Ç’FAT PËR SUNDIMTARËT
VALBONA MEZINI*
Ç’fat për sundimtarët, që njerëzit nuk mendojnë! Kjo shprehje e një udhëheqësi nga ata që mbahen mend për keq, nga i cili bota mësoi sesi nuk duhet udhëhequr, më solli në vëmendje të shkruaj këto rreshta duke e gjetur këtë shprehje më shumë se kurrë koherente për situatën socio-politike që vendi po kalon. Tejendanë qeveria propagandon se është në krye të reformave shtet-formuese, por me gjithë dëshirën e mirë që populli im të jetë përfituesi kryesor i implementimit të këtyre reformave, do t’ia falja edhe gabimin më të madh nëse zelli i punëve të qeverisë, do të ishte po aq i lartë, sa lufta mediatike në funksion të kësaj propagande shterpë, po aq shterpë sa vet dëshira në letër, për të bërë shtetin e rilindjes. Nuk u pa kurrfarë politike e qëndrueshme, për të shpërblyer popullin, i cili i besoi votën për variacion politik, në qershor të 2013, ndaj sot kam gjithë të drejtën të them e shkruaj se Adolf Hitleri pati të drejtë kur tha se, është fat për sundimtarët, që njerëzit nuk mendojnë! Në këtë rast do të mendoja se Rama ka qëlluar me fat, por jo. Unë nuk mendoj se Edi Rama i cili edhe pse po bën ligjin që ti mbyllë gojën çdo mendimi ndryshe që kritikon punët e mbrapshta të qeverisë, ka qëlluar me fat. Ai do të mbahet mend si kryeministri që dështoi në nismat e tij për të bërë shtet, jo se nuk dinte, por nuk donte. Xhon F. Kenedi thotë se padija e një votuesi në një demokraci, e dëmton sigurinë e të gjithëve. Në fakt siguria e shqiptarëve tashmë është dëmtuar rëndë edhe pse nuk ka më njeri të mos e dijë se qeveria e rilindjes, nuk mundi dot të bëjë shtet. Padija e një votuesi në një demokraci, e dëmton sigurinë e të gjithëve, ndaj për çdo shqiptar ka ardhur koha që të informohet çfarë ndodh me taksat, si i përdor paratë qeveria që ka votuar, çfarë angazhimi ka për të rritur rrogat dhe pensionet, sa biznese të reja janë hapur në lagjen e tij, në qytetin e tij, sa shpenzon në fund të muajit krahasuar me të njëjtën periudhe me një vit më parë? Këto janë disa pyetje që shqiptarët duhet t’i ngrenë dhe t’u kërkojnë përgjigje atyre që u besuar votën, qofshin këta drejtues lokalë apo qendrorë. Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria që votuan me premtime farse sot e rendit Shqipërinë në shkallët më të ulëta në të gjitha raportet ndërkombëtare dhe indekset globale. Dje Shqipëria u radhit si një nga vendet më të varfra të rajonit duke lënë prapa vetëm Bosnjë Hercegovinën për nga fuqia blerëse. Një indeks i Global Finance që mat nivelin e varfërisë në mbi 180 vende të botës, e që e renditi Shqipërinë në vendin e 95 në rang botëror duke përdorur si njësi matëse paritetin e fuqisë blerëse. Nga ana tjetër Banka Botërorë vë alarmin se në Shqipëri 46.1% e popullsisë jeton me 5 dollarë dita. Risku për të rënë nën nivelin jetik është më shumë se asnjëherë tjetër prezent në shoqërinë shqiptare. Ndërkohë GDP për kapital e vendit tonë është 4450 $ (i katërti vend më i varfër në Europë). Një tjetër rekord që qeveria rilindase shënoi në indekset ndërkombëtare, është ai i pagës minimale e cila sipas Bankës Botërore është 15 herë më e vogël, sesa mesatarja e BE-së. Me këtë buxhet konsumator individi motivohet të kontribuojë në mbijetesë, sesa në bum ekonomik. Rrjedhimisht risku është se konsumi mund të vazhdojë të shfaqet në rënie të qëndrueshme. Pak ditë më parë Shqipëria u rendit e fundit në Europë dhe rajon për nga lumturia. Raporti global i lumturisë evidentoi Shqipërinë si vendin e fundit dhe Shqiptarët si populli më i palumtur. Rekord tjetër negativ i qeverisë rilindëse është ai i dy ditëve më parë, ku Eurostat dëshmoi se numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e BE, ka shënuar rritje të frikshme, duke shkuar në 439 % që përkthehet në 66 mijë, vetëm në vitin 2014 sepse të dhënat e vitit 2015 janë duke u përpunuar nga Eurostat. Këtu janë përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azilkërkues në vendet e BE. Në fakt shqiptarët që u larguan në 6 mujorin e dytë të vitit 2013, menjëherë sapo rilindja u ul në karrigen e pushtetit është regjistruar nga Eurostat të jetë 12.2 mijë. Çfarë dhemb më shumë është fakti se janë të rinjtë ata që po ikin nga Shqipëria. Sipas Eurostatit për Shqipërinë grupmosha nga 18–34 vjeç përbën gati 45 % të totalit të azilkërkuesve ndërkohë që është shumë e lartë edhe përqindja e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre teksa grupmosha nga 0 -13 vjeç përbën 26 % të totalit të azilkërkuesve shqiptarë që ikin drejt Bashkimit Europian. Nëse deri pak kohë më parë, shqiptarët ishin të dyzuar mes faktit dhe teorisë se qeveria rilindëse është në rrugën e duhur, sot janë krejt të vetëdijshëm se qeveria dështoi në të bërit reforma dhe shtet. Shqipëria për çdo shtetas europian po qe se do të provonte të jetonte për pak kohë në vendin tonë, do të ishte një mision i pamundur. Në të tilla kushte kur taksat rriten çdo ditë dhe vendet e punës mungojnë, ndërsa rrogat zvogëlohen përkundrejt shtrenjtimit të jetesës, Shqipëria është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”, do të thoshte Albert Ajnshtajn. A ka ringritje, pas dështimit? A munden shqiptarët të qeverisin sikurse nuk kanë qeverisur më parë? Po shqiptarët mund të qeverisin sikurse nuk kanë mundur më parë vetëm nëse do të kishte një burrë shteti. Zhorzh Pompidu thotë se një burrë shteti, është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë janë ata që u besuam votën 3 vjet më parë, burra shteti apo shtetarë që kombin e vënë në shërbim të vetes? Rritje barrës fiskale të bizneseve 8 herë më e lartë se viti i kaluar për bizneset në Bashkinë e Tiranës, i cili mban peshën e 49% të biznesit vendas. Fryma e ankthit dhe e pasigurisë ekonomike amplifikon riskun e falimentit të bizneseve, në qoftë se ato nuk kanë kapacitete për të mbuluar shpenzimet. Nëse biznesi po tkurret, kush do prodhojë punësim? Atëherë do të mbështetemi tek investimet (investimet në rënie 10% më pak sipas BSH në T3 2015) këtë e pohoi edhe FMN në vizitën e një dite më parë, me autoritet shqiptare. Tomas Xheferson do të thoshte se çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit dhe populli është i vetmi rrëzues i tyre. Ndaj duket qartë se reformat shtetformuese të qeverisë së rilindjes nuk janë gjë tjetër veç një farsë që përpos propagandës asgjë nuk ka për thelb. Do të doja shumë që t’ia falja edhe gabimin më të madh qeverisë së rilindjes, nëse zelli i punëve të saj, do të ishte po aq i lartë, sa lufta mediatike në funksion të propagandës shterpë, po aq shterpë sa vetë dëshira në letër, për të bërë shtetin e rilindjes. “Ç’fat për sundimtarët, që njerëzit nuk mendojnë!
* Autorja është sekretare e organizatave partnere në Partinë Demokratike