Poezia e Yehuda Amichai vjen në shqip nga Senad Guraziu
NË MESIN E KËTIJ SHEKULLI
Yehuda Amichai [ 1924-2000, Izrael ]
Në mesin e këtij shekulli iu kthyem njëri-tjetrit
Me gjysmëfytyrat dhe me sytë e plotë
Si një pikturë e lashtë egjiptase
Dhe për pak kohë
I përshkova flokët e tu
Në drejtimin e kundërt me udhëtimin tënd,
I thërritëm njëri-tjetrit,
Ashtu si kur thirren emra qytetesh
Ku askush nuk ndalon
Përgjatë rrugës.
E bukur është bota tek herët zgjohet drejt djallëzisë,
E bukur është bota tek zhytet në gjumë drejt mëkatit
e pendimit,
Në përzierjen e vetes sonë, ti dhe unë,
E bukur është bota.
Toka i pi burrat dhe dashuritë e tyre
Si verën,
Për t’harruar.
Që s’mundet.
Dhe si konturet e kodrave të Judesë,
Ne kurrë s’do ta gjejmë paqen.
Në mesin e këtij shekulli iu kthyem njëri-tjetrit,
E pashë trupin tënd, duke hedhur hije, duke më pritur,
Shiritash lëkure për udhëtimin e gjatë
Tashmë si shtrëngim gjithandej gjoksit tim.
Të fola për lavdinë e vitheve tua vdekatare,
Ti fole për lavdinë e fytyrës sime kalimtare,
T’i përshkova flokët në drejtim të udhëtimit tënd
E preka mishin tënd, si profet i vetë fundit tënd,
E preka dorën tënde e cila kurrë s’pushoi,
E preka gojën tënde e cila ende mund t’këndojë.
Pluhuri i shkretëtirës e mbuloi tryezën
Në të cilën ne s’kemi ngrënë
Por me gisht shkrova mbi të
Shkronjat e emrit tënd.
– – –
© Y. Amichai, 2015 – Burimi: The Poetry of Yehuda Amichai (2015), via Poetry Foundation, ShBA
© nga anglishtja S. Guraziu – Ars Poetica, 2016
***
“Mendohet se Yehuda Amichai është më i përkthyeri poet hebre i të gjitha kohërave, që nga Mbreti David… Stili i tij për lexuesit konsiderohet i “arritshëm” si ai i Robert Frost, anise përfshihet dhe përdorimi i shumë mjeteve poetike të hebraishtes që janë të papërkthyeshme. Në vitet ’50 (të shek. të kaluar), Amichai me stilin e tij “bisedor” ia filloi me “ndarjen” nga vargu tradicional, klasik. I ndikuar nga poetët W. H. Auden dhe Dylan Thomas, Amichai do bëhej një mjeshtër i vërtetë në këtë drejtim… duke i përdorur burimet unike të hebraishtes, duke i përfshirë tingujt, idiomat, nivelet e fjalë-bagazhit, lidhjet e fjalëve. Por poeti e shfrytëzoi plotësisht edhe traditën letrare hebraike, të gjatë pothuaj tremijë-vjeçare.” – [ Linda Sue Grimes – “Skicë Jetësore e Yehuda Amichai”, 2016]