Albspirit

Media/News/Publishing

Petro Mejdi: Pesëdhjetë vjetori i një cikli poetik

Zeqir Cama, Fushëbardhë, Gjirokastër, 1949.
Një cikël i botuar në gazetën “Zëri i Rinisë “, e shtunë , 9 dhjetor 1972.
7 poezi
Kemi sjellë gjithë ciklin në formën e fotografisë dhe 3 prej tyre dhe si tekst.
(student i shkollave ushtarake dhe i filologjisë, oficer, gazetar, publicist , autor i letërsisë dokumentare).
Vëllimi i parë poetik “Shigje të gurta” , 1972 dhe “Netë aerodromesh”, 1973.
Çmimi i tretë në konkursin e shpallur në kuadrin e 30 vjetorit të Ushtrisë.
“Shkallët e Labërisë”, 1977.
Ajo që vihet re në këto poezi të Camës, është fakti, se poeti i është larguar disi dhe temës së preferuar dhe fjalorit poetik të veçantë të poetëve ushtarakë. Bie në sy fakti, që Zeqir Cama, u parapriu ngjarjeve që pasuan pas një viti, qëndrimit ndaj shfaqjeve ekstravagande të manifestuara tek disa të rinj, si dhe qëndrimit kritik ndaj të metave të tij si i ri. Bie në sy romantizmi dhe qëndrimi kritik ndaj disa qëndrimeve dhe shfaqjeve të bashkëmoshatarëve të tij kryeqytetas, të atyre të rinjve, për të cilët Kadare ka një karakterizim të bukur “kohabjerrës”. Dhe djaloshi i rritur në fshatin shqiptar të kohës, nuk i honeps këta tipa, që veç të tjerash, janë dhe parazitë, se rrojnë me djersën e prindërve dhe në kuriz të të gjithë shoqërisë. Këto poezi reflejtojnë më së miri klimën e kohës, gjë që tregon se poeti i ri ishte shumë vëzhgues ndaj realitetit. Poeti është kritik ndaj fenomeneve negative të shoqërisë së kohës. Autori, në mënyrë poetike, sjell aspekte të jetës së rinisë, të qëndrimit të saj ndaj traditës dhe etikës, ai stigmatizon miqësitë dhe favoret në dëm të vlerave të vërteta.
PEIZAZH NGA FUSHËBARDHA —
Nëpër kopshte pikon hëna
Nga qielli si hoje mjalti
Një kaminë digjet përbrënda
Tek një trung i prerë rrapi.
Në tri kodra galeritë
Ngjajnë me tyta kundërajrore
Tek një shesh lëpihen dhitë
Në dyzetë e ca kripore.
Zogjtë cijasin nëpër shelgje
( Dimri i shkuar nuk i trëmbi)
Ujët si kristale qelqi
Rrjedh që poshtë nga rrez’e shkëmbit
Larg çobanët ndezin zjarre
Vjeshtë e parë e djegin barin
Dhe ndonjë qeflli i marrë.
Me dy gryka qan longarin.
S’jam piktor dhe s’di t’i kap
Të gjitha ngjyrat që ka fshati
Më ngjan dhe vetja këtë natë
Sa një grimcë e këtij peizazhi.
PËR CA DJEM
S’ju shohim dot duke zënë prita
Të ndalni vajza pa i njohur .
Nëpër stacione a rrugica
Premtoni dashuri të modës.
S’ju shohim dot pranë kinemasë
Me një biletë rezervë në xhep
Duke përgjuar ndonjë vajzë
T’i thoni : – Mos kërkon biletë?…
S’ju shohim dot , s’ju shohim dot
Në bar- lulishte a nëpër parqe
Tek vrisni mëndjen kot më kot
Për dashurira me citate.
MOS IA PËRBUZNI TALENTIN–
Hapni rrugën, asaj , hapni rrugën
Nga asnjë s’kërkoi mëshirë
Ajo është më e mira në skenë
Dhe në shoqe është vajza më.e mirë
Por për të zgjati gjuhën.dikush
Kur ajo kthehej nga provat e shfaqjes
Dhe lakohet emri i saj nëpër rrugë
Kaq ashpër gjer në zyrat e lagjes .
Mos ia përbuzni talentin kështu
Dhe për të mos flisni kaq rëndë
Si dallgë brigjet e skenës
Godet shpirti i saj për këngë.
Hapni rrugën, asaj, hapni rrugën
Tani që.është artiste pa zë
Të bëhet këngëtare e dëgjuar
Më shumë të duartrokasim për të.
Please follow and like us: