Petro Mejdi: Kam parë nga afër IRINI PAPA dhe BEKIM FEHMIU
Kam parë nga afër aktorët: IRINI PAPA – ΕΙΡΗΝΗ ΠΑΠΑ dhe BEKIM FEHMIU.–
Sa jam penduar që nuk pata guximin që t’ i qëndroja deri në fund atij vendimi për t’i dhënë dorën aktores Irini Papa! Tani që iku, ky mos guxim, më rëndon më shumë në ndërgjegje.
Prolog
Më pëlqen të besoj se këtë fat, këtë rastësi fatlume, që të shoh në kohë të ndryshme dhe në shtete të ndryshme, ndoshta do të jem nga të paktët. Dhe të doje që ta krijoje këtë mundësi dhe me fantazinë më të marrë, do të ishte shumë e guximshme dhe të mendosh se që të dy jetonin dhe vepronin në Hollivud dhe në dy a tre shtete kapitaliste (Amerika dhe Greqia) dhe revizioniste, (Jugosllavia dhe Kosova), shto dhe mbylljen hermetike të kufijve, kjo ëndërr që në fillim ishte e parealizueshme. Do t’ i rrëfej sipas rradhës kronologjike që kanë ndodhur.
I.
Kam parë dramën “Shtëpia në bulevard ” në të njejtën shfaqje me BEKIM FEHMIUN.
Ishte pranverë, ndoshta muaji prill i vitit të largët 1972. Ndodhesha në Gjirokastër i ftuar nga komiteti i Rinisë në një takim letrarësh të rinj. Kurrë nuk mund ta mendoja se ato poezi të shkruara në blloqe nga ato të magazinës (depos) së Skoresë, do të më fshihnin një nga ngjarjet më të bukura për mua. Qe mbasdite herët, ecja në rrugët e qytetit dhe disa herë në ato kthesat e papritura të rrugicave të Qafës së Pazarit më dilte përpara i njëjti grup njerëzish, të cilët herë me ecje të nxituar dhe herë të ndalur në mes të rrugicës dëgjonin dikë që u tregonte për qytetin. Më i vëmendshëm tregohej një burrë, të cilin të tjerët gati e kishin vënë në mes. E pashë mirë grupin. Njoha disa nga gjirokastritët që ishin në grup. Njeri më tërhoqi vëmendjen vetëm për favoriritet më të gjata e më të gjëra dhe xhaketa e çarë, krejt ndryshe nga e të tjerëve. Ndonjë markist – leninist, mendova.
Ashtu si unë qëndronin dhe të tjerë. Të fshehtën e atij grupi, që me sa dukej e njihnin me qytetin, e zbuloi dikush që u shkëput nga ata dhe një kalimtar që e njihte diçka e pyeti. -Është aktori i madh i Hollivudit, Bekim Fehmiu. Të gjithë hodhëm vështrimin nga burri më shtatshkurtër në atë grup dhe e njohëm, ishte Odiseja.
Ata morën të përpjetën e rrugicës që të çonte në kala.
Takimi i letrarëve do të zhvillohej në një sallë të Pallatit të Kulturës. Sapo kalova kafenenë poshtë rrapit, e gjuetarëve, i thoshnin në Gjirokastër, në fillim të rrugës për në pallat, në një të përpjetë, më tërhoqi vëmendjen reklama e një shfaqjeje teatri. Atë mbrëmje teatri i qytetit shfaqte “Shtëpia në bulevard”, dramë e Fadil Paçramit. Nuk kisha parë teatër në skenë. Shkova dhe preva biletë.
Shfaqja po vononte pak. Për një çast të gjithë spektatorët, thuajse të gjithë, kthyen kokën nga lozha. Disa, pyetën pak të habitur: Pse kthejnë kokën andej? -Ndoshta ka ardhur në teatër ndonjë i madh, tha dikush me zë të ulët. -Shfaqjen do ta shohë dhe aktori i madh kosovar Bekim Fehmiu, ndërhyri dikush dhe i tha këto fjalë me një krenari të dukshme, ngaqë ishte ai që na zgjodhi enigmën. Ja, sa me fat që isha, u ndodha në Gjirokastër në një ditë që më fali dy kujtime që kanë lidhje me artin: së pari isha në një shfaqje në të cilën ishte dhe Bekim Fehmiu. Me siguri që ajo shfaqje ishte dhënë për të nderuar aktorin e madh dhe së dyti, pata fatin të shoh “Shtëpia në bulevard” të Fadil Paçramit, e cila pas disa muajsh u ndalua, pasi Pleniumi i Katërt dënoi vetë autorin e saj. Nga ajo shfaqje nuk më harrohet interpretimi i Piro Qiqit në rolin e vagabondit. Në dalje pashë që atë e kishte ndjekur dhe Thoma Naka, shoku im i fëminisë në Skore, një djalë që e donte teatrin, që luante në teatër. Ai kishte ardhur nga Libohova, ku ishte nxënës.
Në një intervistë në gazetën “Drita” Bekim Fehmiu tha se i kishte pëlqyer shumë shfaqja në Gjirokaastër dhe se kjo dramë mund të kthehej në një skenar filmi.
II.
Salutova nga fare pranë aktoren e famshme greke Irini Papa -Ειρήνη Παπά.
E mbaj mënd mirë. Ishte një pasdite e vonë gushti. E dhe pse dita ishte thyer, vapa dhe lagështia ishin të padurueshme në brigjet e Egjeut, ujërat e të cilit lagin limanin e Rafinës. Po nxitoja që të hyja në vaporin që sa po kishte ankoruar, i ardhur nga Mikonos, ishulli më kozmopolit grek. Në platformën e betontë po ecte e vetme, pasagjerët e tjerë kishin kapërcyer hyrjen e limanit, me hap pak të nxituar, një grua shtatlartë dhe e brishtë. E veshur thjeshtë dhe bukur. Flokët e zinj dallonin që larg të cilët bënin kontrast me këmishën dhe pantallonat e bardha. Kishte hedhur në supe një çantë grash, në të njejtën ngjyrë më rrobat që kishte veshur. Sa po u gjendem paralel e njoha. Penelopa, thashë me vete. Ktheva trupin në atë pozicion qe të marrë një kthesë të shkurtër majtas që të shkoj ta takoj. Thjesht, t’ i jepja dorën. Nuk e di se ç’mendim i brendeshëm, nga ato mendime, që lindin pa pritur nga subkoshienca jonë, i cili më bëri të stepem. Ndoshta më stepën llotot që mbaja në dorë dhe çanta blu e OPAP-it. Ndoshta do të mendonte se i afrohem që të marrë lloto. Mendova se kjo do të ishte një ofendim për aktoren e madhe. Me siguri që kjo më stepi që të bëj përpara. Ajo e kuptoi dhe buzeqeshi. E dhe unë i buzeqesha, e salutova duke përkulur trupin dhe kokën lehtas, ashtu siç bëjmë në ato raste kur duam të përshendesim nga larg dikë. E pershendeta dhe me dorë. Edhe ajo me përshëndeti në të njëjtën mënyrë. E shoqërova me sy deri sa humbi aty pranë kthesës së limanit. Trupi i saj të krijonte përshtypjen se luante ende basket. Atë pasdite m’ u kujtuan shumë filma të saj, të huaj dhe grekë. Ne të gjitha rolet është e mrekullueshme, e madhe. Por mua atë pasdite gushti me ngjau sikur pashë Penelopën. Penelopa është ndoshta roli i saj i vetëm ku ajo nuk ka bërë thuajse asgjë nga ato ndërhyrjet që bëjnë grimiorët me aktoret para se të hyjnë në fushën e xhirimit. Ajo kishte lindur për këtë rol. Ashtu si dhe partneri i saj shqiptar Bekim Fehmiu. Një rastësi tjetër e bukur kjo. Kush tjetër më shumë se një aktore greke, i takonte që të luante mitologjinë e popullit të saj dhe një aktori shqiptar në rolin e Odisesë, të një aktori, i cili i takonte një populli, që është fqinji mijëravjeçar i grekëve?
Ndoshta ai film më ka lënë më shumë mbresa, nga që luante në krah të Bekim Femiut. Dhe ja se si rastësia e sjell që të plotësohet pazlli. Pazëll quaj faktin që më rastisi në jetë, në diapazon kohe prej disa dekadash, të shoh nga afër të dy protagonistët e filmit serial “Odisea”. Ndodhën në vitin e larget 1972 në Gjirokastër dhe pas katër dekadash në limanin e Rafinës, pra i kam parë secilin në Atdheun e vet.
Epilog
Dhe isha një djalë 18 vjeçar që kisha zbritur nga Zagoria në Gjirokastër dhe isha 37 vjeçar kur u hapën kufinjtë . Të dy këto çaste përjetësojnë dy nga kujtimet artistike më të mëdha të jetës sime.
Më thoni, a nuk isha fatlum në këto dy rastësi. Ndoshta, edhe kështu, siç ndodhën këto takime, kam të drejtën që të krenohem.
Please follow and like us: