TAKIMI PËR MBAJTJEN E KUVENDIT KOMBËTAR NË GJIROKASTËR
Kozeta Zavalani
14 maji në Gjirokastër hodhi themelet e Kuvendit Kombëtar Shqiptar
“Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet”.
Hasan Prishtina
Pas një pune të gjatë përgatitore, intelektualë shqiptarë nga të gjitha trevat u mblodhën në qytetin muze të Gjirokastrës, (përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, ku qysh në 1880 u mbajt Kuvendi i Gjirokastrës), hodhën themelet për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar Shqiptar.
Duke dashur të jemi promotorë të trashëgimisë historike, kulturore e gjuhësore të kombit tonë, nën gjurmët e të parëve, padyshim procesi i transmetimit të vlerave do të mbetet në ndërgjegjen dhe përvojën jetësore si zëdhënës të kësaj trashëgimie shpirtërore kombëtare. Ndihesha vërtet e emocionur dhe teksa ngjisja shkallët e hotelit ku u zhvillua takimi ynë, falenderova mikpritësin Aristotel Petro, që vuri në dispozicion hotelin “Number One” dhe i tregoja tim biri, se kështu ka vepruar edhe stërgjyshi i tij Fehim Zavalani, që hapi dyert e shtëpisë së vet, për mbajtjen e Kongresit të Manastirit më 1908.
Hapja e takimit u bë nga moderatoria Linda Shaqiri e cila ftoi të pranishmit në ekzekutimin e himnit kombëtar të Shqipërisë. Unë para se të bëja apelin e delegatëve sipas grupeve, përmenda thënien e Gjergj Fishtës: “Ne festojmë Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”! Ndaj ne të gjithëve na bashkon gjaku shqiptar, mbi të cilin ngrihet kombi shqiptar.
Ing. jur. Dashamir Uruçi referoi temën kryesore “Kuvendi Kombëtar Shqiptar – arritje, probleme dhe sfida”. Prof. Dr. Begzad Baliu, ndonëse mungoi fizikisht për arsye shëndetësore kishte përgatitur temën: “Rezoluta e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, mishëron aspiratat e shqiptarve për të ardhmen e kombit të vet”, të cilën e mbajti Selim Lokaj.
Përshëndetjet e takimit i çeli zonja Flora Brovina, e cila theksoi midis të tjerash fjalë nga Ukshin Hoti “Shqipërinë e pabërë, bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis”. Ndaj edhe shumë patriotë e luftëtarë kanë dhënë jetën për kauzën kombëtare, për të shkuar në Europë krenarë e me dinjitet, ndonëse të ndarë në shtete të ndryshme, nuk duhet të jemi të përçarë.
Hyqmet Zane, në fjalën e tij theksoi se, duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë për të ndërgjegjësuar e kombëtarizuar çështjen shqiptare, duke përmendur D.Trump: “Nëse doni komb, duhet të jeni patriotë”. Ndaj si shqiptar me dinjitet do të punoj me gjithçka mundem, duke dhënë edhe jetën, për faktorizimin e kombit shqiptar në botë, jo për patriotizëm fasadë!
Dr. Zylfie Gjoni Duraku nga Mali i Zi foli për vështirësitë që ndeshin çdo ditë nga mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, madje nga mungesa edhe e maternitetit për lindjen e ardhmërisë shqiptare.
Aktori Xhevat Limani vjen nga Amerika, ku ka krijuar në New York teatrin shqiptar, sepse mbetet përjetësisht shqiptar, kudo ku shkon. Vendlindja e tij Struga është qyteti më shqiptar, sipas tij, ndaj ai thekson se, terrin antishqiptar duhet ta mundim me dritë, fjalë, punë e dinjitet. Si artist ai intepretoi një poezi, të cilën e recitoi shkelqyeshëm, ku i mahniti të gjithë pjesëmarrësit që e duartrokitën.
Dr. Rexhep Emrullahu nga Tetova foli për diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Rexhep Abazi e konsideroi takimin në Gjirokastër si organizimin më të lartë patriotik të popullit shqiptar e theksoi: Vij nga Medvegja, që duhet tja ndryshojmë emrin e tja vendosim “E harruara”, për shkak të politikave antishqiptare e kundër muslimanizmit në Kosovën Lindore, që kanë vijuar nga 1878 kur shqiptarët u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit. Ndaj vihem në shërbim të këtij kuvendi mbarëshqipëtar.
Petro Luarasi ngriti zërin për braktisjen që i bën atdheut rinia shqiptare. Pse gjithë kjo urrejtje ndaj vendit tonë të mrekullueshëm, që natyra i ka falur gjithçka. Ndaj seicili duhet ti bëjë pyetje vetes se, kush jemi, nga vijmë dhe çfarë kërkojmë. Dua të di, theksoi ai se, përse nuk u lejua atdhetarja e shquar Seferina Serani, të marrë pjesë në këtë takim?!
Seferina Serani përshëndeti takimin online nga Franca e sqaron: ”Për çështjen Kombëtare persekutohem, jo për gabime të miat. Thjesht, nuk më blenë dot. Ne vijmë nga familje që kanë derdhur gjak për këtë Shqipëri e këtë Komb madhor, ne nuk mund të shkelim mbi gjakun tonë e ti shërbejmë atyre që na kanë mbytur me gjenocide. Refuzove të punosh për ta, je i skaduar…Unë, pa u paguar asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, punoj për shqiptarët, kurse, ata që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, jo vetëm që nuk punojnë për këtë, por akoma më keq, kanë shitur atdheun dhe ne, që punojmë për të, pa përfituar asgjë.”
Seanca e dytë filloi me përcaktimin e 7-të kritereve për përzgjedhjen e delegatëve të Kuvendit Kombëtar Shqiptar, mbajtur nga Shefki Selami.
Dr.Zenel Hoxha, bashkëkryetar nga diaspora foli për rëndësinë e ekonomisë në çështjen kombëtare, sepse nuk mund të ketë shqiptari të bashkuar, kur jemi të varfëruar. Për botën ne jemi të pavarur, por jemi të ndarë e të pabashkuar mes njeri tjetrit, ndaj bashkimi kombëtar është domosdoshmëri.
Përshëndetën takimin edhe koordinatorët e tjerë nga diaspora si Antoneta Nushi ardhur nga Italia, që lavdëroi punën e bashkëkryetarit Petrit Alia, i cili theksoi se, gjithkush duhet të sakrifikojë diçka nga ekonomia e qetësia familjare dhe ti dedikojë gjithçka kauzës së çështjes kombëtare për zhvillimin e kombit, ndaj për këtë duhet kurajë, guxim e patriotizëm, në bashkim të ideve për të ecur përpara.
Lefteri Metkaj, ka kontribuar shumë për çeljen e shkollave shqipe në Athinë, që fëmijët të mos harrojnë gjuhën e identzitetin kombëtar shqiptar.
Agron Dalipaj që disa vite ka jetuar në Athinë, Greqi, ku ka hapur librarinë “Iliria” me libra të ndryshëm në gjuhën shqipe dhe gazetën e parë shqipe. Në vitin 2009 u kthye në Shqipëri dhe tani jeton në Pogradec. Ai theksoi se qytetërimi në Europë ka shkuar nga Ilirishtja, për të cilën.ka botuar 6 fjalorë dhe librin Gjuha Kozmike.
Çlirim Hoxha foli për të vërtetat historike të popullit shqiptar, duke përmendur historianin e shquar Spiro Konda, që ka mbrojtur prejardhjen pellazge e deri tek koodinatorja e deri tek bashkëkryetarja për diasporën, Donika Zonja (Sindi), e cila së bashku me bashkëshortin e saj, tashmë të ndjerë, Stefan Zonja, kanë shkrirë karrierën e interesat familjare për gjuhën, kulturën e çështjen shqiptare. Duke filluar që me hapjen e 6 shkollave shqipe në Mynih të Gjermanisë, manifestimeve e protestave në mbrojtje të çështjes shqiptare e deri tek Simpoziumi i fundit shkencor me temë: “Studime europiane për gjuhën, kulturën e historinë shqiptare!”
Arbëresha Berishaj ardhur nga Prizreni së bashku me Besnik Dautin e Syri Ramadanin, pasi foli për përgjegjësinë e të qenit shqiprat, na ftuan që takimin e ardhshëm ta mbajmë në Ptizren.
Aristotel Petro, pronari i Televizionit Alpo në Gjirokastër dhe mikpritësi ynë, foli për detyrat që duhet të marrë secili deri në mbajtjen e Kuvendit, që të bëhemi faktor për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë kombin tonë.
Pas prezantimit të secilit shkurt, u bë votimi për marrjen e votëbesimit, për të zgjedhurit në organet drejtuese. “Teksti i Betimit” u lexua nga Xhevat Limani, nderuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhe u përsërit nga bashkëkryetarët, koordinatorët, sekretare e përgjithëshme dhe 21 antarët e Këshillit Organizativ të Kuvendit Kombëtar Shqiptar. U zgjodhën edhe tre Antarë Nderi: Margarita Xhepa, Flora Brovina e Xhevat Limani, që morrën votëbesimin.
Komunikata e përgjithshme u mbajt nga Donika Zonja, së bashku me konkluzionet e takimit, që u quajt i suksesshmëm e ia arriti qëllimit.
Rëndësi ka realizimi i qëllimeve kryesore të takimit:
– Percaktimi i rezolutave të Kuvendit.
– Percaktimi i kritereve të pranimit të delegate]ëve e të Kuvendit Kombetar Shqiptar.
– Votëbesimi i të zgjedhurve: A.Bashkëkryetaret e Kuvendit.
B.Antarët e Këshillit Organizativ.
Koordinatorët e grupeve inisiatore për Kuvendin Kombëtar Shqiptar.
Koordinatorja e përgjithshme.