Peticion kundër Presidentit Putini në Rusi
Një peticion që kërkon dorëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin ka qarkulluar në Rusi që nga e hëna, me dhjetëra politikanë vendas që rrezikojnë dënimet me burg për ta nënshkruar atë.
Peticioni, i nënshkruar fillimisht nga zyrtarë të zgjedhur vendas rusë dhe i publikuar të hënën, përmban një tekst të shkurtër që dënon pushtimin e Putinit në Ukrainë dhe kërkon që ai të largohet.
“Ne, deputetët komunalë të Rusisë, besojmë se veprimet e presidentit Vladimir Putin po dëmtojnë të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të tij. Ne kërkojmë dorëheqjen e Vladimir Putinit nga posti i presidentit të Federatës Ruse”, thuhet në peticion e cila ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale dhe është marrë nga disa media.
Siç vlerëson mediumi në fjalë, është një shfaqje e habitshme e opozitës në një vend ku shtypja e ashpër e Kremlinit ndaj disidencës ka bërë që Putini rrallëherë të sulmohet publikisht.
Që nga fillimi i konfliktit, ata që kritikojnë presidentin rrezikojnë burg për shkak të një ligji që kriminalizon publikimin e “lajmeve të rreme” mbi pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë, konflikti në Ukrainë – ose “operacioni special ushtarak”, siç e quan Moska – nuk po shkon siç ishte planifikuar për Kremlinin.
Kështu, mes pengesave të Moskës dhe sukseseve kundërsulmuese të Ukrainës, ka kritika në rritje midis atyre në Rusi që kundërshtojnë luftën.
Dhe me gjithë rreziqet e të folurit, 84 nënshkrime të tjera i janë shtuar peticionit që nga publikimi i tij.
Ndërkohë, vë në pah Franc24, përpara nisjes së peticionit, disa zyrtarë të zgjedhur nga një qark i Shën Petersburgut – vendlindja e Putinit – kishin shkuar edhe më tej duke i dërguar një letër Dumës më 7 shtator, duke kërkuar që presidenti jo vetëm të largohej nga detyra, por edhe të gjykohej për “tradhti”.
Ksenia Torstrem, një këshilltare bashkiake nga Shën Petersburg dhe një nga zërat kryesorë pas peticionit të 12 shtatorit që kërkonte dorëheqjen e Putinit ka thënë: “Ne donim të shprehnim mbështetjen tonë për miqtë tanë nga Smolninskoye (distrikti i Shën Petersburgut, zyrtarët e zgjedhur të të cilit kërkuan që Vladimir Putin të gjykohej për tradhti)”.
“Ne e admirojmë guximin e tyre dhe na mbetet vetëm të pendohemi për telashet që kanë tani me policinë, e cila i akuzon për diskreditim të forcave të armatosura”.
“Zyrtarët e zgjedhur vendorë u konsultuan me njëri-tjetrin për të gjetur se çfarë mund të bënim për të shprehur solidaritetin tonë. Dhe në kontekstin aktual nuk është e lehtë, pa rrezikuar telashe me autoritetet”.
“Kështu që ne menduam se një peticion ishte mënyra më e sigurt. Në Rusi, nënshkrimi i një peticioni nuk është kundër ligjit”, ka thënë ajo. /Telegrafi/