Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: Përtej tragjedisë së Himarës!

Një ngjarje tragjike dhe e dhimbshme si ajo e Himarës, të mpin të tërin, të trishton thellë në shpirt e nuk të mundëson asnjë fjalë ngushëllime, por veç lot e heshtje. Gjithkush është i bindur se është një aksident tragjik, por të gjithë janë të bindur se ky aksident, sikur të zbatohej ligji edhe mund të mos kishte ndodhur. Kjo ngjarje tragjike bëhet dy herë më e rëndë, pasi autori ishte pjesë e Policisë së Shtetit, organit që la për mision ruajtjen e jetës së qytetarëve, pronës private dhe publike. Shpesh ndeshim në lajme se mjaft oficerë policie shkaktojnë aksidente tragjike në gjendje të duhur apo duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Shpesh konstatojmë edhe me sy të lirë se shumë prej tyre që drejtojnë mjetet me logon e policisë nuk vejnë rripin e sigurimit, përdorin celularin apo shkelin tabelat, ndërkohë që duhet të ishin shembull i përkryer i respektimit apo zbatimit të ligjit. Për më tepër të gjithë këtë ndjesi prej të paprekshmi e demonstrojnë në mjetet e tyre private apo në aktivitetet e jetës së përditshme. Nga pak raste, ky fenomen rrezikon të shtohet frikshëm sepse jo vetëm nuk zbatohet ligji, por për më tepër investigimet mediatike dëshmojnë për tentativa të kolegëve të tyre për të manipuluar ngjarjet apo mbuluar autorët. Ashtu si thotë shprehja e vjetër: Korbi, korbit sytë nuk ia nxjerr… Është një fenomen i rëndomtë në administratën publike, por kur ndodh në forcat e rendit dhe sigurisë është situatë dy herë më e rëndë. Ka shumë arsye pse ky fenomen po përhapet, por në gjykimin tim, një ndër arsyet kryesore është politizimi i frikshëm i organizatës, i cili të jep edhe ndjesinë e të qenit i mbrojtur nga ndëshkimi, sepse ligjin të gjithë e kanë frikë, por e tejkalojnë atë kur kanë mik Malqin. Një situatë e tillë ka krijuar jo vetëm standarde të shumëfishta në trajtimin e qindra punonjësve të organizatës të cilët në heshtje dhe përkushtim përpiqen të kryejnë ndershmërisht detyrën e tyre. Standarde të shumëfishta në trajtimin e qytetarëve që kryejnë shkelje të ndryshem, madje deri në atë nivel sa masakrohen për mosvenie rripi apo kaskë mbrojtëse, ndërkohë që atë që kalojnë me semafor të kuq apo sillen si pronarë të rrugës as guxohet t’ u flitet e jo më të ndëshkohen. Këto standarde të shumëfishta minojnë imazhin e Organizatës dhe paralelisht ulin ndjeshëm respektin dhe vlerësimin e qytetarëve ndaj punës dhe aktivitetit të saj. Nuk dua të zgjatem më shumë, pasi kam shkruar shpesh për këto probleme të cilat lidhen ngushtë me instalimin e shtetit policor dhe autokratik në Shqipëri, por thjesht doja të bëja një apel ndaj punonjësve të Organizatës që të zbatojnë të parët ligjin e pastaj ta kërkojnë atë te qytetarët. Të kenë sensin e këshillimit ndaj atyre që gabojnë dhe të mos hezitojnë të ndëshkojnë rastet flagrante edhe kur kanë të bëjnë me kolegët e tyre. Mos harroni se askush nuk ka imunitet ndaj ngjarjeve të rënda, që mund të kenl për pasojë edhe vdekjen. Përpiquni të jeni modestë dhe të nderoni uniformën që mbani sepse jeni në atë pozicion për të shërbyer dhe jo për të ndëshkuar “fakir-fukaranë”. Mos harroni se punëdhënësit realë janë qytetarët, taksat e të cilëve japin rrogat tuaja dhe jo Maliqët! Të gjithë janë të bindur që nuk jeni përgjegjës për politikat e zbatuara, por jeni përgjegjës për të qenë njerëzorë dhe korrektë për veten tuaj dhe gjithë qytetarët. Ndërkohë, për Maliqët kam po të njëjtin sygjerim: Mos harroni se edhe ju nuk keni asnjë imunitet ndaj çdo ngjarje tragjike dhe e keqja mund të pllakosë këdo!
Please follow and like us: