Ndjesi mbi vëllimin poetik të Visar Zhitit, “Hedh një kafkë tek këmbët tuaja”
Dr. Iris Halili
Ky vëllim poetik ka qënë botuar andej nga fillimi i viteve ’90. Kurrë më parë nuk kisha lexuar një poezi që të kishte në të njëjtën masë sa dhimbje aq edhe dëshirë për jetën, sa pak liri dhe sa shumë optimizëm! Mes shënimeve dhe eseve të shkruara ndër vite gjeta këto rreshta të hedhura. Sot atyre nuk mund t’u heq asgjë. Zhiti mbetet sërisht sa tragjik, aq edhe madhështor në fatin e tij.
“Do të vij
Do të vij
Me një kafkë të tmerrshme…”.
Përshtjellim, përzierje, neveri. Asgjë me tepër, në përfytyrimin e një dite që po lind dhe ty të detyrojnë ta shtypësh me këmbë, sikur shtyp një kacabu. Atje është tragjizmi. Atje është ironia tragjike. Njëkohësisht ti shtyp një çast që të afron me tepër drejt vdekjes dhe para teje “buzëqesh humnera”. Ty të kanë lidhur, të kanë qethur, të kanë rrjepur shpirtin dhe të duhet të mbushësh këtë katrahurë të natyrës, simbol i vemjes dhe i vakumit. Në këtë ecje pa rrugë, ndeshesh me tundimin e lashtë sa njerëzimi “Një kokërr mollë’. Por edhe kjo ngjasje i humb ngjyrat e reales dhe merr dimensionin e errësirës. Errësira të gjitha ngjyrave u jep të zezën. E kuqja bëhet vetvetitu e zezë. Por shija e asaj kokrre molle nuk mund të humbasë. Ajo krijon dhe rikrijon imazhe irreale të një përjetimi magjik , ndonëse xhamat janë zëvendësuar nga llamarinat dhe sytë e shokëve janë venitur. Makthi ironik bëhet i thjeshtë. Ti nuk mund të shikosh, apo më saktë ti nuk ke të drejtë të shikosh. Edhe gjëja më e pavlerë e galaktikës ka të drejtë të shikoj, ndërsa ti jo! “Një pellg i ndyrë shikon në sytë e mi”. Një shi i imët si venat e gjakut (që s’di në kanë mbetur të tilla) bie mbi ballin tënd dhe shton rrudhat. Natyrshëm diku ai fshin një parrullë…
Ky njeri çdo mbrëmje lufton me obsesionin e vetvrasjes. Ka diçka të tmerrshme që e shtyn drejt saj, humbja e gjithçkaje, sikur ka diçka të mahnitshme që e armiqëson me të, shpresa.
Po ç’të jetë ky njeri? Është ai që vuan, por sërisht shkruan poezi. Atij i heqin lirinë, që ka filluar më një qethje që e bën njeriun të harroje se ka flokë. I mbyllin veshët, që të mos dëgjojë. . I mbyllin gojën që të mos flasë, të mos puth. Duan t’i lidhin dhe shpirtin, por ai nuk lidhet, pasi të gjitha shqisat janë atje. Atje është realja e kthyer në irreale. Atje mbetet ekzistenca.
Ky njeri i drejtohej njeriut dhe kuptonte se edhe kafshët e kishin të vështirë t’i bënin vizitë mbikafshës – njeriut. Njeriut që shkatërroi njeriun. Njeriut që hapi kaq e kaq burgje kundër fjalës së lirë. Njeriut që masakroi shpirtra e më pas pyeti: “Çfarë është shpirti”? Njeriut që në fjalore shkruajti vetëm “ferrin” Njeriut që mashtroi, zhgënjeu, braktisi dashurinë. Atij njeriu që u xhelozua për disa qënie që ushqeheshin me racione qesharak buke, vetëm se ato dinin të dashuronin edhe pse binin në shtrat të gjithë me imazhin e të njëjtës grua, që kishte format e hënës dhe embëlsinë e ndjenjës. Ajo ishte kujtesa e dashurisë së shkuar. Ajo ishte vigjilja e dashurisë së ardhme. Ata ishin të gjithë të dashuruar me dashurinë, sikur ishin të dashuruar me lirinë. Është vetë fati i njeriut të dashurohet me atë që i mungon. Ky ishte njeriu i “Atdheut te çmendur”. Ti merr kafkën e këtij njeriu dhe e shfaq para nesh. As tragjeditë më të tmershme nuk kishin kaq shumë gjak, skelete, varre, mizori sa në 160 -faqe poezi dhimbjeje. Ajo kohë pakësoi njerëzit dhe shtoi kafkat.
Ti mban në duar një kafkë. Të jetë dyzimi yt? Mos është rreth i ferrit? Mos është çmeduria e Atdheut tim, e Atdheut tënd? Çfarë do të jetë ajo kafkë u takon atyre që stë kuptuan dhe stë kuptojnë. Atyre që heshtën para fjalës dhe e luftuan atë. Ashtu i palirë ti sërish jetoje më shumë se njerëzit që ishin jashtë mureve ku të kishin mbyllur…
E megjithëse kafkë, sërish ajo që mban në duar ka një masë që ndjen… dhe kjo është koha:
“Do të vij,
I butë si zjarri, i egër si zjarri,
I ngrohtë si zjarri
I marrë si zjarri dhe i mençur si zjarri
Tek ty do të vdes, si zjarri që s’vdes”.
Se kështu vijnë poetët apo sikur njihen me një fjalë tjetër profetët!
“Kudo ku kam shkuar kam gjetur poetët të kenë qënë përpara meje”, Z. Freud.
Please follow and like us: