Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Paradë djemsh para siluetës femërore…

Tregim

Dëshira e djemve për femrën është vetë natyra dhe Zoti, por sa fisnikë janë ata brenda natyrës së tyre?

Vajza me sytë si myshqet e buta të liqenit…

Naive si vitet që numëronte, nuk shihte dhe as kish kuptuar që  përse djemtë e mëhallës ishin aty të gjithë çdo herë që ajo vinte në breg të liqenit dhe hiqte qetësisht fustanin. Më vonë, gati pas 30 vitesh, një prej tyre i tha që ata ishin aty të gjithë, sepse e dinin orën që ajo do vinte dhe do e hiqte fustanin.

Rrobat e banjos të qepura me dorë nga kushërira e saj e talentuar e përqafonin trupin e saj dhe ata ia kishin zili, i urrenin dhe ia shqyenin me sy e me dëshirën e çmendur, por që përsëri fisnikë, dinin ta komandonin aq bukur çmendurinë e tyre djaloshare, sa ajo as e kishte kuptuar kurrë.

Ajo i donte si vëllezër, ata nuk e  e donin si motër, por e respektonin si motër.

Ishin aq të rinj, por kurrë nuk e menduan që mund ta lëndonin edhe pse e lakmonin.

Flokët e verdha i mbante herë të lëshuara mbi supe në lirinë e tyre ose herë-herë të thurrura një gërshet rus, ndërsa herë tjetër gërsheta anash, me dy fjongo të bardha si zambakë të varur rastësisht.

Sytë i kish  si mushqet e buta të liqenit para se të hynte në ujin e ftohtë të mëngjesit, ndërsa kur  dilte sytë i egërsoheshin si  merrenat helmuese. Merrenat pikaloshe e kafshonin në sytë jeshilë, se u dukeshin si myshqet e gjelbëra të liqenit.

Ajo kënaqej dhe që të  merrte sa  më shumë helm i mbante sytë  gjithmonë hapur nën ujë, ndërsa kur kujtohej e nxirrte kokën mbi ujë dhe shihte përtej, andej nga malet, të cilat shfaqeshin me kreshtat e bardha nga dëbora, e cila edhe në verë nuk shkrihej, pastaj vjedhurazi ndiqte vijën që linte hija e shenjës së dytë.

“Shenjën e parë të kufirit e ka përqafuar dhe po mbahet, ndërsa sytë helm shigjetojnë shenjën e dytë dhe vijën që lë ajo… E di që nuk mundet të shkoje tek shenja e dytë dhe kthehet nga kish ardhur e  përsëri ndejk merrenat, ato e qetësojnë që kurrë mos  ndjekë rrugën përtej kufirit, që mendjes së saj të vogël i dukej si përrallat e gjyshes. Nuk e di përse, por e di që merrenat i tregojnë përralla të vërteta, i tregojnë  të vërtetën e legjendave ose rrugën për tek ato dhe i ndjek cdo mëngjes pa u lodhur.

Vetëm atëhere kur Dielli i rri pingul shenjës së dytë, ajo merr kthimin për në breg.

Ata janë aty në breg, malet dhe përrallat i la pas”.

Tani e rritur do donte t’i kish parë e kuptuar ata djem fisnikë, që ishin heronjtë e legjendave të vërteta, sepse tani ka vetëm zhapikë që zvarriten dhe kafshojnë në mënyrën e zvarranikëve.

Please follow and like us: