Miho Gjini: HYSO VELA PIQERASIOTI
Duket si paradoksale ky emërtim shkrimi për një të ardhur të vitit 1988 nga Tepelena e të “ngulur” në Piqeras, me familjen e tij, me shtëpi e katandi. Po, kur mendon se, në gjithë botën lëvizje të tilla kanë përbërë edhe jetën, me shpërngulje të parreshtura individuale e fisesh, për një jetë më të mirë, atëhere, do të më jepni edhe mua te drejtën ta quaj dhe Hyso Velan nga Luftinja e Tepelenës, tashmë një piqerasiot, nga me të zellshmit! Që ka ujdisur një shtëpi në afërsi të shpellave të përroit të Katunishtës, ku fshiheshim dikur nga bombardimet e luftës italo-greke, që vinin nga deti e nga qielli… Që më pas, atje më posht tij, buzë rrugës nacionale, pastroi ferrat e gurët dhe ngriti me duart e veta e shokë bashkë, me leje nga shteti i atëhershëm, një bina dy katëshe, me destinacion të mëvonshëm për një Bar-Restorant e Hotel?
Unë Piqerasioti, kam qenë dikur i internuar në galeritë e minierës së Qymyrgurit të Mamaliajit, që fillojnë të shtrihen që nga fshati i lindjes së Hyso Velës, Luftinja 1, me rradhë kodrinave e maleve, në pesë sektorë, ku “gëlonin” mijëra puntorë e minatorë, me helmeta fibre në kokë! Atje punonim 600 metra nën tokë, nëpër arteriet e saj që shtriheshin deri në afërsi të Beratit, në kushte tmerrësisht të vështira, kur dihej vetem hyrja, por jo edhe dalja i gjallë! Shumë nga minatorët bllokoheshin e vdisnin atja brenda zgafellave të malit. Dhe kur u ktheva në fshatin tim, pas afro dhjetë vitesh, u habita që gjeta këtu edhe elekrtiçistin e galerive të minierës, nga fisi i Vele, që kishte afruar këtu edhe Hysën, ndërsa Hysa edhe të tjerë pas tij. Po nuk do të çuditesha aspak, kur fshati im po braktisej nga banorët e mëparshëm, nëpër “udhët e botës”! E kur, me mundim të madh, edhe unë e bëra shtëpinë time afër Hysës, në pronat e dikurshme të tim eti. Po qe Hyso Vela që erdhi e më uroi si i pari njeri e komshi! Nga që edhe mua më vështronin si “të huaj”, pas daljes së ligjit 7501, sikur të isha një zotëri i zbritur nga planetet e që mund të thonin e pysnin, si nëpër filma: “Cili jeni ju, Zoti Sorge”?! Si edhe më mbrapa, kur doja të shkruaja volumin e parë të këtij libri (“PIQERASIOTËT”) e nuk kisha aq para sa ta botoja atë, ishte përsëri ky Hyso Vela që e mundësoi këtë “trill vetiak” historiko-letrar, si një nga biznesmenët e rinj të fshatit, që merrej me mbledhjen e transportimin e ullinjve, me një kamionçinë të tonazhit të vogël, që e kishte blerë në Greqi, kur u hap rruga për andej kufiri e ku Hysa shkoi që “të merrte veten” e të kthehej përsëri , në këtë fshat, që tashmë ky njeri e quante “të tij” e që i kishte dalur ZOT vetes dhe punëve të stinës, në dobi edhe të komunitetit të ri ku kishte arrdhur!… E i përvishet punëve, vetë i pari, me ustallarë e specialistë ndërtimi. Ato katër vite pune në Greqi i vlejtën, jo më si një përvojë e vyer ndërtuesi, po edhe si financues i vetvetes. Me Floreshën bashkë, por edhe me fëmijët që i lindën njëripastjetrit e që u bënë “krahu i prindërve” të tyre…
Hyso Vela, mandej, ishte i pari që “çeli perden e turizmit familjar”, kur emigrantët nga Piqerasi, me mua në krye, shkonin për të pushuar nëpër ishujt e Greqisë, në brigjet e Turqisë e të Italisë. Paradoksi që përmendëm, po kthehej në inversin e vetë! Gjersa dy kineastë nga Kosova, prej “TV Prishtina” vijnë mysafirë në Hotelin “VELA” për të pushur e për të filmuar fortifikimet e lashta e kështjellat e Bregut dhe Hysua ynë, u prezantohet atyre si “stërnip i Ali Pashë Tepelenës” e bëhet “Ciceroni” i tyre në kështjellën e Porto Palermos, që Pashai i Tepelenës e i Janinës e adoptoi kështjellën e hershme Veneciane, për mbrojtjn e vet, duke ndërtuar aty pranë, edhe një kishëzë për Vasiliqinë e tij, që ajo të respektonte ritin e besimit të saj ortodoks! Dhe tani,-mendonte Hysa,-a nuk kishte ardhur koha që vendasit të mos e shihnin më “shtrembër” për besimin e tyre musilman, kur edhe pashai mizor, e kishte “lënë hapur” dritaren e besimit? Aq më tepër se, nëpër gazeta e mbledhje qeveritare, kishte nisur të thuhej me “mburrje”, se Shqipëria ishte “modeli i harmonisë fetare”?
Mirëpo, ky njeri është “parë shtrembër” për një kohë të gjatë, edhe pse, bujtësit e rinj në Piqeras nuk kanë rreshtur asnjëherë, së ardhuri këtu, në të dy mijëvjeçarët e këndej, gjersa tre shekuj më përpara, në vitin 1743 ikën prej këndej 18 familje piqerasiote, përmes detit dhe vajtën e u vendosën midis Romës e Pescarës, në brigjet e lumit Nora të Italisë, duke themeluar aty edhe fshatin Villa Badessa, që tre vite më parë u shpall si “binjak me Piqerasin”. Pa harruar asnjëhere se SHBA u krijua nga emigrantë nga Europa e u quajt “toka e bekuar nga ZOT”! Se, i gjithë rruzullli tokësor është mbushur e pasuruar nga lëvizjet e mëdha e të vogëla të njerëzve. Se mjaftoi të vinin në Piqeras tre vëllezërit nga Çorraj (Lluka, Vasili e Milo Nika) në vitet ’50 të shekullit të kalur, me bagëtitë e tyre e gjithë ç’kishin nga gjë e gjallë, duke dorëzuar gjithçka në kooperativën bujqësore, -të mbetehin edhe ata si banorët e mëparshëm të Piqerasit “me gisht në gojë”! Më ndryshe qe kur u bë ferma dhe të ardhurit “proletarizoheshin” menjëherë, me “shitjen e krahut të punës”, sikur u ndodhi Tepelenasve që erdhën me shumicë e sollën këtu njeri-tjetrin. Mjaftoi kështu ardhja e tre familjeve të para nga Velajt që, “këmba e Hyso Velajt” të tëhiqte këtu edhe tre familje të tjera nga fisi i tyre… Po njëlloj sikundër kishin bërë disa familje të tjera para tyre, nga fshatrat malore: Kudhës, Pilur, Gusmar, Kurvelesh, Bolenë, Tatëzat e tj., si një afrim nga deti i gjerë! Apo sikur do të ndodhte më pas edhe me disa familje të ardhura nga “Fusha e Bardhë”, nga “Fusha e Vurgut”, Markati e më tej akoma, nga Skrapari, Berati etj… Dhe që sot përbëjnë pjesën dërmuese të banorëve që janë “ngulur” këtu , ndërkohe që shumica e banorëve të mëparshëm janë “shpërndarë” në vise të tjera e të largëta të botës, gjer në afërsi të Polit të Veriut e të Jugut, në kontinentin e Australisë, sikur në fshat “ra zjarri i madh?!”
Në po këtë kohë, kur Hyso Vela bëri e shtoi prokopinë, që bëri, rrriti e i arsimoi fëmijët e tij në shkollat e larta të vendit, me bazën e tij ekonomike!… Duke përballuar edhe një fatkeqësi familjare: largimin nga jeta të bashkëshortes besnike e të përkushtuar pë ringritjen e një jete familjare të shëndetshme… Me të katër fëmijët e tyre, të pagëzuar me emra të ndritur nga bota: Romina, Romeo, Amarildo dhe Ronaldo. Dhe Romina, më e madhja e fëmijëve ështe tani “Master në Gjuhë e Letërsi Shqipe”, si edhe gazetare televizive e shkathët dhe e bukur, duke qenë njëherësh nëna e dy fëmijëve të vegjël. I dyti, Romeo ka mbaruar fakultetin Histori-Gjeografi, krahu i djathtë i prindërve, si servitor i kulturuar në biznesin familjar, i cili përjetoi së fundi edhe tragjedinë e Ukrainës, si dhëndër i atjeshëm, me një vajze Ukrainase që bujti si turiste në lokalin e tyre, me një histori -skenar filmi real, që nuk rrëfehet dot në përmasat e së zakonshmes, në kornizat Shekspiriane të “Romeo e Julietës”… I treti, Amarildo psikologu, i apasionuari i dijeve, që përfundoi me sukses Fakultetin e Psikologjisë në “Albanian Univesity”. Dhe i katërti, më i vogëli e më shtalarti, që lindi në vitin 2000 kur Kristian Ronaldos i dorëzuan Kupën e Botës, pra, emërmbajtësi i sportistit të famshëm Ronaldo, po edhe ky, si i vëllai, mbaron Universitetin privat “Allbanien Univesity” dhe diplomohet në Laboratorin e Lartë Dentar. Ky është, si i thonë, i pleqërisë, i cili përkëdhelej me emrin që i vunë që fëmijë, si edhe me një gërshetë pas koke, që u bë problem në shkollën fillore dhe Hysa m’u lut që të veja unë në shkollë e të thoshja një fjalë për të, që të mos ia prisnin gërshetin e flokëve e ta bënin vogëlushin të qante, sepse që në atë moshë, do të bënte të ngjante si sportisti i famshëm, duke e imituar atë, pa kurfarë ndikimesh “borgjezo-revizioniste”?! Dhe unë kam kënaqesinë që e shohë tani Ronaldon e Hysës, dy metër djalë që na shërben e na sjellë kafen ekspres në tryezën time, nën pjergullën e rrushit! Që edhe nuk ma kthen fjalën që të më shpjerë me motor lartë në kodër, në “Sheshet Konde” ku jeton ime motër e sëmurë, tash sa kohë, ashtu sikundër nuk ma prish as i ati Hyso Vela që më ngjitë atje lartë me kamionçinën e tij të verdhë, si edhe kur nuk e arrij autobuzin “Ruci” të linjës Himarë-Athinë, kur ai më ikën ngaqë jam vonuar të dalë aty në orarin e duhur, nga kjo pleqëri e mallëkuar në ngjitjen e të përpjetave…
Po, sy Hysa, ashtu edhe fëmijët e tij kanë një dhimbje, ende të fresket: largimin nga jeta të nënës Floresha, nga “Covidi-19… Ajo ishte një grua nikoqire e mirë, shembëllore, e heshtur e puntore. E pa fjalë. Fjalët e saj ajo i hidhte në një fletore me poezi-zemre, që e mbante gjithmonë me vete, ku rradhiste dertet e veta. Qëllonte që të m’i lexonte edhe mua, ashtu, me zërin e saj të shtruar e të ngohtë. Mirëpo, e bija Romina se ç’kishte edhe një brengë tjetër që ndruhej të ma thooshte, gjersa nuk duroi dot më: “Vajta këto ditë qe t’i pastoja varrin…Por nuk më bënin këmbët,-u shpreh ajo me dhimbje. Ajo erdhi këtu, punoi, jetoi dhe vdiq si një piqerasiote dhe u varros në “një parcelë të ndarë me mur me të vdekurit vendas! A nuk është gjëja më e shëmtuar t’i ndashë edhe të vdekurit?! Të lutem profesor, a nuk janë të njëllojtë të vdekurit”?! Ç’duhet aty ai muri i tmerrshëm ndarës? Boll është ndarrja që na kanë bërë deri më sot ZOTI E POLITIKA”,-përfundoi ajo, e bija e Hyso Vela Piqerasiotit.
Piqeras, më 31 korrik 2022.
Please follow and like us: