Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (6)
Fatmire Duraku
Zëri i lexuesit
Për krijimtarinë e poetit, prozatorit e dramaturgut Nexhat Halimi është shkruar mjaft nga autorë të shumtë dhe të shquar. Poezia e tij, tepër e veçantë, është pëlqyer mjaft edhe nga lexuesit.
Zylfi Karamanaga, apostrofon “e bukur për vdekje kjo flutur e kujtimit”, a ka varg më të bukur, më domethënës, më kuptimplotë, më artistik, plot epikë, plot lirikë… N. Halimi është njëshi i poezisë moderne shqipe”.
Miranda Musmati-Tusha, shkruan “ Nexhat Halimit me librin e parë me poezi, për lexuesin dhe kritikën letrare te ne, padyshim shënon një moment të veçantë në krijimtarinë letrare shqiptare në Kosovë. Dhe kjo, në radhë të parë, për shkak të frymës së re që solli poezia e tij si në formë po ashtu edhe në përmbajtje. Me librat Gjeli i dylltë, Dega e varur mbi varr, Iluzioni i fluturimit, Udhëtimi në vete, Narcisi i gjakosur, Dritarja me pamje në lumë, etj., autori nuk ka krijuar libër-poezi-vargje vetëm për një udhëtim, vetëm për një shqetësim, vetëm për një ndarje të dhembshme, por ka prekur esencën e shpirtit të vuajtur, të njeriut tonë të shtypur nga thembra e secilit pushtues, të shtypur nga njëherë edhe nga vetja e vet. E gjithë kjo pa dyshim Halimin e bën autorin më të mirë në trevat shqiptare. E kam thënë këtë edhe një herë tjetër, – Autori thotë, – oh sa bukur të vdesësh për ty fedora, e Unë them, – oh sa mirë është të vdesësh duke i lexuar poezitë e Nexhat Halimit.”
Mentor Lazari, thotë “Nexhat Halimi jo që është poet e prozator i yni i mirë, por është më i miri, autor i yni i veçantë, që nga fillimi i krijimtarisë së tij. Të gjithë në një periudhë të kohës qenë të mendimit se kulmi i krijimtarisë së Halimit është libri në poezi “Gjeli i dylltë”, por qenë gabuar. Librat e më vonshëm me poezi “Dega e varur mbi varr”, apo “Dritarja me pamje në lumë” apo dy romanet e fundit kanë kaluar mbi nivelin e krijimtarisë letrare në Kosovë.”
Murat Mamuti nga Lezha, thekson “Të jesh maestro në poezi, roman dhe dramë duhet të jesh Nexhat Halim, e të jesh Nexhat Halim do te thotë duhet të jesh në krye të letërsisë shqipe.”
*
Përpjekje për ta zbërthyer dhe përfolur kaq sa të jetë e mundshme poezinë e Nexhet Halimit “A vuan më pse nuk vua, – thekson Kaltërina Meka ndërsa shkruan për librin kushtuar nënës dhe thotë me bindje të thellë se poezia është një amshim, se poezia është vetë shpirti, rrjedha e ujit. Pika e ujit të kroit nga guri i pathyeshëm. Ajo nuk shpjegohet në asnjë mënyrë. Asnjë herë dhe kurrë nuk shpjegohet deri në fund. Ajo të çel plagë. Ajo shëron plagë! Poezia është ilaç. Melhem. Ajo pa dyshim është e veçantë. E krijuar nga fijet më të kristalta shpirtërore, nga lulet dhe aromat më të njënjëshme të jetës, për të ecur në të gjitha kohët, për të prekur e jetuar në të gjitha vetëtimat, në të gjitha çeljet e reja të secilës zemër, në hapësirat kurrë të mbyllura për të zgjuar dashurinë e dhembjen. Ja pse ajo ndrit qoftë në dhembje apo në dashuri, pse bëhet kaq e fortë dhe e papërsëritshme. Poezia e njëmendtë është ajo, e cila këputet nga thellësia e shpirtit e përmes pikës së gjakut pikë në letër, për të hyrë në zemër të lexuesit. Poezia e njëmendtë është ajo, e cila rrjedh nga brendësia, nga ndjenja e shpërthimit, të marrë jehonë ndër ecje, leqe e vetmi sipërfaqesh të veçanta, për t`u zgjuar në secilën shkronjë, në secilin varg në poezinë e drejtpërdrejtë,në rrëfimin e zgjedhur, në kallëzim poetik, apo në atë me simbole, me metafora, e –
shfaqen veç varret mbi jalli në Dumnicë
e unë nga i bie fyellit në rosujëra ndër lot
Ja pse gjithherë poezia e dhembja janë një amshim. Ja pse e marrin një kuptim,një hije dhe dritë, për t’u shquar nga pika e gjakut të vet, për ta shfaqur tërë atë udhëtimin deri te shtrirja në hapësirë e kohë, në letër, në mbamendje.
ende në arkivol udhëton krejt e ngrirë
veç dhe `i pëllëmbë e të arrish te rosujërat
të prehesh mes dy gurësh në kodër
aty kaherë të presin dy çunat e çupa
unë me biletë në buzë në radhë i mpirë
me qumështin e gjirit tënd ilaç
Poezinë e lind pika e thellë e reales, dhembja, dridhja e gjëmës së brendshme, e krijon dashuria, çdo gjë që lëviz rreth nesh, secili mendim, secila rrjedhë. Secila pikë e kroit, secili kalli i dritës e grurit, për të formuar përsëri poezinë nga dhembja, e ajo e dhembja e përhershme janë një amshim, një kuptim, një nuancë, të shtatë ngjyrat e harkuara të ylberit, të cilat e krijojnë mozaikun më të bukur të qiellit shpirtëror.
Jeta gjithsesi i ka bukuritë dhe dashuritë e përmotshme. Kjo rrjedhë, jo rrallë, lëndohet. Këputet.
Zgjohet e kaluara, këlthet e tashmja, e ardhmja vjen hapësirës së ngelur zbrazët pa një zemër, pa një palë duar që e përkëdhelin shpirtin e mbetur vetëm. Shfaqet përhitja, silueta, dhembja.
Dhembja jeton te shpirti e shpirti amshohet te dhembja.
Magjisë së dhembjes i dorëzohet vetëm shpirti që e ka humbur personin që tashmë mungon e prapë është aty e gjithherë do të jetë, kaq sa do të ketë frymë shpirti që e shkruan poezinë, e cila në të gjitha rrjedhat e ngriti në jehonë udhën e mbetur vetëm me lëvizjen e siluetës, me zbrazësitë.
të pres e s`vjen pse vonon nënë
as ta dëgjoj frymën as lëviz gjë në dhomë
e prapë hija jote shfaqet nën hënë
e lulet e xhenetit ndrisin me aromë
Çdo gjë është zë i vërtetë, i afrohesh, e dëgjon e nuk e dëgjon e është e s`është.
Kumbon e prapë ik e përhitet vetëm jehonë. S`ka jehonë pa zë. S`ka hije pa trup. Ka vetëm dhembje dhe imitim të siluetës, të cilën e shohim në secilën lule, në zbritje e ngjitje jetës. Mungon personi i dashur.
Shfaqet e humb.
E prapë është. Nuk është e prapë është dhe gjithnjë.
Kjo, në një përpjekje të veçantë është esenca brenda shkrimit poetik të librit, kaq sa do të ketë mendim, kaq sa do të ketë rrjedhë të brendshme, kaq sa do të ketë shpirt e jehonë përmbledhja me poezi “A të dhemb pse më nuk të dhemb” të Nexhat Halimit, autor me përvojë në krijimin artistik. Ky është botimi i parë i librit, me vetëm 50 faqe, me të gjitha krijimet kushtuar vdekjes së nënës.
Ky mëngjes i turbullt e Dumnica qan.
Iku, në këtë mënyrë një vit pa nënën e silueta e njëjtë lëviz gjithnjë aty, e – përsëri, autori shkroi librin tjetër, me 80 faqe për nënën. I shtoi nga dita në ditë shumë kujtime, shumë inserte, shumë rrjedha të kaluara në jetë pranë nënës, ndërsa babanë e kishte larg, në përpjekje të përditshme për ta bërë pragun e ri të shtëpisë, të iknin nga Dumnica e Poshtme e të krijonin një jetë më të mirë, një jetë tjetër. Kjo familje dhe ashtu muhaxhirësh, e ikur për ta shpëtuar kokën nga Toplica, ku u ngelën të gjitha dhe tashmë erren e agojë të vetmuara vetëm varret e paraardhësve, kaherë të mbuluara me bar të egër.
Pak udhë larg nga atje, tashmë varret e rrethuara me tela gjemborë i ruajë të dashurit e familjes, në copëzën e tokës mbi jalli, ku ndrisin lulet e xhenetit bri lumit, mes barit e pemëve e yjeve të ndritur lart. Natën ata bëhen engjëj , ndërsa të gjithë flejë veç poeti shkruan, e çel dhembjen e vet dhe krijon libër për nënën, për të dashurën e vet që nuk është më.
Padyshim, ky është një libër i rrallë, pa përsëritje, pa fjalë që do ta rëndonin dhe do t`ia humbnin kuptimit poezisë, veç pse dhembja sillet në rreth, ik për një çast e prapë shfaqet, i kushtohet një personi, gjurmët e të cilit ai i gjen kudo të shikojë në udhët e Dumnicës së djegur deri në shtëpi të fundit nga armiku i vjetër yni, i përbetuar.
“sorra mos ma qoftë as ashtin në prishtinë
të dhimbshin sytë të bartja tërë ditën në shpinë
të të shikojë doktori me `i të folur tjetër”
ah nënë e mbushja me ujë kroi gotën e vjetër
prishtina afër nënë ti vajte dhe në amerikë
në stihinë e luftës zemra digjej me shtëpinë
më varrosni te fëmijët e mi te kodra e fjetur
më ka marrë malli për të dashurit e vdekur
Kot është zemra e njeriut nuk mund të ndihet e qetë larg atyre që i takojnë amshimit, kudo të jetë e ndien njëjtë dhembjen për ta dhe dashurinë. Ja pse, ky libër është i veçantë. Ndoshta, ky është njëri ndër librat e vetëm në letërsisë shqipe, i cili në tërësi i kushtohet darkës me nënën, drekës me nënën, mbledhjes së frutave me të, korrjes së misrit, korrjes së grurit, por pa e banalizuar për asnjë çast motivin e angazhimit të nënës në këtë rrjedhë. Libri i dytë është shkruar për një vit. Ka biseduar me ata që e kanë ngushëlluar, ka biseduar me ata që e kanë lexuar librin, ka gjetur detaje, kujtime, çaste të veçanta, të cilat i kanë ikur herën e parë. Tash shfaqen dhe më fuqishëm, në mënyrë të veçantë.
Libri ka faqe e përjetime të prekura me veçanti. Shtohen ditët e jetës pa nënën e dhembja ngel gjithnjë e njëjtë.
Koha ik e dhembja sa vjen e shtohet.
Në libër përdoren teknika të ndryshme të vargut, me rimë, pa rimë, përdoret një vargu, dy vargu, tre vargu, katërvargëshi. Shkrimi rrjedh në vargje të lira, por ka dhe sonete, kurora tingëllimash e me radhë. Autori e ka përdorur përvojën e vet të gjasë në krijimtari dhe me fuqi të rrallë ka krijuar një poezi, që do të mbahet mend për kohë të gjatë. Gjithnjë duke e apostrofuar të vërtetën që e afron secili detaj, gjithnjë duke e bërë të jetë i afërt dhe i ngrohtë brenda dhembjes që ndien dhe që e shpreh.
Ja pse pra poezia dhe dhembja janë një amshim i shkrirë brenda shpirtit, brenda poezisë së librit, njërit ndër librat më të veçantë të autorit.
ja nënë në këtë festë siç jam zotuar me lot
arrita mes dy gurësh në dumnicë tek vijë e ujit
në heshtje përgjërohem në dritën tënde në zot
e mungesa rëndë rëndë më shpërthen në gji
Poezia pa hamendje do të apostrofoj të ketë diçka të shenjtë në vete, diçka nga lart, ndërsa ajo sa herë lidhet, gërshetohet e bëhet një me dhembjen e dashurinë e krijojnë amshimin, pa të cilin shpirti nuk do të ndriste dot në kohë e hapësirë.
Asnjë herë dhe kurrë!
Siç shkruan Dea Halimi në ambientet e Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” me rastin e Ditës së Flamurit u mbajt në Prizren promovomi i librit “Shkreptimë e Agimit” të autorit Nexhat Halimi. Rreth librit foli letrari dhe gazetari SkenderZogaj, duke cekur pika kyçe të librit të cilat autori i ka marr në shqyrtim. Ai theksoi se Prizreni me begatinë e tij të bujshme kulturore e historike duke e vënë në pah ngjarjen më të madhe historike “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” ka hyrë në çdo zemër dhe gjithherë është aktuale.
Ishte një mbrëmje e suksesshme ku referuan rreth librit dhe Kaltërina Meka, Dea Halimi, KadriSkaja, Berat Bahtiu dhe botuesi Fatmire Duraku.
Kaltrina Meka thekson se: “Shkreptimë e Agimit”, romani i Nexhat Halimit, i cili tek sa doli nga shtypi, merr në shqyrtim disa ngjarje, data e çaste të rëndësishme të kohës nëpër të cilat ecën njerëzit e fortë të Kryeqytetit tonë kulturor e historik, Prizrenit. Ngjarja fillon me Ymer Prizrenin, me Sofrën e tij të shtruar sot në fshatin e lindjes së tij – në Zgatar, e përfundon me vdekjen e të njëjtit në Ulqin të Malit të Zi. Ndërmjet futen ngjarje të rënda të aktivitetit të tij në krye të Lidhjes Shqiptare, me theks të veçantë Në njëqind vjetorin e ngjarjes më të madhe shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Autori thekson se” isha këtu, i vetëdijshëm, se koha i merr njerëzit, por mbesin gjurmët e tyre, mbesin datat, mbesin çastet, ngjarjet, pikat e gjakut që do të shënojnë një pikë drite të popullit të robëruar atëherë nën Turqi. Autori tregon për përpjekjet e bëra, që të shkruante një fejton, por nga një kënd tjetër, jo ajo rrjedhë që e ka shkruar historia, veç në biseda me njerëzit që kishin afër njëqind vjet dhe mbanin mend ndonjë gjë nga kjo ngjarje tepër e madhe e popullit shqiptar.”
Ndërsa botuesi i librit foli rreth krijimtarisë së autorit duke cituar dy analistë –Anila Xhekaliut dhe Mensur Raifit:
“Krijimtaria letrare e NexhatHalimit shtrihet në shtatëdhejtë libra zhanresh të ndryshme. Për 50 e ca vjet krijimtari, ky autor botoi poezi, prozë tregimtare dhe prozë të gjatë si dhe drama për fëmijë dhe për të rritur.
Dramën e parë për fëmijë, të blerë dhe të botuar nga Qendra për Kulturë e Kosovës, e shkroi në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ndërsa romanin e parë “Deri në kryq” e shkroi në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe e botoi në vazhdime te “Flaka e vëllazërimit” e Shkupit. Dy vjet më vonë botoi dhe librin me tingëllima “Parakalimi i etjeve” te revista letrare “Jeta e re”.
Vazhdoi pastaj me një ritëm të caktuar të botojë libra në poezi, tregime dhe drama… kështu, deri te botimi i romanit “Vigma e fajkoit” , pastaj “E çara në zotin” – kushtuar Ulqinit në çastet dramatike të tërmetit të vitit 1979.
Për këtë roman, si dhe për “Vigmën e fajkoit” mori lëvdata të shënueshme nga lexuesi dhe nga kritika. Madje, në Shqipëri romani ‘Vigma e fajkoit” do të çmohet nga kritika si një prurje e veçantë në letërsinë shqipe.
Anila Xhekaliu, ndër të tjera thotë “ NexhatHalimi është lërues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë 100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”.
Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë…” thekson ajo.
Në këtë shkrim për këtë rast po e përmend edhe një vlerësimin të njërit ndër kritikët e shquar, Mensur Raifit, i cili, në shkrimin mbi poezinë e NexhatHalimit, pos të tjerash thotë edhe këtë mendim: “…Vjershat e NexhatHalimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta, si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim”.
Ndërsa Berat Bahtiu foli përse si redaktori i Gazetës “Rilindja” Maksut Shehu, do të vendosë të përcaktojë Nexhat Halimin të shkruajë për ata që e nisën rrjedhën e “Agimit”, të cilën gjë ai do ta bëj me vullnet të veçantë: Me këtë rast, autori i librit, zhvilloi kohë më parë njëzetedy biseda me anëtarët e “Agimit” dhe do ta botojë Librin “Shkreptimë e Agimit” për t’i përkujtuar vuajtjet dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Shoqëria Kulturore e Artistike e Prizrenit, për t’i dhënë vulë kohës së rëndë dhe tejet të guximshme dhe për ta krijuar rrugën e krijimit të zgjimit shpirtëror e kombëtar nga të ndjekurit e të persekutuart për një kohë kaq të gjatë.
Promovimi u hap me recitimi e tri poezive nga libri nga nxënësit e shkollës së mesme “Ymer Prizreni” u interpretuan disa pika muzikore të përcjella me piano nga Rrahmi Ymer.
Botimin e librit e mundësoi Shoqëria kulturore-Artistike “Agimi”, ndërsa e botoi Shtëpia Botuese “Fad”, libri ka 130 faqe.
Poezia e librit “Truphija” të Nexhat Halimit, si për nga mënyra e procedimit libror, ashtu dhe për nga shumësia semantike e secilës syresh më vete, dallohet me tingëllimë të veçantë poetike, e cila përkatësisht është rezultat i stisje së saj sugjestive dhe inherente. –potencon Nazif Zejnullahu, duke shkruar për librin me poezi “Truphija” . -Narracioni poetik shtrihet përgjatë gjashtë njësive ndarëse, të ashtu quajtura jo pa qëllim fragmente, të cilave u prin një vjershë hyrëse-manifestive. Pjesa e fundit, edhe pse e përfshirë në “fragmentaritetin” e këtij libri, qëndron në ndaj vënie me poezinë “Lulëzimi i gurit”, të cilat, bashkërisht, janë në varëshmëri me gjithë materien e përkufizuar artistike. Një strukturë e këtillë koncipuese, në pamje të parë përngjanë në torrlojë të llojit të vet, madje, do të thoshim ajo duket se është mjaft hermetike dhe thurimë e bazuar në lojë fjalësh gjë që është në kundërshtim me përshtypjen nga ligjërimi letrar i saj i vërtetë. Kësisoj, libri “Truphija” vë kontakt përmes një gjuhe poetike specifike dhe mjaft ezoterike, e cila, në thelb, është e drejtpërdrejt dhe e kuptueshme për recipientin e saj të dytë.
Botë preokupuese e këtij autori nuk është subjekti ose objekti i një kohe dhe hapësire të caktuar, por dytësia e tyre e përbashkët. Pasubjektësia e këtillë e (për)kohshme, e vështruar me prizmin e anës së përgjithshme, në librin “Truphija” formësohet nëpërmjet një vokacioni të rrjedhshëm sukcesiv, që do të thotë se ajo arrin të artikulohet me gjuhë të pasur poetike dhe semiotikisht të niveluar. Rrjedhimisht, libri i imponohet lexuesit me strukturën e tij metaforike-simbolike, e cila e kushtëzon edhe vetë aktin e leximit, duke e bërë atë që të jetë trampolinë e kuptueshmërisë së tij të mirëfilltë. Duke u marrë me tepër me anën meditative sesa me atë të veprimit (e inkurajimit këtu në fjalën e përngjitur të titullit të një vjershe dhe të gjithë librit) N.Halimi krijon poezinë e vet dhe të rrethit të tij jetësor, prandaj edhe thirrma ideo-artistike e ardhur nga kjo nuk kakofonohet as llojshmërisht e as për nga lartësia (gjegjësisht ultësia) e zërit të pranishëm gjithandej, sepse intenca e autorit nuk është e tillë assesi. Kështu, këtu gjen shprehje mendimi biblik i gjakut – jetë, ose ai i gjakut të përzier me ujë që par excellence është shenjë e pavdekshmërisë. Lidhja e dy borërave – tokësores dhe asaj hyjnores – e bërë përmes shkurtësisë, Sibilave, të cilat e mbajnë gjallë dialogun poetik me narratorin përbën hallkën kryesore të stigmatizimit të pasubjektësisë së përçmuar me meritë. Vargjet deri te olimpi ( vetëm hije) e varre (e brigje) e ujë (në rrugë) qerre të thyera (e kalorës të verbër), “Truphija” fq 8 dhe “toka e bardhë në malkurën (përrallën e gjakut) që hapësirë bëhet në një degë (zjarr bëhet) hi (lule përsëri feniks) (Aty, fq 118) të cilat i mbyllin përkatësisht poezinë prolog dhe “Përralla” të “Fragmentit 6” qëndrojnë në marrëdhënie shkak pasojë, ose, thënë më ndryshe, të diagnozës dhe të terapisë, ligjshmëri këto që në përgjithësi janë universale në kohë dhe hapësirë. Së këndejmi edhe preokupimi me tërësinë e raporteve ekzistenciale, të vështruara në relacione të ndryshme përcaktuese, ndikon që struktura tematike e këtij libri të jetë e prridhur horizontalisht dhe vertikalisht, e cila ngërthejnë vetveten elementaritet vokativ të ri e semantik të ditur.
Libri “Truphija” i N. Halimit, si thirrmë e pasubjektësisë së (për) kobshme, i sintetizuar tradicionalisht përsa i përket anëve formale kurse mjaft bashkohorë në planin metaforik-simbolik dhe përgjithësisht semiotik e semantik, paraqet tërësinë e gërshetimeve të refleksave poetike reale, të përcaktuara në mënyrë të padeterminuar. Ky raport i brenda për brendshëm, i vështruar në kahun e ndërtushmërisë së poezisë të ciklit dhe të librit në përgjithësi bën që poetika e tij të jetë e simplifikuar për nga shumësia e matjeve të krijimit të saj, kurse e ndërlikuar dhe mjaft konotative për nga kuptimi i botës së perceptuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Si e tillë, ajo ngrihet mbi bazën e kuptimësimit të ri të elementeve simbolike-figurative, të po atyre përbërësve të komunikimit lirik që hasën në letërsinë bashkëkohëse përgjithësisht, duke dialoguar me lexuesin në një mënyrë të mëvetësishme dhe letrarisht bindëse. Pasubjektësia e elementit jetësor, si dukuri e tukeqme e relacionit ndërmjet tërësisë organike dhe ecurinës mbastare të padëshiruar, të inkurajuar përgjithësisht në shumëkuptimësinë e poezisë së përveçme arketipe, esencialisht është thirrmë e saj e (për) kobshme. Prandaj do të thoshim, vënia në objektiv e këtyre ligjshmërive, shumë të rëndësishme në procesualitetin e gjallimit konkret, bëhet angazhimant poetik i kapshëm për lexuesin. Duke qenë e tillë, poezia e N.Halimit, kjo e librit “Truphija” e vështruar në tërësi, shndërrohet në thirrmë të subjektësisë së përhershme, si imanentë e ngarrisjes së kotë, të cilën autori i saj me të drejt e stigmatizon. Thirrma e pasubjektësisë së (për)kobshme, e përfshirë ndërmjet gjashtë fragmentesh të një tërësie të tërë, në përgjithësi, vë kontakt të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke u bërë thirrmë subjektësisë së dëshiruar. Kësisoj, libri “Truphija” i N. Halimit i parë në prizmin e tij të gjithanshëm , paraqet një pasurim të këndshëm të poezisë sonë të sotme, duke u dalluar si me figurëshmëri të pasur ideo-artistike, ashtu dhe me procedim të përgjithshëm, të kënaqshëm, libror.
Poezi sensibiliteti modern
(Nexhat Halimi: “Prania e së dieles”, “Jedinstvo” Prishtinë, 1983)
Poezinë e Nexhat Halimit, të botuar në katër përmbledhje vjershash, kritikët pothuaj se nuk e kanë vërejtur. Është shkruar për shumë libra të tjerë vargjesh, e pakkush e ka hetuar paraqitjen e një zëri tërheqës poetik, rritën e qetë të një krijuesi, i cili, sot, në rrjedhat e poezisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë, mund të themi se është një emër me rëndësi. Është e dhënë e pranishme se avangarda poetike kërkon gjithmonë forma të reja shprehëse dhe tematikë të re, megjithëse në këto raste, nuk gjen mirëkuptim në publikun lexues.
“Prania e së dieles” është shi një libër i tillë.
Shikuar tërësisht, ky nuk do të mund ta duronte peshën e një kritike të ashpër, por në krijimet e veta më të larta, kjo është një poezi e barabartë me më të mirën te ne të letërsisë shqiptare. Halimi është poet vargjesh të palidhura, të pagërshetuara, i një simbolike jashtëzakonisht lozanjare dhe formash të shprehjes gjuhësore. Shi për këtë arsye poezia e këtij poeti është e mbyllur, e rrethuar nga fenomenet e natyrës dhe nga kalimësia e jetës. Besnikëria ndaj ca preokupimeve kërkon një përfshirje më të thellë nga amalgami i realitetit të jetës, e këtu Halimi nuk ngurron aspak. Duke u lëshuar në thellësinat e gjendjeve efektive, me observime artificiale shkrimtari bën përpjekje të shprehë disponimin e vet emocional. Një jetë e tërë, jo e diela, sikur ka zënë vend në këtë libër, ndërmjet këtyre vargjeve, të gjitha frikësimet dhe shpresat sikur janë gërëshetuar mu këtu. Qëndrimi i tij ndaj pozitës së vet dhe ndaj momentit historik nuk është pasiv, e poezia e tij zgjon shpresë, por edhe vuajtje e hidhërimi, që i lë rezerëve. Duke analizuar mënyrën e krijimtarisë poetike, kemi ardhur në përfundim se Halimi në të maturit e fuqisë së fjalës dhe të emocioneve të veta, përparësi i jep së parës, duke rrëshqitur shpesh në atë sipërfaqe rrethesh të shprehjes pak më të zbehtë poetike. Si shumica e madhe e poetëve dhe Halimi është i dashuruar në fjalën dhe në kuptimet e saj polivalente. “Gjaku”, “reja”, “vdekja”, “gjarpëri”, “thika” janë fjalë mjaft të shpeshta në këtë përmbledhje, por ndryshe nga disa vetë, këto fjalë këtu marrin funksion vetëm në transmisionin e ndiesive me përparësi. Halimi me shkathtësi luan me vargje dhe në këtë rast i shkakton lexuesit kokëçarje rreth zbërthimit të kësaj poezie. Asociacionet e simbolet e gërshetuara mjeshtërisht në velin e pasur poetik na japin një krijues avangard. Shprehja poetike bashkëkohore, e cila lirohet me kujdes nga narracioni, nga vrullet dhe tonet epike te poezisë së vjetër shqiptare, te Halimi ka një dimension krejt të ri:
“e si t’i besosh zotit im zot.
se ka zot…
pyet poeti në ciklin “E diela e vetmisë”, e cila, si na duket, është pjesa më e vlevfshme e kësaj përmbëledhje. Magjia e shprehjeve gjuhësore është realizuar këtu me shumë simbole. Në kohën kur dominon mendimi ekzakt me asociacion për mundësinë e fulutrimit të shpirtit, Halimi, duke i përdorur ato, inkuadron vargjet e veta në kështjellën e letërsisë bashkëkohore shqiptare, që është krijuar në territorin e vendit tonë.
“Prania e së dieles” zbulon një poet me kulturë të padyshimtë dhe me preokupime të ndryshme poetike. Bota e tij pitoreske e shprehur në poezi është krijuar si nevojë kumtimi përjetimesh sublime. Me këtë përmbledhje Halimi tregon se është poet meditativ. “Gjarpri në gjak” paraqet dy simbole të qëndrueshme të cilësive njerëzore dhe me këto fjalë magjike shkrimtari i përkushton vargjet e veta. Me to poeti krijon një botë relacionesh psikologjike, një botë me kuptim mashtrisht të thyer dhe një preokupimi të pathënë.
Kjo përmbledhje frymon me sensibilitet modern, ndërsa vetë shkrimtari u ikën me shkathtësi kurthëve të poezisë së shabllonizuar, të vjetruar. Ura ndërmjet së vjetrës dhe së resë nuk është e dukshme, prandaj vetëm një numër i vogël njerëzish kanë mundësi ta kuptojë ketë poezi. Pranimi i saj, respektivisht mospranimi, kërkon një përvojë të caktuar leximi
teorie, sepse pa njohuri paraprake themelore për poezinë avangarde është vështirë ta kuptojmë.
Halimi, pa dyshim, e ka zotëruar mjeshtërinë e shkrimit poetik. Duke i kristalizuar deri në tepri vargjet e veta, me këtë përmbledhje ai na ka dhuruar një rrëfim tërheqës e të këndshëm poetik. Në fund, do të ishte padrejtësi të mos përmendej përkthimi mjaft i mirë dhe i rrjedhshëm i Ismet Markoviqit, i cili inkuadrohet shkëlqyeshëm në diapazonin e lartë të veprës.
Zoran Jevtoviq
(përktheu: R.Bicaj)
Vigma e fajkoit
I njohur tashme si poet, prozator e dramaturg, shkrimtari Nexhat Halimi (1949), përfaqësues ndër më të denjët e modernes së poezisë shqiptare, po aq modern edhe në fushën e tregimit, sjell para lexuesit shqiptar romanin-klithmë “Vigma e fajkoit”. Gërshetohen këtu, sipas botuesit te tij Abdullah Zeneli, realja me irrealen, historia me mitin, e djeshmja me të sotmen.
Lidhja e Prizrenit, dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre para dhe pas Kongresit te Berlinit, kujtesa e bashkëkohësve, të cilët do t’i gjurmojë dhe rizgjojë narratori-autori, 100 vjet pas Lidhjes, lëvizje kjo ndër më të veçantat për liri e mëvetësi gjithë shqiptare, fokusohen në shtresimet shumëdimensionale të romanit, duke “kapur” kështu dy skajet e një qindvjetëshi. Përgjegjës para dokumentaritetit, sfidues me imagjinatën narrative, ndërthurës me një harmoni, të cilat vetëm arti i të shkruarit i mundëson, Halimi (ri)krijon truallin ku loton dhimb e dramës kombëtare – por edhe e dramës personale. Vitet 1878 dhe 1978 janë vite kthesë, për etninë dhe rrjedhimisht, në veçanti, edhe për Kosovën, janë ndalesat e autorit në këtë roman, i cili duhet të lexohet, sepse shkrin kufijte e modernes – post- modernes shqiptare!
Deri tash nga pena e shkrimtarit Nexhat Halimi kane dalë libra të suksesshëm nga fushat e poezisë, të tregimeve, të romaneve dhe dramës si për të rritur ashtu edhe për fëmijë.
E çara në zotin
Ne fokus të tij libri ka një ngjarje tragjike – tërmetin e vitit 1979, fatin e njerëzve përgjatë bregdetit jugor, fshatrat e Anës se Malit, Ulqinit-Shtojit – deri në Bunë, ne Tivar- i njohur për Masakrën e vitit ’45 e deri në Rizon, seli e mbretëreshës Teuta, për te vazhduar me Vraninen – Oso Kuken, dorëzimin e Ulqinit më 1880 Malit te Zi etj.- shkruan Ragip Sylaj.
Publicist, poet, prozator e dramaturg, Nexhat Halimi, deri më tash botoi një varg librash, për fëmijë e të rritur, të cilat zgjuan kureshtjen e lexuesit dhe të kritikes letrare. Opusin letrar ky shkrimtar e pasuroi dhe me një libër të ri, i cili sapo doli nga shtypi, përkatësisht me romanin me titull, “E çara në zotin”. Subjekti i këtij libri në fokus ka një ngjarje tragjike -tërmetin e rëndë të 15 prillit 1979, fatin e njerëzve përgjatë bregdetit jugor, me theks te veçantë në fshatrat e Anës së Malit, në Ulqin-Shtoj – deri ne Bunë, në Tivar e deri në Rizon, seli e mbretëreshës Teuta. Krahas përshkrimit të gjendjes shpirtërore të njerëzve në këtë stihi të rëndë natyrore, autori me mjeshtëri fut linje të re rrëfimi-momente kyçe të historisë së afërt dhe të largët, duke radhitur në këtë fije të dhembshme Vraninën – Oso Kuken, Tivarin – ku ndodhi njëra ndër ngjarjet me tragjiket për shqiptarët, Masakrën e pranverës së vitit ’45, Ulqinin – dorëzimin e Ulqinit me 1880 Malit të Zi, Rizonin dhe Teutën, e shumë unaza te tjera, ndërhyrje që i ndërlidhë të gjitha këto, për të rrjedhur një rrëfim dramatik, me gjuhë të pasur, të pastër dhe të afërt për lexuesin. Autori Nexhat Halimi, është njeri ndër shkrimtarët më të njohur në letërsinë që krijohet në Kosovë, por dhe më gjerë, në krijimtarinë mbarëshqiptare, siç e kanë vlerësuar lexuesit dhe kritika tash e dyzet vjet, nga botimi i librit të parë më 1969 e deri te ky me i riu që është i 27-ti me radhe – “E çara në zotin”. Në ballinë te librit është vënë një pikturë e Bajrush Behramit, e cila prek po ashtu fije të rënda nga e kaluara dramatike, nëpër të cilën eci njeriu ynë, për të arritur deri te vetvetja.
Romanin e botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë.
Buzëqeshja e mendimit
Vargjet e poetit Nexhat Halimi janë të forta dhe me plot emocione, – thotë Rustem Geci, duke shkruar për librin “Njeriu me zgjedhë”… Ato asnjëherë nuk të lënë vetëm, të shoqërojnë zëshëm; shpërthejnë në shkulma, rrjedha e valëzime të jashtme e të brendshëm, janë lëvizje çapkëne… personazhe dhe metafora me plot ngjyra, që të marrin me vete dhe të shpien nëpër buzëqeshje të mendimit artistik.
Në peizazhet e bukura të letërsisë shqipe, në një tumë krejt të gjelbër takoj poetin me ëndrrën e përhershme për dore. Vepra e tij “Njeriu me zgjedhë” thyen trashësinë e territ dhe i jep dritë fjalës dhe mendimit poetik.I ngjashëm me ngrohtësinë e zjarrit të përhershëm, të gjallë, ai vjen në letërsinë shqipe me poezinë më qipshte.Libri “Njeriu…” është shprehja më origjinale e një shpirti gjithnjë të ndezur-shpërthim i dashurisë së amshuar. Kjo dashuri për artin, për mbretëreshën-poezinë, është valës që vjen lehtësisht dhe derdh vetën thellësisht në udhët, kullat, degët e gemat, në hapësirat e kështjellës së shkrimtarisë, me dritaret me qemer lart mbi bedena nga e ikin gjithësinë e shpirtit pafund detit, nën vagëllima gjarpëruese. E “rrota sillet rreth vetes” tash e mijëra vjet. “Sillet rreth vetes e botës”, vazhdon të magjepsë. Në shqipen shqip prej shqipes poeti e jep frymën e gjakun në betejën e pafund të së përbashkëtës së dhembjes, të së përbashkëtës së motivit të iLirisë, të së përbashkëtës së shpirtit, të së pagjumtës, të paepurës së kafshuar e të vjedhur, që gjithnjë kthehet në poezinë lumë.
Të ecësh nëpër peizazhin e poezisë së Halimit ballafaqohesh me agsholin që shpërthen fuqishëm nga ashti, nga gjiri, nga pika e qumështit… gur më gur nga pikon prej lashtësisë në të tashmen, në iluzionin e pafund nga vetëtimat zgjohen e degëzojnë, nga fluturimi i zogut bëhet urë magjike. Në ëndrrat e poetit, që mezi i mban për dore, veçojmë qiririn e gjakut, flakën që ngjitet lart-lart, trashësinë e thyer të territ me të pagjumen e përmbysur mbi vargje. Në poezitë prej shpirti e guri, prej fyelli dhe hiri, poeti na jep në mënyrën më të shkëlqyer duhmën e shiut, ajrin para vapës, aromën e gjakut dhe zjarrin shpërthyes të gruas, lotët për të bukurën në Toplicën e patretur, për Çamërinë e ngrehur në gjithësi të pa vrarë, për Kosovën e mbuluar nga gjaku… e thotë, e rizgjohet, feniks, në qiellin e zemrës, – “Aty ku unë bëj pavdekësinë… ata çmenden të më vrasin. Më kot më marrin në thumb, unë i kam shkelur të gjitha të pafundmet… Të mbjellat janë ditët e mia. Unë jam uji i moçëm në këtë tokë, ku nuk më vret as etja më , as plaga. Rrënjët e mia janë të lashta sa fjala, shprehet poeti në një poezi. – Tre mijë vjet ardhje, tre mijë vjet këngë të tokës – agu e muzgu, të rilidhin tramakët e gjakut, shpirtin e fjalës, zemrën e Kosovës, – lexoj në një këngë të veprës “ Njeriu me zgjedhë”.
Peizazhi poetik i Nexhat Halimit është i gjerë, i thellë, i djeshëm, i sotëm dhe i nesërm, e nuk do të gaboja të thosha, i gjithëkohshëm. Në poezitë “Requiem për fjalën”, “ E diela me shi” e “Shënim 4” poeti shpërthen tamam si një gjigand kundër atyre, të cilët “Zbritën gungaç e të verbër / hynë t`i vrasin fjalët mes librave / hynë tek ata që mbanin gjallë ajrin, ujin, bukën… / sa i fortë gjaku im zot / sa e gjelbër lugina e mëngjesit…” shprehet ai e lexuesit pika e lotit i bie në sofër… Këto e qindra e qindra vargje në këtë libër e flasin talentin dhe pasurin e tij shpirtërore prej poeti. Ja pse vargjet e Halimit janë të forta dhe me plot emocione. Ato asnjëherë nuk të lënë vetëm, të shoqërojnë zëshëm; shpërthejnë në shkulma, rrjedha e valëzime të jashtme e të brendshëm, janë lëvizje çapkëne… personazhe dhe metafora me plot ngjyra, që të marrin me vete dhe të shpien nëpër buzëqeshje të mendimit artistik.
Peizazhi poetik i tij është vetë Kosova për të gjithë.
Veprimtaria e Nexhat Halimit është e gjerë.Ai deri më tash ka botuar shumë libra me prozë dhe poezi. Vepra e tij është e vlerësuar dhe e pranuar, ngaqë secila poezi në vetvete ka përjetimin, shëlbimin dhe të pashprehshmenn e ashpër.
Po e mbylli këtë mbresë me idenë se kurrë asgjë kurrkujt nuk i thashë, sa jemi të ndryshëm aq jemi dhe të njëjtë!
Nexhat Halimi: Rrënjë e kaltër
Autori i librit “Rrënjë e kaltër”, Nexhat Halimi, që ka një bagazh kualitativ të veprave, të cilësuara si të veçanta nga kreativiteti, qofshin ato në prozë apo dhe në poezi, po vazhdon të jetë i pranishëm me botime. Kësaj radhe u ofrohet lexuesve me një libër të sublimuar nga tri vëllimet më të hershme që patën jehonë jashtëzakonisht të mirë, pra vëllimet: “Parakalimi i etjeve”, “Afërsia e largësisë” dhe “Hark”, por që në këtë vëllim të përbashkët janë të ripunuara dhe të plotësuara. Kjo formë paraqitjeje dëshmon më së miri se ky shkrimtar jeton me letërsinë dhe për letërsinë dhe, pavarësisht nga vlerësimit e kohës që e ngrehnin lart afinitetin e tij prej shkrimtari të mirëfilltë, ka ndierë nevojën për ripunim, përkatësisht plotësim të krijimeve të mëhershme. Me këtë rast të kësaj paraqitjeje, meqë kemi të bëjmë me vargje të mëhershme të këtij autori, po shërbehemi me vlerësimin e Mensur Raifit, i cili, në shkrimin mbi poezinë e Nexhat Halimit, pos të tjerash thotë edhe këtë mendim: “…Vjershat e Nexhat Halimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta, si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.”
Librin “Rrënjë e kaltër” e botoi FAD, Prishtinë.
Romani i Nexhat Halimit (i treti me radhë) dëshmon po ato vlera dhe rrjedha mjaft të veçanta, me të cilat qe cilësuar “Vigma e fajkoit” dhe “E çara në zotin”, – vë në spikamë.Sarada Selimi. -Njësoj sikurse dhe në dy romanet e para, shfaqet i njëjti persona- reporteri i gazetës “Rilindja”, i cili merr për detyrë të hulumtojë një rast në një fashat, i cili në të vërtetë e ka vetëm një shtëpi. Pse ka ardhur deri te kjo situatë e çuditshme, deri te kjo vetmi, reporteri përmes një shkrimi të afërt dhe mjaft poetik do të krijojë një prozë – mozaik, që herë të mbush mllef për dhembjet që përjetojnë njerëzit e kombit të tij e herë tjetër të bën krenar po për ata njerëz. Dhembja është për njerëzit, por – ndërmjet fragmentesh të gjata, shfaqen dhe inserte, që të kthejnë larg në kohë, në vitet e 30-ta, në robërinë e rëndë serbo-kroate-sllovene. Këtu ngjet dhe hapet edhe plaga e vjetër e vëllavrasjes, e grabitjes dhe e tërë kjo zvarritet me vrasje të reja, breza më vonë, deri në ditët e sotme. Për më shumë se 70-të vjet ngjarja rrjedh në ethe, përderisa në dritaret e shtëpive dhe zemrave të njerëzve ndrit agu i lirisë. Se si do të ngjajë kjo, mbetet të mësohet nga vetë libri, përmes reporterit të gazetës, fshatarit Mujit, të birit të tij Hebilit, jetës së tyre atdhe të huaj, me mall të përhershëm për tokën, qiellin dhe hënën e vendlindjes. Ka dhe dhjetëra personazhe të tjera që e bëjnë mjaft të gjallë ngjarjen dhe secili është punuar me përkushtim dhe me karakteristikat e veçanta që i ka.
Jakia e Mujit
Me një varg librash të suksesshëm në poezi, prozë e në dramë, autori tashmë i njohur Nexhat Halimi vjen me veprën e re-romanin “Jakia e Mujit”.Ky libër-mjaft voluminoz, është i shkruar me një përkushtim të veçantë, i përshkruar fund e krye nga një poetikë, që herë-herë e bën mjaft emocional shkrimin, ndërsa herë tjetër në ndonjë masë dhe vështirë të kapshëm. Kjo librit sikur ia lë vetëm një udhë, atë për lexuesin fanatik, i cili me çdo kusht do t`i ec romanit deri në fund, pa e kapërcyer asnjë fjali të mjegullt, pa e lënë asnjë insert të pakuptueshëm. Ngjarja e romanit shtrihet në afro njëqind vjet e fundit. Përfshin baticat dhe zbaticat shpirtërore të fshatarit të rrethinës së Prizrenit, larg pragut të shtëpisë, jo për të shijuar bukën e hidhur të punëtorit të krahut, por për të ikur nga gjaku i vet, nga hija e vet, tërë kohën i djegur për dashurinë që nuk i shuhet. Lexuesi i njëmend përveç kënaqësisë që do ta përjetojë duke e lexuar, do të
kapërcejë dhe mbi copëza të hidhura të jetës së vështirë, duke përjetuar vdekje nga vrasjet e paqarta, duke i ndier rëndë deri në asht dhe zinxhirët e rëndë të robërisë së armikut të vjetër, i cili nuk heq dorë kurrë për ta zhdukur nga ky guri , nga toka kjo tokë e kjo kullë, frymën e njeriut, i cili këtu i ka rrënjët dhe yjtë e ëndrrës. Një simbolikë të veçantë për gjithë vitet dhe dhembjet që personazhet do t`i përjetojnë, për tërë dashurinë e pambarim,do ta paraqes hëna, e cila nuk përshkruhet vetëm si një trup qiellor, por si një diçka pa të cilën shpirti zgjohet apo e humb udhën dhe frymën tërësisht.
*
Vargje antologjike
Kujtoj se Nexhat Halimi shkruan Zora Kalgjoni, kulmet e krijimtarisë së vet poetike i arrin me librat Trupjija, Gjeli i dylltë dhe më vonë më vonë me Degën e varur mbi varr dhe Iluzionin e fluturimit. Kanë shkruar mjaft shkrime-studime për poezinë e tij, pena të njohura e jo shumë tëç njohura, në Kosovë po edhe në Shqipëri, por ende duhet të studiohet dhe të shpjegohet vargu i tij tejet i veçantë, vargu i tij herë modern deri në abstraksion. Megjithatë, magjia e shkrimit të tij mbetet e pakontestueshme, Unë, me këtë rast, siç e lexova edhe te shkrimi i Mirandës,e cila e citon një varg, po i citoj vetëm dy vargje “tashmë shpirti ka ikur dhe ndërrim më nuk ka”, apo le të ndodh çfarëdo fedora “zoti nuk ka vdekur”. Vargje antologjike, që peshojnë me një libër, e them pa hamendje.
I lexova me vemendje vargjet e poetit me shenje origjinale të poetit të veçantë ne letersin shqiptare.Nexhat Halimi siç, e cek në mënyrë brilante Miranda është pa dyshim shkrimtar me të cilin mund të prezentohemi në cilen do gjuhë të botës.Ai ka ngjyrë -ton dhe gjak të vetin në secilin varg. Veçanarisht më bëri përshtypje vargu “ Oh zoti nuk ka vdekur fedorë”. Sepse edhe në çastet më të rënda edhe në errësiren më të dendur te shpirti i njeriut shfaqet një dritë e cila i jap besim në jetë. Edhe në këto vargje gjithë herë humbja, dhembja e përhershme për atë humbje, por autori me përvojen e vet të gjatë krijuese ia del që brenda zhgenjimit ta gjejë kuptimin. E kuptimi në ketë rastë është “Oh zoti nuk ka vdekur fedorë” është besimi se deri sa nuk ka harrim do te ketë gjithnjë shpresë. Unë nuk mund ta zberthej poezin mirë por kënaqem duke e lexuar poezinë. Një knaqësi të tillë e ndjejë përherë me vargjet e Nexhat Halimit. Nje poezi e dhembjes se bukur, nje poezi kunder harreses,e – harresë nuk ka kurrë ndërsa shkruhen gjërat me kaq zemër dhe gjak siç ngjet me shkrimin e N. Halimin, thotë Lea Karafili, nga Berati.