Lindja e Shkencës – Galileo patjeter duhej t’i “hante fjalët” e veta!
1 – Galileo Galilei – Skica të fazave hënore nga “Sidereus Nuncius” (Lajmëtari Yjor), 1609.
2 – Giuseppe Bertini – Galileo duke demonstruar për Dozhin e Venecias si duhet përdorur teleskopi, 1858 (Vila Andrea Ponti, Varese, Itali).
Lindja e Shkencës – Galileo patjeter duhej t’i “hante fjalët” e veta!
Senad Guraziu – AP, T 2021
(…burrat duhet t’i hanë fjalët e veta – nëse “fjalëngrënia” nënkupton arritjen eventualisht tek e vërteta, në rastin e Galileos problemi ishte se fjalët s’hahen vetëm me fjalë, zor se hahen fjalët me fjalë bosh e hipotezash, i duheshin aso fjalë të palëkundshme…)
***
Nëse t’kishte ndonjë garë a kontest se cili na qenka shkencëtari më i vërtetë, më i sinqertë i të gjitha kohërave, padyshim do fitonte Galileo. Pse? Sepse “standardi i dyfishtë” i të vërtetës së tij ashtu-kështu s’do ketë shans të tejkalohet me ndonjë “standard” tjetër ndonjëherë. E lehtë s’do ishte, natyrisht, njësoj si ideja e zgjedhjes së “videos më të vërtetë”, bota do ta kishte jashtëzakonisht të vështirë. E megjithatë, nëse t’ishte e mundur, padyshim do fitonte ajo videoja e shqiptarëve, e keni parasysh… fjalën e kemi për video-lamentimin e tyre kur na pati vdekur xhaxhi-Hoxha. Pse? Sepse në asnjë video tjetër të historisë s’ka ndodhur të dokumentohet “standardi i dyfytyrësisë”, parimi i vërtetësisë së dyfishtë, më bukur e bindshëm se aty.
Si fillim, le ta ngrohim kujtesën sadopak me një ekskursion të vogël. Jo vetëm Mesjeta e “errët”, për shkencën e mirëfilltë i bie sikur erresirë me shekuj e shekuj, amulli e mendjes. Bie fjala për shkencat e matematikës amulli pothuaj që nga koha e Hipatisë së Aleksandrisë. Pastaj hooop na i doli gjumi, u zgjua Njutni i madh (me gjasë vetë muza Urania ia pati prishur gjumin).
Thuase “zgjimi” nga qielli do i vinte, o do këputej ndonjë mollë, Njutnit i “shkrepi” se gravitacioni kështu e kështu funksionon. Jo vetëm fjalë e pandehma por i shpiku nga zeroja me kalkulusa e me formula, ia sqaroi mbarë njerëzimit “rregullat” e sistemit diellor. Pati ngecur vetem për njërin planet, sepse orbita e këtij planeti dilte paksa jashtë “standardeve” rrotulluese, rrotullimi ishte fort i çuditshëm. Do kalonin ca shekuj tutje dhe këtë të “ngecurin” do ta zgjidhte Ajnshtajni, kuptohet sapo t’i dilte gjumi dhe këtij.
Sidoqoftë, për të gjitha çfarë pati sqaruar Njutni, njerëzimi sikur i zënë në “surprizë”, t’i patën zgurdulluar sytë, ç’ne ky jermatiku me këto shkencat! Kaluan gjithë ata shekuj, askush s’na u shtir i ditur, ç’pati ky tani! Ndoshta sepse ec e merri vesh formulat e shkarravinat e tij, jo gjithkush na ishte shkencëtar.
Ky si për inat, psh. kur e pati shkruar “Principia”, pati bërë çmos që ta komplikonte sa më shumë. Çdo gjë që pati shkruar e kishte bërë të dilte sa më komplekse e mundur, thjesht që të dukej sa më e vështirë si “shkencë”. Me gjasë Njutni tinëz e aspironte nofkën “Shekspiri i Shkencës” – pata bërë shaka njëherë në Fb. Andaj propozoj që problematika e “koklavitjes së qëllimshme” shkencore (ose ky ves i shkencëtarëve), tutje nga bota akademike të njihet si “Sindromi i Njutnit”! Shakaja ime s’ishte dhe aq pa vend…
Sot e gjithë bota mbarë e dinë, i madh e i vogël, pa Njutnin s’do ishim askund. Qoftë dhe duke pirë kafenë atje lart në orbitë, duke parë Token e brishtë nga dritaret e ISS, secilin mëngjes kozmonautet e Amerikes, Evropes, Rusise, Japonisë… madje dhe eskimezët me gjithë kinezët, së bashku me shkencëtarët e universiteteve të mbarë rruzullit ia heqin kapelën Njutnit.
Pa Njutnin asnjë raketë s’do arrinte në ISS, pa le që ISS s’do ekzistonte. Qëkur për ta ndërtuar na duheshin raketat fillimisht, për t’i bartur plaçkat atje lart. Pa Njutnin as raketat e avancuara të Elon Musk a të SpaceX s’do arrinin askund, do ishin fantazi të kulluara. Idetë e tij për ta arritur Marsin, pastaj terraformimi, kolonizimi, minierat e asteroidëve, minierat e Marsit, ato të Hënës etj. do ishin ëndrra kot, zbavitje, argëtim fanta-shkencor, diç si Star Trek. Assesi shpresë reale, e bazuar, e destinuar për t’u bërë realitet ndonjëherë.
Mirëpo, as Njutni s’do kishte si ta mahniste botën me mrekullira e ëmbëlsira pa ndonjë frymëzim paraprak të ndokujt, bie fjala pa ndihmën e Galileos. Ky do ikte në v. 1642, i verbuar nga “dielli” dhe i trajtuar aq keq nga Kisha. Si mrekulli, të njëjtin vit do lindte Njutni, për t’u marrë me aq shumë probleme të shkencës. Psh. me punën rreth “lëvizjes së trupave” do i çonte përpara idetë e dikurshme të Galileos. Për shumë arsye Galileo do quhej “babai i shkencës moderne”, por bie fjala Ligji i Parë i Njutnit qe bazuar në formulimin e konceptit të inercionit nga Galileo.
Se desh harruam, akoma pa ia nisur kronikës, le t’ua heqim kapelën burrërisht këtyre kolosëve të paarritshëm të shkencës.
***
Duke menduar rreth madhështisë së Galileos, thuase prirem dhe të hamendësoj mos vallë “leksioni” disashekullor i ecejakeve shkencore dhe i dijeve (ose historia e këtyre çështjeve) na e dikton njëfarë ligji të pashkruar – “për të vërtetën, nëse nevoja burrat do duhej t’i hanin dhe fjalët e veta”. Siduket ashtu pritet nga burrat, sepse ashtu pati bërë Galileo, burrërisht i pati hëngër fjalët e veta. Kuptohet, ligjin e pashkruar ne sapo e “zbuluam” këtu, përndryshe s’ka si lexohet, do ngelej i padukshëm.
Mos vallë Galileo konsiderohet “babai i shkencës” edhe për faktin që nëse t’mos i hante fjalët e veta, s’do kishte lindur as shkenca. Vetë Njutni i madh për t’parë pak më larg “pati hipur mbi supin e tij”. Nëse ta pyesnin Ajnshtajnin “cili është shkencëtari yt favorit”, përgjigjia askush tjetër por Galileo. Sepse e qartë, çdo burrë i vërtetë ashtu do ia bënte, tamam si Galileo. Sepse duhej të lindte shkenca. Për fat të mirë burrat e kuptojnë : )
Ja, akoma s’na shqitet pandehma e “burrërisë”. Sepse padyshim dhe jemi – rroftë vërtetësia. Duke qenë kjo punë e vërtetë, le t’i vargëzojmë ca fjalë rreth burrërisë së Galileos. Ashtu-kështu vetëm me fjalë mund të sqarohet burrëria.
Pra Galileo “fjalëngrënës”, burrërisht i pati hëngër fjalët e veta, por vallë ç’zor na pati? Qe detyruar t’i “hante” sepse pikësëpari në pyetje ishte Liria e Fjalës. Fjalët e tij s’ishin pollavra, një fjalë e vetme mjaftonte që liria e fjalës t’i kushtëzohej. Psh. një nga fjalët e tilla ishte “heliocentrizmi”.
Do i jepej liria e fjalës vetëm me kusht që në shkrimet e veta t’mos merrej me çështjet e burrërisë. Mund t’shkruante për shkencat me kusht që t’na shtirej sikur dhe ai na ishte gjoja burrec, assesi burrë. Nëse patjetër do t’shruante, i kërkohej që (duke e anashkaluar të vërtetën) ta përkrahte të pavërtetën. E kjo ishte tepër si kërkesë, i kalonte kufijtë, madje dhe burrecat e dinin se ashtu shkileshin të gjitha ligjet e burrërisë.
Fjalët e tij nuk i pëlqenin dhe aq Kishës, ose dhe asfare. Do kalonte ca kohë dhe Kisha do ia fillonte me ëmbëlsirat taktike, do t’i përdorte hujet e politikës, hiret e diplomatikës e këso… për ta arritur njëfarëlloj “kompromisi”. Me t’njëjtën monedhë do i bënte pazaret dhe Galileo, do ta përdorte dhe ky “diplomacinë” për t’i bindur se gjoja na ishte “bindur”.
Kishte patur mjaft kohë që t’i shoshiste “diplomatikat”. Pakashumë njësoj si të burgosurit, nëse veç mbyllur me vite e vite duke medituar, patjetër se dhe ata i mësojnë ca detaje të “diplomatikave”. Në v. 1623 miku dhe mbështetësi i Galileos, Maffeo Barberini do zgjedhej Papa Urban VIII. Kjo ishte diç si buzëqeshje e fatit, nëse t’i jepnin pakëz liri supozimit se ideja e “kompromisit” do ketë qenë diç si vullnet i mirë i Papës. Bën të supozojmë se miku i tij ia donte të mirën dhe s’kishte asgjë kundër që t’i ndihmonte, me kushtin që dhe ky do pajtohej për një kompromis të “vogël”.
Galileo qe pajtuar, anise e dinte – e pamundur. Herët o më vonë do bëhej “fjalëngrënës”. E dinte se duke i “ngrënë fjalët” ishte një lloj lufte për të vërtetën. Veç e thamë se burrat duhet t’i hanë fjalët e veta – nëse “fjalëngrënia” nënkupton arritjen eventualisht tek e vërteta. Në rastin e Galileos, puna ishte mjaft komplekse, fillimisht i duhej Liria e Fjalës (ja pse dhe “diplomacia”), e tek pastaj mund t’i hante fjalët e veta.
Sidoqoftë, as fjalët s’mund t’i hante vetëm me fjalë. Zor se hahen fjalët me fjalë bosh e hipotezash, i duheshin aso fjalë të palëkundshme. Mund t’besonte në lloj-lloj idesh, të pandehte se idetë e veta ishin të sakta. Pa një lloj sigurie “shkencore” fjalët e tij ndoshta s’do pinin ujë, dmth. s’do mund t’i hante as fjalët. E gjithë “fjalëngrënia” do shkonte huq.
***
Në v. 1543 Koperniku do i mbronte postulatet e tij të heliocentrizmit. Mirëpo heliocentrizmin s’e pati “shpikur Koperniku. Heliocentrizmi si ide ekzistonte që nga koha e Aristarkut (rreth v. 270 pes), thuhet se Aristarku pati qenë i pari ta propozonte sistemin heliocentrik. Paçka se dhe ai thjesht i pati vazhduar idetë pararendëse të Eratostenit.
Sidoqoftë, deri në kohën e Kopernikut, heliocentrizmin e patën bërrylosur bukur mirë. Që nga shek. II modeli dominant do ishte gjeocentrizmi. Dihet se para Ptolemeut, edhe Aristoteli e pati mbrojtur gjeocentrizmin, mirëpo do ishte Klaudius Ptolemeu në shek. II të “këmbëngulte” se Toka ishte qendra e universit. Askush s’e “harron” Aristotelin gjeocentrik, por Ptolemeu do ngelej në histori si përforcuesi i teorisë “tokësore”, i qendrës universale.
Gjeocentrizmi do mbizotëronte për nja 14-15 shekuj, deri në shek. XVI, dmth deri tek Koperniku. Ndoshta sepse pati qëlluar “opsioni” më optimal, përshtatej më së bukuri me çështjet e religjionit. Gjeocentrizmi do mbrohej rreptësisht nga Kisha, sepse përshtatej më së miri me Biblën.
Dmth. gjeocentrizmi pati mbizotëruar për aq gjatë, Toka do ishte “qendra” e universit për 14-15 shekuj. Qoftë dhe nëse t’jetë “sfiduar” me teori tjera e alternativa… asgjë, i shtypej koka gjithçkaje, pushteti dhe autoriteti i Kishës ishte i madh. Nëse teoria jote s’ishte ndonjë “shkencë” që i përshtatej Kishës, s’ia vlente, qëkur s’i përshtatej as perëndisë. Psh. edhe në kohën e Galileos (sapo ky t’i hante fjalët e veta), “Dialogun” e tij Kisha e pati ndaluar për rrumbullak nja 200 vjet.
Sa e sa teoritë mund t’jenë “shurdhuar”, s’e ka kush idenë. Përndryshe mund të shtrohet dhe pyetja, vallë si është e mundur për 14-15 shekuj gjithë ajo amulli e mendjes! Mos vallë ishte “rastësi”!
***
U muar vesh, para “kompromisit”, i detyruar nga autoriteti i kishes, Galileo duhej t’i vënte kapak gojës. Gojëmbyllja dmth. kishte t’bënte me postulatet e Kopernikut, assesi s’duhej ta lavdëronte mençurinë e tij. I qe ndaluar ta promovonte heliocentrizmin (dhe dmth. ta shpaloste akordimin e tij me heliocentrizmin). Pas një dekade të “gojëmbylljes” për lirinë e fjalës do arrihej njëfarë kompromisi.
Kisha e kundërshtonte cilëndo teori që e mbështeste heliocentrizmin. Galileo s’kishte ç’të bente, ndoshta ia pati bërë mjaft bukur, gjoja me parimin e “të vërtetes së dyfishtë”. S’kam ç’bëj, për botën do jetë diç tjetër, e fare diç tjetër brenda kafkës. Publikisht do t’i mohoj bindjet e mia, ama privatisht tjetër këngë. Parimi i “dyfishtë” s’pinte ujë, s’ka të vërteta dyfytyrëshe, të vërtetat s’kanë si t’na jenë të dyfishta. Ende s’dinte gjë kush për “dyfytyrësinë” kuantike.
Le t’i lidhim disa nga përsiatjet e tij në një periudhë të vetme :
“nuk ndjehem i detyruar të besoj se i njëjti Zot që na ka pajisur me kuptim, arsye dhe intelekt ka synuar që ta shmangim përdorimin e tyre | ( përndryshe s’do na i dhuronte fare, më e lehtë do ishte dhe për Zotin, e sidomos nëse) mendimi është aftësia më e këndshme që i është dhënë njerëzimit | (ja pse) të gjitha të vërtetat janë aq të lehta për t’u kuptuar sapo të zbulohen; çështja është të zbulohen | (është fat i madh që) në çështjet e shkencës, autoriteti i një mijë vetave nuk vlen sa arsyetimi i përulur i një individi të vetëm”. (shtojcat brenda kllapave i shtova unë)
Vallë si mund t’jetë përultësia e gjeniut më grandioze!
Pra, i detyruar, pati heshtur, papët e vjetër patën qenë më të “rreptë”. Mirëpo do zgjedhej një tjetër, dhe kështu le t’themi se i pati trokitur fati si trumcak në xham. Papa i ri madje ishte miku dhe mbrojtësi i tij. Nga Papa i radhës do i jepej leja të shkruante rreth temës së “heliocentrizmit”, pse jo.
Pse t’mos shkruante, ama me kushtin që teoritë e Kopernikut t’i shqyrtonte si “hipoteza”. Ose sëpaku teoritë ekzistente gjeocentrike-ptolemaike dhe ato (të reja) heliocentrike, të “rraheshin” baraz dhe paanshmërisht. Thuase Papa thjesht po ia “kërkonte” një lloj respekti rreth mençurive aristoteliane-ptolemaike. Sipas Papës mençuritë e vjetra “tokësore” dhe të rejat “diellore” duhej rrahur jo-arbitrarisht dhe njësoj.
Do ishte aq e pahijshme që gjeocentrizmat e 14-15 shekujve t’na mbaronin në “shportë” brenda natës. S’e meritonin të turpëroheshin ashtu nga studimet dhe siguria e Kopernikut. Do ishte dhe mëkat, qëkur toka pati funksionuar si “qendër” e universit për gjithë ata shekuj.
Madje pati funksionuar fort mirë, asnjë meteor a kometë s’e pati humbur udhën. Dielli i printe valles dhe planetet rrotulloheshin varg e varg rreth ego-centrizmit tokësor, ndoshta dhe rreth “kërthizës së Mona Lizës”. Për shekuj e shekuj gjithçka pati vajtur aq mbarë, qofshin mbarësi filozofike a kishtare. Errësirë po, amulli e mendjes, ama sëpaku pati qenë errësirë e mbarë. Pse duhej tashmë t’i prishej terezia gjeocentrizmit, pse duhej prishur harmonia e mbarësisë, pse duhej kryeneçësia me “kopernikizma” etj etj.
Dhe kështu, Galileos i nevojitej liria e fjalës, qe akorduar, do i thoshte po “kompromisit”, i qe dhënë liria e fjalës me kusht që ta mbante fjalën. Me kusht që t’i lavdëronte të gjitha pikëpamjet njësoj. S’duhej të anonte, duhej paanshëm, qofshin shkenca a pseudo-shkenca. Diktati kishtar ashtu e kërkonte, marrëveshja thoshte assesi “fjalëngrënie”.
Mbase Papa mund t’ketë qenë dhe skeptik se megjithatë ky s’do ia dilte ta mbante fjalën, pasi do tundohej, aq e vështirë t’i injorosh ëmbëlsirat e vërteta. Supozimi ynë ngelet supozim. Nga ana tjetër, për Galileon problemi ishte (siç e cekëm më lart) se as fjalët e veta s’mund t’i hante vetëm me fjalë. Për t’i hëngër fjalët o do i hante shkencërisht, o fare. Mirëpo fillimisht i duhej Liria e Fjalës.
***
Para se “fjalëngrënia” të ndodhte, me gjasë ishte e paracaktuar që fillimisht të frymëzohej nga holandezët. Po, pikërisht nga ata holandezët me “syze”. Sepse gjithkush frymëzohet nga diç o nga dikush. Psh. as Njutni s’do dinte si vargëzohen mençuritë pa ndonjë frymëzim të Galileos.
Teleskopi i parë si shpikje u takon holandezve, kështu thotë historia. Para Galileos, syzologët holandezë mund t’i ketë frymëzuar ndonjë muzë e largpamësisë, s’e kemi idenë. Do kalonte një vit pas shpikjes holandeze dhe Galileo ende s’dinte gjë. S’e kishte as idenë e “teleskopave”. Akoma s’pati lindur as Graham Bel, gjërat dëgjoheshin aq “ngadalë”. S’kishte as eBay as Fb, sa për ta blerë a porositur në Amazon as hiç se hiç.
Do mjaftonte vetëm të dëgjonte sëpaku, thjesht një pëshpërimë e shurdhër si lajm, do ishte i kënaqur me aq. Dhe ja një ditë do ndodhte, më në fund lajmi do i kumbonte në veshët. Me gjasë vetë Muza e pati marrë përgjegjësinë e “korrierit”, ama e kishte humbur udhën, lajmi do vonohej një vit.
Me të dëgjuar për “syzet” holandeze, pa një pa dy Galileo do i përvilte mëngët dhe do ta ujdiste vetë një teleskop. Pothuaj si mrekulli, thuase lajmin vërtet ia pati sjellur Muza, askush tjetër. Mrekulli, sepse s’kishte parë kurrë në jetën e vet teleskop, thjesht ashtu i pati shkrepur e gjithë “imagjinata”. S’ke si t’mos e quash mrekulli.
Me teleskopin e parë s’do ishte dhe aq i kënaqur, mund t’i “afronte” gjërat vetëm nja 8 herë. Shih, thuase asgjë, gjenialitet e prapë i pakënaqur. Ne as sot e kësaj dite s’dimë si bëhet as 2 herë “zoom”, pa le 8 herë! Do i bënte ca përmirësime të “magjisë” largëpamëse, dhe gjërat pastaj do bëheshin jo më pak por nja 20 herë “zoom”.
Emri “teleskop” për instrumentin e vet nuk qe “shpikur” nga Galileo, termi qe farkuar nga matematikani grek Demisiani në v. 1611. Për fat të keq, vetë s’i kam parë as teleskopin e holandezve, as atë të Galileos, kuptohet se do doja, e si jo. Sipas meje rishtas është mrekulli që teleskopi i Galileos ka mbijetuar dhe pas 400 vjetësh. Thuhet se në një muzeum në Itali ka dy sosh projektuar dikur nga Galileo.
Ashtu krenar e gjenial, do ia paraqiste Senatit të Venedikut mrekullinë teleskopike. Galileo ua pati sqaruar dhe kishte demonstruar si një maestro i vërtetë. Burrat qenë mahnitur varg e varg. Për mrekullinë dhe për gjenialitetin, Senati do ta shpërblente duke e emëruar lektor (Universiteti në Padova), madje duke ia dyfishuar pagën.
E megjithatë le t’i shkapurisim ca gjëra simpatike të “profesorllëkut” të tij. Dikur si ri, në fakt pati menduar të bëhej prift, e kishte me gjithë mend dhe seriozisht. Mirëpo e pati “privuar” babai me planet e veta, ky donte që i biri të studionte mjekësi në Piza. Në rregull, do regjistrohej por s’do ta përfundonte kurrë. Në v. 1585 do largohej nga universiteti për “shkak” të financave si justifikim. Jo se e pati mbaruar, s’është se i patën dhënë diplomë.
Dy-tre vite më pastaj, në v. 1588 do aplikonte për një post profesori në Bolonjë. Natyrisht do refuzohej (ndoshta sepse aplikant pa diplomë, ende s’e pati mbaruar shkollën). E megjithatë, në v. 1589 (me ca favore e ndihma nga dikush) do rikthehej në universitetin e Piza, në të njëjtin universitet nga ku pati ikur si student – tashmë si Profesor : )
Kishte ikur ca vite më parë, ama s’e pati çuar kohën kot, e pati studiuar privatisht matematikën. Dhe ja tani lektor matematike në Piza. Diploma s’i duhej dhe aq, kokën e kishte plot.
Ndoshta ashtu shkonin punët “universitare” atëbotë. Ja që rishtas thuase kot, pa sukses, s’do i vazhdohej kontrata sepse me gjasë Galileo ishte mos pyet, e vështirë të punohej me të. Ndoshta s’do jetë sjell mirë, do ketë qenë i papërshtatshëm për studentët, ec e merre vesh. Sa për dijet e njohuritë natyrisht se e meritonte profesorllëkun.
Mirëpo rasti i tij s’ishte i ngjashëm me atë të “katstrofës” së da Vinçit (le ta sjellim, për hir të shembullit). Da Vinçi e pati shkaktuar një lloj “zhgënjimi katastrofal” për profesorin e vet të vizatimit. Në një moment, ia pati kërkuar që ky ta vizatonte një engjëll. Dhe nëse ta kërkon profesori, natyrisht që do t’i shpalosësh të gjitha aftësitë që i mban fshehur diku nëpër xhepat. Njeriu i hedh të gjitha në shesh, me goma e me lapsa. Secili student, gjithkush mundohet të bëjë më të mirën që mundet.
Dhe dmth. da Vinçi na i qe përveshur vizatimit, do vizatonte e do ta përfundonte. Vetëm se profesori s’e kishte llogaritur as pritur një befasi të tillë. Tekefundit jo aq “katastrofale”. Tani thuase na pati shtangur, kishte ngelur syhapur e pa fjalët. Engjëlli ishte vizatuar aq bukur, aq sa profesori pati vendosur kurrë t’mos vizatonte më në jetën e vet. I pati thënë lamtumirë lapsit.
Jo pra, rasti i Galileos në Piza s’ishte i “ngjashëm” me rastin e profesorit të da Vinçit. Rasti i tij s’e kishte befasinë davinçiane. S’pati ngelur asnjë profesor pa “punë” – por Galileo vetë. Sidoqoftë, mbase deshëm të vijmë tek fakti që lektorllëku në Padova dhe paga e dyfishuar si lajm lexuesve do u vjen më tepër sesa vetëm lajm simpatik. Me mrekullinë e “largpamësisë” do i takonin të gjitha diplomat e meritat e mundshme. Gjëra të cilat ashtu-kështu bindshëm do i dëshmonte, dhe do t’i vuloste me “fjalëngrënien”.
***
U muar vesh se Galileo e pati përmirësuar teleskopin, përmirësim se jo shaka, 20 x “zoom”. Tani duke e patur “largpamësinë”, e gjitha çfarë kishte ngelur ishte që t’ia drejtonte qiellit. Teleskopi i tij ishte fort largpamës, më i avancuari, Le t’merren holandezët me studimin e horizontit të oqeanit, ata le t’i zbulojnë anijet e piratëve, qëkur teleskopi i tyre aq kapacitet ka. Unë do studioj qiellin, do ia drejtoj qiellit, e madje dhe Diellit. Anise, për këtë të fundit i ngrati do ta “paguante”. Në kohën e tij ende s’dinin se me vëshrimin e diellit ashtu mund të dëmtoheshin sytë.
Dhe kështu do bëhej i pari i njerëzimit që do ta studionte qiellin i përgatitur me një intrument të mirëfilltë, me një teleskop. Tamam si një shkencëtar i vërtetë. Mendohet të jetë shkencëtari i parë “i vërtetë” eksperimental. Pa instrumentet as shkenca e sotme s’ia del dot. Shkenca e sotme krenare ama edhe tani na duhen Hubble-teleskopat, dhe panumër instrumente. Galileo do ta studionte Hënën, do t’i zbulonte hënat e Jupiterit, do i zbulonte fazat e Venerës, unazat e Saturnit, do t’i zbulonte dhe “njollat e diellit”. Për fat të keq, siç thamë “njollat diellore” dhe do ia dëmtonin sytë.
Duke i studiuar këto Galileo do ta kishte sigurinë e mirëfilltë për t’i “hëngër fjalët”. Do i hante sa më bindshëm, sa burrërisht po aq dhe shkencërisht, jo vetëm me fjalë bosh. Kështu që do lindte dhe shkenca nga burrëria e tij. Falë teleskopit e pati kuptuar mjaftueshëm se nuk ishte Toka “qendra e universit”. Të dhënat sugjeronin Dielli ishte qendra e universit. Mençuritë gjeocentrike pra ishin gabim. Ndërsa kushdo që mendon si Aristarku i lashtësisë, apo si Koperniku modern, inkluzivisht dhe unë vetë, do kemi të drejtë.
Parë nga këndvështrimet teologjike, dhe vetëm vëzhgimet e tij të Hënës ishin “problematike”. Pasi Hëna, një planet i pastër, pllakë e përkryer, a disk i lëmuar e pa të meta (siç shihej atëherë), simbolizonte ose ishte përfaqësim i pastërtisë, i virgjërisë së Marisë. Duke vëzhguar e duke skicuar, duke i përshkruar topografikat e terrenit hënor, Galileo thjesht e pati përmbysur tezën se sipërfaqja e Hënës ishte e lëmuar, siç besohej. Skicat e tij publikuar në “Sidereus Nuncius” (Lajmëtari Yjor) do u vinin pastaj në ndihmë astronomëve dhe sa e sa brezave të artistëve.
Në fakt, për sipërfaqen e Hënës kishte lloj-lloj imagjinatësh. Psh. në “Codex Leicester” jo ndokush tjetër por vetë da Vinçi ndër të tjera pati spekuluar se “…sipërfaqja e Hënës është e mbuluar me ujë, prandaj shkëlqimi, prandaj reflektimi i rrezeve të Diellit…”. Padyshim da Vinçi pandehte se ia kishte qëlluar pikës, ja pse reflektoheshin rrezet, ja pse ishte aq e ndritshme, ja pse shkencë e përtej shkence.
Sorry Leonardo, i pate shpikur panumër gjëra të mençura, madje dhe glida e kopterë, ose dhe vetëm për “…Lizën” pirolla të qoftë (s’prish punë që ua fale francezëve, le ta mbajnë, le t’krenohen dhe ata me gjenialitetin tënd). Por ja që unë kam shpikur teleskopin largpamës, disa herë më t’mirë se t’lulandezëve, dhe mund ta shoh, mund ta skicoj terrenin e Hënës, s’është nevoja të spekuloj.
Dhe kështu, do ulej Galileo e do ta qëndiste veprën dialogjike “Dialogo”, gjoja si dialog mes një përkrahësi të “kryeneçësisë” kopernikase, dhe një tjetri të fanatizmit ptolemaik, dmth. të “kryeneçësisë” gjeocentrike. Larg nga paanshmëria (që e kërkonte “kompromisi” me Papën) do t’i hante fjalët e veta njami-njami. Pena e tij do ta lavdëronte krenarisht shkencën e re të Kopernikut.
Natyrisht, për këtë arbitraritet dhe trimëri të “fjalëngrënies” do ta humbte përkrahjen dhe miqësinë e Papës. Do thirrej në Romë, i duhej t’bëhej gati për gjykim nga Inkuizicioni. Dyshimi për “herezi” atëbotë s’ishte nevoja t’vërtetohej dhe aq, s’kishte si të “vërtetohej” as me arsyen as me faktet. Tribunali dhe shkencat juridike të kohës lëkundeshin ndoshta po aq sa dhe shkencat gjeocentrike.
Libri i Galileos do ndalohej për nja 200 vjet, deri në v. 1835. Në kohën kur Galileo pati lindur (v. 1564) as që mund të konsiderohej se diç e tillë si “shkencë” ekzistonte – thonë shkollarët. Ja që me “fjalëngrënien” e tij burrërore, nga përspektiva e sotme mund t’thuhet se pati ardhur në jetë foshnja krenarisë moderne e quajtur “shkencë”.
***
Në fund të v. 1632 (pas botimit të “Dialogo”) Galileo qe urdhëruar të paraqitej në Romë. Duke qenë mjaft i sëmurë, në Janar të v. 1633 qe detyruar për udhëtimin e mundimshëm drejt Romës. Do priste e do priste në ankth, do kalonin muaj të procesit. Duke filluar nga Prilli do t’thirrej katër herë në seancat, e fundit do ishte më 21 Qershor. Të nesërmen, më 22 Qershor 1633, Galileo u dërgua në kishën e Santa Maria sopra Minerva, duhej të gjunjëzohej ndërsa lexohej dënimi i tij. Nga Inkuizicioni qe shpallur fajtor, faji ishte “dyshim për herezi të rëndë”, qe detyruar të recitonte si dhe ta nënshkruante pendesën zyrtare, heqjen dorë nga besimet heretike:
“Jam gjykuar si i dyshuar për herezi të rëndë, dmth. se kam pohuar e besuar se Dielli është në qendër të universit dhe i palëvizshëm, se Toka nuk është në qendër të universit, dhe se ajo lëviz. Megjithatë, duke dashur të largoj nga mendjet e Eminencave tuaja dhe të gjithë të krishterëve besnikë, këtë dyshim për herezi të rëndë konceptuar me arsye kundër meje, me zemrën e sinqertë heq dorë nga ky besim i pahijshëm, i mallkoj dhe i urrej gabimet dhe herezitë e përmendura, dhe në përgjithësi të gjitha gabimet dhe çdo gabim, herezi dhe ofendim në kundërshti me Kishën e Shenjtë Katolike” – (Shea & Artigas, 2003)
Shkollarët thonë se nuk është fakt historik, anise tradicionalisht thuhet se Galileo në fund pati mërmëritur “eppur si muove (e megjithatë lëviz). Do dënohej me “burgim formal”, mirëpo për fat dënimi do ndryshohej pastaj në arrest shtëpiak.
Tek në v. 1992 nga Kisha pati ardhur “një lloj apologjie” (nëse mund të konsiderohet “apologji” – siduket ca apologjetizma vijnë 4-5 shekuj me vonesë, apo ndoshta megjithatë më mirë vonë sesa kurrë. Thuhet se Papa Piu s XII, por dhe Gjon Pali II kanë dalur me deklarata zyrtare duke shprehur keqardhjen për trajtimin e Galileos.
ngjitur:
1 – Galileo Galilei – Skica të fazave hënore nga “Sidereus Nuncius” (Lajmëtari Yjor), 1609
2 – Giuseppe Bertini – Galileo duke demonstruar për Dozhin e Venecias si duhet përdorur teleskopi, 1858 (Vila Andrea Ponti, Varese, Itali)