Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Romani “Hija” i Ismail Kadaresë

 

Romani “Hija” i Kadaresë, shkruar gjatë periudhës së monizmit dhe depozituar fshehurazi në një bankë në Paris, i përket korpusit të romaneve shkruar nën trysninë e diktatit Hoxha. I përket, ciklit shkrimor të dykuptimësisë, aludimit, thënies së diçkaje për të nënkuptuar tjetër gjë. Është romani i parë, tentativa e parë besoj, kur autori edhe duke marrë parasysh rreziqet, me kurajo, shkon shumë më tutje. Nëse tek “Pallati ëndërrave”, “Përbindëshi”, “Piramida e Keopsit” apo tek tregime të tjera, aludimi, dykuptimësia, metafora e fshehtë, kritika pra ishte më e hollë dhe e koklavitur, filtronte më me kujdes. Tek ky libër, (mbajtur sekret, dhe dërguar jashtë kufijve ilegalisht) ai fillon te flasë dhe të shprehë fare hapur pakënaqësitë ndaj sistemit shtypës. Si të thuash, autori e derdh garuzhden e pezmit të tij, të cilin e ka akumuluar prej dhjetvjeçarësh në shpirt.

Romani rrezaton sinqeritet, gjithashtu është edhe i mirë nga pikëpamja artistike dhe letrare. Denoncimi që Kadare i bën tiranisë komuniste, këtu merr ca ngjyra më të drejtperdrejta, sidomos nga fundi i ngjarjeve të treguara në libër. Por gjithashtu gjatë leximit, perceptohet fare mirë frika, tensioni, kujdesi ekstrem për t’u ruajtur nga spiunët, ankthi se mos përgjohej, liria e kufizuar dhe kujdesi për të mos e tejkaluar lirinë e dhuruar me pikatore nga sistemi.

Personazhi edhe pse gjendet në një mjedis larg telave me gjëmba të kampit socialist; edhe pse gjendet në botën e madhe edhe të lirë, çdo bëmë që ai ndërmerr atje me vullnetin e tij të lirë, çdo takim, çdo aksion, çdo iniciativë, ai e kryen me një frikë të fshehtë. Frika se mos përgjohet nga bashkështetasit e tij atje. Si ato me të cilët udhëton, po ashtu edhe me punonjësit e ambasadës. Gjendemi pra në libër para një situate disi Kafkiane. Veç se nëse tek romanet e Kafkës, ankthi dhe frika nuk gjejnë një shpjegim racional. Nuk kuptohet pse-ja e ankthit ekzistencial, – dhe kjo e bën mesazhin edhe më universal. Tek romani i Kadaresë, dihet zanafilla, burimi i ankthit. Por vetëdija e autorit, nuk e bën aspak shqetësimin më të lehtë. Përgjimi, vigjëlimi që punonjesit e Sigurimit, nëpërmjet ambasadave i bënin shtetasve shqiptarë që dilnin jashtë shtetit, ishte po aq i frikshëm sa edhe brenda territorit kombëtar. I njëjti sistem, që hoqi qafe të arratisur politikë si Kondo a Xhaferri.

Kadare, me këtë libër, sipas meje, shkon akoma edhe më tutje. Ai na rrefen edhe një diagonale, bën dritë edhe mbi një fragment të jetës së tij private, gjatë udhëtimeve që bënte jashtë atdheut. Ngjarjet, më shumë se trillime, kanë shijen e ndodhive të përjetuara vërtetë.

Gjithçka tregohet ndoshta në një formë dhe kontekst akoma edhe më të ekzagjeruar se realiteti vetë. Kadare, duke qenë mjeshtër i tregimit, ai di, i ka pra elementët në dorë, përta bërë historinë sa më interesante. Ndaj, falë talentit, ai i jep ngjarjes gjak, nerva dhe tension dramatik. Si nga ana stilistike, ashtu edhe nga brendia e ngjarjes, ndërsa e lexojmë, përftojmë një ndjesi suksesi, madhështie, fati, por edhe lëvdata thënë në heshtje. Kineasti, më shumë se i dështuar, jep përshtypjen e një të privilegjuari nga sistemi. Gjithçka në libër jepet falë monologut në vetën e parë.

Më ka habitur zhdërvjelltësia dhe mprehtësia e dialogjeve, përqëndrimi që autori i bën ngjarjes, duke fokusuar veç ato elementë, duke zhvilluar pra veç ato situata që atij vërtetë i interesojnë. Për shembull, gjatë udhëtimit në Kanë, autorit, as nuk i intereson fare se ç’u bë atje, se ç’u tha o cilët takoi, por merret me spiralet e garazhdit të cilat i kujtojnë atij rrathët e ferrit.

Çdo kthim në burgun komunist është një mbylljenë sarkofag ku ai ngrin, sterilizohet, mpihet, krejt si një mumje, duke shkuar nga jeta në mosjetë. Nga qënia në mosqënie. Frika, përshtatja hipokrite me nomeklaturën, e tjetërson gjithmonë figurën e personazhit. Ai ditët e para mbaskthimit, ndjehet si i huaj. Krejt i mpirë dhe i trullosur. Çdo kthim për të është një traumë e rëndë. Ai tani, arrin ta shijojë jetën veç atje. Gjatë atyre pak ditëve, orëve, çasteve kur gjendet jashtë shtetit.

Romani, simbas mendimit tim, nuk është nga kryeveprat e autorit, por qëndron denjësisht tek 20 librat më të mirë të mjeshtrit. Sidomos ato të epokës predemokratike. Pra periudha e viteve 60-90. Epokë, kur trysnia e moslirisë, e frikës, e presionit moral, e ideologjisë së helmuar dhe strikte, e shtyu që të krijonte kryevepra si “Pallati i Ëndërrave”, “Pramida e Keopsit”.

Nëse tek cikli i epokës osmane, Kadare na jep panoramën e një Shqipërie anadollake, na jep shpirtin e saj 500 vjeçar oriental. Nëse tek cikli i romaneve bashkëkohorë si “Dimri”, “Koncerti”, “Përbindëshi”, “Gjenerali”, “Kronika”, etj, na jep njeriun shqiptar të kohës së tij. Nëse tek “Prilli”, “Doruntina”, “Kështjella” merret me rrënjët e popullit tonë, legjendat. Tek ky libër Kadare shkon akoma më tutje. Ai merret me ëndrrën e gjymtuar, me dëshirën e zjarrtë për liri dhe emancipim. Me njeriun e mjerë, të lodhur dhe të indoktrinuar, i cili me një hhest plot kurajo, do të çlirohet ngatirania qoftë edhe për disa orë të vetme.

Dëshmi e forcës së njeriut për liri, metaforë rrëzëllitëse e nj ëdëshire për rimëkëmbje, romani na kujton pak mitin e hijeve te Platonit.

Personazhi kryesor, si njeriu i çliruar nga prangat e skllavërisë, i cili pasi del nga shpella sheh më në fund dritën e së vërtetës, edhe kineasti, jashtë shtetit arrin të shohë dritën e lirisë së vërtetë.  Për t’u ngrirë më pas sërish në sarkofagun avion. Ku ai kthehet sërisht, në shpellën e mjerimit, të tiranisë. Si në mitin e Platonit,  ku hijet ishin gënjeshtra, drita e rreme që të burgosurit e shihnin si të vetmen dritë të botës. Në roman, indoktrinimi dhe helmi ideollogjik, luajnë rolin e hijeve mashtruese të cilat e mbajtën peng një popull të tërë, për më shumë se katër dekada.

Libri mund të lexohet edhe si një akt kurioz dhe intelektual mbi njeriun e skllavëruar nën thundër, i cili përjetonte gjithashtu, vetëskizofreninë e tij. Një ambiguitet të mjerë, mes asaj që ndjente; liri dhedemokraci dhe asaj që i duhejtështirej: konform me rregullat komuniste.

 

Please follow and like us: