Albspirit

Media/News/Publishing

Donika Dabishevci: Kur portalet ngatërrojnë poezitë dhe autorët

Fotografia e Donika Dabishevci

 

Poezia e lashtë egjiptiane “Kujt t’i flasësh sot” nga disa portale është paraqitur si poezi e Martin Camajt. Gjithkush qe i ka lexu veç tri poezi te Camajt e sheh që poezia në fjalë lidhje me diskursin poetik të Camajt nuk ka. Përndryshe është pjesë e “Biseda mes një njeriu të lodhur nga jeta dhe shpirtit të vet”, papirus i Mbretërisë së Mesme, (2000 – 1500 p. K.) dhe në shqip ka ardhë e përkthyer nga Zimi Krutaj.
KUJT T’I FLASËSH SOT

Kujt t’i flasësh sot? Vëllezërit janë të ligj;

e pamundur, sot, t’i duash miqtë, lakmia sundon

gjithkush pasurinë e fqinjit grabit.

Kujt t’i flasësh sot? Fisnikëria s’gjendet më,

Gjithkujt i ka plasur cipa.

Kujt t’i flasësh sot? Kush ka fytyrë të kënaqur

është i lig, kudo nëpërkëmbet mirësia.

Kujt t’i flasësh sot? Nuk shihen më fytyrat

secili e fsheh fytyrën përpara vëllait.

Kujt t’i flasësh sot? Lakmitare janë zemrat,

njeriu nuk ka zemër ku mund të mbështetet.

Kujt t’i flasësh sot? Nuk ka më njerëz të drejtë,

pre e keqbërësve është toka.

Kujt t’i flasësh sot? Jam mbushur me mjerim

e nuk di as kujt t’i besoj.

Kujt t’i flasësh sot? S’ka kufij

mëkati që vendin po sfilit.

Please follow and like us: