Albspirit

Media/News/Publishing

Kristo Mërtiri: Qau “kupola” e Përmetit apo qeshi kulla e “Dovletit”?!

Të shtunën në mbrëmje dhe të dielën, celulari im nuk pushoi nga përmetarë në qytetin e Përmetit dhe nga ata që tani punojnë dhe jetojnë në Tiranë e në ndonjë rreth tjetër. Pa llogaritur reagimet në internet, shumica prej tyre sikur po më jepnin me droje e zë protestues një haber trishtues e pse jo revoltues: -Miku ynë i veçantë, ruspat (jo rospitë) po shembin Kupolën e famshme përballë qytetit të trëndafilave! Makutëria nuk paska kufi, ajo nuk fali as simbolin e vetëm gati 40 vjeçar dhe aq të mirënjohur brenda e jashtë vendit, bar-restorantin origjinal që e dashuruan disa breza. Na thuaj, të kemi rixha, mos do fillojë maratona e kullave dhe e betonizimit edhe këtu në këmbë të Dhëmbelit?! Të jem i sinqertë, vërtet u trishtova. Dhe rashë në mendime aspak optimiste. Përmetarët e mi i njoh dhe më njohin mirë qysh nga rinia e hershme. I dua dhe më duan si djalë nga ato vise të shenjta, por edhe si qytetar dhe si gazetar profesionist që themelet i hodhi në atë qytet të bekuar nga Zoti. Mençuria dhe urtësia e tyre gati proverbiale, bujaria, pastërtia, shpirti i bukur artistik e social,miqësia e mirësia pa kushte dhe ruajtja e traditave të pasura shekullore në histori e kulturë përballë hordhive të regjimeve të ndryshme politike etj., janë dhe do të mbeten një model qytetarie e progresi. Ata kanë ditur të mbrojnë me dinjitet e atdhetari të pashoqe gjurmët e përparimit e të zhvillimit, që nga Rilindasit e mëdhenj frashërllinj që bënë Shqipërinë etj. Dhe këtu nuk bëjnë hiç hesape partiake e pushteti dhe as mizërinë me tesera si me 100 flamurë nëpër xhepa e cepa! Për rastin konkret që po shkruaj sot, nuk ka lidhje me nostalgjinë e rëndomtë që mund të çuçurisin disa të marrë e të verbuar nga paraja e pistë. Janë po këta lloj prototipash të Tranzicionit dhimbjeshumë, që dje fërkonin duart përballë ndryshkjes e lëngimit çmendurak të fabrikave, uzinave e kombinateve dhe të nesërmen futën ruspat (jo rospitë), kazmat, varetë  e qysqitë për t’i kthyer në prona private si të dhuruara nga baballarët e liderët politikë të kapitalizmit, nga të djathtë e të majtë. Dhe njerëzit e ndershëm e punëtorë ngelën me gisht në gojë. Djersa shumëvjeçare lumë u vajti për lumë! Nuk shpërtheu kot poeti i shquar përmetar:-Kështu, “mos ardhsh kurrë Demokraci”. Dhe iku në atë botë i mbytur në hidhërim e dëshpërim të pamatë… Sa për Kupolën e famshme, në fund të fundit nuk ishte thjesht diçka simbolike dhe as çiban i padurueshëm që nga monizmi. Dhe as thjesht një kupë e drunjtë (jo ajo e Sul Pitarkës) apo vend vakëf ku hidheshin ca gota qelqi mbi shpinën e njerëzve kur merrnin të ftohtë. Apo dikush me pushtetin vezullues e hipnotizues të parasë realizoi më në fund “një nga 4 llojet e letrave të bixhozit”(?!). Dhe pastaj hedhin a luajnë kupat ! Apo ishte mbushur vërtet kupa (kupola) dhe boll duruan oligarkët e kullave?… Historinë e këtij objekti jo dosido, e kam njohur herët, mbi 35 vjet më parë. Ideator kryesor ishte miku im i vjetër, Stefan Ceku, inxhinier ndërtimi duarartë, serioz, vizionar krijues e pasionant në urbanistikë, i talentuar edhe si drejtues e organizator i palodhur gju më gju me teknikët, muratorët, hekurkthyesit, karpentierët, saldatorët, punëtorët e betonit e ata të ngarkimshkarkimit etj. Jo në zyra komode e plot salltanete, por atje ku derdhej djersë e sakrifica, atje ku merrte udhë ndërtimtaria e vërtetë, atje ku hidhte shtat qyteti e fshati përmetar. E megjithatë, më kujtohet kur ai pohonte prerë: ”-Kupola është vepër e gjirokastritit Ibrahim Emiri”. Por Stefanin e dashur ”sot shqiptaro-amerikan) dhe punën e tij të paqme e kam njohur e respektuar nga afër. Për atë burrë të zotin e me kontribut jo të vogël në Përmet e gjetkë, mbase një ditë do të shkruaj gjatë… Ndërsa fotoja e asaj Kupole simbol, ka vite që udhëton nëpër Ballkan, Europë e Perëndim. E marr me mend se ç’farë hidhësire ka përjetuar dy-tri ditët e fundit projektuesi, arkitekti e zbatuesi Ibrahim! Dhe as kur dëgjonte gjatë Tranzicionit rrumpallë, se Kupola po kalonte dorë më dorë si plaçkë démodé në ekonominë e tregut: Shtet-Privat-Privat me ortak “ndërkombëtar”(?!). Synimi dihej: katandisja në një objekt mëshire dhe jashtë bukurisë së qytetit bukurishumë. Thonë se vetëm kabaja me të qarë e usta Laverit nganjëherë sikur paralajmëronte fundin drithërues e poshtërues të kësaj vepre. Por edhe qiparisat aty pranë, shpesh po pikonin dhimbje në heshtje e pa zë. Sa herë ta shikoje nga supet e Përmetit e mbi gjunjët e Dhëmbelit, të shëmbëllente me një ishull të vogël që përkundej ditë-natë nga valët e Vjosës shekullore, nazemadhe, të sertë e qumështore. Ishte më afër se kushdo dhe ia njihnin mirë gazet, “huqet” dhe marazet njëra-tjetrës. Ato lëndina gjelbërimplota që gdhihen e ngrysen sot e kësaj dite nën korin magjibërës të zogjve (pa marsin e zi e të pazbardhur ende plotësisht të ’97-ës zezonë!), i shijova e u mrekullova para 3 vjetësh, në majin e paharruar në histori. Si dikur në fund të viteve ’70 të shekullit që shkoi. Lapidari i Brigadës së 6 Sulmuese Partizane; varrezat e dashura të Dëshmorëve të kësaj treve lavdimbuluar ku sapo hapet porta të urojnë mirëseardhjen “SHOKËT” plagëhapur e të papërsëritshëm të Skulptorit e përmetarit të madh Odhise Paskali… Dhe në fund, sikur të ftonte natyrshëm qoftë edhe për një kafe a teke raki “Kupola” e paharruar. Ato udhë e lule pranë “lule djemtë e nënave” që falën jetën e tyre për Lirinë e Demokracinë e vërtetë, për Mëmëdheun e për një Botë të Re pa shtypës e të shtypur, unë i kam matur me pëllëmbë qindra herë në heshtje meditimi e reflektimi në fillimet e gazetarisë profesioniste. Por edhe me frymëzim e kënaqësi djaloshare… Kishte të drejtë Edit’h Durham kur shprehej me zemër e publikisht: “…Përmeti me qiparisat e lartë, dushqet e purpurt dhe gjelbërimin e pranverës, m’u duk si një nga vendet më të bukura të botës…”. Ndërsa vjeshta e veçantë përmetare, historikisht pritet e përcillet nga gëzimi i vjeljes së rrushit. Tani, me siguri janë kallajisur e bërë gati kazanët që do të prodhojnë “ujin e bekuar” e të shumëkërkuar brenda e jashtë Shqipërisë. Butet me verë e raki, pasi janë përgatitur disa lloje glikosh e reçelrash erëmira, së shpejti do të marrin një udhë të gjatë… Të kuptohemi mirë. Ai objekt me vlerë nuk ishte një ndërtim “pa leje” dhe as “i palegalizuar”. Ai kishte fituar konkursin gjatë 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Me siguri, këshilltarë e zyrtarë të Administratës lokale e të Qarkut, as që e dinë që është vlerësuar me Çmim të Parë për harmonizimin e arkitekturës me artet e aplikuara! Unë nuk e di se kush e ka vendosur dhe kush ka firmosur e vulosur për shkatërrimin e pamëshirshëm të saj. Por disa pyetje, mendoj se kërkojnë përgjigje e transparencë të plotë para qytetarëve brenda e jashtë Përmetit:

Së pari, me cilin komunitet u konsultuan vallë, kur dhe çfarë u tha konkretisht?

Së dyti, me cilët inxhinierë e specialistë përmetarë të fushës u organizua ndonjë dëgjesë paraprake dhe ç’farë mendimesh dhanë?

Së treti, cilët “profesionistë” kanë realizuar “mbrojtjen” e kësaj shembjeje të çuditshme në mbrëmjen e së shtunës? A është protokolluar argumentimi e ligjërimi i tyre me gojë e me shkrim nëpër organet vendimmarrëse? Jepjani publikut origjinalin e këtij ustallëku zyrtar e hovardar dhe pastaj le të gjykojnë e vlerësojnë realisht pa veprime tinëzare mbi dorë e nën dorë! Shkurt hesapi, qau “Kupola” e Përmetit apo qeshi xhepi dhe kulla e “Dovletit”?! Kur themi “dovleti” (shteti), duam të dimë se deri ku shkojnë metastazat, qederet dhe “nderet shtetërore” me pazare e dallavere erërënda.

Së fundi, kush do u kërkojë minimalisht një ndjesë publike atyre inxhinierëve të vdekur e të gjallë që realizuan atë vepër? Po një grupi piktorësh e skulptorësh në provincë e metropol që nuk u begenisën fare për punimet e tyre etj.? Kush jeni ju, që i fyeni kaq rëndë në varr e mbi varr ?!… Le të sqarohemi pa asnjë ekuivok. Dhe as dua të paragjykoj apriori hotelet me 5 yje apo me 50 yje. Veçse kurrsesi s’duhet të cenojnë identitetin e një qyteti historik. Përndryshe, hajdeni ta shembim me tritol edhe Gurin e Qytetit dhe të ngremë një a dy kulla qiellgërvishtëse e donkishoteske në ballin e rrudhur të qyteti ! Gur që me siguri ka djersitur e lëshuar psherëtima revolte e dëshpërimi të shtunën mbrëma. Se makutëria e Tranzicionit nuk ka pyetur hiç për ligje e tradita, por veç për thasët e fitimit të pamerituar. Dhe “Dovleti” e ka bërë shpesh një sy qorr e një vesh shurdh. “Paraja-maskaraja”, siç thosh dikur një përmetar i mençur e patriot, i bën “trima” e zengjinë edhe më ethebutët abuzues me rrumpallën qeverisëse. Njerëzit e ndershëm trishtohen, irritohen, e rrokullisen nëpër honet humbëtira të dëshpërimit e të mosbesimit te institucionet e shtetit të së Drejtës. Duke mbyllur këtë reagim të detyruar qytetar, shpirtëror e intelektual, parmbrëmë një grup turistësh italianë (ish ushtarakë të thinjur) po këndonin me zë të lartë në sheshin qendror të qytetit. Përballë tyre Monumenti i pavdekshëm i Partizanit fitimtar të Lirisë! Kënduan motive të ndryshme nga Lufta. Kënduan te ai qytet që dikur u dogj e u shkretua 4 herë nga pushtuesit nazifashistë!… Ndërsa në orët e vona të natës, TVSH-ja, çuditërisht po rijepte një intervistë të gjatë me deputeten e Përmetit (sot ministre e Turizmit dhe Mjedisit). Asnjë fjalë për shembjen e atij objekti me vlera. Asnjë prononcim edhe nga Bashkia, sikur ngjarja të ketë ndodhur në Honolulu. Rastësi, ironi, befasi e pakëndshme apo edhe “përurim” i veprimeve të shëmtuara me Kupolën?! O Tempora, o MORES ! (Poshtë gërmadhës së pardjeshme që ende lëshon tym e pluhur, valët e paqme të Vjosës nuk dëgjohen si më parë). Por njerëzia pyet: Po qan “Kupola” e Përmetit apo po qesh e zgërdhihet kulla e “Dovletit”?!…/gazeta sot

https://sot.com.al/opinion-editorial/qau-kupola-e-permetit-apo-qeshi-kulla-e-dovletit–i535856

Please follow and like us: