Morali hipokrit dhe tregimi “Topi me dhjamë” i Gi De Mopasanit
Mimoza Koka
Tregimin “Topi me dhjamë” Mopasani e botoi në vitin 1880. Ai u konsiderua një kryevepër dhe e bëri autorin tepër të njohur. U përfshi gjithashtu në një përmbledhje tregimesh të shkurtra me temë luftën franko-prusiane. Në të kishte shumë autorë të tjerë si Zola, Serard, Hisman, Henik, Aleksis, por kjo vepër e Mopasanit u cilësua si më e mira.
Në këtë tregim autori përshkruan gjendjen kaotike të Francës së pushtuar nga prusianët, duke stigmatizuar francezët e lavdishëm, që në këtë rast ishin mundur dhe e kishin humbur lavdinë e tyre. Ngjarjet zhvillohen në Ruan, qytet i pushtuar plotësisht prej prusianëve. Disa prej banorëve të rëndësishëm të Ruanit ishin të lidhur me interesa financiare me Havren, e cila ndodhej akoma në duart e francezëve. Këta morën një leje nga autoritetet e larta gjermane për t’u nisur në Havren.
Karroca u nis herët në mëngjes. Në fund të karrocës ishin ulur zoti Luazo, një tregtar verërash, me të shoqen. Ai njihej si batakçi dhe mashtrues i lindur. E shoqja, shtatmadhe dhe e fuqishme, kishte një karakter të fortë, dhe i merrte vendimet aty për aty. Pranë tyre ishte ulur zoti Kare–Lamadon, me një pamje më hijerëndë, sepse ishte i një kaste më të lartë. Ai ishte pronari më i madh në industrinë e pambukut dhe oficer i Legjionit të Nderit. E shoqja ishte shumë më e re, e imët, plot gaz dhe e mbështjellë me një peliçe të shtrenjtë. Në krah të tyre qëndronte konti dhe kontesha Yber de Brevil, ndër emrat më të vjetër dhe me të fisëm të Normandisë. Këta gjashtë persona formonin elitën e karrocës, pra ishin të pasur dhe kishin status social, pra, për rrjedhojë siç thotë Mopasani kishin besë, fe, moral dhe parime.
Në krah të konteshës ndodheshin dy murgesha të heshtura dhe përballë tyre një burrë dhe një grua që tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Burri, tepër i njohur, i quajtur Kornyde ishte i vetmi prej tyre që kishte luftuar me prusianët. Ai po nisej për në Havren, sepse mendonte se tani duhej të luftonte atje.
Personazhi i fundit në karrocë ishte një grua, e cila sipas moralit hijerëndë të qytetit konsiderohej e “përdalë”. Ajo ishte e bukur, me një ngjallje të parakohshme. E vogël, e mbushur, e mbuluar nga dhjami, me një lëkurë të ndritshme dhe tejet të tendosur dhe me dy sy të ndritshëm e të mrekullueshem. Për arsye të formave të saj të kolme, në qytet njihej me nofkën “Topi me dhjamë”. Sapo gratë e ndershme e njohën, me një solidaritet të shpejtë u afruan tek njëra – tjetra që të mbroheshin nga e përdala, dhe pëshpëritën fjalët “prostitutë” dhe “turp publik”. Pëshpërimat e tyre ndalën sapo gruaja e re u hodhi një vështrim tejet të guximshëm.
Pas një rruge të gjatë, nga pasditja të gjithë filluan të ndjenin uri. Asnjë nga gratë e ndershme dhe të kultivuara nuk ishte kujtuar të merrte ushqim me vete. Luazoi, njeri tepër koprac, tha se do të paguante 1000 franga për një copë proshutë. Ndërkohë gruaja e “perdalë”, ose “topi me dhjamë”, nxori që poshtë stolit të saj një shportë të madhe me ushqime nga më të mirat. Luazoi tha: “Ja kështu duhet, zonja u tregua me e kujdeshme se ne”.
Ndërkohe gruaja e re iu drejtua atij dhe e pyeti nëse dëshironte diçka për të ngrënë. Luazoi pranoi menjëherë, pas tij pranuan murgeshat dhe pas pak të gjithë iu vërsulën ushqimeve që kishte përgatitur gruaja e “përdalë”. Shporta u boshatis menjëherë. Por, nuk mund të hanin ushqimet e saj, pa i folur dhe kështu filluan bisedën disi të përmbajtur. Zonjat e nderuara tregonin një mirësjellje mjaft të rafinuar ndaj saj, për të treguar se ato nuk ndoteshin nga kontakti me të. Në këtë bisedë ata mësuan se gruaja i urrente shumë prusianët, dhe kjo gjë bëri që ajo të rritej në sytë e tyre. Biseda vazhdoi dhe ca, por pak më e ftohtë pasi shporta ishte boshatisur.
Më në fund karroca mbërrit në Havren, por, papritur udhëtarët panë se dhe ky qytet ishte i pushtuar nga gjermanët. Atje i priti një oficer gjerman, i hollë, flokëverdhë dhe arrogant si të gjithë njerëzit e pushtetshëm. Pasi i paraqitën lejen, udhëtarët u nisën për në hotel për të porositur darkën. Sapo ishin ulur në tryezë, ia behu i zoti i hotelit. Ai pyeti: “Kush është zonja Elizabet Ruse?” Gruaja e re u drodh, dhe u përgjigj: “Unë jam!” I zoti i hotelit tha: “Zonjushë oficeri prusian dëshiron të flasë menjëherë me ju”.
Ajo u nis për tek oficeri gjerman, dhe pas pak minutash u kthye duke ulëritur: “I poshtri, i poshtri!” Megjithëse njerëzit e nderuar të karrocës i kërkuan të shpjegohej, ajo iu përgjigj: “Kjo nuk ka të bëjë me ju, nuk mund të flas”.
Të nesërmen në mëngjes të gjithë ishin bërë gati të vazhdonin udhëtimin, por me urdhër të komandatit gjerman karrocën e ndaluan të nisej. Konti, fabrikanti dhe Luazoi e pyetën komandatin gjerman se pse e ndalonte nisjen e karrocës, por oficeri gjerman ishte i prerë lidhur me këtë. Askush nuk e kuptonte këtë trill të tij. E tërë dita qe e trishtueshme, të gjithë qëndruan në kuzhinë duke hamendësuar shkaqe nga më të çuditshmet.
Pasdite erdhi i dërguari i oficerit gjerman dhe pyeti nëse zonja Elizabet Ruse kishte ndërruar mendim. “Topi me dhjamë” u skuq u bë flakë, pastaj u zverdh dhe më në fund shpërtheu: “I thoni asaj kërme prusiane se unë nuk do të pranoj kurrë, kurrë!” I dërguari iku, dhe të gjithë e rrethuan gruan dhe e pyetën sesi ishte puna. Në fillim ajo rezistoi, pastaj u dorëzua, duke u treguar: “Ai kërkon të flerë me mua”.
Të gjithë u zemëruan dhe u revoltuan. Konti ishte shume i fyer, gratë po i shprehnin një solidaritet të përbashkët. Kornydeja shpërtheu duke thënë se sjellja e komandantit gjerman nuk ishte sjellja e një ushtaraku. Megjithatë, me kalimin e kohës vrulli i parë i zemërimit kaloi.
Mëngjesi ishte i trishtuar, komandanti gjerman nuk tërhiqej nga kushti i tij. Kështu, po vërehej një largim, një ftohje ndaj gruas; ajo po shihej si shkak që ata nuk po niseshin. Dalëngadalë ftohja po kthehej në mëri, të gjithë mendonin të njëjtën gjë: “Pse kjo vajzë nuk ishte takuar në fshehtësi me oficerin gjerman dhe t’u bënte një të papritur të këndshme të gjithëve?”
Tani mëria po kthehej në tërbim, gratë ecnin përpara dhe burrat pas tyre duke diskutuar. Luazoi pyeti se pse kjo grua e “përdalë” i detyronte të qëndronin në atë vënd të tmerrshëm? Po kështu natyra harbute e zonjës Luaze shpërtheu: “Nuk kemi ndërmënd të plakemi këtu; ajo delenxheshë e ka zanat të shkojë me të gjithë burrat, ç’do të ndodhë nëse do të shkojë dhe me një tjetër ?”
Njerëzit u mblodhën për të gjetur një zgjidhje, vetëm Kornydeja rrinte mënjanë. Sapo u ulën në tavolinë filloi mësymja ndaj gruas, duke e poshtëruar; nderimi që ajo kishte fituar, tashmë kishte avulluar.
U vendos që konti duhej të bënte një bisedë me të. Ai e tërhoqi mënjanë duke i folur me ton prindëror, pak përçmues, ton me të cilin burrat e rëndë dhe të nderuar u flasin vajzave publike, duke e trajtuar nga lartësia e pozitës së tij shoqërore. Konti e pyeti: “Pra, ju doni të na lini këtu, nën kërcënimin e ushtrisë prusiane?” Pastaj, ai i foli për mirënjohjen e tyre dhe shkuarjen e saj me komandatin gjerman gati po e quante një gjest patriotik, sepse gjermani asnjëherë nuk kishte dëshiruar një vajzë kaq të bukur në vëndin e tij. Ajo pranoi dhe u nis për tek godina ku ndodhej komandanti gjerman.
Gjatë pasdites grupi i nderuar po pinte dhe bënte shaka të ndyra në kurriz të gruas së “përdalë”. Vetëm Kornydeja qëndronte mënjanë, dhe më në fund ju drejtua grupit: “A e dini se po bëni një poshtërsi!” Fjalët e tij u shoqëruan me të qeshura.
Më në fund leja u dha, karroca do të nisej, pritej vetëm të vinte gruaja. Ajo erdhi, por dukej e turbulluar, ecte si me turp dhe me druajtje për tek udhetarët. Kur u afrua të gjithë i kthyen kurrizin. Konti hijerëndë kapi për krahu gruan dhe e largoi prej saj, si nga një kontakt i papastër. Të gjithë bënin sikur nuk e kishin parë, sikur nuk e njihnin; ndërkohë gruaja e Luazoit i tha të shoqit se sa me fat ishte që nuk ishte ulur pranë saj.
Të tërë bisedonin, vetëm Kornydeja rrinte i heshtur. Pas pak ata ndjenë uri dhe hapën shportat me ushqime të shijshme që kishin marrë. Gruaja e re nga nxitimi dhe hutimi nuk kishte marrë asgjë. Asnjë nga ata nuk i ofroi diçka për të ngrënë, megjithëse ajo i kishte ushqyer të gjithë gjatë udhëtimit. Ajo tani vështronte e tërbuar dhe ziente nga inati. Një zemërim i papërmbajtur e pushtoi, i mbërtheu grykën dhe po e mbyste. Askush nuk po kujtohej për të. Gruaja bëri përpjekje të pashoqe që të përmbante lotët, por ishte e pamundur: dy lotë të mëdhenj u shkëputen nga sytë dhe qerpikët e saj të gjatë dhe u pasuan nga lotë të tjerë që shkëputeshin me shpejtësi, tamam si pikat e ujit kur kullojnë nga një shkëmb. Zonja Luazo me një buzëqeshje ngazëllimi tha: “Ajo po qan për turpin e bërë!”
Ndërkohë, Kornydeja nisi të vërshëllente “Marsejezen”. Të gjithë u nxinë; kjo këngë e popullit nuk po u pëlqente aspak, ata ishin gati të ulërinin tamam si qentë kur dëgjojnë një organo në rrugë. Por Kornydeja vazhdonte të vërshëllente: Atdhe i shenjt’, atdhe i dashur/Hakmarrjen ton’ na e drejto/ Liri, Liri, në luftë përflakur/Me mbrojtësit e tu përkrah lufto.
Kështu vazhdoi ky udhëtim deri në fund, me vargjet e Marsejezës dhe me lotët e “Topit me dhjamë”, që shoqëroheshin herë pas here me ndonjë ngashërim…
E solla në vëmendje këtë tregim, sepse në jetë, në jo pak raste kemi takuar njerëz të nderuar dhe me status social, pra me fe, besë, moral dhe parime, të cilët po “t’i gërvishtësh” sadopak do të zbulosh tek ta vese jo të pakta. Ndërkohë, ndodh që tek njerëz të përjashtuar apo të dënuar nga shoqëria të gjesh vlera që të habisin. Kufiri nuk është i qartë, ai edhe mund të zhvendoset, ashtu si tek “Topi me dhjamë”.