Albspirit

Media/News/Publishing

Mevi Rafuna: ‘Aristokratët’ që flasin turqisht dhe ne katundarët

 

Pas vdekjes së Skënderbeut, shumica e familjeve artistokrate emigruan në Itali, Kroaci në Europë, madje lidhën edhe martesa me familjet aristokrate europiane.

Ata që qëndruan këtu, u detyruan të ndërrojnë emër e mbiemër, madje edhe fe sepse ishte mbijetesa në pyetje.

Zakonisht shqiptarët kanë preferuar të jetojnë në zona malore apo përreth, kjo për faktin se kështu kanë luftuar me pushtuesit dhe nuk kanë dashur të përzihen me ardhacakët që na i sjellnin pushtuesit.

Por çfarë ndodhi në qendra kryesore dhe kush e mori primatin e “aristokratëve” pasi që më nuk kishim artistokratët me nam.

Më ka rënë të shikoj që në shumë qytete apo qendra të Kosovës, ta analizoj një shtresë që quhen “aristokratë” që flasin turqisht.

Psh. në Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Prishtinë, Prizren duke përjashtuar këtu zonën e Llapit dhe të Drenicës (për Anamoravën nuk jam e sigurtë), pjesa e qyteteve të Maqedonisë jeton kjo shtresa e priviligjuar nga pushtuesit dhe sistemi jugosllav.

Isha njëherë në autobus dhe në Vushtrri hypi një grua. Disi e vërejta që ishte në siklet, nuk e dija për çka por kur u ul, kapi telefonin dhe filloi të flas me dikë, e kuptova që ajo ishte një “aristokrate” që fliste turqisht. Madje edhe turqishtja e saj nuk ishte taman turqisht. Dy-tri fjalë i thoshte boshnjakisht, dy-tri  fjalë serbisht, dy- tri fjalë në një gjuhë që nuk arrija ta kuptoja dhe dy-tri fjalë turqisht. Dhe jam e sigurtë që atë lloj gjuhe s’do e kuptonin as vetë turqit.

Nga qëndrimi i saj dhe një nervozitet që i shfaqej kuptova se ajo nuk ndihej mirë që ishte në një autobusë me shumicë “katunarë” dhe për të na bërë me dije se ajo ishte e “privilegjuara” nuk e ndalonte telefonin duke folur në gjuhën e saj “turke” deri sa zbriti.

Sidoqoftë ky është vetëm një shembull të cilin e kam pa. Është kjo shtresa “aristokrate” e cila e ka nënçmuar çdo shqiptarë.

Kur shqiptarët kanë zbritur në qytet për të bërë tregti dhe gjëra të tjera, në ato kohë burrat kanë mbajtur plisin dhe gratë kanë veshur veshje kombëtare.

Erdhën katunarët, ka qenë shprehja e famshme deri në përbuzje.

Ka qenë kjo shtresë e ardhacakëve të përzier që kanë qenë të priviligjuar më shumë se shumica e atyre shqiptarëve që kanë luftuar çdoherë në mbrojte të identitetit.

Çdoherë jam çuditur se si në të gjitha artizanatet e vjetra, dyqanet e vjetra, dëgjoja pronarët duke folur atë gjuhen turke.

Dhe duke menduar, studiuar dhe analizuar erdha në përfundim se ka qenë e pamundur për një shqiptar ta ketë një biznes të vetin, nëse nuk ka qenë ardhacak apo nëse nuk ka mësuar turqisht për t’u asimiluar.

Isha një herë në Shkup me një seminar. Mora një taksi dhe shoferi më pyet në gjuhën angleze se ku do të shkoj. Ja ktheva shqip. Kur e pyeta nga je me një shqipe të pastër ma ktheu, jam qytetar i vjetër i Shkupit, jam turk. I thashë si ka mundësi që një turk të flas kaq bukur shqip.

Më tha me prejardhje jam nga fshatrat e thella shqiptare, por kur erdhëm këtu u shkruajtëm si turq.

Nga keqardhja qesha me ironi.

Kështu, si përfundim kjo shtresa “aristokrate” ka qenë e priviligjuar edhe në sistemin komunist të Jugosllavisë.

Sepse misioni i tyre ka qenë ta përbuzin qenësisht shqiptarin. T’ia përbuzin plisin, traditën, veshjen, muzikën.

Ta bëjnë të ndihet keq përballë “aristokratëve” të shpikur nga pushtuesit, ardhacakë që medomos na e ndërruan frymën e kulluar shqipe.

Vetë të qenurit shqiptar të bënë aristokrat!

Dhe këtë ma mirë se pushtuesit nuk e kuptuam as ne.

Please follow and like us: