Korrupsion për çështje prone, pezullohet gjyqtarja e Gjykatës së Lartë
Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar mbrëmjen e kësaj të shtune rezultatet e një hetimi anti-korrupsion në radhët e drejtësisë, që është kurorëzuar me pezullimin nga detyra të një gjyqtareje të Gjykatës së Lartë dhe arrestimin e bashkëshortit të saj.
Hetimi për këtë çështje kishte nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale në ngarkim të gjyqtares Majlinda Andrea dhe bashkëshortit Odhise Andrea.
Nga hetimet ka rezultuar se tre shtetas i kanë paguar gjyqtares 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj.
Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë t’i vendoste ato ndaj tyre, por ndërkohë policia ka arrestuar tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino, ndaj të cilëve është urdhëruar “arrest me burg”.
Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri, nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqeje toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.
Deri në fillim të korrikut 2016, kur kjo çështje ishte në fazën e shqyrtimit në Gjykatën e Lartë, Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor të përfundonte në favor të tij.
Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me bashkëshortin i gjyqtares Andrea, e cila nga ana e saj ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes.
Kështu ka vijuar afera, në të cilën janë përfshirë edhe shtetasit Eleni Lino dhe Petraq Dashi. Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë fiktive në favor të Çabirit dhe më pas është shkuar tek dorëzimi i 50 mijë eurove tek gjyqtarja.
Ndaj funksionares së Gjykatës së Lartë është ngritur akuza e “korrupsionit pasiv”, ndërsa ndaj bashkëshortit dhe 3 të dyshuarve të tjerë ajo e “korrupsionit pasiv dhe aktiv të gjyqtarëve”, e kryer në bashkëpunim.