Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: VDEKJA KLINIKE E NJË SISTEMI DHE DEBATI PËR SHAMIAT

Debati për shaminë po zbulon diçka të frikshme: orientimin tonë kulturor dhe politik. Trupi ynë është në perëndim, por koka dhe zemra jonë janë në lindje. Politikisht (të paktën verbalisht) duam të jemi pjesë e Perëndimit, por duam të dukemi si Lindja! Në fakt, ky trend ka kohë që është etabluar në Kosovë. Kjo po realizohet. Ne nuk kemi mekanizma për ta ndalur këtë trend. Mekanizmi kryesor dhe më funksional do të ishte sistemi arsimor i modelit perëndimor. Por, sistemi ynë i arsimit prej kohësh është jashtë standardeve perëndimore. Ne vazhdojmë t’i edukojmë fëmijët tanë me konceptet dhe programet edukative të viteve ’80. Një pjesë e madhe e pedagogëve tanë do të ishin më të denjë për të dhënë mësim në institucionet fetare sesa në shkollat tona, të cilat ne pretendojmë se i kemi laike.
Çka është më e keqja, nuk ka asnjë shenjë që autoritetet tona politike të kenë në axhendën e tyre reformimin e këtij sistemi, i cili i ngjanë pacientit që është ‘klinikisht i vdekur’ pa frymëmarrje, pa rrahje zemre dhe pa tru. Pushtetarët e djeshëm, edhe pse me ministra “të shkencës” dhe profesorë universiteti, nuk kanë bërë gjë “të hajrit”. Përkundrazi, “shkencëtarëve dhe profesorëve” u pëlqente kaosi dhe mjegulla. Dhe, motivi dihet. Nuk thonë kot: ‘ujku do mjegull’.
Këta të sotshmit erdhën në pushtet me premtimin se do ta bëjnë ndryshimin, e ne veç ndryshim s’po shohim! Duket ashiqare që vuajnë nga sëmundja e “fjalamanisë”. Operojnë me parrulla, sllogane, fjalë dhe premtime boshe. Këta ose harrojnë ose nuk e dinë se politika është një aktivitet empiric; është thjesht një hipotezë që duhet të testohet përballë realitetit. E rëndësishme në politikë (njësoj si në shkencë) nuk është analiza e koncepteve politike, apo aftësia për fjalime boshe teorike, siç dinë ta bëjnë shpesh. E rëndësishme në politikë është analiza dhe diskutimi kritik i problemeve të shoqërisë, e më pas propozimi i projekteve dhe programeve politike për zgjidhjen e tyre, të cilat më pas i nënshtrohen testimit dhe evidentimit të përvojës. Janë bërë “bozë”. Krejt çfarë dinë është të fajësojnë të tjerët (zakonisht ish-qeveritarë), e përsërisin se nuk janë të korruptuar, se qeverisin me duar të pastra dhe broçkulla të ngjashme, të cilat i përdorin si “licencë” për mosveprim! Nuk kanë as vizion, as ide dhe as programe konkrete.
Ajo që është thelbësore, fëmijët tanë do të vazhdojnë të edukohen me koncepte dhe programe edukative të viteve ’80, me pedagogë që ende japin mësim sipas modelit “nxirr fletoret dhe shkruaj…” Nëse kjo është kështu, e unë besoj se është, atëherë edhe mjerimi ynë në ekonomi, kulturë, shëndetësi, sport, etj. do vazhdojë. Është iluzore të presim begati dhe mirëqenie pa një sistem arsimor bashkëkohor të modelit perëndimor. I pari (begatia) është derivat i të dytit (cilësisë së arsimit); janë në korrelacion të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën. Përvoja e vendeve të zhvilluara e vërteton këtë.
Ne ndërkaq do vazhdojmë të bëjmë atë që dimë të bëjmë më së miri: të fajësojmë të tjerët për mjerimin tonë (romakët, bizantinët, osmanët, Evropën “kurvë”, grekët, serbët, etj.); të urrejmë njëri-tjetrin në palcë; të mitizojmë figura politike me vlera të dyshimta… Ne do vazhdojmë të ikim nga Kosova me një lehtësi të frikshme.
Si përfundim them se, fillimi i procesit të reformimit të sistemit arsimor nuk duhet të ketë alternativë. Alternaitvë edhe mund të ketë, po nuk ka gjë që mund të ndalojë një proces tjetër, atë të zvetënimit tonë si komb. Kam frikë se mund të vijë një ditë që, të jetosh në Kosovë apo në një vend aziatik s’do ketë shumë dallim. Ne po shpërfytyrohemi. Shikoni përreth? Sot ka shumë më tepër vajza dhe fëmijë të mbuluar se 2-3 dekada më parë. Rënia kombëtare po ndodh…ngadalë, pak nga pak, por me siguri deprimuese… A është koha për të vënë kujën? Vlerësojeni vetë.
Please follow and like us: