Albspirit

Media/News/Publishing

Kur historia e Gjirokastrës zbulohet edhe nga familjet e mëdha

 

Çerçiz Loloçi

Histori e çdo qyteti nuk është asnjëherë bardhë e zi; brenda tij është territori ku shtrihet, janë institucionet kryesore, pikat dominuese, emërtimet e lagjeve dhe më kryesorja, gjenaologjia e familjeve të mëdha e të vogla, e atyre autoktonë dhe bujtës, që e pasurojnë atë dhe e bëjnë gjithaq të lamishëm dhe të pangjashëm me askënd tjetër.

Në qytetin jugor ka ndodhur vazhdimisht kjo dukuri, gjirokastritë që ikin dhe të tjerë banorë nga fshatrat dhe qytete të tjerë që janë mirëseardhur e megjithatë qyteti ka ruajtur aureolën e vet, si i veçantë në hapësirën jo vetëm shqiptare dhe nga ana tjetër të ardhurit e kanë dinamizuar atë duke ruajtur veçoritë e vendlindjeve të tyre.

Labëria, Zagoria, Lunxhëria, Dropulli apo edhe krahina të tjera më të vogla janë gjithherë të pranishëm në qytet duke përfituar nga disa tipare karateristike gjirokastrite, por edhe duke dhënë diçka nga traditat e zonave të ardhura.

Gjirokastra ka bërë traditë festivalin folklorik nga të gjitha qytetet e vendit, por ndërkaq ajo ka brenda saj një minifestival ku përfshihen perlat qytetare dhe ato të 98 fshatrave që kanë bujtur ose që janë sërish në trojet e të parëve.

E banuar kryesisht me muslimanë dhe ortodoksë, por tek-tuk edhe me ndonjë të besimit katolik,  gjirokastritët e qytetit dhe të fshatrave shquhen për një etje të pandërprerë për dije, madje edhe në epoka të vështira të mbijetesës ata janë radhitur ndër rrethet më të para me njerëz të shkolluar, profesionistë të zotë dhe me një vetëpërmbajtje të admirueshme.

Ndryshe nga çdo qytet tjetër, në Gjirokastër, po ‘të gërvishësh pak” do të gjesh patjetër një lidhje mes fiseve, çka e protretizon atë edhe si një familje të madhe patriarkale ku respektohen moshat, shtresat e ditura dhe pa përbuzur kurrsesi të tjerët, njerëzit e zakonshëm që jetojnë me djersën dhe ndershmërinë e tyre.

Qysh prej shkrimit shqip dhe jo vetëm, historisë së qytetit nuk i kanë munguar asnjehërë personalitetet më të spikatur në art, kulturë, shkencë, që kanë bërë emër në të gjitha viset shqiptare si dhe një koloni e gjerë e krijimit të thjeshtë ku çdo gjirokastrit do të lëjë gjurmën e vet sado të vogël qoftë në fshat, krahinë e më gjerë.

Gjirokastra në këtë kuptim është një univers më vete, një portë e rëndësishme në jug të vendit, por me një ndikim që kalon përtej hartës dhe shtrirjes së saj.

Monografia e Naxhi Kasoruhos për Behaudin Dobin e pasuron zbulimin e qytetit sepse më pak se një histori familjeje e njohur ajo është njëheri edhe një dritare nga ku mund të shihet një kompleksitet raportesh nga to të qëndresës atdhetare e deri te më të zakonshmet, lindjet, martesat, dasmat, nderimi i të tjerëve, kortezhi i ndarjes nga jeta, etj.

I konceptuar jo si një monografi klasike, megjithëse nuk mungojnë edhe burimet, duhet thënë se autori e ka shkruar me shumë dashuri këtë libër duke hedhur dritë mbi ‘një derë të madhe’ që tashmë e gjen të shtrirë në disa qyete të vendit, por edhe në disa kryeqendra perëndimore.

Libri ndahet në disa kapituj, mes të cilave: Dobatët e Gjirokastrës, të rinjtë e fisit Dobi, fëmijëria  e Behaudin Dobit, Behaudini në Stamboll, rrobaqepësia te ‘Mesi i Pazarit’, martesa, ‘Qafa e Pazarit’ dhe zançinjtë, paraardhësit e pasardhësit, pema gjenaologjike, miqtë dhe krushqitë e Dobatëve, pasioni për këngën popullore si dhe kujtime të bashkëkohësve.

Autori tregon vëmendjen të veçantë për figurat më të spikatura të këtij fisi në periudha të ndryshme kohore, por edhe për ata që i ka pasur bashkëkohës. Mirënjohja e tij shkon jo vetëm për ta, duke i protretizuar me penelata të holla, por edhe për një plejadë intelektualësh gjirokastritë që lanë gjurmë në Arsim, Art e Kulturë, Mjekësi, Industri dhe në shumë profesione të tjera.

Në këtë këndvështrim monografia e Naxhi Kasoruhos, sa është një lartësim për këtë familje të madhe, aq edhe bëhet pasurim për Gjirokastrën, që mbetet përherë një univers më vete.

 

 

Please follow and like us: