhe patriarkale ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve dhe artistëve. Në antikitet, Sofokliu bёn subjekt të njё tragjedie tё tij, Antigonёn qё ёshtё pёrfaqёsuesja mё e denjё e pёrplasjes midis dy botёve. Ajo ёshtё heroina qё do të kthehet në simbol të humanizmit matriarkal pasi e shpalos me tё madhe se ka lindur pёr tё dhёnё dashuri e jo urrejtje. Në kontrast me Antigonën është e motra Ismena, që mbetet simbol i grave që e pranojnë nënshtrimin. Sofokliu vendos, përballë njëri- tjetrit, Antigonën me Kreontin, që përfaqëson patriarkatin. Përgjatë gjithë zhvillimit të tragjedisë Antigona mbron lidhjet e gjakut, si lidhje që mbeten të pashkatërrueshme. Kreonti nga ana tjeter mbron parimin patriarkal, ku lidhjet mes burrit dhe gruas kanë përparësi ndaj lidhjeve të gjakut. Ky është parimi i rendit dhe autoritetit, i bindjes dhe hierarkisë.
Ndërkohë që motra Ismenë e ka pranuar si normë autoritetin mashkullor dhe është pajtuar me disfatën e grave të cilat nuk mund të rivalizojnë me burrat, Antigona vazhdon të mos bindet. Ajo kërkon me çdo kusht të zbatohen rregullat e pashkruara morale, njëra prej të cilave është varrosja e të vëllait të vdekur.
Megjithëse miti, ashtu si tragjedia, mbyllen me vdekjen e Antigonës, të fejuarit të saj Hemonit dhe nënës së tij, vdekjen morale e ka pësuar Kreonti. Hija e Antigonës vjen deri në ditët tona, si për të na treguar se gratё kanë forcё të rebelohen. Shpesh fitojnё edhe ato vetёm me forcën e fjalës.
Gjuha simbolike, gjuhë e mitit
Dihet botёrisht qё Erich Fromm-i, deri nё njё farё pike, edhe pse tё largёt, ka shkuar nё vazhdёn e Freud-it. Kёtij tё fundit, i kanё interesuar ёndrrat, mitet, simbolet, e dukshmja, e padukshmja. Tё parit, domethёnё Fromm-it, i kanё interesuar ёndrrat, mitet, simbolet, e dukshmja, e padukshmja dhe Freud-i. Ai shkruan librin Gjuha e harruar dhe ndalet nё nevojёn qё kanё popujt pёr tё krijuar mite dhe pёrpiqet tё analizojё gjuhёn e simboleve me tё cilёn shprehen ato. Nё parathёnien e librit, vё nё dukje se si popuj tё ndryshёm krijojnё mite tё ndryshme, pse edhe ёndrrat i shohin tё ndryshme. Por pavarësisht kёsaj zgjatjeje prej ylberi, mitet dhe ëndrrat kanë një element të përbashkët: simbolin e ky ёshtё çelёsi, sipas Fromm-it.
Për zbërthimin e thelbit të çdo miti është e nevojshme të sqarojmë gjuhën me të cilёn materializohet ai. Në lidhje me simbolin si shfaqje e mitit, Fromm, po nё parathёnie, sqaron se në kёtё gjuhë tё çuditshme, janё tё njёjtat ndjenja, mendime e pёrvoja tё brendshme, qё shprehen nёpёrmjet shqisave qё thithin botёn e jashtme. Por llogjika ёshtё e ndryshme. Nuk ёshtё e zakonshmja, dita, hapёsira e koha qё udhёheqin, por ёshtё forca e mendimit, nata (domethёnё fantazia), perceptimet e njёjta mendore. Kёto e bashkojnё njerёzimin e çdo kohe, e çdo qytetёrimi, nё njё gjuhё tё njёjtё universale. “Është një gjuhë që ka gramatikën dhe sintaksën e vet, e cila duhet mësuar, nëse dёshiron të kapësh domethënien e miteve, përrallave dhe ëndrrave”, thotё ai.
Në antikitet, tё mos kuptoje mitet dhe ёndrrat, do tё thoshte tё ishe analfabet e tё mos gёzoje ca prioritete qё tё jep mendja e zgjuarsia. Shekujt e fundit, kultura perëndimore e ndryshoi qёndrimin për këtë problem. Po sipas Fromm-it, nё perёndimin e sotёm, mitet vlerësohen si krijime naive të një mëndjeje primitive. Ato janё filma me ngjyra tё mendjes sё thjeshtё të atij njeriu tё parё qё ende s’dinte si funksiononte bota, natyra, trupi i tij. Kryesisht gjuhën e mitit, Fromm e koncepton si gjuhën e vetme që duhet të mësojë secili prej nesh. Kjo gjuhë na ndihmon të kuptojmë një nivel përvoje që nga përmbajtja dhe forma është thellёsisht njerёzore. Ëndrrat, ashtu si mitet merren si mjete të rëndësishme për të komunikuar me vetveten.
Në lidhje me simbolin, teoricienët kanë dhënë përkufizime të ndryshme, por pёrfundimi i ka çuar të gjithë pak a shumë në tё njёjtat formulime si Fromm-i qё e sheh simbolin si diçka që i zë vendin diçkaje tjetër. Ndër llojet e klasifikimeve që i ka bërë simboleve, ai dallon: 1.simbolin e paracaktuar, 2. tё rastёsishёm dhe 3. universal. Ne na intereson ky i fundit, pasi ky është simboli që gjen përdorimin në mit dhe i jep atij trajtën e pavdekshme universale. Fromm-i shprehet: “Simboli universal është i vetmi simbol, tek i cili lidhja midis simbolit dhe asaj që simbolizohet, nuk është e rastit, por e brendshme. Kjo lidhje i ka rrënjët tek përvoja e afërsisë që ekziston midis një emocioni apo mendimi, nga njёra anë dhe një lidhjeje shqisore nga ana tjetër”.
Ky simbol i ka rrënjёt nё aftësitë e organizimit tonë shoqёror, nё shqisa e nё mendje, që janë të përbashkëta për gjithë njerёzimin e nuk kufizohen në individë a në grupe të caktuara e tё ndara.
Freud-i e vlerёson simbolin si një rikthim tek stadet paraardhëse të zhvillimit të njeriut, në të cilat disa veprimtari si lëvrimi i tokës apo krijimi i zjarrit, marrin kuptimin e libidosit seksual. Te miti, kjo kënaqësi libidinoze fillestare, që tashmë është larguar, shprehet mes kënaqësisë kompensuese, që e lejon njeriun të realizojë plotësimin e dëshirave instiktive në mbretërinë e fantazisë. Ashtu si në ëndërr, edhe tek miti, impulset primitive nuk shprehen hapur, por janë të maskuara. Gjuha simbolike konceptohet si një kod sekret dhe interpretimi i ëndrrave dhe miteve është operacioni i deshifrimit të tyre.
Të gjitha këto arsyetime na shёrbejnё si pikënisje pёr t’iu afruar mitit. Po pёr ta sqaruar mё tej, fillimisht, duhet të zbërthejmë simbolin ose simbolet që ai mbart nё vetvete dhe të përcaktojmë karakterin universal të tij.
Dashuria në mitet antike greke
Ekzistojnë ca ndienja që përjetohen njёsoj nga njerёzimi, pavarёsisht kohёs apo vendit. Një ndjenjë e tillë është dashuria. Që në mite, pra që në atë kohë kur instikti dhe dija njerёzore fliste nëpërmjet gjuhës së miteve, njerёzimi krijoi heroin apo heroinën mitike që dashuronte dhe dashurohej. Grekët e lashtë kanë patur një koncept të tyre për dashurinë, qё na e kanё trasmetuar edhe neve. Lindja e dashurisë në mitet greke ishte gjithmonë me shikim të parë. Helena dhe Paridi u dashuruan me shikim të parë. Po kështu dhe dashuria e Glaukës me Jasonin, Erosit me Psiken, Zeusit me të gjitha gratё që deshi apo bëri dashuri jashtë martese. Alfeu hedh dashuri me shikim të parë ndaj Aretuzёs, Apolloni me Kasandrën etj etj. Në të gjitha mitet greke dashuria është me shikim të parë. Në qoftë se shpjegimi do të merrte një karakter me shumë psikoanalitik sesa historik, do të thonim se sipas teorisë së Freud-it dashuria nuk është gjë tjetёr, veç frut i pavetëdijes, të cilën ai e quan lëndën e parë të shpirtit. Në të vërtetë, e gjallë dhe aktive kjo lёndё e parё vepron mbi mendimet dhe ndjenjat tona. Ndoshta, ajo përfaqëson pjesën mё plastike të ekzistencës sonë psikike. Freud-i thotё se mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme. Sipas kësaj analize Freud-i, na lë të kuptojmë se ekzistenca jonë nuk shtjellohet lirshëm në sferën e racionales, por jepet para trysnisë së pavetëdijes dhe procesi i dashurisё, nuk është vetëm çasti kur ne bëhemi të vetëdijshëm për atë që është fshehur në pavetëdijen tonë. Në rastin e një objekti që shfaqet, ndodh pikërisht ky kataklizëm i përgatitur më parë në botën e thellë të instikteve tona dhe që në një çast të dhënë përmbys papritur fatin tonë. Kështu ra në dashuri Apolloni me Dafinën. Dafina, bija e zotit ishte më e bukura prej nimfave. Nga ana tjetër Apolloni, më i bukuri mes perëndive nuk i besonte magjisë dhe fuqisë së dashurisë, ndaj Erosi vendosi ta plagosë me shigjetën e tij të plumbtë. Apolloni bie në dashuri me Dafinën, por kjo dashuri mbeti gjithmonë pa përgjigje dhe Dafina pranon të kthehet në pemë vetëm për të mos iu dhënë atij. Ndërkohë, Apolloni nuk rresht kurrë së zbukuruari pemën e Dafinës. Vargjet më të bukura mbështetur në këtë mit i gjejmë tek Ovidi. Sipas frojdizmit dashuria e pareshtur dhe pa përgjigje e Apollonit s’ёshtё gjё tjetёr veçse njё instikt i shtypur qё ngre krye. Kjo do të thotë se sa më shumë Dafina e refuzonte Apollonin, aq më shumë ai bie në dashuri. Po kështu sa më shumë Apollonit i mungonte Dafina, aq më shumë i ndizej dashuria për të, dhe aq më shumë kjo dashuri mbeste e pashuar. Një interpretim pak a shumë të njëjtë merr edhe miti i Kasandrës. Edhe me tё dashurohet Apolloni, edhe nga ajo refuzohet. Fati i Kasandrës njihet nga Iliada dhe Odisea e Homerit si dhe vepra e parë e triologjisë së Eskilit Orestia. Miti na tregon se Apolloni hakmerret ndaj Kasandrёs pikёrisht pёr shkak tё refuzimit. Kasandra zhvishet nga zhguni i profetit. Ishte pikërisht kjo hakmarrje e Apollonit që solli pushtimin e Trojës, sepse askush nuk e besoi Kasandrёn kur shkulte flokёt pёr tradhtinё qё sillte nё bark kali i akejve. Ky akt i Apollonit theksohet si prepotencё hyji dhe Euripidi e rendit si akt tё turpshёm qё rrёzon nga froni perёnditё.
Por ndërsa në mitet e sipërmendura kemi Apollonin që bie me shikim të parë në dashuri të pafatё, në mitin e Lules së Diellit kemi dashurinë e pafatё të Klitias, nimfёs që ra në dashuri me Heliun, mbretin e Diellit. Thelbi i mitit në dukje është i thjeshtë. Klitia dashuron Heliun por ky dashuron të bijën e Orhaut, Loukatean. Klitia e çmendur nga xhelozia e kallzon Laukatean tek i ati, i cili duke mos e duruar dot këtë turp e varros të bijën të gjallë. Heliu me rrezet e tij tenton tё depёrtojё thellё nё tokё, por ishte vonë, Loukatea tashmë kishte ndërruar jetë. Nga dёshpёrimi dhe hidhёrimi Heliu hakmerret ndaj Klitias duke e kthyer në lule me kërcell të trashë e me kokë të madhe. Është pikërisht lulja e diellit që ne e njohim të gjithë, e cila gjithmonë e kthen kokën nga dashuria e saj Dielli. Edhe këtë mit e gjejmё tek Metamorfozat e Ovidit. Klitia është simboli i gruas që me të gjitha drejtësitë dhe padrejtësitë synon të arrijë objektin e saj dashuror. Por morali i mitit është i qartë. Ajo jo vetëm nuk e gëzon dashurinë e njëanshme, por mbetet pre e vetë ndjenjës së saj. Sheh Heliun, lulёzon, lulёzon, sheh Heliun, lulёzon. Derisa kupton qё lulёzim, jo domosdoshmёrisht, do tё thotё lumturi.
Dëshirat instiktive dhe i dëmtuari i tretë në mite
Helena mbetet figura më e pёrfolur e miteve antike. Ajo ёshtё aq e bukur, sa edhe vetё Homeri nuk arrin dot t’ia përshkruajё bukurinë. Simbol i feminilitetit, Helena ёshtё bёrё objekt i artit tё sa e sa artistëve, poetëve, piktorёve.
Bijë e Zeusit dhe të dashurës së tij Leda, Helena mbahej më e bukura nga të gjithë vdekatarët. Odiseu hodhi mendimin që ajo duhet ta zgjidhte vetë bashkëshortin, pasi situata për kërkimin e dorës së saj po e çonte Greqinë në prag të luftës. Ajo zgjodhi Menelaun dhe të dy u bënë trashgimtarë të Spartës, derisa një ditë Paridi, princi i Trojës, i vizitoi dhe më pas e rrëmbeu Helenën që shkaktoi dhe luftёn dhjetёvjeçare të Trojës. Një vështrim psikonalitik i figurës së Helenёs, do ta paraqiste atë si një grua ku mbizotёrojnё instiktet, të cilat ajo vetë nuk i lufton aspak, nuk pёrpiqet t’i ndrydhë, por përkundrazi, i stimulon dhe i shpalos sa herё tё jetё nevoja. Freud-i e vendos Helenën në kategorinë e njerёzve qё ushqejnё dёshira tё verbra dhe instikte primordiale, pa asgjё shpirtёrore. Ёshtё rasti tipik i gruas qё epshin e zhvendos sa te njё objekt nё tjetrin, falё energjive tё saj psikike qё i lёvrijnё vazhdimisht. Kjo është Helena, sipas Freud-it. Dikur dashuroi Menelaun e më pas Paridin. Nga ana e tij Paridi e ka të lehtë të bjerë në dashuri me Helenën më të cilёn ishin dashuruar të gjithë meshkujt e Greqisë së lashtë. Përpos kësaj, interpretimin frojdist na e lehtëson edhe arsyetimi se përse Paridi rrëmbeu një femër tashmë të martuar. Sipas Frojdit, në Mbi Psikologjinë e jetës dashurore, kur ndalet tek kushtet dashurore, ai përcakton si kusht të parë atë që ai e quan të dëmtuar të tretë. Sipas tij, burri ka gjithmonë tendencën të zgjedhë si objekt dashurie jo një grua që është ende e lirë, por një femër të angazhuar, ndaj të cilës ka “objektet pronësie dikush tjetër”. A nuk duket ky si një fakt bindës përse Paridi zgjodhi Helenën, përpos bukurisë së saj? Nё fund tё fundit, brazda ishte hapur. Edhe Zeusi rendte pas vdekatareve tё martuara dhe përdorte gjithë fuqinë e tij prej Zoti t’i shtinte ato në dorë.
Ndërsa Helena është dhe mbetet një casus belli, në përgjithësi, gratё në mitet greke jepen shumë të dashuruara dhe tё përkushtuara ndaj dashurisë dhe të gatshme të vetёflijohen për tё. Dashuria që fal femra në mitet greke është epike, ajo bën të qajnë edhe heronjtë si Akili. Mitet mundohen t’i japin forcën këtyre dashurive dhe të shfaqin madhështinë e tyre në forma të ndryshme. Për shembull, nëse nuk do të ishte dashuria e Briseidës ndaj Akilit lufta e Trojës ndoshta do të kishte patur tjetër përfundim. Po kështu kemi Alkesidën e cila e dashuruar tmerrësisht ndaj të shoqit, mbretit Adrat, pranon të vdesë fisnikërisht në vend të tij. Ajo njihet si heroina më bujare në mitet greke. Ndërsa një tjetër heroinë, Alkiona, tek sheh në breg trupin e pajetë të të shoqit, hidhet ta puth e vdes mbi të. Po kështu Etra, hidhet çmendurisht nga shkëmbi kur shikon të shoqin që digjet në turrën e druve. Të gjitha këto raste në mite janë dëshmi e forcës dashurore të gruas përqendruar tek një objekt i vetëm dashuror. Sapo eliminohet ky objekt, ato vetëflijohen. Të mos harrojmë se mitet greke i takojnë periudhës të konsolidimit të familjes dhe kjo familje çdo ditë e më tepër merr ngjyra patriarkale.
Psika dhe Erosi
Ndoshta ndër mitet më intriguese dhe më me shumë qasje psikoanalitike, është ai i Psikës dhe Erosit. Ky mit është bërë edhe më i njohur nga versionet e dhëna tek Metamorfoza e Ovidit si dhe Gomari i artë i Apoleut nga Madaura. Sipas mitit, dikur kish qenë një mbret dhe një mbretëreshë që kishin patur tri vajza. Dy të parat ishin martuar e trashёguar. Vajza e tretë quhej Psika. E bukur si një hyjneshë, ajo ishte pengu i prindërve tё pikёlluar pёr fatin e saj tё vonuar. Një ditë, i ati iu drejtua Orakullit të Delfit, i cili i parashikoi një fat të trishtë: dhëndri do të ishte njё dragua i vrazhdë, me trup të mbushur me hekur. Dhe kur mendohej se asgjë nuk mund të ndalonte dot profecinë, dashuria tregoi fuqinë e saj. Ndërkohë perёndesha Afërditë kishte dëgjuar për bukurinë e Psikes dhe zërat i thonin se ajo i ngjante njё perёndeshe. Kjo e fundit e kishte porositur Erosin ta godiste Psikën me shigjetë. Por Erosi e sheh, mahnitet me bukurinë e saj dhe e sjell në një shtëpi madhështore dhe vetë kthehet nё hije qё tё mos shihet. Ndërkohë Psika habitet nga shёmbёlltyra pa fytyrё e Erosit. Ky i fundit i thotё të mos kërkojё shpjegime e të mos i rrëfejё askujt për të. Dashuria shpёrthen nё tё gjitha format e saj tokёsore dhe qiellore, derisa një ditë Psika vendosi t’u rrëfente motrave për vizitorin e natës. Motrat e zilepsura, e shtynë që të zgjidhte enigmën. Nën dritën e kandilit, Psika përpiqet të zbulojё fytyrën e burrit qё i mbushte shtratin natё pёr natё. Njё pikё e vajit tё nxehtё i bie nё trup dhe e djeg e kёshtu Erosi zgjohet i tërbuar e braktis Psikën.
Përpos anës së dukshme të mitit, ku ne gjejmë përpjekjet e njeriut për gjetjen apo rigjetjen e dashurisë dhe vuajtjeve që paguhen në shpёrblim të saj, miti ofron dhe interpretime më të vështira, për zbërthimin e të cilave, sërish na vjen në ndihmë psikoanaliza. Le të shtojmë këtu se me të drejtë, sipas Freud-it, psikoanaliza është kritikuar se nuk pyet për anën më të lartë morale, mbipersonale të njeriut. Megjithatë e vërteta është se ajo shpesh të befason me zgjidhjen që u jep fenomeneve të caktuara, për të cilat njeriu i zakonshëm mund të diskutojë gjatë, ndoshta pa arritur në pёrfundime shkencore. E pra i pari që e bëri këtë, i pari që i tregoi njerёzimit një ishull brenda shpirtit ishte Sigmund Freud-i. Ai do të mbetet simbol i sinqeritetit të gjeniut.
Ja se si do t’i afrohej psikoanaliza mitit të Psikёs dhe Erosit. Së pari ngjashmëria e madhe në bukuri midis Afërditës dhe Psikës është arsyeja kryesore që sipas interpretimit frojdist e bën Erosin të bjerë në dashuri me Psikën. Kjo zgjedhje, sipas Freud-it, është rezultat i një fiksimi fёmijёror të brishtësisë ndaj nënës dhe përbёn një nga rrugëdaljet e këtij fiksimi. Pra, Erosi dashurohet me shikim të parë me Psikën, pasi ajo është shumë e ngjashme me objektin që ai ka në imazhin e tij, imazh që është ndërtuar mbi modelin e nënës Afërditë. Fakti që edhe pas ndarjes, Erosi rikthehet sërish dhe përfundimisht te Psika, rrëfen se tek ai nuk kemi procesin zinxhir që frojdizmi e quan zëvendësim nëne gjë qё e kthen mashkullin në Don Zhuan gjithmonë në kërkim të imazhit të nënës. Po tek Erosi nëna zëvëndësohet një herë e mirë me Psikën e cila përmbush objektin ideal. Edhe vetë ndarja për disa kohë e të dy dashnorёve mund tё interpretohet me teorinё frojdiane, sipas sё cilёs ndarja kёrkohet kasten si barrierё artificiale.
Nga ana tjetër, po psikoanaliza do e çonte edhe më larg konceptin e mitit. Me interpretimin e saj ajo do të vërtetonte edhe një herë se njeriu, si ai primitiv ashtu edhe ai modern, priret tё shprehё nëndërgjegjen nëpërmjet mitit, ëndrrave apo artit. Ёndrra, mitologjia, arti rrjedhin të gjitha nga nëndërgjegja. Ato tregojnё e zbulojnë një botë e cila nuk do të shpjegohej ndryshe.
Duket sikur miti i Psikës dhe Erosit herë merr trajta reale (dy të dashuruar lindin një fëmijë) dhe herë trajta ireale, teksa Erosi i shfaqet Psikës natën si një hije. Vetё miti nuk na jep kurrë njё shёmbёlltyrё të Erosit. Mos është vallë ai një imagjinatë e Psikës për dashurinë, një dëshirë dhe kënaqësi e fshehur e saj? Të shënojmë këtu se Erosi dhe shigjeta e tij është simbol i dashurisë si e tillë. E pra, mos është ndjenja e saj më shumë një pёrfytyrim erotik i Psikёs sesa një realitet? Mos kemi të bëjmë me një ëndërr të Psikёs nё gjumё? Sipas Freud-it, figurat simbolike të ëndrrës, fshehin në shumicën e rasteve dëshira të ndrydhura dhe të paplotësuara, të cilat s’kanë mundur të realizohen gjatë ditës e përpiqen të hyjnë në shpirtin njerёzor nëpër shtegun e ëndrrave. Ёndrra është valvula e ndjenjave tona. Ajo është ndërmjetëse mes botës së ndjenjave të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Falë saj ne mund të mësojmë shumë gjëra, të cilat nuk pranojmë t’i mësojmë kur jemi zgjuar. Çdo ёndërr, është dëshmi, jo e një vullneti shumë të lartë hyjnor, mbinjerёzor, por shpesh e një dëshire të brendshme e të fshehtë të njeriut. Sigurisht, ky lajmës nuk flet gjuhën e përditshme të sipërfaqes, por atë të humnerës, të natyrës së pavetëdijshme. Sipas këtij shpjegimi, i gjithë miti kthehet në një simbol të fuqishëm, në të cilin njeriu primitiv ka tentuar të depërtojë brenda shpirtit dhe dëshirave të tij, pa mundur ndoshta të sqarojё se kush i stimulon këto dëshira, sa të fshehura aq edhe të dukshme.
Nё ёshtë shpirti që nxit epshin, apo e anasjellta, këtë mitet e kanё pasur të vështirë ta shpjegojnë. Pёr fatin tonё, ato na e kanë bёrё të qartë, qysh herёt, lidhjen e dashurisë shpirtërore me kënaqësinё fizike. Eros (Dashuri) + Psikë (Shpirt) = Hemonë (Kënaqësi).
Tradhtia e gruas në mitet greke
Sa më shumë studion dhe analizon mitologjinё greke, aq më shumë arrin në një pёrfundim: edhe kur gruaja tradhton, miti gjithmonë e justifikon dhe e shfaqëson atë. Le të marrim disa raste që kanë po të njëjtin moral në mit. Alkmena, nëna e Herakliut është ndër më të pёrmendurat për besnikërinë e saj ndaj bashkëshortit, Amfitrionit. Kur i shoqi ndodhet larg, Zeusi merr shёmbёlltyrёn e Amfitronit e hyn në dhomën e fjetjes së Alkmenës, domethёnё, me mendjen e saj Alkmena po flinte dhe bënte dashuri me të. Zeusi e dinte dashurinë e saj për bashkëshortin ndaj zgjodhi kёtё rrugё tё tёrthortё. Nuk kalon shumë kohë nga kthimi i të shoqit dhe ajo lind dy binjakë. Deri në vdekje, ajo betohet se nuk e kishte tradhtuar Amfitronin. Pra, miti justifikon gruan. Edhe sikur të dalim nga konteksti i mitit e të spekullojmë, sërish kemi tё bёjmё me një shorte që mbetet e dashuruar me shёmbёlltyrёn e shortit tё saj. Nëse edhe për një çast, ajo e kupton që nuk po flinte me të shoqin, sërish mbetet një grua besnike që në zemër ruan dashuri pёr njё burrё tё vetёm. Në fakt ky nuk është rasti i parë kur Zeusi shfaqet me fytyrё tjetër. Ai vazhdimisht merr forma tё ndryshme dhe kthehet nё shi tё artë, dre, dem, mjellmё etj. Të gjitha metamorfozat e Zeusit simbolizojnë transformimin e profilit njerёzor, mashkullor në këtë rast, nё funksion të instiktit dashuror dhe në finalizimin e tij. Nga ana tjetёr, të gjitha gratё që flenë me Zeusin, nuk e dinё se kush është ai, pra mbeten të justifkuara në aktet e tyre, qoftё si dashuri tё para, qoftё si shkelje kurore. Oreski seksual i Zeusit ndizet sa herë sheh objekte të bukura femrash. Si pёrfundim, qёllimi i tij i vetëm është të shuajё epshin dhe të lërë sa më shumë pasardhës. Zeusi eshtë simboli i mashkullit patriarkal.
Gruaja kriminele nё mitologji
Sipas Lambroso-s, gruaja normale ka shumë karakteristika që e afrojnë me egërsirën, fëmijën dhe kriminelin. Dhe kёto janё inati, hakmarrja, xhelozia dhe kotёsia. Fatmirёsisht, ai shton qё, nё mё tё shumtёn e herёve, ngrejnё krye edhe karakteristika tё tjera, totalisht tё kundёrta, qё neutralizojnё tё parat.
Nga lashtësia deri në ditët e sotme, njeriu ka shfaqur gjithmonё djallin brenda tij dhe krimi ka qenё gjithmonё pjesё e pandarё e jetёs sё pёrditshme. Ernesto Sabato vё re se ka njё humnerё dijesh nga koha e matematikёs sё Arkimedit deri te ajo e Einsten-it, por asnjё ndryshim nga diapazoni i ndjenjave dhe mendjes njerёzore nga koha e Odisesё sё Homerit, te Uliksi i James Joyce-it. Me sa duket, edhe njeriu modern apo postmodern dashuron, vret, tradhton, bën krime apo vepra të bukura për të njëjtat shtysa dhe arsye si njeriu primitiv.
Fatkeqësisht, mitet dhe legjendat na rrëfejnë se gratё, ashtu sikundёr nuk pritet, jo vetёm nuk e kanё dёnuar krimin si tё tillё, por përkundrazi e kanё stimuluar, orkestruar dhe në shumë raste edhe e kanё zbatuar me zell e pёrkushtim. Nga të gjitha heroinat e lashtësisë, tri figura mitike duket sikur kanë mbetur si simbole të gruas kriminele. Ato janë Medea, Klitemnestra dhe Frida.
Medea
Mitin e Medeas e ka trajtuar Euripidi në tragjedinë me të njëjtin titull. Ai i ka mbetur besnik deri në fund rrëfimit mitik, por ka vendosur edhe përshkrimet e tij që e përforcojnё jo vetëm emocionin e mitit, por edhe moralin qё do tё pёrçojё.
Medea hyn dhe del nga ngjarja si një grua pasionante, që në emër të pasionit mund tё bëjë gjithçka. Ёshtё njё magjistare qё praktikon rite tё çuditshme me variacione helmi, urrejtje, zgjuarsie perverse. Fatkeqësisht, në çastin që bie në dashuri, ajo fillon të kryejë edhe krimet e para në emër tё dashurisë. E marrosur pas Jasonit, ajo e ndihmon atё të fitojё nё fillim pёlhurёn e artë. Me këtë akt ajo ka tradhëtuar atdheun, familjen, por ka fituar burrin qё e deshi me epsh. Pёr tё, braktis tё kaluarёn, tokёn, tё parёt, dhe teksa mërgon me Jasonin, me vete merr edhe të vëllanë, që mё pas e vret. Pёr tё mbledhur copat e tё birit, i ati duhet tё ndalet dhe kёshtu humb kohё e s’ka mundёsi tё ndjekё gjurmёt e dy tradhtarёve. Ky ishte plani i Medeas. Duket se ajo, sa më shumë dashuron, aq mё shumë e pranon krimin si tё natyrshёm nё emёr tё njё pasioni të sëmurë.
Shumë shpejt Jasoni do ta braktisё shtratin e saj, nё emёr tё njё dashuri tё re, me pёrfitime tё tjera, ambicie tё mёdha. Ai fillon t’i shfaqë dashuri Glaukës e synon fronin e atit tё saj. Brenda shpirtit të fuqishëm e inatçor të Medeas fillon të luhet një tragjedi e fuqishme. Kjo grua qё u bё, pa u penduar pёr asnjё çast, tradhtare, vrasëse, mizore, e ndjen rrezikun e mposhtjes nё emёr tё atij arti tё pёrbashkёt, nё emёr tё dashurisё, qё do ta lidhte si zorrё e pёrjetёshme me Jasonin e saj. Braktisja dhe tradhtija bashkëshortore shënojnë fillimin e tragjedisë në shpirtin e Medeas. Euripidi e përshkruan shumë bukur se si ajo nuk flet mё, mbyllet në vetvete, ndërsa buzët i bien poshtë nga pesha e mёrzisё. Mendonte se pasioni e bёnte njё grua tё jashtёzakonshme, ndёrsa nё tё vёrtetё, kur dashuria e saj u shpёrfill, mё nё fund, u shpёrfaq mendja e zakonshme e njё krimineleje tё jashtёzakonshme. Personaliteti i Medeas shkon pёrtej delirit, pёrtej lotёve si humbёse. Ajo nuk pranon viktimizimin, ajo bluan hakmarrjen. Nga një grua që dashuronte thellësisht, shndërrohet nё një grua që urren thellësisht. Freud-i na mёson se urrejtja ёshtё ajo pjesё e errёt, e pandashme, e nёndheshme e psikes njerёzore qё shkon pёrkrah me dashurinё, qё e ushqen shpeshherё, e paralajmёron, e bluan, e gёrryen. Me fjalё tё tjera, urrejtja ndahet nga dashuria nga njё cipё e hollё, e brishtё, e epshme dhe shpesh ndёrthuren me njёra-tjetrёn, pa ditur ku mbaron njёra e ku fillon tjetra. Krahas urrejtjes, tek Medea vihet re një karakter inatçor dhe Euripidi paralajmёron se nё pёrgjithёsi, inati ёshtё më i fortë se gjykimi. Sipas antropologut Giuseppe Sergi (1841-1936) mbi gruan sundon inati mbi ndjenjën. Inati është grada e parë e ndjenjёs, që mund të bëhet ndjenjë përfundimisht, ose të mbetet në formën e saj më të egër dhe të porsafilluar. Sipas këtij arsyetimi pararendësi i urrejtjes sё Medeas ka qenë inati i saj. Në të gjithë dramën e saj personale, Medea nuk e sheh veten të vetmuar në fatin e saj. Nё çastin final, ajo konstaton me dhembje, mё e kthjellёt se kurrё, se nga tё gjitha krijesat me shpirt e gjykim, mё tё mjerat qёnkёrkan gratё. Patriarkati tashmë duket i pushtetshëm dhe i rrënjosur.
Në planin e saj mizor për hakmarrje ajo konsiderohet si një vrasëse e përkryer seriale. Hakmarrja duhe të jetë gjithëpërfshirëse, vuajtëse dhe sfiltëse për Jasonin. Kështu ajo së pari helmon Glaukёn, tё dashurёn e tij. Mё pas, vdes i ati i Glaukёs, Kreoni, i cili rreket të përqafojё të bijën dhe helmohet nga pelerina e saj. Akti final i hakmarrjes: Medea vret mizorisht të dy djemtë e saj, fryt i dashurisë me Jasonin. Ky akt barbar është më shtazaraku i kryer nga një grua në të gjitha mitet apo letërsinë botërore. Ndërkohë duke vrarë Glaukën dhe dy djemtë, ajo e ka lënë Jasonin pa pasardhës, gjë që për aristokracinë e antikitetit patriarkal përbënte fatkeqësinë më të madhe.
Jasoni tek sheh djemtё e tij tё përgjakur klith: “Më vrave grua!”.
Si pёrfundim, Medea është karakteri i femrës kriminele që vret në emёr të pasionit. Ajo është padyshim figura më e errët e gruas në mitologjinë dhe tragjedinë antike dhe jo vetëm.
Klitemnestra
Shumë komplekse mbetet figura e Klitemnestrës, gruas së Agamemnonit dhe nënës së Orestit. Figura e saj e ka binjakëzmin e saj me nënën e Hamletit në tragjedinë shekspiriane. Mbretereshë e Mikenës që vrau të shoqin, prej mëse tre mijë vitesh, ajo ka hyrë në histori si simbol i gruas së pabesë dhe kriminele.
E kishte përgatitur planin e vrasjes me hollёsi, apo e kreu si krim tё çastit, kjo enigmë ende nuk dihet saktësisht. Sipas Homerit, Klitemnestra me të marrë vesh lajmin që Agamemnoni po kthehej triumfator nga lufta e Trojёs, nisi Egistin, të dashurin e saj, të vëzhgonte horizontin nga ku po vinte Agamemnoni me anijet e tij. Posa vuri re sinjalin e Agamemnonit, Egisti shkon ta presё e ta përshëndesë mbretin. Sipas Homerit, Egisti kishte paguar dymjёdhjetё vrasës pёr tё vrarё Agamemnonin gjatë gostisë. Kaq na thotё Homeri. Sipas burimeve të mëvonshme (sidomos të disa pikturave në vazo), nga na vjen konkretisht shёmbёlltyra e Klitemnestrës, ajo e godet të shoqin me sopatë pas shpine, ndërkohë që ai ishte duke bëre banjë. Lё jetёn pa asnjё lavdi, nё njё vaskё qesharake, nё atё shtёpi tё ёndёrruar aq shumё, pas njё lufte tё tmerrshme, jehona e sё cilёs do t’i mbetej pёrjetёsisё. Mё pas, Klitemnestra martohet me Egistin të cilin e bën trashgimtar të fronit mbretëror të Mikenës. Shumë autorë që nga Homeri, tek Eskili, Euripidi dhe deri tek ata modernёt, janë përpjekur të gjejnë arsyet që e shpunë Klitemnestrën tё kryente krimin. Sipas Agamemnonit të Eskilit (458 p.e.s), Klitmenestra u hakmorr pёr të bijën, Ifigjeninё e bukur, tё sakrifikuar pёr atё luftё qё ajo ndiente se nuk i pёrkiste. Edhe Euripidi tek Ifigjenia në Aulidë (407 – 406 p.e.s), përpiqet të gjejё shkaqet e krimit. Nëse do të pranonim hakmarrjen për shkak të së bijës, atëherë Klitmenestra do të na shfaqej edhe si një pasardhëse e denjë e matriarkatit ku lidhjet e gjakut janë shumë të shenjta. Këtu Klitmenestra është krejt e ndryshme nga Medea.
Një tjetër arsye që mund ta ketë shtyrë Klitemnestrën drejt krimit është tradhtia e Agamemnonit. Ai ka sjellë njё robinjё nga Troja, Kasandrën dhe dy fëmijët që kishte me të. Nëse i mbetemi këtij versioni, mund të themi se Klitemnestra nuk e kishte llogaritur krimin fatal, por demoni i sё keqes ngre krye kur sheh rivalen. Duhet tё kemi parsysh se në kohёn kur fuqizoheshin mitet, mashkulli kishte të drejtë të tradhtonte, ndërsa gruaja jo. Ndoshta ky moral patriarkal ishte i papranueshёm pёr Klitmenestrën dhe ajo vepron në kundërshtim të tij.
Arsye tjetёr mund tё jetё hakmarrja në emër të braktisjes. Shumë vite kaloi nё vetmi, shumё lodhje dhe pёrpёlitje pёr njё luftё për të cilën nuk ishte përgjegjëse, por qё e bёri tё ndihej njёsoj viktimё. Në vend të mallit, ajo grumbulloi hakmarrje, inat, tërbim, xhelozi, mllef dhe neveri për të shoqin.
Është gati e pamundur që nëpërmjet mitit apo tragjedisë greke të kuptosh nëse akti kriminal i Klitemnestrës është rrjedhojë e dashurisë për Egistin apo i urrejtjes për Agamemnonin. Nuk është çudi që urrejtja për Agamemnonin e ka shpënë në krahët e Egistit. Sido që ta kthejmё, në thelb të krimit të saj ndaj Agamemnonit apo dashurisë për Egistin ka vetëm një shtysë dhe kjo është inati i madh dhe hakmarrja e verbër. Hakmarrja e ka shtyrë Klimenestrën në krim sikundёr Medean. Sipas shumë studiuesve, gruaja është e prirur të hakmerret dhe në më të shumtën e rasteve hakmarrja është arsyeja kryesore që e çon në krim.
Në të gjithë këtë analizë nuk duhet të harrojmë se Klitemnestra donte edhe pushtetin mbretëror, se, në të kundërt, si e motra Helena, ajo mund të ishte arratisur me Egistin. Por ajo nuk e zgjodhi këtë rrugë, pasi nëse e motra shkoi të mbretërojë diku tjetër, Kltimenstra me Egistin nuk e kishin kёtё mundësi. Asnjëherë nuk duhet të nënvlerësojmë dëshirën për pushtet tek gruaja dhe tёrheqjen qё ajo ka pёr mashkullin e veshur me pushtet. Nëse nuk gjen mashkull tё pushtetshëm, ajo e kërkon pushtetin në çdo formë dhe me çdo mjet per t’ia dhuruar atij apo gëzuar vetë pushtetin. Klitemnestra e kishte drejtuar Mikenën për dhjetё vjet rresht, ndërsa i shoqi ishte në luftë dhe ndoshta kjo ishte arsyeja tjetër pse ajo e shihte Agamemnonin si pengesë tё superpushtetit të saj. Miti na rrëfen se i biri, Oresti, e vret të ёmën së bashku me Egistin. Përse Oresti zgjodhi të vras të ëmën dhe nuk ndali në dilemën hamletiane, ky nuk është objekt i këtij punimi, por një gjë mund të shpjegohet se edhe ai duke vrarë të ëmën, trashëgon mbretërinë e Mikenës dhe patriarkati tashmë është vulosur.
Miti i Klitemnestrës dhe ai i Medeas është i pasur me shumë analiza sa psikologjike aq edhe sociale; por ndërkohë nuk mund të rrimë pa vendosur edhe një devizë morale që i përshkon të dy mitet. Si tek njëri, edhe tek tjetri, një krim i lë vendin krimit tjetër, krimi i dytë bëhet edhe më i rëndë se i pari e kështu me radhë, krimi krijon krim dhe asnjë lumturi që mban ngjyra krimi nuk mund të zgjasë shumë. Ky mesazh është i lashtë sa vetë njerёzimi. Shakespeare-i do e përmbidhte këtë devizë nё tragjedinё e tij Makbeth (1605-1608): “ Çdo gjë e nisur për keq, përfundon për keq dhe për dreq”.
Ja pra, jemi në fund të analizёs sё figurave femërore më komplekse në historinë e mitologjisё antike. Janë figura të “vjedhura” ndër shekuj kaq shumë nga letërsia dhe arti botëror. Ndërkohë këto figura i gjejmë nё jetёn reale po në forma të ndryshme edhe sot. Gjejmë gruan e fandaksur që vret nga pasioni, gruan e mjerё që dashuron pa kushte e gruan me shtatё koka që hakmerret apo dashuron deri në skaj. Kujtesa e mitit vetëm na rrëfen se në thelb asgjё s’ka ndryshuar në shpirtin dhe ndërgjegjen njerёzore. Të gjitha heroinat e miteve me dashuritë dhe urrejtjet e tyre, me tradhëtitë dhe besnikëritë, me sakrificat dhe bujaritë, me nënshtrimet dhe rebelimet, me dinjtetin dhe ndershërinë, shfaqin para nesh kompleksin e papërsëritshëm të shpirtit femëror qё ende nuk njihet deri në fund. Lambroso në librin e tij të famshëm Gruaja kliminele (1895), thotё se shpirti i femrës ёshtё njё enigmë e pazgjidhshme.
Po e mbyllim me Freud-in. Gjeniu qё ndryshoi botёn me intuitёn e tij, deri nё fund tё jetёs, shprehej se mister pёr tё kishte mbetur gruaja. “Kurrë nuk e mësova dot se çfarë duan gratё”, kishte dёshirё tё pёrsёriste. Dhe ne pёrfytyrojmё se, teksa thoshte kёshtu, fёrkonte mjekrrёn e thithte pёrmallshёm puron. Nё fund tё fundit, patriarku Freud e kishte bёrё tё vetёn: e kishte hedhur njё rreze tё fuqishme drite pёr tё shpёrndarё mjegullёn qё, ende sot e kёsaj dite, mbulon mendjet tona patriarkale.
Qershor 1994.
Please follow and like us: