Shën Tereza në faqet e gazetës “Dielli”
Nga Dalip Greca*
Vasiliev Nini: Shtatore e Nënë Terezës
Emri dhe vepra e Nënë Terezës janë përmendur shpesh në gazetën “Dielli”. Ajo shfaqet herë me fotografi, herë me kronika dhe komente. Në shumë nga kronikat e kohës shprehet krenaria se ajo ishte bijë e gjakut shqiptar. Deri në vitin 1970 kemi pak informacion, ndërsa më pas ajo është e pranishme përherë e më shumë. Në numrin e 3 shkurtit 1971, botohet artikulli me titull “Një motër nga gjaku ynë”, që ka për nëntitull: “Motër Gonxhe Bojaxhiu paraqet fisnikërinë e gruas shqiptare… ”
Ky artikull, me autor Dr. Athanas Gegaj, ish editor i “Dielli”-t, përshkruan Misionin e Bamirësisë së Nënës Terezë, ku ajo ishte themeluese dhe udhëheqëse. Autori informonte me emocion :
“Çudia është se Misioni po rritet dita-ditës. Është një shoqëri pa kuvende, pa mjete të sigurta, fillimisht një shoqëri grashë nga çdo kombësi, që kanë zgjedhur të jetojnë për të tjerët, më keq se të tjerët. ”
Artikulli është i gjatë dhe përshkrues dhe merr përsipër që të informojë në detaje. Në një nga mestitujt, “Kjo motër e vogël shqiptare”, përshkruhet rruga, që ndoqi ajo grua me shtat të vogël, deri në Kalkutë.
“Kjo motër e vogël shqiptare shkoi në Indi dhe u bë motër dhe nënë e të gjithëve; duke filluar nga të varfërit, nga ata që s’kishin asgjë ose që kishin humbur gjithçka… vetëm në Kalkuta kjo motër mbledh mijëra vetë…, që janë duke vdekur dhe ajo, me buzëqeshje e dhembshuri, i kthen në jetë… Nënë Tereza ka shpirt të madh. Ajo ka dhe pushtet të fuqishëm moral. Askush nuk e kthen bosh, kur ajo shkon dhe kërkon diçka për të varfërit e saj…”.
Në një artikull tjetër që botohet në numrin e 10 nëntorit 1971, autori Eduard Liço, që në vitet ’80 do të ishte editor i “Dielli”-t, sjell të dhëna për famën që ka marrë Nënë Tereza në Botë. Autori merr shkas nga një libër i botuar atë kohë në Londër. Autori i librit me titull “Something Beautiful For God” me nëntitull: “Mother Theresa of Kalkuta”, ishte anglezi Malkolm Mwgrixh. Duke iu referuar subjektit të librit, Liço gjen momentin të përshkruajë jetën e Nënë Terezës dhe të hulumtojë në origjinën e saj shqiptare. Ai sjell edhe citimet e një diplomati amerikan të asaj kohe, ambasadorit Shriver, të cilin e perifrazon kur thotë:
“Sa nder do të ishte që kjo grua e devotshme të ishte amerikane” dhe shtonte:
“Kjo është një grua revolucionare, por revolucioni i saj nuk del nga grykat e armëve; as nga iderat e ndryshme utopike të disa shkencëtarëve, ideologëve, apo studiuesve të psiqikës njerëzore, revolucioni i saj del nga dashuria e vërtetë për njerëzimin e përvuajtur.”
Në fund të artikullit, autori arrin në përfundimin:
“Ndonëse dashuria që Nënë Tereza tregon për njerëzimin i ka kapërcyer kufijtë e ndarjeve midis njerëzëve, që vetë njerëzit kanë krijuar, ne prapë jemi krenarë që një grua e tillë ka dalë nga gjiri i popullit tonë.”
Herë pas herë, gazeta “Dielli” sjell lutje dhe fjalë të urta të Nënë Terezës, që në esencë përbëjnë filozofinë e saj të durimit dhe vullnetit. Të tilla gjejmë në numrin e shtatorit 1997, ku urtësia e saj shoqërohet me një fotografi që shpërndan buzëqeshje.
Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie
Duke shfletuar koleksionin e gazetës 102 vjeçare të Federatës “Vatra”, në numrin e 15 shkurtit 1979, në një rrëfim plot kolorit, Lume Juka, sillte shkrimin “Festat e të vetmuemëve”. Shkrimit i paraprinte një thënie e urtë e Nënë Terezës, që i takonte dhjetorit 1978. Në të jepej ky mesazh:
“Urija shpirtnore asht’ ma e zorshme se urija për bukë. Me e ndi veten të hedhur e të përbuzun, asht gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhi nji njeriu. Shkenca moderne mund të shërojë shumë sëmundje, por nuk ka, as ka me pasë kurrë, diçka që të zëvendësojë nji dorë e nji zemër që don…”.
Lume Juka përshkruan me një stil mallëngjenjës disa ditë të dhjetorit 21, 22 e 23 të vitit 1978, ku ajo, si vullnetare e Misionit të Nënë Terezës, së bashku me disa murgesha dhe një grup fëmijësh, e ndriçuar nga drita ngazëllyese e Misionit “Nënë Tereza”, shkonte tek të varfërit, në Jugun e Bronxit, në New York, ku, siç shkruan ajo, njeriu andej pari, sidomos kur të zen nata, nuk është i sigurtë, nëse ka me u kthye gjallë në shtëpi. Vorfni, violencë, shpija të shkatërrueme, xhama të thyem, zhumile gjithkund. Nji botë në vendin, që të bën me harrue se jeton në New York, qytet që strehon sa gjana të mrekullushme. Fëmijë të shumtë shihen nëpër rrugë.”
Nanë Tereza thotë:
“N’Amerikë njerëzit nuk vuejnë për nji copë bukë, por vuejnë prej urije shpirtnore të tmerrshme, e cila gjindet edhe në të pasunit.”
Autorja e shkrimit, Lume Juka, përshkruan rast pas rasti se të pamundurit ndjejnë dritën e jetës edhe në çastet e fundit, kur pranë kanë Motrat e Nënë Terezës. Më pas, ajo përshkruan veten mes një grupi fëmijësh, që e kanë rrethuar dhe na përcjell këtë dialog emocionues të vetë Lumes me fëmijët amerikanë:
– A ban me shikue se çfarë keni shkruar në atë bllok? – më pyeti nji djalë.
Menjiherë ia diftova shënimet.
– Po unë, po unë? – si e kanë zakon fëmijët. U afruan rreth meje.
– Kjo s’është anglisht; as spanjisht. Çfarë gjuhe është?
– Shqip…
– Ç’ka don me thanë shqip?
– Asht gjuha që ka folë Nana Terezë, kur ka kenë fmi.
– Po ju ku e keni mësue?
– Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie.
– Oh! Jeni prej vendit të Nanë Terezës?- më shikuen me habi e me admirim.
– Si i thonë në shqip “God”?
– Zot!
– O God!
– O Zot!
– O God help us?
– O Zot, na ndihmo!
Shpejt e mësuen me e shqiptue. Pak minuta zani i tyne tingëllus e i prekshëm, u ndigjonte tue thanë:
– O Zot, na ndihmo!…O Zot, na ndihmo!…
Nënë Tereza: Mos bani luftra, m’i jepni mue fondet e armatimeve… !
“Dielli” vijon ta ndjekë Nënën Terezë hap pas hapi. Në një shkrim të botuar me 16 prill 1979, përcillej kronika e marrjes së një çmimi në Itali, ku ishin të pranishëm që nga Presidenti e Kryeministri, deri tek diplomatët e akademikët. Nga Roma, korrespondenti i “Dielli”-t jepte me detaje atmosferën e ceremonisë dhe madhështinë e Nënës Terezë, tek qëndronte përkrah Presidentit Sandro Pertini dhe Kryeministrit Xhulio Andreotti. Çmimi “Balzan”, që iu dorëzua Nënës Terezë, konvertohej me një vlerë prej 325 mijë dollarësh.
Korrespondenti shqiptar me krenari raportoi se ajo i sfidoi gazetarët tek e pyesnin:
– Ç’mendon për luftën, – e pyeti njeri gazetar.
Përgjigjet Nënë Tereza :
– Nuk e kuptoj këtë mëni e këtë luftë. M’i jepni mue fondet e armatimeve, që të luftoj mjerimin dhe t’ua kthej dinjitetin të vobektëve…
Përfundimi i korrespondencës të gazetarit shqiptar nga Roma, vjen natyrshëm: “Ne shqiptarët, edhe këtë rradhë, kemi të drejtë me u krenue e me i urue kësaj motrës sonë jetë të gjatë e të lumtun! E të mos harrojë të lutet edhe për Atdheun e vet, për Shqipninë e martirizueme. ”
Kur Nëna Terezë u kandidua për “Çmimi Nobel për Paqen”, më 1979, “Dielli” botoi shkrime speciale, shoqëruar me fotografi. Në numrin e parë të nëntorit 1979, “Dielli” botonte në faqe të parë në gjuhën angleze, shkrimin special, që komentonte me krenari se me fitimin e Nobelit, Nënë Tereza, do t’u kthente lavdinë shqiptarëve, lavdi e humbur 500 vite të shkuara me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.
Ndërsa në numrin e dhjetorit, përveç speciales në shqip, gazeta botoi edhe urimet e shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë. Krahas kronikave dhe reportazheve, u botuan edhe letra indinjuese, që kritikonin pasaktësitë e shtypit amerikan, një pjesë e të cilit e paraqitën Nënën Terezë si sllave. Një letër e tillë ka për autor Mahmud Cungun, që sqaron se Nëna Terezë është shqiptare, lindur në Shkupin shqiptar, në kohën që nuk egzistonte shteti sllav, por Perandoria Otomane. Nënë Tereza është me kombësi shqiptare, përfundonin letrat. Nga ana e saj zonja Goldi Karagjozi i dërgoi nga Washingtoni një letër Nënës Terezë në Kalkutë dhe po atë natë, që u shpall dhënia e çmimit, nisi grumbullimin e të hollave për Misionin e Nënës Terezë, të holla, që ajo i mblodhi bashkë me vatranët. Për një kohë të shkurtër ajo kishte mbledhur 505 dollarë dhe ia kishte nisur Misionit të Nënës Terezë. Në letrën që zonja Goldi i nisi Nënës Terezë në Kalkuta, i shprehu asaj urimin e të gjithë shqiptarëve të Amerikës dhe i premtoi se do të kishte ndihmën e gjithnjë ndihmën e tyre.
Në po atë numër botohej dhe komenti “Mother Teresa, humanistja shqiptare”.
Në numrin e 31 dhjetorit, “Dielli” sillte një speciale të revistës “Times”, botuar për Nënën Terezë, duke sjellë edhe ballinën me portretin e saj.
Nëna Terezë tashmë ishte si në shtëpinë e vet tek faqet e gazetës “Dielli”. Në numrin e 16 prillit 1980, që në faqe të parë, niste një kronikë me titull “Nënë Tereza tek Papa”.
Pas fitimit të “Çmimit Nobel për Paqen” , Papa Gjon Pali II ka pritë në audiencë private Nënën Terezë dhe e ka përgëzuar për çfarë ka bërë me misionin e saj. Në po të njëjtën kronikë, jepet dhe një lajm i ri: Nëna Terezë ka fituar çmimin më të lartë që jepej në Indi, Bharat Ratna, “Xhevahiri i Indisë”. Ky çmim u jepet njerëzve me merita të veçanta.
Lajmi i tretë që sjell “Dielli” në numrin e 16 prillit 1980, është përgatitja e një filmi për Nënë Terezën nga televizoni Italian. Filmi i gazetarit Brunelo Rond, kishte në qendër Nënë Terezën shqiptare dhe misionin e saj në Indi.
I vëllai i Nënë Terezës: Ne jemi shqiptarë, jo sllavë!
Po në këtë numër (16 prill 1980) botohet një intervistë e vëllait të Nënë Terezës, Lazër Bojaxhiu, i cili ishte intervistuar nga një gazetar italian. Shkrimi, që zë një faqe gazete, nis me një notë dhimbjeje:
Një dramë sekrete qëndron në jetën e Nënë Terezës së Kalkutës, dramë, të cilën askush deri më sot nuk e ka dijtë e ajo vetë kurrë nuk ka dashtë me e folë: nuk ka mujtë me përqafue nanën përpara se të vdesi….Asht nji dramë, që ajo e ka jetue në heshtje, duke e nda këtë vuajtje me të vetmin person, që i ka mbetë prej familjes, vëllaun Lazër!.. Lazri i deklaron gazetarit:
“E dij se nuk do t’i vijë mirë Nanës Tereze, kur të lexojë këtë ngjarje nëpër revista. Ajo ka qenë përherë e rezervueme, deri dhe e frigshme për me folun për familjen. Ç’ka mund të jenë vuejtjet tona të vogla, përkundrejt tragjedisë së miliona njerëzve, që vdesin çdo ditë nga uria? E ka respektue këtë dëshirë të saj për sa e sa vjet, e kanë respektue edhe njerëzit e politikës, të cilëve ajo u është drejtue për të ba diçka për nanën tonë, por as Presidenti Kennedy, as De Gaulle nuk mujtën me ba kurrgja. Kjo murgeshë e vogël dhe e përvuejtme, që ka ba aq shumë për miliona jetë të vobegtish, që u ka lehtësue dhembjet e u ka mjekue plagët, nuk mundi me ba asgjë për nanën e vet në çastin e vdekjes. E ajo grue, vdiq e dëshpërueme, duke shtërngue në gjoks nji fotografi të vjetër të njomun me lot; kështu vdesin njerëzit në nji vend komunist…”
Më pas gazetari sjell dhe dëshminë e Lazrit për kombësinë e nënë Terezës, natyrisht dhe të veten:
– Përpara çdo gjaje, dishroj me sqarue nji pikë,- thotë Lazri.
– Na jemi shqiptarë e jo jugosllavë, si shkruejnë gati të gjitha gazetat në botë. Keqkuptimi ka lindun nga fakti se Shkupi, qyteti ku kemi lindun, ishte ma përpara nji qytet shqiptar e pastaj i kaloi Jugosllavisë, por na të gjithë vijojmë me folun shqip e letrat ime motër (që flet edhe anglisht e pak frëngjisht) m’i shkruen në gjuhën shqipe.
Në ceremoninë e Çmimit Nobël u lexua telegrami i Vatrës
Interesant është një shkrim me titull “Nana Tereza, motër e vërtetë e popullit shqiptar”, botuar në numrin e 15 shtatorit 1980, ku, në krye, është vendosur një fotografi me portretin e Nënës Terezë, që ka në sfond shkrimin shqip të këtij teksti:
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona…Lutem shumë për fukaratë e mij dhe për mua dhe motrat e mija.Unë lutem për juve.”
Artikulli ka për autor gazetarin Gjekë Gjonlekaj. Në të përcillet mesazhi se Nënë Tereza është aq e njohur, sa e nderon popullin shqiptar. Pasi rendit disa nga sukseset dhe çmimet që ka koleksionuar Nëna Terezë, pasi përcjell jehonën e veprës së saj në gazetat më prestigjioze të botës, përfshi dhe ato të Amerikës, si “NewYork Time” etj., që botonin të zmadhuar portretin e Nënës Terezë me rastin e marrjes së “Çmimit Nobel për Paqen”, kritikohet ashpër gazeta “Rilindja” e Kosovës, që lajmin e marrjes së këtij çmimi e botonte diku nga faqja e tretë, me një fotografi të vockël, ndërkohë, që revista kulturore – fetare në Kosovë “Drita”, shkruante se ditën, që Nëna Terezë që mori Çmimin Nobel për Paqe, më së tepërmi u gëzuan, kur lexuan telegramin përshëndetës nga shqiptarët e Amerikës, i cili ishte dërguar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA”.
Autori përgëzonte Federatën “Vatra”, që, sipas traditës së saj kishte nisë një fushatë ndihme për Misionin e Nënë Terezës.
Çdo vizitë e Nënës Terezë në Sh.B.A. përshkruhet me detaje në faqet e “Dielli”-t. Kështu, në numrin e 16 qershorit 1985 , përshkruhet vizita e saj në Washington, tek përcjell mesazhin kundër abortit. Artikulli, që përshkruan vizitën në Shtëpinë e Bardhë, shoqërohet me një fotografi, ku Nënë Tereza qëndronte mes Presidentit Regan dhe Zonjës së Parë. Nënë Tereza deklaronte në Simpoziumin e organizuar enkas më 3 qershor 1981 se duke shkatërruar fëmijën e pa lindur, ne jemi duke shkatërruar dashurinë, jemi duke shkatërruar vetë Zotin…. Më 4 qershor ajo ishte e ftuara e Presidentit për drekë dhe “Dielli”, tek përshkruan vizitën dhe respektin, që ajo gëzonte në Shtëpinë e Bardhë, ndihej krenar për përkatësinë shqiptare të gjakut të saj. Në numrin e 1shtatorit 1981, përshkruhet një vizitë e Nënë Terezës në Detroit, ndërsa në numrin e 16 shtatorit, Tom Mrijaj prezanton një nga miqtë e Nënë Terezës, filozofin dhe historianin Indian Gurudev Shri Citrabhanu. Autori sjell vlerësimet e indianit për Nënë Terezën dhe kombin shqiptar, të cilit ajo i përket, historisë së tij trimërore, bujarisë dhe traditave.
Shqiptarët e kanë shpallur të shenjtë Nënë Terezën që në vitet ’80-të
Petro Vuçani, në faqen e parë të “Dielli”-t të 1 gushtit 1983, sjell mbresat e një takimi shumë emocionues me Nënën Terezë në Itali, ku ai së bashku me dy shqiptarë të tjerë, morën pjesë në një ceremoni për shugurimin e disa murgeshave të reja, prej të cilave dhe një vashë shqiptare nga Kosova. U ndala në këtë shkrim për arsye të parashikimit intuitiv të autorit, i cili e ka titulluar shkrimin, që zë gati të gjithë faqen e parë të gazetës: “Një ditë me Shën Terezën Shqiptare”. I vë këtë titull , që, siç thotë ai vetë, ia vesh emnin me Shejtni. Vuçani shkruan:
“Në historinë Kombëtare ka pasë shumë zoja ilire, arbnore e shqiptare, që, me flijimet e veta, nuk janë ma pak shejtnesha se mjaft prej shenjteve të trevave të tjera, kurse raca shqiptare me Nanë Terezën asht’ tue shejtnue gjallnisht bijën e vet, që tash sa mot po habit tokë e qiell! Ndoshta duhet kohë me pritë, deri kur Selia e Shenjtë ka me e përkryer këtë dëshirë e nevojë, që, zakonisht, jetësohen pas vdekjes…”
Gjithësesi Kisha Katolike botërore dhe Kombi i Nënë Terezës e kanë defakto Shënjtëreshën Nënë Tereza. Ajo u shpall Shenjtëreshë me 4 Shtator 2016 nga Papa Frnacesku.
(Kjo ligjeratë është paraqitur nga editori i gazetës “Dielli” në Stamford CT. në një veprimtari të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Vatrës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.)
Please follow and like us: