Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: DOKTRINA E MBRETIT-FILOZOF DHE KALLIPOLISI

Pjesa III
Kontrolli i pasioneve është tema e çdo moralisti të madh, që nga Platoni, Spinoza, Kanti e deri te Frojdi. Bëhet fjalë për pasionin sokratik që grekët e quajnë “thumos”; për dëshirën e ethshme të njeriut për famë, për pushtet, për supremaci dhe dominim tiranik mbi të tjerët; për zemërimin dhe mllefin e shfrenuar, pasionin për luftën, dëshirën për të parë gjak (kujtoni historinë e Leontit) dhe të ngjashme. Pyetja mbi të cilën graviton libri Republika e Platonit është nëse ne njerëzit mund ta kontrollojmë këtë ‘cilësi’, ta ridrejtojmë apo rikanalizojmë për ta vënë në shërbim të së mirës së përbashkët.
Filozofë të ndryshëm kanë propozuar strategji dhe terapi të ndryshme se si t’i frenojmë, apo t’i vendosim dëshirat tona të ethshme nën një lloj fuqie morale mbizotëruese. Platoni e ofron terapinë e tij, por disa elemente të saj për ne sot janë absurde, pasi ai propozon eliminimin e pronës private, krijimin e familjeve të përbashkëta për liderët politikë, krijimin e një shoqërie të ndarë në 3 klasa rigjide, etj. Megjithatë, thelbi i terapisë së tij është ndryshimi i modelit të qytetarisë athinase, e cila mbështetej në vlera homerike, në mite, në lojalitet të pakushtëzuar, në një lloj patriotizmi folklorik dhe epik. Platoni ishtë kundër kësaj qytetarie. Nëpërmjet Sokratit athinasve u propozon një qytetari ndryshe, e cila në qendër ka qytetarin e arsyeshëm, racional, argumentues dhe filozofik, nëse mund të thuhet kështu.
Dhe, kjo qytetari mund të krijohet vetëm nëse shteti qeveriset nga filozofët, të vetmit që mund të krijojnë Kallipolisin, thotë Platoni. Pyetja që mund të bëhet është nëse kjo formë e sundimit filozofik apo kjo formë e qeverisjes mund të realizohet, të vihet në praktikë? A mund të bashkohen filozofia dhe politika? Është e vështirë të japësh një përgjigje të saktë. Premisat mbi të cilat udhëhiqet filozofi janë të ndryshme nga ato të politikanit. Filozof për Platonin është dikush që ka njohuri për ‘format e përjetshme’, ndërsa politikan i mirë është ai që zotëron njohuri praktike, diçka që ne sot e quajmë ‘know how’ – dije shkencore, përvojë, gjykim dhe një lloj racionaliteti praktik.
Por edhe nëse filozofët do ta merrnin pushtetin në duart e tyre, duke pasur parasysh mundësinë e pushtetit absolut, a nuk do të pushtoheshin edhe ata nga thumosi Sokratik dhe të abuzonin me pozitat e tyre? Ndoshta po, ndoshta jo, kush e di. Kjo është një nga ato pyetje që Platoni ia bën qëllimisht njerëzimit.
Në fakt, cili mund të jetë qëllimi i doktrinës së mbretit-filozof? A mundet njerëzimi të ndërtojë qytetin/shtetin e bukur (Kallipolisin) që krijon drejtësi në shpirt? A është kjo një mundësi filozofike? A e konsideron Platoni këtë një mundësi reale, apo është thjesht një utopi? Ne akoma nuk e dimë këtë! Ajo që dimë me siguri është se edhe sot pas 2500 vitesh, shumë njerëz në botë jetojnë në distopi, bëjnë jetë Orwelliane. E, krijuesit e distopisë dihen… nuk janë filozofë …
Please follow and like us: