Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: Kënga vajtimore që hyjnizon dhimbjen e nënës për vdekjen e djalit

Kënga e Rexhës, këngë epike vajtimore që hyjnizon dhimbjen e nënës për vdekjen e djalit të vetëm.

Kënga e Rexhës, këngë epike vajtimore që hyjnizon dhimbjen e nënës për vdekjen e djalit të vetëm.
Kohët e fundit kam lexuar për një variant të këngës së Rexhës si këngë kosovare, ku ngjarja zhvillohet për makutëri e pasuri.
Ndonëse nuk jam unë ai që e thotë fjalën e fundit, doja të nënvizoja se nuk është e vërtetë. Të vjen keq kur dëshira dhe qëllimi i përbaltjes arrin deri te tradita dhe folklori ynë i mrekullueshëm.
Kënga e Rexhës është një këngë epike që hyjnizon dhimbjen e nënës për vdekjen e djalit të vetëm.
Kjo kangë e ka burimin në fshatin Radomirë, Kala e Dodës, Dibër. Lexuesi sjell ndër mend këngën “Cuca e Radomirës” të kompozitorit të mirënjohur Muharrem Xhediku, këngë që këndohet edhe sot në shumë variante muzikore.
Kjo tregon se kjo zonë ka patur dhe ka folklor shumë të pasur, për vetë pozitën gjeografike në majë të malit të Korabit, për vështirësitë e jetës në dimër, ku bora shkon mbi dy metra, për qëndresën heroike burra e gra kundër pushtuesve osmanë e serbë.
Mbi këtë truall është ngritur një folklor i jashtëzakonshëm, i transmetuar brez pas brezi.
Studiuesi Jahe Delia (Selmani) mësues prej 30 vitesh në këtë zonë, mbledhës i spikatur i folklorit në një shkrim në gazetën “Rruga e Arbërit” në vitin 2008 shkruan se kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin e tij, në Radomirë mbi 250 vjet më parë në fisin Roshi.
Gjatë zhvillimit të dasmave në Radomirë dhe në fshatrat e Lumës bëheshin gara me kuaj, në lëndinat e Korabit, ku fituesi shpërblehej me një dash nga i zoti i dasmës. Këtë traditë e ka edhe Golloborda e Dibrës, por me një ndryshim se atje në ditën e dasmës bëhen gara (kampionat i mundjes së lirë) midis djemve të rinj.
Rexha shkon të marrë kalin për të garuar me shokët, sipas traditës dhe fatkeqësisht kali trembet dhe e vret.
Teksti i këngës i plotë është shumë më i gjatë nga ai që transmetohet në këngët e sotme, këngë vajtimore me dhimbjen e nënës për djalin dhëndër, dhimbjen e motrës për vëllanë. Sipas melodisë së vajit është ndërtuar edhe teksti, të cilin , një pjesë të tij po e paraqesim më poshtë:
“Shokët e Rexhës po na kcejnë në kurt-e
Po Rexha i nanës, palë në tabut-e
Çohu Rexho, çohu o bir-o
Shokët e Rexhës po qesin fishekë
Po Rexha i nanës palë në dyshek
Çohu Rexho, çohu o bir-o

Motrat e Rexhës po na hjekin hore (valle)
Po Rexhën e nanës do ta çojnë n’vorre
Çohu Rexho, çohu o bir-o

…………..
Dihet që pas ngjarjes nusja del nga shtëpia dhe i jepet leja të martohet. Fisi Roshi shpërngulet në Misir, Egjypt, ku edhe sot është një lagje me emrin Radomirë.

Please follow and like us: