Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: BANORË TË FJALËS…

Në kohën e ndërmjeme, që nuk është e favorëshme për lexime librash, në kushte e rrethana aspak të mira, në një regjim spitalor paksa anormal, për të përballuar kohën e mërzisë dhe dhimbjet e shpirtit, m’u desh që të lexoja dy nga libat që më patën dhuruar dy nga miqt e mi: shkrimtari Thanas Dino e Regjisori Piro Milkani. Bile, edhe titullin e këtij shkrimi ia “vodha” mikut tim Dino, nga titulli librit të tij: “Banojmë në Fjalë”! Librin e dytë, që nisa ta lexojë me shumë përtesë, ngaqë, për më tepër, kisha të bëja, jo me një vepër origjinale, po me një përkthim prej botimit të librit “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”, të shkrimtarit më të madh Çek Bohumil Hrabal, i përkthyer edhe në 27 gjuhë të botës,- fitues i çmimit “Oskar” për veprën e tij të ekranizuar “Trena të survejuar nga afër”.
Dhe do të më ndodhte që të mos i lëshoja nga dora e nga syri, jo thjesht prej vlerava të përmbajtjes, të trajtimit kompozicional të subjektit, të ngjarjeve, konflikteve e karakterve, por për stilin e të shkruarit, për fjalën e veçantë, për strukturën e fjalive dhe koloritin gjuhësor. Si Thanas Dinua që është gazetar e shkrimtar me përvojë,- romancjer i 6 veprave, autor i 14 librave me publiçistikë dhe i dy veprave dramatike, që është marrë me fjalën gjithë jetën e vet , po edhe Piro Milkani, që nuk eshtë marrë direkt me fjalën, po me shprehjen vizuale të figurave njerëzore, me imazhet, ca më pak me komunikimin gjuhësor, nga personazhet e skenarëve të tij,- në këto dy vepra të tyre ndrisin nga mjeshtëria e të shprehurit bukur, me anë të fjalës, si një nga mjetet më të rëndësishme gjuhësore e të emocioneve të drejtpërdrejta. Që të dy të përkorë, që të rrëmbejnë me fjalën e shkruar, me dialogjet, monologjet dhe me kontradiktat që kanë personat veprues në veprat e tyre. Si dy botë të rralla të askundit! Dhe, në brendësi të veprave të tyre, me një satirë përvëluese, si edhe me një buzëqeshje humori që rrëshqet, si pa u vën re… Me stilin e secilit, kaq të kundërt me njëri-tjetrin. Thanasi përdor stilin konçiz, telegrafik e dinamik, krejt spontan, ndërsa Milkani, stilin hapsinor, të gjerë e të ngjeshur, që zapton gjer në tre faqe të librit me një të shprehur. Në çdo faqe të librit me një përkujdesje thuajse aristokratike, me psikologji e tejpamësi karakteresh, si të ishte rishtazi para ekranit, me po ato pretendime që ka arti i shtatë. Llogjika, emocioni e filozofia e figurës letrare te Thanas Dino është e tretur në gjuhën e autorit në ato pak rreshta, si të ishin brilante në qafën e një zonjusheje elegante… ndërsa te përkthimi i Milkanit gjithçka rrjedh si ujët e burimit, e kthjellët, gjersa të mbarojn kadencat njëra pas tjetrës, pa e prishur aspak rrjedhshmërinë e transparencën. E është gjithçka si një zhytje në thellësirat e detit, për të parë koralet mahnitëse, pa marrë frymë aspak, gjersa të dalësh në sipërfaqen e detit përsëri i mbushur me frymë, prej një kënaqësie të rrallë e të pafundme…
Se, edhe krijimi i mirëfilltë, edhe përkthimi, kanë të bëjnë po njëllojë, me artin e komunikimit emocional e llogjik, me shprehjen e botës njerëzore që është përherë në lëvizje, frymore, po edhe me bukurinë e fjalës e hijeshinë e shprehjes së figurshme. Dhe stili është vetë njeriu, është vetë shkrimtari a përkthyesi. Se ndryshe nuk do të kishim një vepër dramatike si ajo e Hamletit, kur shekspirologë botërorë pohojnë se përkthimi i Nolit në gjuhën shqipe nuk e humbet aspak forcën e shprehjes, tragjizmin dhe stilin lapidar të poezisë shekspiriane. Po njëlloj, kur vjen fjala në përkthimin e Servantesit nga dy kollosë të gjuhës shqipe, për pjesën e parë të “Don Kishotit të Mançes” nga Noli, si edhe të pjesës së dytë, të po kësaj vepre nga Petro Zheji, dy shembëlltyra përkthimi, thuajse identike, përsa i përket stilit, po edhe brendisë së kësaj vepre satirike të rrallë të njerëzimit… Nuk është vendi këtu të flasim edhe për përkthyes të tjerë, të cilët i kanë dhënë lexuesit tonë, vlera identike, edhe nga autorë të mëdhenj botërorë, po rasti i regjisorit Piro Milkani është për t’u përgëzuar, për shprehjen e atij “thesari gjuhësor” që ka vetë novela e Hrabalit (1914-1997), si dhe në shprehjen virtuoze që merr një personazh aventurier si kamarieri Pikolik, që s’është gjë tjetër veçse një njeri i thjeshtë e i varfët, i mbetur pa punë e pa përkrahje, i cili nuk ka bërë kurrë hajër në jetën e vet, me gjithë mënçurinë e tij në atë përshtatje me të gjithë që ia behin përpara dhe që, brenda rrethanave që i krijohen, ngrihet nga hiçi i vetvehtes, gjer në ambicjet e kohës, për t’u bërë milioner, derisa të zhgënjehet, po njësoj si gjithë aventurierët nga shtresa e varfër e basifondeve. I ndodhur para një karakteri të ndërlikuar të një shkrimtari të madh, Piro Milkani gati ka kryer një çmenduri më vete . Se, sipas një reference të përkthyesit profesionist Edmond Tupe, ka mundur ta rikrijojë personazhin fenomenal të Hrabalit, si një “rezonancë estetike” në këtë përkthim të mrekullueshëm, si të ishte përpara librave të shenjta. Bile, paksa më tej, si në një “eksperiment shkencor” të mundimshëm në një rilindje të vështirë, po fortë të bukur, duke ruajtur edhe pasurinë e leksikut të këtij autori-përbindësh, po edhe psikollogjinë e një personazhi të jashtëzakonshëm, që afron edhe ai, me pacientët e një çmendine të vërtetë. “Ai ishte pasuruar prej luftës, shkruan autori, të cilën ata, midis tyre, jo vetëm nuk e donin, por as nuk mund ta provonin”… “Po kështu do të ndodhte në ëndrrën time,-thotë personazhi kryesor,-dhe hodha vështrimin pas në jetën time… unë kisha dashur vetëm të bëhesha ai që nuk mund të bëhesha kurrë, millioner,.. ashtu si po largohesha, ashtu edhe po kthehesha… u bëra përseri pikolik”… Nëpërmjet këtij përkthimi, shfaqet si në një vepër më vete kinematografike, një jetë e trazuar, me plot ëndërrime e aventura, me erotikën e njerëzve të thjeshtë, me sajesat, shtirjet e genjeshtrat e një aventurieri që kërkon të ngjitet, duke u shërbyer shefave, damave moderne, prostitutave, neonazistëve të mbetur anash e racistëve të regjur, pasanikëve të mëdhenj e mbretërve… Gjersa bindet s e”ylli i tij ndriçues”, nuk mundej të shkëlqente më në një realitet shoqëroro-politik të zaptuar nga e keqja dhe kur ai do të mbetet në mesin e katër rrugëve. Dhe Bohumil Hrabal do ta mbyll veprën e vet letrare, madhore, me këtë shënim të veçantë: “Atë muaj vere kur e shkrova këtë tekst, jetoja nën ndikimin e fortë të ‘kujtimit artificial’ të Salvador Dalisë dhe të ‘dashurisë së ndrydhur”, që sipas Frojdit “Shpërthen te gjuha”! E , me të vërtetë, e gjithë vlera e kesaj vepre dhe e këtij përkthimi, është tek gjuha e jo tek subjekti, tek fjala që buron, ndizet e shkëlqen se sa tek gjinia, forma e gjenialiteti i thurrjes…
E njëjta gjë mund të thuhet edhe per librin e ri të Thanas Dinos “Banojmë në fjalë”, që ai e konsideron si publiçistikë të pastër, po që hedhë në letër disa skica letrare, që ua kalojne tregimeve, novelave e romaneve te tij (dhe jo vetëm të tij!), te cilat koncentrojnë ngjarje e realitete të caktuara historike e shoqërore, që s’ka sepse të mos i shërbejnë atij si modele për veprat e tij të ardhëshme, aty ku është i ngulur, si një “gur i rëndë”, në Gjirokastrën e tij… Ai ka hedhur këtu pasazhe jete e karakteresh kalimtare qe kane ngjyrë e jetë të vërtetë, bëma njerëzore, karaktere të jashtëzakonëshme, me koloritin jugor që flakërin përmes fjalës, të gjuhës së gjallë të popullit tonë, ku edhe ortografia e sintaksa “strikte”, përmbysen nga metaforat e gjuha e gjallë e folur e jo ajo e shkruara nëpër gazeta e në disa libra krejtë pa vlera gjuhësore që mbushin sot “panairet e librave”, rubrikat televizive e raftet e librarive e te bibliotekave tona, si të ishin rrëfime plakash në netët e dimrit…
Shkruar në Athinë, pas pandemirave të tmerrshme që nuk na ndahen, në pragune pashkës së madhe të 2022-it
Please follow and like us: