Ymer Çiraku: Poezia e Niko Kacalidhës
Para disa javësh, miku im, poeti Niko Kacalidha, që aktualisht jeton në Athinë, më bëri me dije në një nga komunikimet tona, se ai është duke përgatitur një përmbledhje me poezi të zgjedhur, prej krijimtarisë së tij gati gjysëm shekullore. Kërkoi edhe prej meje ndonjë opinion rreth poezisë së tij, për ta përfshirë në libër, krahas dhe disa të tjerëve. Sigurisht, që çdokush do të ndihej i privilegjuar të ishte një prej atyre, që do të shprehte diçka mbi poezinë e tij mjaft të arrirë estetikisht. Për mua, këtë vlerësim e motivon jo thjesht dhe vetëm njohja e miqësia me të, por para së gjithash, gjithë ato vlera që shpalos realisht krijimtaria e tij e pasur poetike.
Duhet kujtuar se N. Kacalidha, është ndër ata krijues, që e ka ndjekur me konseguencë poezinë. Siç thuhet në këto raste, është poet i lindur, i dashuruar e i magjepsur pas shtigjeve të saj.
Nuk ka qenë asnjëherë i bujshëm në kronikat e kritikës sonë letrare. As atëhere, kur në gazetat e njohura “Zëri i Rinisë” e “Drita”, në fund të viteve ’60, kur ishte ende student, botonte në to cikle të njëpasnjëshme me poezi. Nuk e teproj ta them se N. Kacalidha, aso kohe, e shtangu lexuesin me befasinë e një lirike natyrale, fine, që binte në sy se bënte pjesë në rrethin e ngushtë të një poezie sovrane, pothuaj e pandjeshme/indiferente prej ndërhyrjeve të jashtme, duke krijuar kështu kontrast, me atë pjesë djerrinë të poezisë agjitativiste të kohës.
Bënte pjesë në atë model poezie, që shpaloste pse jo, një sharm aristokratizmi, me kujtime, mall e meditime nëpër dekore të qeta e pothuaj sureale kafenesh, koncertesh e plazhesh… Ishin përgjithësisht ambiente të emancipuara e civile këto, pa u tërhequr e pothuaj indiferent poeti nga zhurmëra kantieresh e stërvitjesh ushtarake, aq të pranishme e të promovuara në poezinë e asaj kohe. Për librin e tij të parë me poezi, “Fjalë të thëna në pranverë” (1971), I. Kadare do të shprehej se ishte nga vëllimet më të mira të atyre kohëve dhe se autori i atij libri, po hynte në plejadën e poetëve më të mirë të vendit.
Pastaj, për shumë vite, pas mbarimit të studimeve universitare, poeti u mbyll në vendlindjen e tij, diku në malet e jugut, me punën si mësues fshati. Pothuaj, nuk u shfaq me botime. U duk se heshti, apo humbi nga ansambli i poezisë, për t`i shtënë shumë dashamirës të poezisë dhe të karakterit të tij të çiltër, gati fëminor, me pyetjen: more, po ku është Nikua?
Me sa u duk, ai ndoqi udhën e krijuesit “eremit”, d.m.th. ndërtoi një komunikim specifik, pra, shumë të brendshëm, me gjuhën, me botën – në kuptimin më të gjerë, më filozofik e më estetik të fjalës. Falë kësaj rruge të ndjekur, Kacalidha bëri një punë murgu me ojnat/qëndisjet e poezisë. U prir nga përimtësimi i mikrobotës (konkretisht i dalldisur nga varësia e “vargonjve” të vendlindjes) – i bindur se kështu, shkonte natyrshëm për nga gjithësia e universalja. Kësisoj, ndërtoi ndërkaq atë korracën mbrojtëse kundrejt sindromit të pozicionimit strikt në “korin” e poezisë konformiste. Ky poet bën pjesë ndër ata krijues, që fatmirësisht, e humbi këtë vend në “protokollin” zyrtar të poezisë, i favorizuar dhe i lehtësuar ndërkaq, që të kishte mundësinë të projektonte “në qejf të vet” profilin e vet të pangjashëm krijues.
Ndërkohë, si pak të tjerë, N. Kacalidha ka privilegjin e poetit të suksesshëm dy gjuhësh: shqip e greqisht. Pra, njëherësh, është shkrimtari i letërsisë shqipe dhe i letërsisë greke, po të kemi parasysh se letërsia është gjuhë dhe gjuha i jep vulën çdo përkatësie letrare. Ky dublazh krijues, nga aspekti gjuhësor, ka ndikimin e vet pozitiv, pasi ligjërimi artistik i një vepre, fuqizohet e pasurohet edhe nga thesaret dhe shenjat e gjuhës tjetër. Në këtë kuptim, poezinë e Kacalidhës do ta konceptoja si një palimpsest, pra, me gërshetime e mbivendosje të mbara poetikash, ku shqipja dhe greqishtja, ushqejnë bujarisht njëra tjetrën, me frekuenca të larmishme e të magjishme stilistike.
Urime Niko për librin e ri me poezi të zgjedhur që po përgatit!
Please follow and like us: