Monika Stafa: Dita ime e parë e shkollës
Ishte viti 1982. Një vit i vështirë politik.
Kisha nisur klasën e parë. Dhe nuk do kisha pranë të dy prindërit e mi. Por kjo nuk më pengoi të ndihesha megjithatë e gëzuar afër shoqeve të mia. Nga fundi i rreshtit ku ime më, më kish lënë më tërhoqi nga dora për të më vënë në krye, një grua me sy jeshilë e një buzëqeshje rrëzëllitëse. Butësia e dorës së saj më paralajmëroi se nuk duhet të shqetësohesha. Do të ishte mësuesja ime e parë, Evrinomi Dhaskali.
Kam shkruar një herë për të por besoj se nuk do ju shkaktoj aspak mërzi nëse shkruaj sërish.
Në klase ra ora 12:00.
Shokët e mi nisën të mblidhnin librat. Edhe mësuesja ime e dashur Nomi, e mbylli fletoren e saj e u ngrit. Unë, si një vogëlushe e sjellshme dhe e papërtuar, duke qenë se rrija në bankën e parë dhe isha më e gjatë nga shoqet e mia, renda befas ta ndihmoja të vishte pardesynë. Ajo me shumë mirësjellje e kishte pranuar ndihmën time.
Po në këtë çast, në anën e fundme të njërës prej dritareve të klasës një rreze dielli kish disa minuta që ma kish prishur qetësinë. Vezullimi i saj kish hyrë plot hare nga dritarja e hapur e atij dielli shtatori, të ëmbël e ledhatar derisa kish mbërritur në anën e bankës ku unë isha ulur. Dukej si një kohë e bukur plazhi dikur kur të dy me babin tim, merrnim udhën me bicikletë drejt detit, në Durrës. Ai e donte shume atë qytet. Dhe prej tij, edhe unë.
Shiko, i thashë shoqes sime, çfarë rreze e bukur. Rrime dhe pak sa të ikë… Jo, jo tha ajo. Më vjen mami të më marrë. Bo, bo, nuk e kam ngrënë bukën që më ka futur në çantë, do më shajë, e filloi të shqetësohej e vogla. Babi vjen më vonë e nuk e sheh. Prit, tha, mos dil sa ta ha tani. Merr dhe ti pak të më ndihmosh dhe ma ngjeshi sa hap e mbyll sytë gjysmën e panines në dorë pa pritur të përgjigjem.
Rrezen e diellit mund ta kundronin vetëm nxënësit e bankës së parë. Të tjerët duhet të shihnin jashtë dritareve, nëpër çatitë e ca shtëpizave afër, për të kuptuar se për çfarë ndriçimi bëhej fjalë. Dhe kjo ndodhte sa herë ora e mësimit ishte në të mbaruar.
Dhe ky ishte momenti më i bukur për mua; pikërisht kur klasa ziente e fillonte të lëvrinte si një trupë amebe. Disa nxënës fillojnë të kërkojnë diçka nëpër libra e ca të tjerë më të kujdesshëm përgatisin stilolapsat apo lapsat me ngjyra. Disa që përdorin ende kallamarët e fundit lahen në bojë, ndërsa dikush tjetër bën gati faqet e para të cdo lënde që i kish shkëputur nga librat për shkak se sipas tij, canta e lodhte dhe nuk mund ta rëndonte veten me një bibliotekë me libra nën sqetull. Sa qeshja me këtë histori!
Shkurt të gjithë po gatiteshin të iknin përveç mësueses që nuk po kuptonte ende se për 5 minuta do të binte zilja e fundit. Në fakt ato, të mirat, gjithmonë të fundit iknin nga klasa. Andaj si rrotulloi njëherë sytë e saj të qetë mbi kokat tona të mërzitura tha; ç’është?
Aty për aty, pllakosi heshtja, një heshtje e madhe. Dikush u detyrua të shtrëngojë mbërtheckën e përparëses; një tjetër përmblodhi këmbët nën vete; një në fund të bankës i ktheu xhepat për së mbari; një bjonde me ca sy të bardhë vuri dorën në gojë dhe e mbaroi gogësimën prapa pëllëmbës; një me flokë të kuqe e futi shpejt e shpejt në xhep simiten e sapohapur për ta vijuar më pas.
Ç’është tha mësuesja për herë të dytë. Por tani s’luante njeri fare. Nuk e di për çfarë arsye të gjithë po vështronin dritaren e çelur nga hynte ajo rreze dielli që prej atij çasti dukej mjaft e gëzuar sikur thoshte se nuk e përfillte aspak disiplinën shkollore.
Ora shënoi 12. Zilja elektrike filloi të bjerë e vetëm atëherë e kuptoi edhe mësuesja se mësimi kishte mbaruar.
Çfarë ndodh pas kësaj?
Klasa e tërë zbrazet për një çast. Vargu i nxënësve që lëshohen teposhtë shkallëve në pikë të vrapit buçet e gjëmon si një rrëke e rrëmbyer që rreshtet e qetësohet vetëm kur ndesh hijen e rëndë të drejtorit. E nga ky moment furia e poterja ulen vetëm për një çast se me t’u larguar ai të gjithë ia nisin prapë vrapit e piskamave me njëri-tjetrin. E porsi një turmë skllevërish të vegjël që fitojnë lirinë në mes atij ajri të lirë e në atë dritë të madhe dielli ecin si të trullosur dhe humbasin nëpër lagjen plot zhurmë, jetë e gjallëri që për ta s’është gjë tjetër veçse një mish-mash udhësh dhe dyqanesh midis të cilave do duhet të gjejmë rrugën e shtëpisë. E midis tyre isha edhe unë.
Kjo ishte dita ime e parë e shkollës.. Po për ju?
Më poshtë ca vargje më erdhën në çast:
….
Dhe ato presin makinën tjetër
Atje në rrugë atje në shi
Ato të urtat gjer në dhembje
Të thjeshtat gjer në madhështi
Tek presin, java që kaloi
Iu kujtohet si në tym
Klasa me nxënësit, gabimet
Q’u përsëritën në hartim
Koha e fejesës i ka ardhur
Dikujt ndoshta i shkon çdo ditë
Pluhur i shkumësit, vello e bardhë
U bie mbi supe e i trondit
Po s’ngrenë ato botën në këmbë
Në komitet në ministri
Ato të urtat gjer në dhembje
Të thjeshtat gjer në madhështi…
Please follow and like us: