Saida Vulaj: Shkollimi, tregu i punës, e sotmja, e ardhmja
Albert Ajnshtajn njëherë e një kohë ka thënë “Çdo kush është një gjeni në vete, por në qoftë se ti gjykon një peshk nga mundësia që ai ka për të ngjitur një pemë, ai do jetojë gjithë jetën e tij duke besuar se është budalla”. Dhe figurativisht duke folur, fakti që shumë fëmijë, studentë dhe nxënës e lidhin veten e tyre me figurën e atij peshku apo e ndihen të padobishëm e jo mjaftueshëm inteigjentë, është arsyeja pse unë besoj që sistemi shkollor po dështon në masitivitet. Le të shohim se çfarë mendojnë nxënësit për këtë temë.
Në një anketë të kohëve të fundit me 300 adoleshentë Itakë, 50% e tyre raportuan se ndihen sikur shkolla nuk i përgatit ata për jetën pas diplomimit. 35% raportuan se ishin të pasigurtë dhe vetëm 15% e tyre u shprehën me po. Por nuk dua të shkoj aq larg. Le të ndalemi ne vëndin tonë. Sipas përgjigjeve që kam marrë nga një pyetësor të përpunuar në google forms me 50 nxënës dhe studentë pjesëmarrës, 71% e tyre janë shprehur që nuk mendojnë se shkolla i përgatit ata për “jetën reale”. Këtu qëndron ironia, vetëm 5% e tyre, (pra një person nga pesëdhjetë), mendon se shkolla i përgatit për jetën reale apo jetën pas diplomimit. Dhe 24% u përgjigjën me ndoshta, pra me pasiguri. A është kjo gjë e vërtetë? A thua shkolla me të vërtetë nuk na përgatit për të ardhmen? Në fakt unë jam e dyzuar, por anoj më tepër tek mendimi që shkolla na përgatit për të ardhmen. Por a na përgatit për një të ardhme të ndritur ashtu siç supozohet të jetë? Ajo lë vënd për diskutim, pasi unë mendoj që jo. Shkolla na përgatit për një të ardhme, e vërtetë. Por ajo na përgatit për një të ardhme që do konstatojë në kthimin e studentëve të sotëm, në klasë punëtore të nesërme. Nuk më besoni? Atëherë si e shpjegoni faktin që për 12 vite me rradhë bëhen të paktën minimumi nga 5 deri në 10 lëndë të ndryshme? Supozohet që nxënësit të njihen me shkenca të ndryshme dhe të shihet se në cilat lëndë janë më të zotë që në të nesërmen të bëhen dikushi. Mhmm po, po. Sipas studiuesve merr rreth 10.000 orë për të zotëruar një aftësi të re, që i bie të jetë jo më shumë se 1 vit e 1 muaj e gjysmë. Nëse kjo është koha për të mësuar një aftësi të re që nuk e ke zotëruar më parë, mendoj se mund të marrë po aq kohë për të kuptuar se në cilat lëndë është i aftë një nxënës. Pra afërsisht 1 vit e 2 muaj, por jo 12 vite. Pasi natyrshëm askush nuk është i interesuar në çdo gjë. Besoj se të gjithë biem dakord se nëse je i detyruar të bësh gjëra të cilat nuk i shijon, atëherë edhe performanca do të jetë më e ulët. Dhe në qoftë se ti je shumë i mirë në biologji dhe kimi, por je “tapë topi” në gjuhë, letërsi, gjeografi etj, ëndrra jote për t’u bërë mjek mund të shuhet si me kërcitjen e gishtave, pavarësisht se sa i mirë mund të ishe qënë në atë profesion. Dhe kjo është ana tjetër e medaljes dhe më e rëndësishmja e përdorimit të kurrikulave me shumë llojshmëri lëndësh. Të të lënë në klasën punëtore dhe të të ndalin vrullin. Pasi të gjithë e kanë një dhuratë, të gjithë janë të mirë të paktën në një gjë por kjo nuk i bie për shtat një pjese të vogël të popullsisë. Ju e dini për kë po flas. Flas për individë në pozita drejtuese dhe me shumë pushtet.
Imagjino një botë ku secili dëshiron të bëhet mjek, infermier, gjykatës,
Flas për klasë punëtore kaq shumë sepse realisht nuk kam dëshirë që askush të jetë pjesë e saj. Sepse të jesh pjesë e klasës punëtore do të thotë që vendin e punës nuk e ke asnjëherë të sigurtë dhe që me siguri nuk po paguhesh mjaftueshëm për punën që bën. Duke qënë se punon për dikë tjetër ti punon që ata të pasurohen dhe merr një pjesë shumë më të vogël nga ajo që të takon pasi pjesa më e madhe i shkon dikujt tjetër për punën që ti ke bërë. Dhe me keqardhje them që shkolla fatkeqësisht na përgatit që të jemi pjesë e kësaj klase.
Pra ne e dimë që çdo gjë evoulon dhe është një tregues i zhvillimmit, apo jo? Dhe gjërat, ashtu si edhe njerëzit evulojnë me qëllim që çdo gjë dhe çdo kush të përmirësohet. Bini dakord me mua apo jo? Dhe pse gjërat përmirësohen? Për të lehtësuar jetën e njerëzëve dhe risitë janë gjithnjë një hap i madh përpara, që tregojnë zhvillim.Në qoftë se është kështu, a nuk është turp kjo që sapo patë? Më duket aq e panevojshme të flas sepse evidencat flasin vetë. Në më shumë se një shekull e gjysmë çdo gjë ka evoluar dhe përparuar përveq shkollës. Sot shkolla funksionon në të njëjtën mënyrë si shekuj më parë. Sistemi i shkollës sot ende vë një mësues përpara 20 nxënësëve a më shumë, gjithsecili nga ata është një nxënës me nevoja të ndryshme, aftësi të ndryshme, ëndrra të ndryshme, dhurata të ndryshme, me background-e të ndryshme, aftësi të nxënit të ndryshme dhe u mësohet e njëjta gjë, në të njëjtën mënyrë, nga i njëjti person. Pavarësisht se të gjithë shkencëtarët thonë që dy trutë e dy njerëzëve të ndyshëm nuk janë njësoj, kjo metodë e të mësuarit ende përdoret. Dhe më e bukura është se mendohet të jetë efektive. E kuptoj. Nëse ende ka nga ju që nuk është i bindur që kjo është një metodë e gabuar atëherë ju ftoj të mendoni këtë për një moment. Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse një doktor do i diagnostikonte dhe do u jepte të njëjtën recetë gjithë pacientëve të tij. Nuk ka dyshim që pasojat do të ishin fatale dhe madje edhe vdekjeprurëse. Atëherë bëni krahasimin me metodën e mësimdhënies, pasi është e njëjta me këtë që sapo thashë. Ende mendoni se është një metodë e mirë?
Ah, se për pak harrova. Përvec të gjitha atyre që sapo thashë nuk dua të lë pa përmendur faktin që nxënësëve nga 4-7 orë në ditë nxënësit trajtohen si të jenë punonjës fabrike. Atyre u thuhet të ulen pranë njëri-tjetrit “urtë e butë”, të mos flasin pa marrë leje por të ngrijnë dorën, u jepet një pushim i shkurtër për të ngrënë dhe përveç se u tregohet cfarë të bëjnë, u tregohet edhe çfarë të mendojnë. Kjo e fundit është nteresante. Mendoja se një nga funksionet kryesore të shkollës ishte nxitja e mendimit kritik dhe të lirë. Nuk kam nevojë për fakte për të besuar të kundërtën e kësaj. Më mjafton eksperienca personale. Por mendojeni më thellë ketë. Pasi një nxënës, mendimi kritik i të cilit nuk zhvillohet, në të ardhmen do të jetë një person më pak që me anë të të menduarit kritik, mund të çojë botën përpara. Por pa kaluar në tema të tjera. Ndalimi i të menduarit kritik në çfarëdo lloj forme, e bën një nxënës të ngurrojë të flasë herës që vjen dhe rradhëve më pas. Dhe kjo gjë gradualisht e bën atë një nxënës por edhe dhe një individ të nënshtruar. Pasi një person i cili nuk shpreh mendimin e vet lirshëm, bëhet një person që ndjek rrymën dhe të tjerët, nuk flet por pret që tjerët të flasin dhe të ndjekë ata. Gjë e cila bën që ai nxënës të humbasë iniciativën. Dhe gjithashtu rritet me mendimin që nuk është i zgjuar mjaftueshëm, idetë e tij nuk vlejnë dhe nuk janë të rëndësishme. Tani mendojeni pak, kujt mund t’i hyjë në punë kjo gjë? Duke e marrë në kontekstin Shqiptar, patjetër që drejtuesëve të vendit. Imagjinoni nëse të gjihë ata protestuesit që dolën për rritjen e çmimeve të naftës të kishin humbur iniciativën e tyre dhe të ishin të nënshtruar. I bie që gjithë Shqipëtarët të kishin pranuar ato çmime. Dua të them që mbajtja e një populli injorant gjithmonë i shkon për shtat një drejtuesi. Dhe kjo është universale, nuk vlen vetëm për Shqipërinë. E di, e di. Në shkollë mëson, merr dije, edukohesh etj. Por mos harroni që ato dije janë të limituara dhe të duket sikur shkolla nga njëra anë po të bën të eecësh përpara, ndërkohë që në anën tjetër duket se të tërhek më gjithë forcën pas.
Një nga pyetjet e pyetësorit që kam bërë është edhe se cilat janë disa nga aspektet negative të shkollës dhe më bëri përshtypje një përgjigje specifike. Dy persona ishin shprehur që nuk u pëlqen aspak rëndësia e madhe që u kushtohet testeve dhe provimeve të maturës. Dhe më vjen mirë që ka pasur përgjigje të tilla sepse kjo është një pikë që kam dashur të përmend për sa u përket testeve të standartizuara. “Këto teste janë shumë të papërpunuara për t’u përdorur dhe duhet të braktisen menjëherë”- ka thënë Frederick. J. Kelly, i pari që ka shpikur testet e standartizuara dhe unë bie plotësisht dakort me të. Ajo nuk është mënyra më e mirë për të testuar inteligjencën e askujt. Një notë nuk mund të përkufizojë inteligjencën tuaj. Këtë e kanë vërtetuar shumë figura të suksesshme, të cilët konsiderohen sot ndër njerëzit më të zgjuar në botë apo gjeninj si Mark Zuckerberg apo Bill Gates etj. Por këto janë raste të rëndomta që i përmend çdo kush. Thjesht ju ftoj të reflektoni pak. Shkolla “ju thotë”: po të jap këtë libër si udhëzues, memorizojeni dhe pastaj do ju vë një test përpara me pyetje nga ai libër që u dhashë, dhe nëse i dini përgjigjet, keni dhjetë. Dhjetë. Një fjalë që mesa duket sipas shkollës tregon sa i zgjuar je. Hmm. Po jeta çfarë thotë? Pyeta njerëz të dy brezave më të mëdhënj se unë (prindërit, gjyshërat, xhaxhallarët,kushërinj etj) se sa shpesh janë përballur me situata të papritura dhe gjëra që nuk i dinë në jetë dhe e gjeni dot përgjigjen? “Për ditë, pa fund, më shumë se shumë”, ishin përgjigjet më komone që mora. Pra jeta “të thotë”, po të jap këtë testin në fillim, aty ke gjëra që nuk i ke hasur më parë, nuk do dish se çfarë të bësh por do mësosh. Pra, shkolla të lë të memorizosh, pastaj të vë para një sfide që është testi dhe kështu supozohesh të mësosh; ndërsa jeta të jep testin në fillim dhe pastaj të lë të mësosh. Me pak fjalë ky është një argument më tepër që të bën të mendosh se shkolla nuk të përgatiska për jetën. Nxënësit po dalin nga shkolla të tmerruar, presin që të kenë një udhëzues për çdo problem kur në të vërtetë nuk funksionon ashtu, mundohen të bëjnë çdo gjë vetë dhe të mos kërkojnë ndihmë sepse janë mësuar që është gabim. Nuk dua të justifikoj disa sjellje të caktuara të nxënësëve por ajo që në jetën reale quhet bashkëpunim në shkollë quhet kopjim dhe dënohet. Por besoj që të gjithë biznesmenët të paktën, do bien dakord me mua që bizneset e tyre janë rritur ndëpërmjet bashkëpunimit. Shumë të tjerë kanë ecur përpara nga kjo gjë. E thashë që nuk dua të justifikoj sjelljet e nxënësëve por më korrigjoni nëse jam gabim.
Them që nxënësit përgatiten për klasë punëtore, sepse mësohen që çdo gjë e ka një zgjidhje të gatshme dhe ata thjesht duhet ta mësojnë atë; por nuk mësohen si të krijojnë një zgjidhje për diçka që nuk e kanë hasur më parë. Në situata të tilla, ata stresohen, janë ankthiozë, presin të gjejnë zgjidhje e jo ta krijojnë një dhe këtu dallon njeriu i zgjuar nga të tjerët. Nga të menduarit dhe të krijuarit. Askush nuk i tha Benjamin Franklini-it se si të krijojë telefonin e parë, askush nuk i tha Tomas Edisonit si të krijojë llambën e parë elektrike, as Karl Benz-it nuk i treguan si të krijojë automobilin e parë, po as Igor Sikorskit nuk i treguan si të shpikë aeroplanin e parë. Asnjëri nga ata nuk e pati të gatshme në një fletë me bojë të zezë se çfarë duhet të bëjnë. A e kuptoni që çdo gjë që shikoni sot në kohët moderne ka ardhur nga një njeri i lashtë apo primitiv që nuk ka pasur dijeni as sa një nxënës i klasës të parë sot? Atëherë më thuaj shkollë çfarë e bën një njeri të zgjuar? Një pjesë e mirë e shpikësëve të mëdhenj besoheshin të ishin budallenj, ashtu si sistemi shkollor quan shumicën e nxënësëve dhe si po i bën të ndihen ata. T’ju tregoj një sekret? Ata nuk janë. Të gjithë jeni të zgjuar dhe keni kapacitet për të bërë çfarëdo që i vendosni vetes qëllim, për këtë jam e sigurt. Nuk më interson çfarë thotë një numër në një letër të bardhë për ty.
Nuk po them që shkolla nuk është e rëndësishme, mos më keqkuptoni. Përkundrazi, shkolla është shumë e rëndësishmë sepse kemi nevojë për mjekë, infermierë, psikologë, menaxherë, punonjës socialë, financierë, avoketë etj. Por e dini për çfarë tjetër kemi nevojë? Për një ndryshim rrënjësor të sistemit shkollor. Mënyrat se si jepet mësim, sistemi, komplet shkolla, në çdo cep të botës është kthyer në një institucion të lashtë që i ka stër mbijetuar jetëgjatësisë së saj. Në botë çdo gjë ndryshoi, çdo gjë evuloi përfshirë edhe njeriun por vetëm shkolla mbeti e njëjtë. Patjetër matematika është e rëndësishme por jo më shumë se muzika dhe arti. Le t’i japim çdo dhurate një rëndësi të barabartë sepse pse jo? Ti nuk je më i rëndësishëm se unë, ashtu siç unë nuk jam më i rëndësishëm se ti. Edhe matematika e fizika nuk janë më të rëndësishme se muzika e kërcimi, në të njëjtën mënyrë si kërcimi dhe muzika nuk janë më të rëndësishme se fizika dhe matematia. Studimet tregojnë se nxënësit e sotëm përjetojnë më shumë ankth seç kanë përjetuar individët në spitale mentale në vitet ’50 dhe ende personat që krijojnë kurrikulat shkollore tregojnë se shkolla vetëm funksione pozitive ka. Në pyetësorin e krijuar nga unë, njëra nga pyetjet ishte se në qoftë se shkolla ju ka bërë të humbisni diçka, çfarë dhe nxënësit janë përgjigjur disa herë me: mëndt e kokës apo dëshirën për të mësuar, lumturinë, botën time artistike dhe dëshirën për të jetuar. Shpresoj që e fundit të jetë qënë shaka, por të gjitha ato përgjigje janë treguesë që shkolla është stërplakur dhe nuk po kryen funksionin e vet siç duhet. Unë e mbaj mënd nga vetja ime se si që nga kopështi e deri sot më ka rënë dëshira për të mësuar dhe jam e sigurt që nuk jam e vetmja. Dua të përmend edhe faktin që në shkollë më shumë “manipulohemi” sesa mësohemi (sepse nuk na e thonë me fjalë), që të konkurrojmë me njëri-tjetrin për një notë të mirë. Nxënësit mësojnë të mos ndihmojnë apo orientojnë shokët e tyre, thjesht që të jenë më të mirë apo ekselentë se ata. Nuk më intereson kjo pjesë. Mua më intereson ajo pjesë që konkurrenca ushqehet që në shkollë deri në atë masë që nesër kur del në treg pune, je gati të shkelësh këdo që të arrish ku dëshiron. Dhe kështu, nga një vajzë e vogël e naive që mendonte se në shkollë edukohesh për mirë, nuk di a është qesharake apo për të qarë fakti që kam hapur sytë dhe kam kuptuar që nuk është ashtu. Një ndër vendet me sistemin shkollor më të mirë në botë është Finlanda, që ka ditë shkollore më të shkurtra, mësuesit paguhen shumë mirë, detyrat e shtëpisë nuk ekzistojnë dhe ato fokusohen në bashkëpunim në vend të konkurrencës. Vende të tjera si SHBA-ja apo Mbretëria e Bashkuar kanë kurrikula që janë tre vite pas nesh. Ndoshta disa nga ju mund ta shohin këtë si prapambetje por ndoshta këtu qëndron sekreti se pse ato mbiperformojnë pothuajse çdo vënd tjetër të botës në arsim.
Sistemi shkollor nuk na prek vetëm ne, prek edhe mësuesat. Si i trajton sistemi shkollor ata? Aspak më mirë as më keq se ne. Vite më përpara kam menduar të kundërtën deri sa kam dëgjuar Richard Williams të thotë se “Mësuesit kanë ndoshta punën më të rëndësishmë në botë dhe duhet të paguhen aq sa një doktor. Pasi le të jemi të sinqertë, një doktor mund të kryejë një operacion zemre dhe të shpëtojë jetën e një fëmije por një mësues i mirë mund të arrijë në thellësinë e zemrës të atij fëmije dhe t’i mundësojë që të jetojë me të vërtëtë”. Nuk e kisha menduar kurrë më parë kështu pasi gjithmonë për një test të vështirë, fajësoja ato apo për mënyrën se si na mësojnë gjithashtu fajësoja ato. Por po të mendojmë secili nga ne për një moment, besoj se të gjithë do mendojmë të paktën për një mësues që ka lënë një impakt pozitiv tek ne. Secili e kemi nga një të tillë. E vërteta është se mësuesit fajësohen shpesh por ata nuk janë problemi i vërtetë. Problemi i vërtetë është sistemi shkollor. Një sistem që jam e sigurt as për mëuesit nuk ka shumë opsione zgjedhjeje përveç se ta ndjekë atë sistem.
Pavarësisht se kam ende shumë gjëra për të thënë, po e përmbyll duke thënë që sistemi shkollor duhet ndryshuar pothuajse plotësisht. Sigurisht që shkolla është shumë e rëndësishme por jo gjëja më e rëndësishmë në jetë. Periudha shkollore është një periudhë shumë e shkurtër krahasuar me një periudhë kohore shumë më të gjatë që ne e quajmë jetë. Një periudhë për të cilën shkolla nuk të përgatit. Prandaj ky sistem i stër vjetruar duhet të zëvëndësohët më një të ri, më praktik ku nxënësi ka dëshirë për të mësuar dhe interes në vend të lodhjes e ankthit, ku asnjë lëndë nuk është më e rëndësishmë se tjetra. Dhe në vënd që të nxjerrim robotë nga shkolla, të nxjerrim individë të mirë informuar që arrijnë të mendojnë inovativisht, kritikalisht por edhe me kreativitet dhe në mënyrë të pavarur. Të nxjerrim individë me aftësi në të cilat me të vërtetë janë të zotë dhe të arrijmë në brendësi të zemrës së tyre duke i ndihmuar ata të zbulojnë talentin dhe pasionin e tyre të vërtetë, duke i mësuar që ta ndjekin atë. Sepse vetëm në këtë mënyrë do bëjnë më të mirën e tyre dhe më e mira e tyre është e mirë për shoqërinë. Le të update-ojmë sistemin shkollor në mënyrë që të punohet për të nxjerrë në pah më të mirën që secili ka për të ofruar dhe jo të kundërtën. Në vënd që të nxisim konkurrencën, të nxisim bashkëpunimin tek nxënësit. Në vend që t’u vendosim limite atyre, t’u tregojmë që asnjë ëndërr nuk ka limit, sado e pabesueshme apo budallqe të duket ajo. Ka ardhur e ka kaluar koha që të zgjohemi nga ky gjumë letargjik dhe të ndryshojmë sistemin që u krijua nga njeriu por arriti t’a ndryshojë atë. Kemi nevojë për shkolla që nuk n’a dhëmb koka kur mendojmë për to, por mezi presim të shkojmë atje sepse nxënësit mund të jenë 20% e popullsisë sot, por ato janë 100% e të ardhmes. Nuk ka asnjë limitim në ato që mund të arrijmë. Kjo është një botë në të cilën unë besoj që asnjë “peshk” nuk është i detyruar të ngjisë pemë.