Kristaq Balli: Me piktorin Dhimitër Çika në SHBA
Me piktorin dhe mikun tim Dhimitër Çika gjatë pikturimit prej tij të kishës ortodokse shqiptare në Worchester (Uster) Mass. SHBA.
Qyteti i bukur i Uorçesterit apo i Usterit, siç njihet zakonisht ai në shtetin Masaçusets të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 70 kilometra në perëndim të Bostonit, ëshë një prej vendbanimeve, ku një komunitet i madh shqiptar, veçanërisht korçar prej disa mijra banorësh është vendosur tradicionalisht aty që në fillim të shekullit të 20-të dhe, sidomos, pas viteve 1990. Në shumë aspekte ekonomike e shoqërore ata vazhdojnë të integrohen me dinjitet në jetën intensive amerikane, duke sfiduar shpesh vështirësitë dhe barrirat e ndryshme me të cilat ata ndeshen, sidomos gjatë viteve të parë të një jete e veprimtarie të panjohur me prioritetet dhe privimet e tyre të mbështetura në lirinë, demokracinë por edhe në respektimin e detyrimin e barazisë së rreptë ligjore, mbi të cilat është ngritur supershteti përtej Atllantikut.
Shumica e këtyre shqiptarëve punojnë në punë të ndryshme, sidomos në fushën e shërbimeve publike private duke u përpjekur të bëjnë atë që amerikanët e kanë bërë në shekuj, pra që jetën e tyre ta ndërtojnë mbi djersën, mundin, sakrificën dhe aftësitë e ryre, shpesh duke u ndeshur me dilemën e humbjes së identitetit intelektual në dobi të rritjes së nivelit ekonomik e komoditetit familjar. Më të rinjtë, pothuajse të gjithë studiojnë dhe punojnë njëkohësisht, për të përballuar studimet e tyre dhe për të paraprirë të ardhmen. Pak, shumë pak intelektualë nga kjo pjesë e diasporës së re ka krijuar mundësinë për të penetruar në sferën e administratës, apo të punojnë në profesionet e tyre të vërtetë. Njëri prej këtyre është piktori i njohur korçar Dhimitër Çika. Pas emigrimit të tij prej afro 8 vitesh në Greqi, ku ai punoi në disa galeri artesh figurative, ai dhe familja e tij emigruan këtë herë në Shtetet e Bashkuara, në qytetin e Usterit. Talenti, profesioni dhe përvoja e tij e gjatë në artin piktural, por, pse jo, edhe fati i krijuan mundësinë që ai të sipërmarrë një projekt afatgjatë për pikturimin dekorativ me pikturë pasbizantine të kishës orthodhokse shqiptare “Fjetja e Shën Marisë” në qytetin e Usterit. Rreth 5 vite pune intensive, por edhe të pëlqyeshme e të suksessshme në llojin e vet, kjo vepër monumentale përfundoi duke e plotësuar kishën me këtë pjesë po aq të rëndësishme figurative e teologjike, që i jep asaj një brendi impresionuese shpirtërore e artistike.
21 shtator 2021.
Please follow and like us: