Artan Kajtazi: Poezia profetike e Knut Odegard
Abstrakt
Knut Odegard është emër i shquar i poezisë botërore dhe një nga poetët më të përkthyer norvegjezë. Debutimin e tij poetik e nisi në vitin 1967. Që atëherë me koleksionin e tij poetik u vërejt se ka thellësisht cilësi të lartë origjinale.
Me asnjë zhanër tjetër letrar nuk mund të shprehesh ndjenjat njerëzore më mirë se sa me poezinë, thoshte Odegard.
Poezia e tij të sjell kënaqësi estetike dhe gjithashtu ngre zërin profetik për të treguar se çfarë mund të ndodhë nëse i bëjmë gjërat në mënyrë të gabuar. Sepse, sipas tij, nuk do të kishte poezi të qëndrueshme nëse jeta nuk do të ishte e mbushur me trishtim.
Në realitete si tonat, poezia shpesh mund të kthehet në shpëtim. Ajo ka një cilësi specifike: gjuhën me të cilën flet. Jo gjuhën me të cilën shkruan poeti, por gjuhën e shpirtit. Odegard thotë se, poezia është gjuhë më vete.
Në poezinë e Odegard, e bukura dhe e neveritshmja, shpesh nuk janë aq larg të mënjanuar nga njëra-tjetra, shkruan kritiku Andricssen.
Poezia e Odegardit është gëzim, trishtim, dashuri e pakufishme për njeriun dhe Zotin, është mbi të gjitha dhembje…
Qasja e tij poetike ndryshoi rrënjësisht në vitin 1980, vitin kur vajza e tij ishte sëmurë me skizofreni. Prej kësaj përvoje ai filloi të shkruajë poezi të tilla me nota sociale e humaniteti për të treguar në lidhje me vuajtjet e jetës reale dhe sëmundjeve të ndryshme. Kjo e bëri më solidar me të gjithë njerëzit e shtypur në mbarë botën. Odegard përdor përvojat e tij të këqija për të mirën e përgjithshme.
Fjalët çelës: Gumëzhimë e bletës-kërcimi i salmonit, zëri profetik, gjuha e shpirtit, gëzimi, trishtimi, dhembja etj.
Hyrje
Poeti norvegjez Knut Odegard ka lindur në vitin 1945 në qytetin e Molde, në bregun perëndimor të Norvegjisë. Ai studioi për teologji dhe filologji. Është prodhimtar i një numri të madh të koleksioneve me poezi. Përveç pasionit për poezi, ai shkruan edhe prozë.
Knut Odegard ka botuar disa vëllime me poezi, duke përfshirë: Fryma mbi Romsdal (1982), Missa (2002), Juda Iskarioti dhe poezi të tjera (2005), Poezi të zgjedhura (2009), dhe Gumëzhimë e bletës, kërcimi i salmonit, përkthyer në gjuhën shqipe nga Fahredin Shehu (2016). Odegard është themelues i shumë festivale të ndryshme për letërsinë. Është një prej poetëve më të mirë bashkëkohore dhe ndër më të përkthyerit nga autorët norvegjezë.
Duke e vërejtur seriozitetin dhe shprehjet e reja letrare të ofruara në gjuhën poetike të poetit Odegard, na shtyri të merremi më një studim serioz të përmbledhja: Gumëzhimë e bletës, kërcimi i salmonit. Në zbatimin e tij letrar, rrëfimi poetik mban një lidhje kauzale në mes ngjarjeve të përjetuara dhe aktualitetit. Poezitë e tij janë copëza biografish / memoare, pra me intencën e tekstit si instrument matës.
Pothuajse të gjitha poezitë e tij janë meditim lirik dhe ndriçues të ngjarjeve. Ai shkruan për njerëzit me aftësi të kufizuara, për fëmijët me sëmundje të ndryshme, për fatkeqësitë etj. Ai ka një perceptim vizionar, në të njëjtën kohë natyralist dhe eksperimental dhe nga ana tjetër, të drithëron me thjeshtësinë e tij poetike.
Në këtë përmbledhje poetike: Gumëzhimë e bletës, kërcimi i salmonit janë të përfshira njëzetedy poezi të strukturuara në katër pjesë.
Në pjesën e parë janë përfshirë tetë poezi: Strofat, Gumëzhimë e bletës, kërcimi i salmonit, Të dehurit dhe gjysmë-esullit, Pranvera, Nëntori-shtrëngatë, Ku jeta ime vjen duke shkëlqyer, Mbrëmje janari-saf ngricë, Mali dhe fëmija.
Në pjesën e dytë, janë të përfshira tri poezi: Tetori, Orkney, III (George Mackay Brown) dhe Thora dhe regnar.
Në pjesën e tretë, janë të përfshira katër poezi: Punëtorët e zyreve të vogla, Katër poezi, Toka, yjet dhe Jezui.
Në pjesën e katërt dhe të fundit, janë të përfshira shtatë poezi: Dorë për dorë, Ne e rrokullisem fëmijën ngadalë, Mysafiri i barit, Lopët dhe breshkat, Lufta, vdekja, Orët dhe Të 70-tat: Revolucioni, frymë.
Knut Odegard është poet që di çka do me krijimtarinë artistike, poet i vetëdijshëm për misionin që ka marrë përsipër. Kjo i ka ndihmuar atij që preokupimet e veta t’i shpreh me gjuhën artistike, me fjalorin e pastër artistik që dhimbjen dhe gëzimet i shpreh me mirë se askush tjetër.
Remineshanca poetike
Reminishenca është një rikujtesë poetike që autori kujton përvojat apo ngjarjet nga e kaluara, duke i rikthyer në gjendjen faktike. Shembulli më i mirë i përdorimit tipik të reminishencë është kur një person ndan historitë e tij personale me të tjerët. (www.caregiver.com)
Kthimi të fëmijëria, vendlindja, të miqtë dhe të njohurit, janë shenja të poezisë së Knut Odegardit që e kanë bërë krejtësisht të veçantë e origjinal me imagjinatën e tij magjepse dhe njëherë duke fituar marrëdhënie autentike / kuptimplote me lexuesit.
Poezia e tij është ngërthen në vete tri elemente: filozofike, psikologjike dhe artistike nga të cilat fjalët zmadhohen si bleta dhe kërcejnë si salmoni. Siç pohon Aristoteli, poezia është diçka më filozofike dhe më e lartë se sa historia. (Aristoteli: 1984, 26)
Në anën tjetër, Odegard flet me figura për tensionin në mes të artit poetik dhe jetës personale. Në këtë linjë, poezia e tij i qëndron kohës dhe është më superiore për shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Poeti Knut Odegard nuk i ik këtyre gjerave e as emocioneve, ai ballafaqohet me to dhe i transmeton përvojat e tij në festivale poetike anekënd botës.
Odegard kap ide platonike sikur të kishte qenë i njohur në një ekzistencë të mëparshme duke kujtuar përvojat nga e kaluara si një koleksion në formë letrare e incidenteve dhe përvojave që i kishte përjetuar.
Për të kuptuar parimisht reminishencën poetike mund të marrim shembull eseun Studimi i poezisë të poetit e studiuesit anglez të letërsisë në periudhën viktoriane, Methju Arnold kur mendonte se, në kohën kur besimi në fe është rrëgjuar, duhet t’i kthehemi poezisë që të na e interpretojë jetën. Pra, poezia merr rol. (Matthew Arnold; 1880)
Roli i tij përmes vargjeve më së miri pasqyrohet përmes thënies se Roland Barthes, kur thoshte se: libri është një botë. (Barthes; 2008, 198)
Poeti norvegjez Knut Odegard, që njëherësh është objekt i këtij studimi, përmes poezive interpreton jetën, bëmat, vuajtjet shpirtërore dhe problemet e shoqërisë në përgjithësi. Asgjë artificiale nuk është në poezitë e tij.
Poezi profetike
Publikimi dhe përkthimi në gjuhën shqipe i përmbledhjes: Gumëzhimë e bletës-kërcimi i salmonit, të autorit Knut Odegard, bëri për vete shumë lexues dhe tërhoqi vëmendjen e kritikës. Gjuha që përdor autori, stili i tij krejtësisht origjinal janë disa prej elementeve parësore që të bëjnë t’i lexosh më një frymë. E veçanta e poezive të tij vërehet në stilin e prozës në vargje.
Knut Odegard, së pari mund të konsiderohet si një poet natyral dhe i bazuar në ngjarje reale; së dyti, ai zakonisht shkruan në format tradicionale në vargje të hapura dhe mund të konsiderohet si model për të tjerët. Poezia e tij vihet në rrafsh historik e universal.
Poezitë e tij janë të shkruara si tregime të shkurtra, janë memoare personale dhe njëkohësisht eksplorojnë fenë në dimensione të ndryshme.
Odegard flet me figura për jetën dhe vdekjen. “Arritje e poezisë, tek e fundit, është një përvojë çlirimi”, shprehet Hini, me mendimin se “në atë çast lirimi krijohet një plan ku poeti intensifikohet në qenien e vet dhe lirohet nga ngushticat e veta”. (Hamiti: 2016, 215-216)
Ky çlirim i autorit vihet në skenë qysh në poezinë e parë Strofat:
Zilerrahësi tërheq zilen në doresë të ziles,
Zilet ato gremisen dhe lëkunden.
Djaloshi shllapurit në gjethe të rëna,
Dhe papritmas vjen mbrëmja e ftoftë. (Odegard, 2016, 13)
Përmes këtyre vargjeve poeti bënë thirrje për dalje nga gremisa sepse çdo njeri kalon nëpër një baltë që duhet tejkaluar. Jeta është një dramë ku secili luan dhe shllapurit, ku papritmas gjethet bien dhe mbrëmja bëhet e ftoftë.
Titulli i saj: Gumëzhimë e bletës-kërcimi i salmonit, nuk është vetëm titulli i kësaj poezie, ai është nxjerrë nga preokupimet e autorit, nga ajo që është shprehur në pjesën më të madhe të këtyre krijimeve.
Vjersha nis me këto vargje:
I flakët, ah sa i flakët unë
erdha me vrap në verë
me gumëzhimën e bletës në flokë të mi:
…
Unë vi, goca, duke thyer tërthoras
Fytyrën e ujit, unë shkoj nëpër leshterik dhe yje deti
Rrëshqas nëpër bari ngjalash dhe gurëve të rrubullakët,
të rrafshtë: tundem i lirë nëpër ajër, vajza!
Ku insektet gumëzhijnë kah unë: bletët, grerëzat. (Odegard, 2016, 14-15)
Dhe jo vetëm kaq. Knut Oegardin e frymëzojnë edhe gocat, yjet, bletët, salmoni etj., ashtu siç vetë vargjet shqyrtojnë kufijtë e zymtë dhe identitetin. Ëndërrimet, synimet, ambiciet, janë preokupime që i ka realizuar mjeshtërisht autori.
Poezia tjetër e Odeagrdit: Jezui shqiptohet nga një zë profetik që përfaqëson njerizimin. Pesë vargjet e mbrama të poezisë, poeti flet për dritën dhe errësirën.
….
Ne nuk kemi parë me fytyrën e Jezuit.
Por ne dimë për dritat e mëdha në errësirë.
Dhe shiu veror, i cili i lë livadhet tona të gjelbërta.
Dhe zemrat, zemrat e mbushura me mall
pas shiut dhe erës dhe dritës. (Odegard, 2016, 52)
Knut Odegard është një klasë botërore. Poet me talent të madh. Në fund të fundit është një përmbledhje e suksesshme në këtë ndërmarrje artistike që ka sjell tema filozofike përpara syve të mendjes së lexuesve dhe këta lexues jo vetëm që do të lexojnë poezi mjeshtërisht të ndërtuara, por edhe do të informohen me një stil të poezive që vetëm poetët e stërvitur dinë të sjellin vlera të tilla.
Përfundime
Knut Odegard, si poet ka krijuar vepër me rëndësi të veçantë për dijen letrare. Poezitë e tij janë një demonstrim me aftësi të pakufishme, ato kanë një cilësi të lartë dhe teknika e tij bëhet e mbidukshme dhe tërheq vëmendjen jo vetëm të kritikës.
Rëndësia poetike e tij qëndron si një histori e tërë që herë pas here të kujton ngjarjet nga e kaluara që i transmeton përmes vargjeve. Madhështia e tij qëndron tek tregimet e familjes, miqve, të afërmve dhe kështu Odegard ka krijuar një raport zinxhiror me lexuesit.
Përfundimisht mund të themi se poeti norvegjez Kunt Odegard, përmes poezive balancon një pjesë të jetës dhe hyn në rendin e vlerave letrare të trashëgimisë jo vetëm norvegjeze.