Albspirit

Media/News/Publishing

Pa konspiracionistët, fitimet dhe humbjet e televizioneve në 2021

Televizionet në Shqipëri realizuan të ardhura totale prej 5.7 miliardë lekësh [afërsisht 48 milionë euro] gjatë vitit të kaluar, me një rritje prej 1.3 miliardë lekësh ose 29.7% në krahasim me vitin 2020, bëhet e ditur nga bilancet e kompanive të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. BIRN analizoi të dhënat e dhjetë televizioneve më të mëdha të vendit: TV Klan, Top Channel, News 24, A2CNN, Media Vizion, Euronews Albania, Report TV, ABC News, Ora News dhe Scan. Tre nga dhjetë televizionet rezultuan me humbje gjatë vitit të kaluar, ndërsa tre televizone pësuan rënie në të ardhura në krahasim me vitin 2020.

Rritja e të ardhurave gjatë vitit të kaluar duket se lidhet pjesërisht me zgjedhjet parlamentare të prillit, kur partitë politike zbrazën xhepat për më shumë reklama apo transmetime live.

Televizioni Klan rezultoi televizioni më i madh në vend sa i përket të ardhurave duke marrë 35.6% të tregut, pasuar nga Top Channel me 27.7%.

Katër televizionet më të mëdha në vend, Klan, Top Channel, News 24 dhe A2CNN kontrollojnë së bashku 77% të tregut. Shkalla e dominimit të tregut nga katër të mëdhenjtë është rritur në krahasim me vitin e kaluar.

TV Klan shënoi 2 miliardë lekë të ardhura, me rritje 74% në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa Top Channel arkëtoi afro 1.6 miliardë lekë të ardhura me rritje 16%.

Focus Media News, kompania që operon kanalin News 24, shënoi të ardhura prej 396 milionë lekësh me rritje 33%, duke u renditur në vend të tretë për nga niveli i të ardhurave. A2CNN, televizioni relativisht i ri nën pronësinë e ndërtuesit Bashkim Ulaj, u rendit në vend të katërt me të ardhura në masën 392 milionë lekë dhe me rritje prej 25% në krahasim me një vit më parë.

Media Vizion, kompania që operon kanalin Vizion Plus, pësoi rënie të ardhurash në masën 15% duke u renditur në vend të pestë me 362 milionë lekë të ardhura. Televizioni tjetër i ri, Euronews, u rendit në vend të gjashtë me 285 milionë lekë të ardhura. Të ardhurat e këtij televizioni u rritën me 33%, por sërish viti 2021 u mbyll me humbje të konsiderueshme në masën 26.6 milionë lekë. Humbjet e akumuluara të këtij televizioni kanë bërë që kapitali aksioner të jetë në kuotën minus 86.6 milionë lekë.

Në vend të shtatë sa i përket të ardhurave u rendit MultiScreen, kompania që operon televizionin Report TV. Të ardhurat e saj nga aktiviteti kryesor dhe dytësor ishin në nivelin e 268.6 milionë lekëve, ndërsa kompania shënoi edhe të ardhura nga dividenti në masën 74 milionë lekë. Këto të ardhura lidhen me pronësinë që kjo kompani ka mbi kompaninë C – 7 – Integrated Communication Systems, e cila ka si aktivitet të deklaruar teknologjinë e informacionit.

Televizioni ABC News, i cili ka lëvizur nga televizion i përqendruar te lajmet në televizon më gjeneralist pasi ndryshoi pronësinë, realizoi të ardhura në masën 156 milionë lekë. Të ardhurat u rritën me 31%, por sërish viti financiar u mbyll me humbje në masën 31.5 milionë lekë.

Televizioni Ora News, i cili gjatë vitit të kaluar ka qenë nën sekuestro shtetërore, pësoi rënie të të ardhurave prej 36% në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa të ardhurat e tij prej 120 milionë lekësh ishin sa 2.1% e tregut. Në vend të fundit u rendit Televizioni SCAN, i cili u ble nga biznesmeni Samir Mane për 700 mijë euro në mars të këtij viti. Televizioni raportoi 251 milionë lekë humbje për vitin 2021, humbje që vijnë si pasojë e rivlerësimit në rënie të vlerës së aseteve fizike të televizionit.

Rritja e fortë e të ardhurave të televizioneve duket se lidhet me fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Në fakt, vitet zgjedhore janë zakonisht të mbara për shitjet e reklamave apo shitjet e shërbimeve të tjera për partitë politike.

Një analizë e mëparshme e BIRN zbuloi se partitë politike transmetuan 89 orë reklama në 17 televizione të rëndësishme, të cilat, në bazë të çmimeve të deklaruara të televizioneve, mund të kenë kushtuar minimalisht 6.5 milionë euro. Gjithsesi, të ardhurat reale të televizioneve nga fushatat zgjedhore janë të vështira për t’u vlerësuar saktë për shkak se përveç fushatave, shumë prej televizioneve vënë në shitje edhe një pjesë të emisioneve apo transmetojnë kronika reklamuese, të cilat nuk shënjohen si reklama.(BIRN)

Please follow and like us: