Agim Shehu: DY ORË ME ALI ASLLANIN
Qeveritë që bënë ç’bënë erdhën e ikën; atij as i bënë, dhe ai as u bëri zhurmë. I adhuruari i veçantë i tij, Naimi shkroi për Shqipërinë “Përsipër lulez e gjethe, brënda argjënd e flori”. Në ka Shqipëria shumë thesare, Ali Asllani shtoi edhe një nga vetja, poezinë e tij. Për këtë thesar shpirtëror të veçantë ai tha që e gjitha u takon të gjithëve. Dikur Konsull shteti përkohësisht, sot ‘konsull’ i vargut elegant përjetësisht.
Në fillim të dashurisë i thashë sime shoqeje se ke emër shumë të bukur, prerë nga legjenda hyjnore e zanave në mitologji. Harmonizon me ‘agimin…’! Më tha me gëzim të çiltër e disi krenare: “Ma ka vënë poeti i hollë lirik, njeriu ynë Ali Asllani…” Biseda vazhdoi gjatë dhe e bukur nga jeta e tij të cilën e dashura ime e mbante të gjallë në kujtesë.
Po shkonim nga Gjinokastra ku ishim mësues, në Tiranë. “Të mos harrojmë, do vemi sadopak dhe te Ali Asllani, – më tha ime shoqe; – më ka marrë malli shumë për të dhe i detyrohem shumë si Zanë dhe si familje Kokoshare. E ka konakun te kinema ’17 Nëntori’, ku më vdiq dhe im atë.” Heshti pak e shtoi me pikëllimë shpirti: “Ai poet i rrallë – mik i Ismail Qemalit, autor i këngës aq të bukur ‘Vlora, Vlora…’ që rrëmbeu zemrat e të gjithëve, sot jeton në varfëri të vetmuar… Kam dhe dhimbje ta shoh ashtu…”.
Trokitëm e hymë ngadalë si te një tempull në konakun e tij. Një grua me lëvizje të përmbajtura tërë mirësi na drejtoi brënda. Ishte e shoqja, Qanieja. Në tërë fytyrën e saj kish një mirësi të butë përpunuar nga mundime e fatkeqësi. Rudhat e holla e bënin më të dhëmshur (nëpër ato rudha kish përcjellur në botën tjetër të birin që vdiq në varfëri nga tuberkulozi pasi s’kishin mundësi për mjekimet e duhura). Na përqafoi të dyve. Zanën e mbajti gjatë, thua nuk i mbaronte dot tërë ato fjalë dashurie me kujtimet që kish në zemër për të.
I shoqi tanimë i moshuar u ngrit lehtë, tërë mirësjellje fisnike, Përqëndroi vështrimin të na njihte. Mua më kaloi lehtë, si të panjohur. Sytë i ndali te ime shoqe të cilën ende s’po e njihte saktë. “Jam Zana, Zana Kokoshi…” iu drejtua ajo dhe e përqafoi duke u përlotur mbi të. Ai mbeti i hutuar si te legjenda e rinjohjes. “Zana…Zana ime…” foli ai tepër i prekur dhe po e përqafonte duke mërmëritur rrokje fjalësh të pakuptueshme.
U ulëm. U njohëm dhe bashkë e nisëm bisedë më shtruar. Në ballë të dhomës po vështroja fotografitë e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, me nga një tufë trëndeline të verdhë ngjyrë ari mbi krye secila. U lidh me vështrimin tim tërë kureshtje, shikoi dhe ai nga dy Idhujt e tij e foli si me vete: “Burra të tillë…kush e di sa kohë do t’i duhet Shqipërisë që t’i rilindë! E Shqipëria, sidomos sot ka aq nevojë për ta!..” Heshti pak, thua gjykoi fjalët që sapo foli, pastaj shtoi me një kënaqësi krenarie të çiltër: “Trëndelina është nga Kanina e Ismail Bej Vlorës…” “Po Skënderbeu…” fola unë. Ma kapi pyetjen e vazhdoi: “Skënderbeut ia çoi pajë e shoqja nga Kanina, Donika, dhe Ai e pranoi…Në Kuvëndin e Lezhës, nga tërë kapedanët e Atdheut i pari i vajti i ati i Donikës, Gjergj Arianiti…Dhe kush qe Gjergj Arianiti!..E ke lexuar Babingerin?!” Heshta për ta dëgjuar më mirë, se ndoshta nuk do më jepej rast tjetër…Pastaj e pyeta: “Është thënë dhe në shkrime, e keni njohur nga afër Ismail Qemalin, keni qarë dhe halle Shqipërie me të…”. Më pa në sy, pastaj uli kokën e po bisedonte me kujtimet e tij, cilën të tregonte. Unë heshta tërë kureshtje. Ai ngriti butësisht sytë nga unë dhe tha me zë të ulët: “Me Të jemi njohur nga afër dhe si shqiptarë dhe si vlonjatë…Kam shumë kujtime, por më mbetet e paharrueshme, që dhe në varr do më rrijë gjallë. U kthye nga Londra ku bisedoi me Grein, që mos të na e coptonin Shqipërinë. Por Grej me të tjerët e Europës panë hallin e tyre. Atdheun na e lanë një pëllëmbë, prerë nga çdo anë. Ismail Beu u kthye në Vlorë, u takuam dhe bashkë. E dinte se ç’do ta pyesja, dhe s’kish zemër të ma thoshte. Nuk e kisha parë kurrë aq të tronditur, të zbehtë e të heshtur! Pastaj foli me gjysëm zëri si të bisedonte me veten: “Atë që Turqia s’na e bëri në 5 shekuj Europa na e bëri në 5 muaj!…” Ra përsëri në heshtje si të qe bronz! Pas pak ngriti kokën e tha më gjallërisht: “Sidoqoftë, e bëmë një Shqipëri sado të vogël. Fëmijët tanë që vinë do dinë t’i kërkojnë arat e babait…”! Aty vuri lehtë buzën në gaz e bronzi u kthye prapë në njeri. Më tej shtoi me një zemërim të përmbajtur: “Në politikën tonë ne do bëhemi me të gjithë ata që janë kundër grabitësve të trojeve tona, sllavëve dhe grekëve…”. E dëgjoja e po më ndrinin sytë nga një shkëlqim drite që buronte prej tij. Befas u kthye nga ime shoqe:
“Se të harruam! Si të kam, floriri im?! Ismail Beu e çmonte shumë xhaxhain tënd, të ndjerin Qazim. Atë e caktoi përfaqësues të tij në Memorandumin e Gërçës. Në Deklaratën e Pavarësisë jo rastësisht hodhi firmën krah Ismail Beut…” “Ia kanë shuar emrin” foli me gjysëm zëri ime shoqe. “Pema kur krasitet bëhet më e shëndoshë” shtoi ai duke vënë buzën në gaz. Zanës i qe bërë fytyra krejt e purpurt, pa gjetur dot fjalë të saktë t’i përgjigjej më tej. Ai vazhdoi me një mirësi të ëmbël si prej perëndie: “Nuk e harroj, kur ishe në Pedagogjike këtu, vija të merrja çdo të shtunë e të ktheja të dielën. Në orën e caktuar ty të gjeja te vëndi para portës ku më prisje. Sa më shihje turreshe më hidheshe në qafë e të mirrja për dore si një keçe Vlore…” E shihja me adhurim se si tërë fytyrën ia mbulonte një gëzim i brendshëm gati si prej fëmie. Befas kaloi në pyetje tjetër: “Si kalon tani”? “Shumë mirë – iu përgjigj ime shoqe, – kam dy binjakë të vegjël, m’i mban në prehër vjehra, një nënë labe e rrallë…” Atij iu mbush fytyra me dritë, e vështroi Zanën me sy të qeshur si ta ledhatonte, e foli si nga thellësia e vetes së tij: “..Keçe Vlore kryeneçe/ që hutoje një krahinë…” Heshti me sy të qeshur mbi të duke menduar vazhdimin e vargjeve e shtoi: “…Sot si nuse 20 vjeçe/ po e mbush me zogj shtëpinë…”. La përshtypjen se u gëzua që e gjeti saktë e bukur dhe të dy të qeshur po shiheshin gëzueshëm në sy sikur njiheshin për herë të parë.
I thashë se e adhuroja poezinë e tij. Veçanërisht ‘poemën ‘Hanko Halla’ nuk e ndaja nga dora! I thashë dhe për poezinë që e kishim në 7-vjeçare: “Sikurse kismeti të më pyeste mua – ‘ti, o bir, çfarë do?’. Ku di unë i ziu çfarë t’i thoshja ‘dua’ …” Ai buzëqeshi lehtë dhe nuk e vazhdoi bisedën për veten e tij. Më tej më tha se kish lexuar ndonjë vjershë timen…e i pëlqente mënyra shqiptare e vargut me mendim shqiptar…Naimin e De Radën, shtoi, ta kisha Bibël e Kuran!…
Erdhi koha e i bëra shenjë Zanës të ngriheshim. Ai më vuri re dhe tha i pakënaqur: “Vlonjatët e kanë fyerje të ikij miku në kohë dreke…” “Unë s’jam mik, jam familje, zoti Ali” i tha duke qeshur ime shoqe. “Aq më mirë – ia ktheu menjëherë ai, – si familje nuk na vjen turp se ç’do shtrojmë. Makarona kemi…” Ime shoqe më pa si e zënë ngushtë…Zonja e shtëpisë solli tri pjata me makarona. Sipër kishin dhe ca thërrime mishi me salcë. “Aliu këtë ha gjithmonë” foli ajo duke na vënë dhe tri gota uji e nga një pecetë përpara.
“Na bëftë mirë”, foli Ali Asllani dhe në fillim trazoi me pirun makaronat. Një fije e gjatë doli te buza e pjatës dhe gjysma e fillit i ra në tavolinë. Me dorën që disi i dridhej nga mosha, Poeti e mori me majë piruni dhe e futi brënda te shoqet. Vështroi nga ne për lëvizjen që bëri dhe buzëqeshi lehtë. Ime shoqi hodhi pak sytë nga unë, të kuptonte se ç’përshtypje më kish bërë ajo lëvizje kursimi te buka e thjeshtë! S’i dhashë asnjë shenjë…Në fund zonja e shtëpisë na dha nga një gotë dhallë të hollë që vetëm ngjyrën kish të ndryshme nga ujët. “Gjak e dhjamë – foli në fund ritin e zakontë poeti, e për të përligjur varfërinë e drekës, shtoi: “Mjekët thonë se ushqimi i pakët ta mban të lehtë trupin. Dhjamosja është mëma e sëmundjeve…” Qeshi përsëri tërë mirësi. Thamë fjalët e fundit e u ngritëm. “Më eja nganjëherë se më gëzon zemrën – i tha sime shoqeje. – Kam nevojë të më vish…Më tha Perëndia që të vura emrin! E mbase jetën e kalon gjer në fund si Zanë. Kima kujdes – më tha mua në fund si me zë lutjeje. Do të ta shpërblejë Perëndia se është vajzë Perëndie”. U përqafua me të i përlotur, e u ndamë. Doli te dera e sytë i mbante nga Zana, si nga një pëllumb që i largohej e nuk do tatakonte më kurrë…
E pashë pas ca kohe në një takim shkrimtarësh me Udhëheqësin e kohës. Diku në cep, krejt i harruar rrinte Ali Asllani. Me kokën disi ulur anash te karrigia e tij ngjante me De Radën. Një statujë pa piedestal, në opozitë të heshtur fisnike me presidiumet mbushur shkrimtarë të rëndomtë. Asgjë të përbashkët me mbiemrin rebelues të tij ‘Asllani’, s’kishte ndënjia e tij si një dele e butë Vlore. Gati i zhvendosur nga koha ku jetonte, rrinte strehuar në të djeshmen e tij. Mbante një asnjanësi sovrane. Pa pasur asnjë përkrahje shteti, ai qe nënshtetas i mbretërisë së lirikës. Në një ‘Antologji’ të dytë disi ilegale të pashpallur, në shpirtin e lexuesve Ali Asllani rrinte në fronin e vet.
Shtëpia Botuese në një përmbledhje të vonë i qethi lirikën më të brishtë e më të shpenguar. Blerimin natyror të lëndinave të lira ia kthenin në ‘parcela buke’ e fijet e holla të barit ia kthenin në koçanë misri kooperativash! Ai e kuptoi dhe e pranoi si demokrat ripërtëritjen e njerëzimit nga poshtë-lart. Në trazirat sociale ku klima e re e pranverës, veç luleve aktivizon dhe mikrobet, vëren saktë dhe e shkruan poezi se shekulli titan “i atomit llahtari, o njerinë e bën shejtan, o shejtanë e bën njeri”.
Në çdo qelizë sidoqoftë ai është vlonjat. Kjo është në nderin e tij dhe në nderin e Vlorës që lindi një poet të tillë. Megjithatë materia ‘Vlorë’ tek ai nuk është e qepur në kostumin lokal por e plazmuar në gjakun kombëtar të Vlorës. Dikush i kufizoi vlerën duke ia frenuar atë, gati duke e qortuar – pse poeti ‘nuk u angazhua në analizat klasore të shoqërisë’!..Njëlloj si të qortosh natyrën, pse luleshqerrën s’e bëri girricë! Ali Asllani është poet i bukur ngaqë është ai që është. Me intimen e brishtë e të çiltër në poezi ai tregoi se ka një motiv më shumë për ta dashur Atdheun, pikërisht se është njeri. Se ka pse jeton dhe po ashtu ka se ç’humbet po të humbë Shqipëria. Te kjo dashuri brënda një shpirti të bardhë janë rrënjët natyrore të flijimit për Atdheun. Gëzimi i njeriut është tregues që organizmi i shoqërisë ecën mirë. Nëpërmjet dashurisë njeriu i shpall botës se duhet jetuar.
Një njeriu të tillë s’i shpëtoi nga syri as drama e kombit, pavarësisht se këtë ai e shprehu në përmasat dhe ngjyrat e shpirtit të tij. Ai gjykon dhimbshëm si biri me nënën tok me Shqipërinë e ndarë copa-copa nga Fuqitë e Mëdha: “Nga të vemi, ku të vemi një kafshatë e vogël jemi”…I rrotullon vargje të tilla brënda vetes sate dhe të duken as vaj as këngë për Shqipërinë! Ose, të dyja bashkë ku kufijtë mes vajit dhe këngës janë të shkrira te njera tjetra, e andej del kënga-vaj e shqiptarit: “S’ia dal dot me të qarë po me të kënduar”….
E bukura për të e ka vlerën kur ajo është dhe e shtrenjtë. Blerimi është i hijshëm jo vetëm pse është fije bari e lule, por se është ‘Shqipëri’. Për të vajza është magji poezie kur ajo është shqiptare. Kështu e thotë: “Lum kush i ka parë vajzat e arbëreshit, kur si dallëndyshet rrafsh i ulen sheshit” (të kujton një këngë popullore arbëreshe: “I thotë nëna djalit tire/: ‘merr t’arbreshe, jo lëtire (latine)’!
Një poet i huaj shkruan se të bësh poezi do të thotë të vësh fjalën e duhur në vendin e duhur. Më shpjeguese do të thotë, të harmonizosh ekonominë e mendimit me tingujt e vargut. Poet i lindur si me marrëveshjen e metaforave dhe tingujt e rimave, Ali Asllani është sa sovran fisnik aq dhe nikoqir i tyre. Nuk i përdhunon fjalët, s’i thyen ato që t’i futë ashpër në poezi. Ashtu si fitimtari mbi një akt të fituar, shpesh mendimin në poezi e përcjell me një humor të hollë që rrjedh si valë e hollë deti ngritur lehtë nga era. Vajza u puth diku në tokë. Poeti ia merr në mbrojtje hutimin me një finesë si nga qielli, përzier kjo si me një ‘ngushëllim’ hyjnor: “Hënë e ngrënë bëhet prapë”. Poezi ku përfytyrimin ta kthejnë në partiturë. I lidhur fort me traditën, ai në të njejtën kohë është me të renë. Harmoninë e traditës me të renë e shihte si harmoni të shtizës së flamurit me flamurin. Kjo duket më qartë te poema humoristike ‘Hanko Halla’, një vjershërim i ëmbël Vlore i thënë si me një frymë.
Më së fundi, siç thotë De Rada, Poeti i vërtetë është profet. Ai qe njeri tepër i ndershëm. Shoqëria shqiptare kish lënguar mbi 4 shekuj nën shtypjen osmane dhe shpesh njerëzit kishin pësuar shprishje karakteri. Shqipëria qe ende në vitet e rimëkëmbjes si shtet. Në detyrat që i caktoi së pari Ismail Bej Qemali, ai i vuri re shfaqje të pista njerëzish që mendonin më shumë për xhepin e tyre. Ai nuk pajtohej me to, sidomos kur shihte më shumë maska hajduti se fytyra njeriu. Nga kjo shkroi vargje të çiltra e tronditëse duke ua hedhur si baltë fytyrës që t’i njihte qartë populli, sidomos kur do t’i votonte: “Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe/ gjersa populli bujar ju përgjigjet lepe-peqe!” Më tej shton po aq mprehtë e bukur. “…Të pabrekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka”…
Shqiptar me gjak shqiptari ai hymnizon virtytin. Këtë gjykim poezia e tij e ngrë lart, gjer te drejtuesit e shtetit që të kenë kujdes se kë ledhatojnë e kë ndihmojnë! Ai është me mendimin e latinëve se ‘të privilegjuarit puthadorë janë gurë diamanti në kurorën e tiranëve’. Këtë mësim e bie te vëndi i tij me vargjet-fjalurta: “Kur nderohet një i lig, është i miri në rrezik”. Megjithatë ai kish besim në vitalitetin e kombit shqiptar e të vetë shqiptarit. Për këtë e kapërcen trishtimin e çastit kur pohon: “Ju më thoni si të doni, por e drejta dërmon hekur”.
Mbi të gjitha gjykimet poetike të tij, mendoj se është thënia me vlerë kombëtare dhe universale: “Koha është e maskarenjve, por Atdheu – i shqiptarëve”.
Janë poezi ‘të djeshme’ të tij të thëna saktë dhe për sot, e kjo dëshmon se Ali Asllani është dhe poet dhe profet. Të tilla, sot meritojnë të jenë të shkruara në ballë të Kuvëndit të deputetëve e në krye të kabineteve. Kurse vetë Poeti, martir në natyrën e vet, e mbylli jetën me pjatën e kursyer të makaronave para tij.
I rilexoj, e mendoj se për periudhën e tyre lirika shqiptare mbetet në kulmin e bukurisë te treshja “Ali Asllani – Lasgush Poradeci – Sejfulla Malëshova”. Bashkë, të kujtojnë tre yjzit e vegjël mbi një poezi lirike.