SULEJMAN ISLAM SALLA-DËSHMORI QË U VRA NË SHKODRËN SHQIPTARE
Në 110 vjetorin e rënies të dëshmorit Sulejman Islam Salla nga Pajova e Peqinit si dhe mbi dymijë dëshmorëve të atdheut të rënë në Tarabosh, Shkodër e rrethinat e saj. Në Shkodër, këtë kala të shqiptarizmës ranë dëshmorë nga e gjithë Shqipëria, veçanërisht të rënë nga Elbasan, Gramsh, Peqin janë: Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli nga Shënepremte/Lenie dhe Cane Dylber Përfundi nga Grabova e Poshtme, të cilët kanë rënë në mbrojtje të trojeve shqiptare në malin e Taraboshit në Shkodër në nëntor-dhjetor 1912 vetëm pak ditë pas pavarësisë shqiptare; ndërsa dëshmorët Tele Selim Bujku, Arif Sali Toska, Zyber Mehmet Rabo, Pasho Laze Braho, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Sulejman Çela, Bilal Bajrami, Seran Murati, Sulejman Islam Salla, Ali Ahmet Peti etj., kanë rënë në shkurt e mars të 1913-ës në luftimet e zhvilluara në zonën e Malësisë së Madhe, evidentuar nga Kryesitë e Organizatës së dëshmorëve të Elbasanit, Gramshit, Cërrikut, Librazhdit e Peqinit…
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Biografi e shkruar me gjak dhe të skalitur në altarin e lirisë së kombit tonë
Në afro një shekull e gjysëm ka pasur tre emra “Sulejman Salla”. Janë emra të njohur që përfaqësojnë tre epoka. Sulejman Islam Salla i parë (1880-1913) ishte dëshmori i parë i oxhakut Salla në Pajovë të Peqinit, që e lau me gjakun e tij mbrojtjen e tokës shqiptare në Shkodër në pranverën e vitit 1913. Sulejman Musa Salla i dytë (1820-1944) ishte dëshmori i dytë i oxhakut Salla në Pajovë të Peqinit, që shkroi epope lavdie gjatë Luftës së Madhe Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ai ishte nipi i dëshmorit Sulejman Islam Salla që ra për lirinë e Shqipërisë në vitin 1944 (Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 34 datë 06.09.1996 të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” (bazuar në faqen 52 të librit “Dëshmorët e Atdheut” të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar (2012). Ndërkohë që në jetë si misionar i mbrojtjes së gjakut të dëshmoëve është Sulejman Salla i tretë, kryetari aktual i Organizatës së Dëshmorëve të Peqinit. Një emër i madh në breza e epoka që trashëgoojnë historinë dhe traditën luftarake të shqiptareve, një emër tre epope, që dinë të luftojnë të flijohen për atdhe dhe të mbrpojnë të shkuarën e lavdishme të shqiptarëve. Trimëritë dhe heroizmat që shkruan bijtë e Pajovës e Peqinit bashkë me bijtë e tjerë të Shqipërisë në Shkodër, në Janinë dhe në tërë kufirin administrativ shqiptar janë dëshmi e mbrojtjes së shqiptarizmiës, të mbrojtjes së trashëgimisë së truallit shqiptar, të mbrojtjes së amanetit të të parëve si dhe e trashëgimisë shqiptare. Epopetë, luftrat, trimëritë në roje të truallit arbëror të Shkodrës sonë është skalitur në kujtesën dhe memorien historike të shqiptarëve, janë shkruar në këngë dhe rrënjët i kanë thellë në historinë e mbijetesës shqiptare. Sulejman Islam Salla ishte lindur në pranverë të vitit 1880 në një ambjent të njohur atdhetar në një familje të thjeshtë të Bishqemit në Pajovë të Peqinit. Që në vegjëli u edukua me traditat më të mira të atdhetarisë dhe punës së ndershme. Familja e babait të tij Islamit gëzonte respektin e njerëzve të thjeshtë për tratditat, trimërinë dhe punën e ndershme. Pesha e halleve dhe pushtimet sikurse për gjithë shqiptarët nuk i lejonte që të ngrinte krye dhe ta përmirësonte sadopak ekonominë familjare. Në këtë gjendje e gjeti momenti i shpalljes së pavarësisë familjen e Islam Sallës. Djali i tij Sulejmani në momentin e ngritjes së flamurit në Vlorë ishte një burrë i rritur dhe i pjekur, 32 vjeçar, i martuar dhe kishte një djalë në moshën gjashtëmujore, që e quanin Musa. Lufta në Shkodër dhe thirrja e Ismail Qemalit për mbrojtjen e truallit të të parëve në Jug dhe në Veri të Shqipërisë e bëri atë që të bashkohej me ajkën e djalërisë luftëtare të taburit të Elbasanit, Peqinit, Gramshit dhe fshatrave përreth Librazhdit. Në një dokument të drejtorit të trashëgimisë kulturore të Elbasanit (dokument i datës 7.10.2005), duke hulumtuar në dokumentacion thuhet që “..në dokumentacionin e dorëzuar si objekt të trashëgimisë kulturore e muzeale, figuron që Sulejman Islam Salla nga Bishqemi i Pajovës së Peqinit është vrarë në Shkodër në vitin 1913”. Këto të dhëna janë marrë nga Fondi dokumentar nr.02, viti i ngjarjeve 1913, në Arkivin e Elbasanit. Fondet dokumentare të Trashëgimisë kulturore të Prefekturës/Bashkisë së Elbasanit. Trimi nga Pajova e Peqinit, Sulejman Islam Salla nuk mundi të kthehej në Pajovën e tij të dashur, sepse gjakun e derdhi në luftë për mbrojtjen e Shkodrës. Biri i tij Musai u rrit pa baba por me nderin dhe krenarinë e babait e jetoi jetën denjësisht. Musai u martua me Hamidenë dhe ëndërrën e të atit që të kishte shumë fëmijë e plotësoi duke sjellë në jetë pesë djem dhe dy vajza, Sulejmanin, Tasimin, Ismailin, Sabriun, Nazmiun si dhe dy vajzat Zaje Musa Salla dhe Leje Musa Salla, që të gjithë të rritur denjësisht e me punë të ndershme që në radhë të parë kishin mbrojtjen e gjakut dhe krenarisë familjare e krahinore. Nuk është e rastit që edhe gjatë LANÇ-it familja Salla u lidh tërësisht me strukturat antifashiste dhe po gjatë kësaj lufte që është krenari e shqiptarëve kemi edhe një dëshmor tjetër Sulejman Musa Salla i dytë (1820-1944) dëshmori i dytë i oxhakut Salla në Pajovë të Peqinit, dëshmor i luftës së madhe Antifashiste Çlirimtare të shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar 110 vite nga ngjarja madhore e luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës, historia dhe kujtesa popullore nuk harron të kujtojë, nderojë e respektojë bijtë e vet, të atyre trimave që jetën e bënë fli për lirinë e kombit shqiptar. Njeri prej tyre është padyshim Sulejman Islam Salla që ra heroikisht për të mos u harruar kurrë. Faktikisht me plotësimin e boshllëkut legjislativ, me daljen e lidhit ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, nenit 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “b” që thotë: “Dëshmorë të Atdheut shpallen: “shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939”.
Luftëtarët që ranë për Atdhe ngelen përjetësisht në altarin e lirisë
Luftëtarë redifë peqinas, elbasanas, gramshiotë, librazhdas etj., që luftuan trimërisht në Shkodër ishin të shumtë si: Sulejman Islam Salla (1880-1913), Ali Ahmet Peti (1886 Asqok Pajovë- vrarë 1913 në Shkodër), Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli, Cane Dylber Përfundi, Çerçiz Ajazi, Mustë Çekrezi, Sheme Çekrezi, Kame Çekrezi, Bido Çekrezi, Dape Çekrezi, Sulejman Çela, Mahmut Çela, Baze Çela, Mustafa Blogu, Musa Xhaferi, Musa Liçi, Bajram Liçi, Halim Liçi, Dalip Liçi, Xhemal Liçi, Cane Sejdini, Ramo Hida, Jaçe Brahimi, File Dervishi, Shahin Mema, Mete Mema, Mustë Llapushi, Hiqmet Llapushi, Xhelal Koçi, Arif Sali Toska, Pasho Laze Braho, Myslim Koçi, Selman Koçi, Mustafa Plaku, Qamil Elezi, Zyber Mehmet Rabo, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Kame Kotorri, Nebi Kotorri, Tele Selim Bujku, Dape Hazisi, Çaush Daja, Bilal Bajrami, Seran Murati, Pelivan Daja…etj. Por gramshiotët që u sosën të gjallë pas lufte sollën me vete tmerret e luftës dhe historinë se si i varrosën shokët e rënë dëshmorë për Shkodrën atje “ku i zuri balta”, një zakon i trashëguar për luftëtarët që vriteshin në të gjitha anët e katër vilajeteve shqiptare në pamundësi të transportimit të trupave të tyre. Të gjallët gramshiotë sollën njëherazi edhe një këngë që vërtetonte tradhëtinë e Esat Toptanit: “…Karadaku brigje-brigje,/digje Esat Pasha digje,/ Nuk e djeg se është i vogël,/do ta lë sa të vijë në Shkodër…”. Ismail Qemali e quajti këtë tradhëti: “atentat kundër shqiptarëve dhe pavarësisë së tyre”! Për trimat gramshiotë për dëshmorët e saj kënga nuk u shua kurrë. Kështu teksti i Abedin Bicit edhe sot dhe përgjithmonë vijon të jetë aktual për të rënët në Shkodër për Shqipërinë: “…Këndojmë për Lazen, Jasharin, Canen e Isanë,/Që jetën për mbrojtjen e Shkodrës e dhanë,/lule more trima që ratë për Atdhe…”. Luftëtarët e qarkut të Elbasanit u aktivizuan me çetën e kapedan Mahmut Xhelili, shkruar faqe heroizmi, treguan guxim dhe atdhetari të lartë. Ishin ata që gatuan “brumin” atdhetar të vijimësisë, u zprovuan në sfidën e madhe të betejave në Shkodër, Tarabosh e në Malsinë e Madhe, treguan vitalitet dhe energji, ndalën pushtimin, deri sa Shkodra ra me tradhëti se nuk kishte asnjë lloj mënyre tjetër të mundshme të rënies, por Fuqitë e Mëdha i detyruan Malazezët që të tërhiqeshin jashtë kufirit shqiptar.
Dëshmorët e qarkut të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë janë nderi dhe krenaria e kombit
Luftëtarët shqiptarë të qarkut të Elbasanit dinin mirë të luftonin në front, ndoshta pa njpohur kulisat e diplomatike e konjuturat e kohës. Por një gjë e dinin mjeshtërisht: Të mbronin tokën arbërore të shenjtëruar. Në pranverë të 1912-ës, u arrit marrëveshja serbo-bullgare, në të cilën hynë në aleancë dhe Mbretëria malezaze dhe Greke në një aleancë “antiosmane”. Për Shqipërinë dhe shqiptarët marrëveshja ishte një plan i ri pushtimi e copëtimi. Këta “aleatë” nuk vinin si çlirimtarë, por si pushtues. Serbët pushtuan Vardarin, Sanxhakun, Novi-Pazarin, Rrafshin e Dukagjinit dhe iu drejtuan Adriatikut. Grekët pushtuan Himarën dhe arritën në Qafë të Llogorasë. Malazesët sulmuan dhe rrethuan Shkodrën. Të njejtën synim kishin Rusia, Austria, Italia, dhe sllavët e jugut, që donin pushtetin e tyre deri në Adriatik. Krajl Nikolla e kushtëzonte ekzistencën e Malit të Zi me Shkodrën, që e “ëndërronte” si kryeqytetin e Malit të Zi. Malazezët sulmuan ushtrinë osmane para se të reagonin Fuqitë e Mëdha, e në radhë të parë Austro-Hungaria. Mali i Zi, pa ndonjë traditë luftarake, u fut në lutim drejt Shkodrës me 30 mijë trupa, më 8.10.1912. Lufta filloi e shoqëruar me një të shtënë me top në drejtim të Shkodrës, nga princi Mirko. “Kjo e shtënë sinjalizoi fillimin e luftës së Malit të Zi kundër Turqisë, por edhe atë të Luftës së Parë Ballkanike”. Në pothuaj një javë, armatat e ushtrisë serbe dhe të Malit të Zi, në koordinim të plotë, filluan të pushtojnë tokat e Shqipërisë së Veriut, drejt Shkodrës. Situatën e rëndonin edhe disa malësorë të gënjyer e të paguar. Fakt është se në mbrojtjen e Shkodrës, kanë marrë pjesë 24 mijë forca të osmane, nën komandën e Hasan Riza Pashës të dislokuara në 5 rajone: Rajoni Shtoj, Bardhaj, Berdicë, Tarabosh, Tepe (që në turqisht do të thotë “kodër”. Në ndihmë të tij, nën drejtimin e Esat Pashës, rreth qytetit ishin vendosur më shumë se 15 mijë mbrojtës rezervistë (redifë) shqiptarë, të ardhur nga rrethet Lezhë, Dibër, Mirditë, Krujë, Tiranë, Shijak, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Peqin, Pukë dhe Shkodër rreth 5 mijë luftëtarë. Anëtarët e shtabit Osman të luftës me Hasan Riza Pashën në krye kishin parashikuar çdo gjë që duhej për mbrojtjen e Shkodrës, ku mbi të cilën u derdhën mijëra predha e tonelata me hekur e zjarr. Në dhjetor 1912 e janar 1913, mali i Taraboshit, kodrat e Beltojës, Berdicës dhe Bardhajve u bënë arenë luftimesh shumë të përgjakshme. Malin e Zi, mbështetej fort nga Serbia, që më 10.11.1912 kaloi në ofensivë dy divizione: “Shumadija” me 6500 trupa e “Drina 2” me 9219 trupa, të niseshin njëri nga Prizreni për në Durrës dhe tjetri nga Gjakova për në Shëngjin, për të pushtuar Shqipërinë. Këto njësi serbe ndeshën në qëndresën e fuqishme të luftëtarëve shqiptarë, por edhe të ushtrisë Hasan Riza Pasha besnik të idealit për të mos lëshuar tokën shqiptare, pse jo të luftonte edhe nën flamurin shqiptar ndërkohë që pushtuesit osmanë po tërhiqeshin nga Ballkani. Malazezët e Nikollës kishin shpallur se: “do të luftonin deri në fishekun e fundit për të marrë Shkodrën”, por që dështuan në të gjitha rastet që e provuan, përballë trupave osmane e shqiptare të përgatitura në fushën ushtarake, të armatimit e fortifikimit, duke treguar veprime energjike qëndrese të vendosura. Qindra mijëra shkodranë, burra dhe gra, punonin për prapavijën, në hapjen e llogoreve, vendosjen e telave me gjemba, mbledhjen e rezervave ushqimore dhe lëndëve djegëse, transportin e materialeve luftarake, hapjen e rrugëve të reja, transportin dhe mjekimin e të plagosurve, qepjen e veshjeve për luftëtarët e lirisë etj. Komanda osmane e shqiptare kishte vendosur raporte të mira me parinë e qytetit dhe Shkodra u mbrojt në dy vija mbrojtëse: nga shpatet e Taraboshit, kodrat në Berdicë dhe Vukatanë, kurse e dyta nga kodrat e Tepesë, Bardhajt, bregu i Kirit, Golem, Dobraç etj. Artileria ishte vendosur në Tarabosh, Berdicë, Tepe, Bardhaj e Shtoj. Fortesa nr.1 e mbrojtjes së Shkodrës është mali i Taraboshit. Kush mbronte Taraboshin, kishte në dorë Shkodrën dhe pikërisht në këtë kala të pakapërcyeshme ngelën përjetësisht atje qindar dëshmorë shqiptarë edhe nga qarku i Elbasanit. Luftimet për mbrojtjen ishin të lidhura me fortifikime të tipit fushor me vija e hendeklidhje, çka i dha siguri qëndresës së qytetit. Zonat më të sigurta ishin: Shtoji, Bardhaj, Taraboshi, Tepja, Berdica etj. Brenda garnizoni i Shkodrës ishte i mirëorganizuar me ndërlidhje, që nga centrali kryesor në kala, deri tek ato të rajoneve të mbrojtjes. Fillimisht në luftime nuk mungonin armatimi, ushqimet. Ndërkohë që më datën 3.12.1912 vendoset armëpushimi i parë, ku Nikolla urdhëroi ndërprerjen e luftimeve, por Hasan Riza Pasha u përgjigj se: “Tashmë Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhra nga një komandë osmane dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet, kundër malazezëve”. Shkodra mbrohej nën flamurin e saj shqiptar, flamurin e Ismail Qemalit. Pashai osman deklaronte: “Shkodra mund të rezistojë edhe për gjashtë muaj të tjerë”. Pas dy ditës më 5.12.1912, malazezët ndërmorën sulmin masiv nga Bardhaj deri në breg të liqenit të Shkodrës, sulm që përfundoi në përleshje trup më trup, me thika, bajoneta, ndërkohë që xhephane e Shkodrës u bë tym e flakë nga zbrazja e pushkëve, mitralozave dhe topave. Kur zbardhi dita, në fushën e betejës kishin mbetur qindra malazezë të vrarë dhe të varur në tela, llogore dhe transhe. Fatin e luftimeve e vendosi artileria osmane, e cila sulmoi fuqishëm në të gjitha pozicionet. Shkodra qëndroi heroikisht në një rrethim më se të plotë; ndërkohë që betejat vijuan gjatë. Kronikanët dokumentuan luftën: “Qyteti i Shkodrës u mbrojt kryesisht nga shqiptarët…”, nga forca e moralit dhe gjaku i derdhur. Sipas Hasan Riza Pashës Shkodra për Turqinë ishte e humbur, deklaroi se krahas flamurit turk, duhej ngritur edhe flamuri shqiptar në kala, për të lidhur Shkodrën me qeverinë e Vlorës të Ismail Qemalit, duke i vënë serbo-malazezët para një fakti të kryer. Valiu dhe komandanti i trupave osmane mori mbështetjen e malësorëve shqiptarë, që e njihnin mirë “lojën” e Malit të Zi. Mbi këto luftime u njoftua edhe Vjena për planin e tij. Vrasja me tradhëti e Hasan Riza Pashës ishte vepër shqiptare në bashkëpunim me të huajt. Ai u vra në derën e shtëpisë së tij, sepse ishte oficeri më i kompletuar dhe më inteligjent, si dhe një komandant i madh i shtabit osman, që e deshi Shqipërinë dhe flamurin e saj, e deshi deri në frymën e fundit prandaj është edhe dëshmor për Shqipërinë. Para se të ndërronte jetë, u tha oficerëve pranë tij: “Betohuni se do ta ruani Shkodrën deri në vdekje”. Ministri i Luftës, Mehmet Dërralla për vrasjen e Hasan Riza Pashës tha: “…na e vranë në të pabesë një hero të madh”, një njeri akademik ushtarak që luftoi për shqiptarët në momentet më kritike. Më 2.2.1913, Krajl Nikolla, kërkoi armëpushim, edhe pse lufta e Malit të Zi dhe Serbisë mbi Berdicë dhe Bardhaj, përfundoi në një kasaphanë të vërtetë, pasi ata u goditën rëndë duke lënë në fushën e betejës mbi 2500 ushtarë. Më 10.4.1913, kryeministri serb Pashiç urdhëroi forcat serbe të linin rrethimin e Shkodrës. Pas 6 muajsh të një mbrojtjeje heroike të Shkodrës, u tha se “mbaruan ushqimet!” për forcat osmane dhe popullsinë civile, Esat Pasha i kërkoi komandës malazeze për të vendosur kushtet e dorëzimit të kalasë. Më 23.4.1913, ai nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të Shkodrës. Shkodra u tradhtua pa marrë parasysh faktorin ushtarak të qëndresës, sepse Mali i Zi e kishte të pamundur pushtimin me armë të Shkodrës përballë shqiptarëve dhe osmanëve superiorë në qëndresën historike, që i mundën armiqtë e tyre, duke lënë mijëra të vrarë në fushëbetejë, një fakt i pranuar dhe nga serbo-malazezët, Shkodranët nuk pranuan që të dorëzohej qyteti i tyre. U harrua amaneti i fundit të Hasan Riza Pashës, i këtij dëshmori dhe heroi të qëndresës, që ishte po aq dëshmor dhe hero se dhe çdo shqiptar që gjakun e derdhën për tokën shqiptare, sikurse ishin edhe dëshmorët e Pajovës, Peqinit, Gramshit, Elbasanit. Dorëzimi i pabesë i Shkodrës ishte “..atentat kundër pavarësisë së Shqipërisë”. Ndërsa Medi Frashëri do shprehej: “Esati është maçoku i zi i Shqipërisë”, çka dënonte ashpër aktin e tradhëtisë. Megjithëse faktori ndërkombëtar, e veçanërisht Austro-Hungaria, e kishin dhënë verdiktin e vet, që Shkodra t’i mbetej shtetit shqiptar, kishin dërguar edhe Flotën e tyre Luftarake në brigjet e Adriatikut. Më 4.5.1913, Nikolla deklaroi: “Duhet të tërhiqemi”, e më 9.5.1913, ai nënshkroi marrëveshjen e ridorëzimit të Shkodrës, sepse administrimi i qytetit i kaloi Komisionit Ushtarak Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK-së). Më 14.5.1913 me largimin e trupave malazeze nga rrethimi i Shkodrës në ikje dogjën dhe plaçkitën gjysmën e pazarit të Shkodrës, morën arkivat e qytetit dhe grabitën koleksionin e armëve në kala. Pas një viti administrim ndërkombëtar, qyteti verior u bashkua me Shqipërinë e pavarur. Gjergj Fishta duke folur për mbrojtësin e Shkodrës ka thënë: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve.. Ai meriton të kujtohet baraz me heronjtë e kombit shqiptar”. Por heronj dhe dëshmorë të kombit shqiptar janë edhe Sulejman Islam Salla, Ali Ahmet Peti, Isa Bici, Jashar Bici, Laze Xhangoli, Cane Përfundi dhe qindra të tjerë të rënë në fushën e nderit, për nderin e kombit shqiptar, për amanetin e trashëguar brez pas brezi për Shqipërinë e pavarur dhe progresin shoqëror.