Poeti polak që sfidoi regjimin bolshevik
Osip Mandesltam, poeti dhe eseisti rus, është nga poetët më të mëdhenj të letërsisë ruse të shekullit XX, një shekull i hidhur, i cili nuk resht së lëshuari sfida mizore kundrejt poezisë.
Lindi në Varshavë në vitin 1891, në një familje të kulturuar dhe vdiq i drobitur dhe i grimcuar prej shekullit “çakall” dhe persekutimet staliniane në vitin 1938, rrugës drejt kampit ku do ta prisnin pesë vjet punë e detyruar.
Kur u shpërngulën në Shën Petërburg poeti ishte vetëm pesë vjeç. Që fëmijë mësoi gjermanishten dhe frëngjishten.
Ndoqi studimet në shkollën prestigjioze Tenichev në vitet 1900-1907. Më pas studioi në universitetin e Sorbonës në Paris, ku ndoqi kurset e Joseph Bedier dhe Henri Bergson. Po aty zbuloi edhe magjinë e poezisë së Verlenit.
Shkon në Gjermani dhe kur rikthehet në Rusi, në moshën 20-vjeçare, vijon studimet për filozofi në universitetin e Shën Petërburgut, ku edhe regjistrohet dhe boton poemat e tij të para, në vitin 1913, në revistën “Apollon”.
Osip Mandelstam bën pjesë në gjeneratën e poetëve lindur në vitet 1890, së bashku me Ana Ahmatovën, Boris Pasternakun, Marina Tzvetaevën, Majakovskin etj, që lanë gjurmë të pashlyeshme si krijues të rinj të letërsisë ruse.
Jeta e trishtë dhe historia e Osip Mandelstam u bë e njohur falë botimit të kujtimeve të bashkëshortes së tij, në vitin 1972, në Francë: “Kundër gjithfarë shprese”.
Pas shumë poshtërimesh, akuzash të padrejta, burgosjesh dhe syrgjynosjesh, vdiq nga uria dhe i ftohti, në moshën 47 vjeçe. Vetëm në 28 tetor 1987, nën qeverisjen e Gorbaçovit, emri i tij u pastrua plotësisht nga akuzat e vitit 1934.
Më 27 dhjetor 1938, do vdiste në thellësi të Siberisë, në një kamp tranzit në ferrin e Gulagut, duke e shndërruar stalinizmin, këtë kundërshtar gjakftohtë, një pasion negativ në përkorën e poetit, “mikun e të gjithëve”, – siç do shprehej vetë në vitin 1937, syrgjynosur në kampin e Voronezhit, ngaqë kishte shkruar një epigramë therëse “Alpinisti i Kremlinit” kundër Salinit.
Ky qe edhe provokimi i fundit i poetit ndaj tiranit në këtë duel të pamëshirshëm, i cili do vuloste fatin e tij.
Shumë i ri filloi të botonte dhe të merrte pjesë në diskutime të zjarrta midis poetëve. Me poezinë e tij sjell një përmasë të re të fuqisë dhe botës poetike, që shënoi një disidencë të fortë ndaj parime socrealiste në Rusi.
Shkoi një jetë në vargje dhe kundër të gjithëve.
Më shpjer pra mesnatë, ku rrjedh Jenisej,
Ku pisha mbërrin gjer tek yjtë,
Se ujk unë nuk jam nga gjaku në dej,
Dhe veç i barabarti më mbyt.
“Osip Mandelstam është një mit. Në Rusi dhe në mbarë botën, e konsiderojmë si një martir të poezisë, që e pagoi veprën me jetën e tij. Mbi të gjitha është bërë i famshëm për faktin se qe viktimë e persekutimeve politike, si dhe ngaqë pati shkruar një poemë të pamëshirshme duke denoncuar Stalinin”, – shprehet Ralph Dutil.
“I butë, inteligjent, shpirtëror, elegant, madje edhe i hijshëm, i gëzueshëm, i zjarrtë, përjetësisht i dashuruar, i ndershëm, largpamës dhe i lumtur, edhe në terrin e sëmundjes nervore dhe të tmerrit politik, rinor, madje thuajse vocërrak, i çuditshëm dhe i kulturuar, besnik dhe krijues, i qeshur dhe i paepur, Mandelstam na ka ofruar një nga veprat më të lumtura të shekullit…”, – do shprehej Pier Paolo Paasolini.
Ai qe poet, teoricien, eseist, revolucionar i zhgënjyer, martir, por gjithnjë në beftë për të përgjuar mugullimin e kohës. Një dëshmi e jashtëzakonshme mbi vitet më prodhimtare të poetit të madh rus dhe mbi asfiksinë e kulturës që shoqëroi marrja e pushtetit nga Stalini.
Përbri emrave si Solzhenici dhe Pasternak, emri i Mandelstam ngjall rezistencën kundër regjimit të pamëshirshëm të Rusisë sovjetike.
Ka shkruar “Zhurma e kohës”, “Timbri egjiptian”, “Udhëtim në Armeni”, “Poema të zgjedhura” etj.
Çiltërsia e theksit, thjeshtësia e tij tragjike, dinjiteti, humori, i japin kuptim të plotë emrit që autori e kishte shndërruar në devizën e tij: Nadejda që në rusisht nënkupton “shpresë”. Në veprat e tij kapim koherencën e një zëri që ka ditur ta zgjojë mahnitshëm të gjallin.
Të gjitha i humbëm, duke dashuruar,
Në dhjetor të vitit shtatëmbëdhjetë,
Dikush u grabit me vullnetin e popullit,
Tjetri grabiti veten e vet…