Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Letërsia, ky mallkim i bukur

 

Përse e quaj letërsinë një mallkim? E quaj kështu sepse ajo e ndjek shkrimtarin në çdo hap, si një obsesion, si një fantomë, si një fëmijë herë i bindur, herë i pabindur. Herë-herë, krejt si një dashnore kapriçoze, që më shumë të merr se sa të jep. Ajo të grabit gjumin, lirinë, indipendencën tënde. Duhet ta jetosh atë çdo çast si një jetë paralele, me jetën e përditëshme. Ajo edhe pse duket e thjeshtë: ç’duhet? mjafton një letër dhe një laps për të shkruar. Ajo është si një zonjë e madhe që ka nevoj për salltanet. Për kushte. Jo rastësisht, letërsia, ka qenë përherë privilegj i fisnikëve dhe aristokratëve. Ajo është kapriçoze dhe ta rrëmben shpirtin. Ashtu siç ka nevojë edhe për orë e orë pa fund leximesh. Reflektimesh. Sidomos, punë pa fund me tekstin që po shkruan. Kjo lodhje pa fund, ky mallkim i tmerrshëm,  i fal krijuesit edhe disa kënaqësi të tjera, të çmuara.

Tre janë format e kënaqësisë me të cilat letersia na shpërblen ne shkrimtarëve.

E para është kënaqesia  krijuese.

Ajo është e thellë, e pashpërblyeshme, e mrekullueshme. Dhuron një  gëzim të brendshëm pa skaj. Ekzaltimi shpirtëror, mbushja për brenda, lumturia pa kushte, pa çmim dhe pa të ngjashëm e shkrimtarit kur ndjen se ka shkruar diçka të bukur, është një lumturi, një ngazëllim të cilin nuk ta fal as shpërblimi më i madh ekonomik a marerjal.

E dyta është fitimi i ndonjë honorari nga shitjet e librave. Një kënaqësi kjo, të cilën shkrimtarët si të mirët dhe ato mesatarët, gati kurrë kanë fatin ta shijojnë. Ndoshta shkrimtarët mediokër kanë më shumë fat në këtë drejtim. Por ka raste kur edhe krijuesit e mirë, shkrimtarët me vlerë pra, tek-tuk, lindur nën ndriçimin e një yllësije me fat, mundet edhe ta shijojnë atë. Kjo është një nga arsyet pse shkrimtarët zakonisht janë të trishtë, me humor të prishur, nevrikë dhe shpesh të dëshpëruar. Ndaj, pijanecë, vetmitarë, kontradiktorë, krejt të  çrregullt. Ato, edhe pse janë të  ndërgjegjshëm për lodhjen pa fund, mundohen të gjejnë një ekuilibër të pranueshëm. Për atë që i fal njerëzimit, shkrimtari i mirë nuk paguhet me as një të njëqindën. Veç se duhet bërë dallimi mes shkrimtarit amator, diletant dhe intelektualit profesjonistit.

E treta është admirimi i publikut. Ajo që lexuesi të fal. Suksesi i librit është një nga kënaqësitë estetike më të egra të shkrimit. Ne dëshirojmë të lexohemi. Kjo është një dëshirë krejt natyrale e shkrimtarit. Dëshirë e cila rrallë herë realizohet si ai, shkrimtari pra, dëshiron vërtetë. Po nuk u lexua, libri vdes, qoftë edhe kryevepër. Leximi, për të, është përtëritje, fitim energjie, limfë jete.

Edhe pse libri nuk është më popullor si filmi, gazeta, televizioni apo interneti, prapë ai nuk duhet braktisur, a injoruar. Injorimi i librit, është ekuivalenti i një varfërimi shpirtëror të tejskajshëm.  Njerëzit do të harronin të thelloheshin në arsyetimet e tyre. Do të ishin më të mjerë.

Ky fat plot mallkim, i cili e ndjek shkrimtarin për 10 vjeçarë të tërë, është edhe udha më sublime e intelektit të tij.

 

Të jesh a të bëhesh shkrimtar, nuk varet nga shkrimtari. Ai lind i tillë. Ekzigjenca për të komunikuar, për të thënë gjëra të brendëshme, është njē shtysë natyrale e vetë artistit.

Ta thuash mirë, thjeshtë dhe me sinqeritet, ndershmëri intelektuale diçka. Kjo është e rëndësishme. Ky është edhe misjoni i tij.  Vjen apo nuk vjen bashkë me të  fati ekonomik a ai i publikut, kjo nuk varet, nuk është në dorë të shkrimtarit.

Please follow and like us: