Nexhat Halimi: Legjenda e gurit të Bletës
Dolëm në treg me Dean, të cilës i dhembte pakëz fyti.
– Të ka prekur ndonjë inflacion, i cili shumë shpejt mund të kalojë. Ja tashmë arritëm te ai plaku me mustak, i cili shet mjaltë blete.
Bënte kohë e mirë. Tufat e dritës të shpërndara ngado e krijonin peizazhin e ndritur të mëngjesit.
Ia zgjata Deas dorën dhe ecja deri te shitësi i mjaltit.
– A ndihmon ky mjaltë për shërimin e fytit,- e pyeta.
– Natyrisht, ky mjaltë është ilaç, – tha ai.
– Ma mbështill një kavanoz, – foli Dea dhe e uli kokën më pastaj më shikoi në sy, ndërsa mua m’u kujtuan gojëdhënat që i kisha dëgjuar për mjaltin.
Në mendje më endej një rrëfim për një të ri, i cili kishte vajtur, sipas legjendës, të merrte mjaltë të bletës. –Kjo ishte një gojëdhënë apo një e vërtetë dhe fillonte në këtë mënyrë:
… Dikur një djalë i ri nga fshati shkon tek guri i ‘Bletës’ për të marrë mjaltë. Aty kishte shumë bletë dhe mjalti ishte në sasi të madhe. I riu futet brenda nën gurin e gravuar dhe fillon të mbushë enët me mjaltë.
Djaloshi merr mjaltë më tepër sesa i duhet…
Guri i thotë djalit se duhet të marrësh mjaltë vetëm aq sa të takon.
Djaloshi nuk do ta dëgjojë. Ai vazhdon të marrë mjaftë pa u ndalur.
– Mjaft më, i thotë guri!
– Vetëm dhe pak , – përgjigjet djali pa ia vënë veshin gurit.
– Mjaft më.- i thotë guri i gravuar.- Ta tërheq vërejtjen për herë të fundit.
– Vetëm dhe pak, – dëgjohet djaloshi.
-Jo ky është fundi, – i thotë guri dhe natyrisht, atëherë ai mbyllet me rrapëllimë duke e zënë brenda. Djali fillon e rënkon, pandërprerë. Zëri i tij dëgjohet ashpër dhe me klithje, sa shumë njerëz nga fshati i shkojnë në ndihmë për ta nxjerrë nga guri.
Burrat marrin me vete copëza druri dhe pyka, t’i dalin në ndihmë djalit të lidhur me mjaltin jashtë çdo mase. Kurrsesi nuk ia gjejnë mënyrën sesi t’i ndihmojnë të del nga guri i gravuar.
Ata përdorin mjete të ndryshme si pyka prej thane për të hapur gurin, vetëm pa mundur ta nxjerrin dot. Pykat e thanës (katër copë) gjenden dhe sot e kësaj dite në mesin e gurit. Pikërisht në atë vend guri është i lagur për shkak të lotëve të pandërprerë të djaloshit brenda tij. Madje dhe sot thuhet se, sa herë që bie shi, po të qëndrosh afër gurit në heshtje dhe të dëgjosh me kujdes, do të ndiesh zërin e të riut që vjen nga brenda duke rënkuar”.
Shitësi me mustakë të dredhur e mbështoll kavanozin me mjaltin me një copëz letre të bardhë e ia zgjati vogëlushes dhe foli me zë kumbues.
-Si ta thonë emrin vogëlushe?
-Më thërrasin Dea, gjysh.
-Ja, do të dhuroj dhe një ari të vogël me mjaltë, ta ruash për kohë më të gjatë, ndërsa mjalti n’ gurëzohet dhe të më kujtosh mua e të më falënderosh , – qeshi plaku me mustakë të dredhur , më pastaj shikoi lart qiellin e pikturuar me kaltërsi të kulluar.