Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Goliku: Trafikim (i)legal i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe

Deri kur do të përdoret fjala “parlament” në vend të fjalës shqipe kushtetuese Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ose Kuvendi i Republikës së Kosovës?
Në Kuvendin e Republikës deputetët flasin vetëm për “parlament”. Pra, po ta përkthenim nga italishtja (se në kohën e pushtimit fashist organi më i lartë ligjvënës (sic!) në Tiranë quhej parlament), do ta quajmë: vendi ku flasin ose llapin.
Është normale kur përdorim në përgjithësi termat ndërkombëtarë parlament – parlamentar – parlamentarizëm, por kur flasim ose shkruajmë konkretisht për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës duhet të kemi parasysh kushtetutat e dy shteteve shqiptare.
Drejtues shteti, partish, institucionesh, deputetë (me shkollë ose pa shkollë) në ligjëratat e tyre brenda në Kuvend, para turmave, në mediat elektronike e të shkruara përdorin fjalën “lider” për drejtues ose kreu, ose udhëheqës.
Në gjuhën shqipe, pas krijimit të shtetit modern shqiptar, në terminologjinë administrative, juridike, shkencore, ushtarake etj. kanë hyrë terma të shumtë si rrjedhimi i krijimit e funksionimit të institucionevetë reja politike, ekonomike, shoqërore etj., po dhe të objekteve te reja të teknikave e teknologjive bashkëkohore. Për shembull, fjala projekt tashmë ka zënë vend prej vitesh në shumë fusha të shtetit e të shoqërisë sonë. Por befas, dikush futi në tekstet e legjislacionit fjalën “draft”, e cila është e barasvlershme, në të gjithë foletë e saj, me fjalën projekt. Sa i padobishëm aq dhe i pakuptimtë është përdorimi i fjalëve të njëjta, kur ngatërohemi me këmbët tona, kur flasim e shkruajmë për draft projektligji, pra projekti i projektligjit.
Në shtyp, duke diskutuar për ndarjen e re administrative të Republikës së Shqipërisë po përdoret rëndom fjala “rajon”. Më parë kemi pasur fjalët rreth e qark dhe tash qark, bashki e komunë. Përse duhet të futet në përdorim e të miratohet qorazi nga Kuvendi në ligj fjala rajon? Dihet se dhe më parë, kur po diskutohej projekti i Kushtetutës së sotme, ishte synuar të futej kjo fjalë, por së fundi u miratua fjala shqipe qark.
Tash po shkojmë drejt pastrimit logjik e pasurimit të shqipes, apo po ecim si gaforrja nga padija apo të nxitur nga snobizmi?
A ka redaktor gjuhësor në administratën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrisë, pa përmendur ministritë, të cilat hartojnë projektligjet dhe akte të tjera nënligjore? Kjo pyetje e ka përgjigjen brenda, për derisa në aktet depërtojnë legalisht fjalë të huaja edhe kur ato i kemi në shqip, pa harruar këtu gabimet drejtshkrimore e gjuhësore.
Në faqet e shtypit e të mediave elektronike po lexojmë e po dëgjojmë se po përurohen “pedonale” në Tiranë, Shkodër, Durrës, Berat… Ai që e shkroi së pari këtë fjalë (dhe gazetarët e shumëfishuan), me siguri nuk e di se në shqip i thonë këmbësore ose shëtitore, ashtu si “lungomare” mund të thuhet shqip buzëdetëse ose anëdetëse, ose me një emër më të përshtatshëm të krijuar nga gjuhëtarët e fushës përkatëse, leksikografët. Ka disa vite që fjalët “implementoj” e “implementim” pa asnjë arsye u kanë zënë karriget fjalëve realizoj e realizim, tashmë të ngulitura në gjuhën tonë, për të mos përmendur fjalët shqip: jetësoj e jetësim me të njëjtin kuptim. Meqënse në shqip kemi fjalën përparësi, pse të na mbijë në gojë fjala prioritet?
Mund të përligjen deridiku shtetarët, pushtetarët, juristët, inxhinierët, mjekët etj. ngaqë nuk e kanë studiuar lëndën e gjuhës shqipe në shkollat e mesme. Por gjuhëtarët, redaktorët e gazetarët profesionistë (të cilët, kur kanë kryer fakultetin e gazetarisë, kanë marrë leksione dhe e kanë studiuar gjuhën e drejtshkrimin e shqipes), pse nuk reagojnë, me të gjitha format, ndaj këtyre ndërhyrjeve të papërgjegjshme në gjuhën tonë të shkruar e të folur?
Please follow and like us: