Niko MIHALI: Nicolas Wieérs, Iso-Polifonia dhe Festivali ”Ballkan Trafik” në Bruksel!
Në gjysmën e dytë të Prillit krahas veprimtarive të shumta kulturore e artistike që organizohen në Bruksel, evidentohet dhe ka një audiencë unikale festivali ndërkombëtar ‘Ballkan Trafik’, që ka për organizator, drejtues e producent një emër tanimë të njohur në hapësirat kulturore ballkanike, atë të Nicols Wieérs. Festivali këtë pranverë shënon edicionin e tij të 16-të dhe fillimet e tij i ka në vitin 2006, pas disa impresioneve që Nicolasi gjeti e përjetoi ndër vendet ballkanike gjatë pjesëmarrjes në festivalet kombëtare të këtyre vendeve e kontakteve me njerëz të kulturës, të folklorit, të muzikës bashkëkohore. Kur kthehej nga këto turne mundohej të gjente atë të përbashktën e të veçantën që këto vende të Ballkanit e në veçanti të Ballkanit Lindor zotëronin. Ai gjeti ndër këto qytete ballkanike me dhjetra artistë që mbanin gjallë traditat folklorike, që prodhonin filma dokumentarë për trashëgiminë kulturore, gjeti e takoi artistë të fjalës e të penës, këngëtare, instrumentistë që shkëlqenin dhe ndjehej keq që kjo pasuri lindte e tretej brenda këtyre kufijve, ku vetë artistët ndjeheshin ngushtë, kur Europa kishte hapësira të gjera dhe këtë kulturë e njihte pak ose aspak. Në Bruksel zyrtarët e Parlamentit Europian e të dhjetra institucioneve ndërkombëtare të mbushura plot me diplomatë e ambasadorë nga gjithë bota, më shumë e dinin Ballkanin si vend ku lulëzonin trafiqet, prostitucioni, drogat, rrëmbimi i fëmijëve, makinave e i femrave si në Rumani, Bullgari, Kosove, Serbi etj. Sigurisht edhe Shqipëria kishte emrin e saj si vend me një demokraci të brishtë ku lulëzonin trafiqet, mafia e droga. Por a nuk duhet t’i njihte qytetari europian e ai perëndimor këto perla që ngryseshin e gdhiheshin brenda kufijve të tyre sikundër ishte isopolifonia shqiptare, rembetikoja, bandat e ndryshme muzikore në fshatrat e Rumanisë me identitetin e tyre, klarinetistë e saksofonistë të shkëlqyer nga Shqipëria, Serbia, Greqia, poetë e piktorë unikalë nga Bosnja & Hercegovina, një diversitet i paparë kulturor që krijohej e interpretohej jo vetëm në pallatet e kulturës e televizionet kombëtare, por edhe nga grupe muzikore qe përfaqësonin kulturat periferike sikundër se ishte muzika e romëve të Beogradit, Sarajeves, Shkupit…
Dhe një ditë, gjithë kjo ngarkesë e tij me këto impresione e imazhe nga areali ballkanik që e mundoi për disa vite e mori rrugë në vitin 2006, duke organizuar të parin festival ballkanik për këte diversitet. I duhej të hiqte dorë nga pasionet e rinisë që ishte boksi amator ku kish fituar titullin e kampionit të Belgjikës për disa vjet dhe të vinte në jetë ato dije që kishte marrë në Universitet për art, skenë, difuzion, media e teknikë komunikimi. Kishte marrë nje liçencë për spektakle arti dhe u bë producent i festivalit. Brukseli është një qytet metropol, një qytet i madh e i bukur, me një arkitekturë unikale, ku çdo ditë e çdo natë në sheshet e baret e tij gjer në orët e vona te natës e në orët e para të mëngjesit gjen njerëz pa fund që shijojnë birrën dhe çokollatat e këtij vendi të bekuar, mbushin klubet e natës e sallat e koncerteve.
Në një nga udhëtimet e mia në Bruksel në këto vite, kur shoqëroja grupe e ansamble nga Shqipëria për këtë festival e pyeta: Pse i keni vënë këtë emër pak të frikshëm këtij festivali, a nuk tingëllon pak anakronik?!… Ai më thotë:
Për një moment, ky term të bën të ndalosh dhe mendosh… Në fakt, unë këtë doja, që njerëzit të pyesnin për domethënien e këtij emri. Për disa, kjo ishte disi e çuditshme, meqenëse vendet ballkanike stigmatizohen me trafikun e qenieve njerëzore, të armëve, drogës etj. Sa e këndshme është të jesh në gjendje që të hedhësh në kosh paragjykime të paracaktuara, thjesht duke folur dhe përmendur emrin e tyre në një festival ! Po, “Ballkan Trafik” është “trafikim”: trafikim kulturash dhe përvojash, si çelësi drejt integrimit dhe komunikimit, ndarja e gjithçkaje m të kaluarën, dhe hapja ndaj të tjerëve.
Pra ai me festivalin e tij si drejtor e si producent, donte të përcillte mesazhin se Ballkani nuk prodhon vetëm trafiqe, por ka prodhuar e prodhon vazhdimisht një art të veçante, ka me dhjetra artistë të shkëlqyer si Laver Bariu në Shqipëri, Goran Bregoviçi në Bosnje e Hercegovinë, Esma Rrexhepova në Shkup të Maqedonisë, një mjeshtër kitare nga Bullgaria, Silvia Grădinaru, një poete rumune dhe një kor boshnjak me emrin “Hazreti Hamza” që siç na pohoi një nga pjesëtarët e tij kur ndodheshim ne mjediset e Parlamentit Europian ne takim me eurodeputeten T Fanjon “…ky kor ishte krijuar në kushtet e agresionit serb në Bosnje,në një periudhë shumë sfiduese, ku ne kishim korin tonë, këngët tona brenda strehave të mbrojtura, ndaj dhe mund të vazhdonim të rriteshim kulturalisht dhe të mbaheshim mirë me shëndet” e dhjetëra të tjerë që njiheshin pak ose aspak, në anonimatin e tyre.
Por veç të tjerash festivali në të gjitha ditët e tij kishte një atmosferë shumë miqësore mes grupeve që vinin nga shtete të ndryshme, harroheshin armiqësitë e kundërshtitë dhe krijoheshin miqësi të reja. Nuk mund ta harroj një ditë, kur udhëtonim për në Bruksel me Adria- Air, ndaluam në Lubjanë për të ndërruar avion. Terminali u mbush me dhjetra artistë të tjerë që vinin nga Beogradi, Sofja, Sarajeva, Podgorica e shkonin në Bruksel për festival. Nuk kishin nevojë fare për prezantim, ata dalloheshin nga instrumentat që mbanin në dore dhe Fredi ynë që vinte nga Tirana, u miqësua e filloi të pinte një birë në barin e aeroportit me një saksofonist që vinte nga Beogradi dhe që ishte një talent i veçantë.
Ballkan Trafik nuk ka vetë folk me këngë e valle, ai në ato tre ditë ka një program tejet të ngeshur. Në ato ditë në sallat e korridoret e Pallatit të madh të Kulturës Bozar, zhvillohen:
- promovime librash e filmash dokumentare që kishin për subjekt mjedisin, ecoturizmin, trashëgimine kulturore, personalitete arti në këto vende (mes të tjerash unë asistova në një dokumentar për Afize Leskovikun, që kishte për autorë regjisorin E. Myslymi e muzikologun Lapi.
- Në mjediset e tij shumë agjensi udhëtimesh promovonin me foto e diapozitiva e fletëpalosje bukuritë dhe atraksionet turistike të vendeve të tyre.
- Çdo grup muzikor pasi dilte nga skena do të qëndronte në koridore ku improvizoheshin disa mizaskena si VINO ZIRKUS dhe interpretonin këngë e valle tradicionale dhe njerëzit e shumtë “shqyheshin” së kërcyeri.
E ke të pamundur t’i harrosh ato improvizime, kur dhjetra e qindra qytetarë të botës nën rritmin e sazeve e këngëve të Donikës, Albanit, Golikut, Vullnetit, Rinës etj kërcenin valle shqiptare. Nuk ishte e vështirë që mes tyre të mos takoje edhe emigrantë apo studentë shqiptarë që vinin enkas për këtë event. Mes tyre dialoguam me një të ri beratas që vinte nga një qytet i Frances dhe na thoshte se “Kam disa vjet që vij në këtë festival dhe çlodhem e ndjehem shumë mirë! Ju faleminderit, na kënaqët”.
Por Bozar Pallat ka edhe një sallë të madhe 2400 vende, ku jepnin koncerte ata që Nicolas i quante yjet e Ballkanit. Aty koncertet fillonin në orën 10-12 të natës e vijonin gjer afër mëngjesit dhe sigurisht këndonte Esma Rexhepova nga Shkupi, këngëtarja rome e cila veç zërit të bukur shndrinte e gjitha e veshur me flori që i rrezëllente nën shkëlqimin e dritave të skenës dhe me hiret e saj e ngrinte sallën peshë, e mbushte me hove e brohorima. Një ditë tjetër do të ishte edhe Goran Bregoviçi me grupin e tij me vegla frymore. Ai e mbante gjithë sallën në këmbë që këndonte e kërcente… E në këtë skenë të Bozarit, në një nga netët e ditëve të këtij festivali, me rastin e përvjetorit të klarinetistit bullgar Ivo Papasov, u organizua një konkurs me klarinetistët më të mirë të Ballkanit që jetonin në vendet e tyre te orgjinës ose në Francë e gjetkë. Të gjithë këta i shoqëronte një orkestër miks e drejtuar nga një dirigjent serb, e mes tyre u ngjit në skenë edhe klarinetisti shqiptar Josif Shukallari, që përshëndeti publikun me një kaba të usta Laverit nga filmi “Gjeneral gramafoni” dhe që mori me vete mijëra e mijëra duartrokitje.
Nicolas, Shqipëria e Iso- polifonia…
Në këto dy dekada Nicolas ka udhëtuar në shumë vende të Ballkanit ku jo vetëm ka parë, por edhe ka prekur këtë pasuri dhe i magjepsur prej saj ka kërkuar e këmbëngulur të vijë atje në Bruksel. Në Shqipëri ka ardhur mbi tre herë. Ka filluar të zbuloj pasuritë kulturore të Shqipërisë aty nga viti 2005 apo 2006t kur “ një mik shqiptar më kishte ftuar të isha i pranishëm në festivalin e famshëm tradicional shqiptar, me valle dhe isopolifoni në Kështjellën e Gjirokastrës. Atje në një nga ditët e festivalit pata mundësinë të takohem dhe bisedoj me profesorin Vasil Tole, një etnomuzikolog shqiptar të cilin e kisha njohur edhe nëpërmjet letrave. Me porosinë e tij shkova edhe në Përmet të takoja ustanë e famshëm të klarinetës Laver Bariun, të cilin rrethanat nuk ma mundësuan këtë takim. Kur ika nga Permeti diçka me mungonte, por pas disa vjetësh kur u njoha me Niko Mihalin e filluam një bashkëpunim të mirë, iu luta disa herë nga viti 2010 deri në vitin 2013 të me sillte njëherë Laver Bariun, por ai e kishte të pamundur, mbasi mosha kishte bërë të veten. Më ka mbetur merak i madh që nuk e ngjita dot një herë në këtë skenë. Megjithatë Josifi me shokët e tij e justifikoi bukur e shumë denjësisht ustanë në të katër herët që ka ardhur në këtë festival dhe nuk harronte, që sa herë të dilte në koncert të mos fliste dy fjalë mirënjohje për maestron e tij, Laver Bariu“.
Në të gjitha këto 15 edicione të këtij festivali grupet e ansambletë nga Shqipëria nuk kanë munguar asnjëherë. Nicolas, me një dashuri e pasion të veçantë, është munduar që t’i promovojë sa më mirë këto grupe, t’ua plotësojë kushtet e kërkesat sa më mirë dhe ata kanë shumë mbresa pozitive nga ky festival.
Së pari shkoi Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve nga Tirana, që pasoi edhe njeherë të dytë në vitin 2012, që pastaj vijoi me Sazet e Përmetit, me ansamblin e grupin e valleve të Dropullit, me grupin polifonik “Jonianët” të Sarandës, me një grup sazesh të komunitetit egjiptian nga qyteti i Beratit, ftoi një grup nga emigracioni shqiptar me klarinetist Thoma Loli, por fati i keq që atë ditë që do niseshim për në Bruksel nga Tirana, Thomait i vdes i ati dhe e zëvendësuam me Noken, një klarinetist nga Berati, pastaj shkoi ansambli “Lunxheria”. Në edicionin e vitit 2021, kur çdo gjë u pezullua nga Pandemia, festivali organizohet online dhe nga Shqiperia do përcillte polifoninë grupi “Bejka e Bardhë” nga Piluri me drejtues Kristo Çipën dhe këngëtaret Adriana Thanasi e Evgjeni Çulli, në shoqërinë e sazeve do interpetonin dy këngë popullore isopolifonike përmetare plot art, finesë e lirizëm…
Në disa edicione ishte ftuar e do të këndonte me grupin e saj nga Zvicra këngëtarja shqiptare Eda Zari, pas saj do vinte Eliza Duni etj, që janë pritur ngrohtë e me shumë entuziazëm. Do të pasuronte pjesëmarrjen në edicione të tjera Blerta Zhegu, këngëtare e operas franko-shqiptare, pinjolle e familjes së nderuar “ Gjini” e cila vazhdon të këndojë isopolifoninë legjendare shqiptare këtu në Belgjikë, të famshmit Robert Aliaj Dragoti & vajza e tij, Gala, një yll i të ardhmes. Në gushtin e vitit 2019 Nicolas vizitoi për herë të tretë Shqipërinë. Do të vinte për pushime në Shqipëri dhe më dërgon një mesazh e më shkruan: “Niko, më datën 5 gusht do vij në Shqipëri, do kaloj ca ditë pushimi në Himarë. Mund të takohemi ndonjë ditë”!
E si mund t’ i thosha jo, mikut e kolegut tim i cili ditën e njohjes sonë në pranverën e vitit 2010 me thotë gati në imtimitet: Une Nico dhe ti Niko, si duket duhet e do të merremi vesh mirë bashkë! Dhe vërtet ashtu ndodhi. Unë kisha disa vjet që organizoja në Përmetin tim një festival për diversitetin e multikulturat periferike në shkallë kombëtare e rajoni, festival që kishte shumë pika takimi në përmbajtje me Ballkan Trafik, se për anën financiare ishim larg, shumë larg. Festivali yne mezi siguronte 4-5000 euro për një edicion, ndërsa ai dhjetra herë më shumë. Dhe kjo pasi ai siguronte transportin me avion, akomodim e ushqim për tre ditë qëndrimi dhe veç tyre edhe një bonus nga 100-150 euro për person.
Ndër ato dite që ai pushonte në një hotel në afërsi të kalasë së Palermos afër Himarës, shkova e takova dhe e ftova të kalonim një drekë me këngë polifonike. Po ku? Në Vilën e Çipajve në Pilur ne zemren e Polifonisë. Dhe ai erdhi tërë gaz i shoqëruar nga vajza e vogël 5-6 vjeçare që ishte idhulli i tij. Nga Piluri në breg, shfaqej para nesh një hapësirë e pafund e detit ku mbusheshe me ozon dhe pastaj në vilë na priste Kristua që na udhëhoqi të vizitonim muzeun e polifonisë ku evidentohej dukshëm kontributi i të madhit Lefter Çipa. U përshëndetëm me grupin “Bejka e Bardhë” dhe u ulëm në tavolina shtruar si për miq të veçantë. Por më shumë se mishi e rakia, e vera, e frutat e freskëta ishte kënga polifonike sa e rrëmbeu edhe atë me vete dhe u bë këngëtar i atyre këngëve të Pilurit e Himarës që të rrëmbejnë me vrullet e tyre. Kënga i kaloi kufijtë e vilës ndersa mbi kokat tona varreshin frerët e rrushit të porsa pjekur. Ai u befasua me egërsinë dhe bukurinë e këtyre maleve të larta dhe u çudit se mes këtij pejsazhi jetonte e bënte ferk kjo këngë kaq unikale qëkish fituar vlerësimin edhe nga UNESCO si një kryevepër e trashëgimisë kulturore.
Klarinetisti Josif Shukallari ne Festivalin Ballkan Trafik prill 2014
Ishte rasti që të kujtonim edhe ato grupet që kishin performuar më parë në festival, kujtuam grupin e “Jonianëve” të Sarandës dhe këngën e famshme që këndonte Vullnet Silfaj në hollin e pallatit “Hape derën, moj Evropë”. Ishte një këngë unikale. Kishim disa vjet që kishim trokitur e po trokisnim në derën e madhe të Evropës, por gjithmonë e gjenim mbyllur, sikundër e kemi edhe sot. Këngëtari me nje tekst alegorik nuk i lutej Evropës, por me shumë ankohej nga kjo padrejtësi që vazhdonte t’i bëhej vendit tonë. Dhe Vullneti, Rina, Goliku, këndonin tërë nerv e inat. Qindra njerëz u mblodhën e duartrokisnin e dukej se pajtoheshin me këngëtarin që thoshte… Hape, hape derën, moj Evropë, hape për Shqipërinë që u vra e u pre për këtë liri e demokraci!
Kur shkova së pari në këtë festival, ishte pranvera e vitit 2010. Në Shqipëri flitej shumë për heqjen e vizave dhe vështirësitë që dilnin dhe Parlamenti Europian hezitonte të merrte një vendim të tillë. Para se të niseshim nga Tirana, Nicolas më shkruan: “Shiko, Niko, se veç koncerteve do të bëjmë një vizitë në Parlamentin Europian e do pritemi nga eurodeputetja Tanja Fanjon, andaj përgatituni mirë! Vajtja jonë atje do të jetë një sensibilizim i PE për liberalizimin e vizave dhe do jemi bashkë me grupin e Bosnjë-Hercegovinës!
Për këtë event ishte njoftuar edhe Ministria e Kulturës dhe ajo e Jashtëme, të cilat kishin dhënë e jepnin kontributet e tyre për këtë festival. Tek Libraria “Adrion” në Tiranë, bleva albumin “Kostumet shqiptare” si një dhuratë për eurodeputeten dhe të nesërmen diplomati Stefan Haxhi bashkë me Nicolën na shoqëruan në ato mjedise, ku pamë e prekëm nga afër ato mjedise e ato salla, ku merreshin vendimet e mëdha dhe shpresonim të ishte dhe vendi ynë sa më shpejt . Pas takimeve e bisedave me eurodeputetë zbritëm poshtë në katin zero dhe u improvizua një koncert i grupit tonë. Ishte një mrekulli më vete, dhjetra nëpunës e diplomatë zbritën nga katet e larta dhe nën tingujt e muzikës përmetare filluan të kërceniìn valle shqiptare. Këtë moment kaq entuziast e përcollën shumë bukur në Tiranë dy gazetaret e Top-Chanelit dhe Klanit me titull “Parlamenti Europian kërcen valle shqiptare” Arta Tozaj dhe Erisa Zykaj.
Ansambli “Lunxhëria“ në sheshet e Brukselit prill 2016
Ansambli Dropulli ne ditet e festivalit Ballkan Trafik prill 2012
Epilog
Festivali i këtij viti do ngrejë siparin nga data 26 Mrill-1 Maj si gjithmonë në Bruksel. Nicolas ka bërë një promocion shumë të bukur e impresionues në rrjetet sociale. Facebooku i tij jep programin e çdo dite, grupet pjesëmarrëse, çmimi i biletave dhe çdo gjë me detaje. Nga Shqipëria këtë rradhë do marrin pjesë disa grupe polifonike që jetonë në Bruksel dhe disa grupe nga Kosova, por Nicolas dikur kishte bërë një premtim. Një festival të tille dua ta zhvilloj edhe në qytete të tjera të Europës e Ballkanit. Para tre vjetësh e bëri këtë gjë në Paris, shumë mirë, por këtë vit më dërgon një e-mail para një jave e më thotë se do të organizoj një minifestival” Ballkan Trafik” në Tiranë datë 17-19 maj dhe më kërkon të njoftoj grupet që kish planifikuar të vinin në Bruksel, Grupin” Bilbili” të Vlorës dhe Josifin me Sazet e Përmetit, të cilët i ftonte të këndonin në mjedis të hapur këtu në Tiranë, një projekt që kish në partneritet me Bashkimin Europian (Interreg IPA Programs). Unë shpresoj se kjo nismë e tij do të funksionojë dhe do jetë një tjetër vlerë që do i shtohet Tiranës në këtë vit të kulturës europiane. Në e-mailin e fundit mes të tjerash më shkruan: “Unë jam në kontakt me ambasadën tuaj në Belgjikë prej 16 vite dhe ju e dini se si po luftoj për të promovuar Kulturën Shqiptare në zemër të Evropës. Unë jam i vetmi që e bëj këtë në atë nivel dhe dukshmëri ndërkombëtare. Dhe e bëj se e dua Shqipërinë, i dua shqiptarët, e vlerësoj trashëgimine kulturore shqiptare, e dua Polifoninë Tuaj“! Mirë se të vini në Tiranë Nicolas me ‘Ballkan Trafik’, ne ju presim“!