Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Shala: Agron Çobani – figurë simbol e gazetarit shqiptar

Sot, më 29 shtator 2022, mbushen 10 vjet që kur u largua nga kjo botë, Agron Çobani, një ndër figurat më të njohura të medias audiovizive ndër vite në vendin tonë. Vetëm një muaj para fundit të tij ai kishte mbushur 70 vjet, por sëmundja e rëndë nga e cila vuajti për mjaft kohë më së fundi e mposhti, që ai t’i mungojë familjes, shokëve, mjedisit shoqëror që e deshi dhe e respektoi. Me punën e talentin e tij për disa dekada, Agroni u bë një zë shumë i dashur për opinionin tonë shoqëror, kudo, në qytet e në fshat, sepse përmes Radios e Televizionit që u përhapën pak e nga pak deri në skajet më të largëta të vendit, më mirë se në çdo rrugë tjetër mund të ndiqej jeta në vend e më tej, në gjithë zhvillimet e saj.

 

***

Për brezin e sotëm është e vështirë të konceptohet që në mesin e viteve 60-të të shekullit që shkoi e në vitet në vazhdim, Radio Tirana e krahas saj Televizioni në zhvillim, që u quajt – Radiotelevizioni Shqiptar, ka qenë qendra më e madhe social- kulturore e vendit. Në pak vite, thuajse brenda një dekade, kolektivi i saj u dhjetëfishua, dhe, për pasojë, propaganda radiotelevizive në shërbim të partisë në pushtet, pati një mision më të lartë se deri atëherë, duke kaluar nga një transmetues lajmesh, disa orëve muzikë, disa bisedash a spektaklesh të kufizuar për fusha të ndryshme, gjithçka e veshur me politikën e ditës, në një armë mjaft efikase për mbajtjen e forcimin e pushtetit të partisë shtet, rol të veçantë që propaganda e ka pas dhe e ka në çdo regjim diktatorial. Në këtë mjedis e me misionin specifik të informimit, që sot është bërë si bosht i botës të shekullit të 21-të në lëvizje e zhvillim të paparë, pati fatin që të punonte, të piqej e të burrërohej edhe Agroni, duke shpalosur tiparet më të bukura të karakterit të tij fisnik dhe të një specialisti të spikatur të medias.

Sot, duke u përpjekur të skicoj portretin e tij, them se ai mbetet i vetmi gazetar shqiptar, i cili në Radiotelevizionin e vetëm të vendit ku punoi për disa dekada, ka bërë të gjitha detyrat e mundshme, duke nisur si redaktor, me pas kronist që shkonte deri në skajet më të thella të vendit, e më pas shef sektori, drejtor në Radio e Televizion, e deri Drejtor i përgjithshëm i RTSH.

Ç’magji mbartte Agroni në punën  e tij ndryshe nga të tjerët, ç’talent shpalosi në punë?

Siç dihet, sidomos para viteve 90-të, për të mos thënë edhe sot, njerëzit, kuadrot e specialistët, mateshin e çmoheshin më së pari nga biografia, ajo shpesh u përcaktonte edhe mbështetjen, rolin, formimin e perspektivën. Tek Agron Çobani, që në fillimet e tij gazetareske, ndodhi një aliazh mbase i veçantë, ku u ndërthur natyrshëm talenti e zgjuarsia, dhuntia e të folurit bukur e bindshëm me shkathtësinë e raportimit dhe analizës, humori organik me seriozitetin në çdo detyrë që iu ngarkua, si shprehje e përgjegjësisë dhe dashurisë për profesionin e bukur të gazetarit.

Ai ka filluar punë në Radio në vitin e largët 1965, por, që fëmijë e sidomos në rininë e hershme, ishte natyrë që ra shpejt në sy në mjedisin tiranas të fillimit të viteve 60-të, siç kujtojnë miqtë më të hershëm të tij, Nigda e Kreshnik Tartari, mjeshtri i madh i sportit shqiptar. Si gazetar, duke qenë nga natyra shumë i shkathët në mendje e në veprime, Agroni tërhiqte e gëzonte respektin e shumëkujt, qoftë edhe nga një kronikë pa lulka që përcillte në valët e radios, qoftë më tej nga bisedat interesante që improvizonte mes njerëzve e kuadrove ngado në Radio e TV, apo dhe analizat që përgatiste për zhvillimet në vend e deri për çështjet ndërkombëtare.

***

Ka qenë vera përvëluese e vitit 1961 kur e kam takuar për herë të parë në Shkodër, ku krahas shokëve të mi, si të rinj “provincialë”, fusnim shpejt në gjirin tonë moshatarë të ardhur nga Tirana sidomos, sepse na dukej se thyenim rutinën e jetës sonë ngaqë ata ishin disi ndryshe, më të hapur, më të informuar, gjithsesi më interesantë. Ishin vitet kur brezi ynë i mbante sytë hapur të shihte e njihte Botën, e ndërkohë mes nesh dhe Botës, sidomos me prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik dhe vendet e të quajturit “kampi socialist”, u çimentua më tej kloni absurd i izolimit. Vitet e studimeve në Universitet, e sidomos puna e përbashkët në Radio Tirana, e bëjnë sot portretin e Agronit për të gjithë ata që punuan me të, ashtu edhe për mua, të një miku të munguar, të një “punëtori të pashoq” të medias në fillimet e përgjatë konsolidimit të vlerave të saj në shoqërinë tonë në zhvillim. Ai në çdo mjedis u dallua për kompetencën që shpaloste në trajtimin e problemeve, për natyrën optimiste e shoqërinë e mirë që falte, për figurën e tij të pastër e të drejtë, plot jetë të shëndetshme, me gëzime rinore, sadoqë edhe me plot privacione.

Është e vështirë të rreshtoj ngjarje të kohëve të largëta për këtë mik të çmuar, por më shtiu në mendje shoku ynë i vjetër, B. Trenova, një episod nga jeta studentore, kur për herë të parë u ballafaquam me një situatë sa absurde aq edhe komike në verën e vitit 1964, kur si studentë bënim zborin – term ky nga rusishtja për stërvitjen ushtarake-  për 45 ditë në Korçë. Në një nga ato ditë u larguam pa leje nga reparti. Shkas u bë dëshira për të parë hapjen e kampionatit kombëtar të atletikës, por si ndëshkim ne, pesë studentë, na dënuan me izolim, një si kthinë që quhej “burgu i garnizonit”, ku na hoqën edhe lidhëset e këpucëve dhe rripat e pantallonave nga frika… se mos ne varnim veten (!). Fatkeqësisht, edhe nëpër të tillë “episode”, që për absurdin që mbartin të trishtojnë edhe sot e kësaj dite, nisi e kaloi rinia jonë, ndonëse në vitet e më vonshme punonim në RTVSH e mund të quheshim të zgjedhur të regjimit të kohës.

Tipari më themelor që e veçonte Agronin nga krijuesit e tjerë në radio-televizionin e vetëm në vend ishte serioziteti në punë. Ai u bë protagonist në misionin e bukur të gazetarit, sepse e çmoi kurdoherë punën me përkushtim si rrugën e vetme të suksesit, një ndër shtyllat ku u mbështet formimi dhe angazhimi i tij, duke shpalosur çdo ditë qëndrim qytetar për ngjarjet e zhvillimet. Me këtë rast, si për ilustrim, më vjen ndërmend ky fakt: Afro 55 vjet të shkuara, në dhjetorin e vitit 1967, një termet i fuqishëm goditi rëndë zonën e Dibrës, ndërkohë që dëbora dhe acari bënin ligjin, e megjithatë punohej me vetëmohim për zhdukjen sa më parë të pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore. Kronikat e Agronit, i cili kishte shkuar në Dibër me veshjen e zakonshme të Tiranës,- se mos kishte tjetër-, një fësh-fëshe siç quhej, ndonëse njeriu mund të ngrinte nga të ftohtit,- dhe kjo nuk është aspak hiperbolë-, ishte shprehje angazhimi për pasqyrimin e realitetit të vrazhdë e të jashtëzakonshëm nga vendngjarja e jo me fraza nga zyrat e ngrohta. Atëherë, ndonëse qe një kronist fare i ri, duke pasqyruar të vërtetën vetëmohuese të njerëzve të thjeshtë ai e fitoi “duelin” me ndonjë nga kuadrot e ATSH-së, të cilët ishin atje më shumë për të mbajtur shënime se ç’do të thoshte i pari i partisë a i pari i qeverisë. Kronikat e tij nga tërmeti patën jehonë të gjerë edhe ndër sivëllezërit tanë përtej kufirit shtetëror, të prekur gjithashtu nga kjo fatkeqësi e rëndë, ndërsa kujtoj mirë që me këtë rast … Agroni “fitoi” si dhuratë nga kryeministri Mehmet Shehu një palë çorape leshi me të cilat zbriti nga fshatrat e Dibrës.

***

Shumë momente të angazhimeve që përjetoi në vitet që punoi në RTSH, Agroni i ka shkruar me vërtetësi e dashuri në librin e tij  “Ju flet Tirana”, një vepër e vlerësuar nga lexues të shumtë sidomos për objektivitetin që shpalos. Kujtimet e mbresat e tij në këtë libër janë një “enciklopedi” e vërtetë e zhvillimit të radiotelevizionit shqiptar ndër vite. Galeria e personazheve që sillen aty, shumicën e të cilëve i ka njohur apo i ka pas edhe miq, përbën një rekord të paarritur nga askush tjetër që ka shkruar letërsi dokumentare. Atë libër ai e përgatiti në kushtet kur shëndeti po i binte poshtë, por zemrën e kishte të fortë e kujtesën brilante, prandaj punoi për të me hov djaloshar duke na dhuruar një “copëz historie” nga i gjithë zhvillimi politik, shoqëror e kulturor i vendit plot vërtetësi e mirësi. Në këtë frymë ai është sjellë gjithnjë, ka lidhur miqësi, ka punuar, është dalluar, është rritur e bërë një figurë popullore dhe një personalitet i spikatur medias. Në ato faqe libri ai ka shpalosur jo vetëm gëzimet, por edhe turbullirat e shpirtit, shpesh mbarë e mbrapsht, siç këndoheshin atëherë nga rinia plot këngë, edhe të huaja e shpesh të ndaluara, sepse, siç shkruante në një mesazh disa kohë para largimit nga kjo botë “brezit tonë mbi buzë i lodronin notat magjike e krenare të pentagramit të jetës, që kulmoi me marshin e të thepisurave vitet gjashtëdhjetë, viteve kur ne dolëm në jetë”. Dhe kujtonte më tej se “Vitet gjashtëdhjetë” është titulli i këngës në festivalin e RTSH kushtuar miqve të afërt, me tekst të Kiços (Blushit) e muzikë te Limosit (Dizdarit)…”, që të dy miq të tij për dekada. Ku e gjente ai, i sëmurë, pak kohë para largimit nga kjo botë, gjithë atë forcë morale për të vënë në lupën e tij të pagabueshme imtësitë e jetës në Shqipërinë tonë në zhvillim, por plot kontradikta, në rolin e Radiotelevizionit të vetëm në vend, duke i rrethuar ato me analizën e thellë e dashamirësinë që e karakterizonte për njerëzit, me humorin e shëndetshëm e të veçantë, që, si pak kush, e ka pasë armë jete? Ai ka qenë shembull se si mund të dashurohet profesioni, pa njohur orar, pa pyetur për rrogë e privilegje, pa njohur vështirësi e pengesa, duke udhëtuar nëpër Shqipëri, deri fshat më fshat, edhe mbi karroceri kamionësh, duke qëndruar këmbëkryq me njerëzit e çdo moshe e çdo profesioni sipas rastit.

***

I shkruaj këta rreshta jo vetëm sepse kushtet në të cilat punohej dikur nga gazetarët janë kryekëput të ndryshme nga të sotmet, por edhe për arsye se ai u përball, pa e merituar, edhe me sfida të rënda, kur organet e kohës së diktaturës në fillim te viteve 80-të e larguan papritmas e dhunshëm nga Radiotelevizioni.

E çuan fillimisht në Kinostudio. “Çdo makinë që ndalej në oborrin ku binin dritaret e zyrës ku qëndroja, më dukesh se kishte ardhur për të më vënë hekurat”, na thoshte atëherë, që më pas e ka sjellë plot atmosferë në librin në fjalë. Por, e “mëshiruan”, duke e degdisur larg Tiranës, diku thellë në Martanesh në fshatin Peshk, në fatin e të gjithë motrave e vëllezërve të tij. Ndonëse punoi thuajse dhjetë vjet larg familjes, larg mikrofonit e ekranit, ai asnjë ditë nuk e ka quajtur veten të persekutuar. Punoi kudo pa u qarë e pa u lutur. Sot del ndonjë dhe shkruan qesim për këtë gazetar e drejtues të talentuar, duke sajuar situata imagjinare e pa e ndjekur asnjë hap në kalvarin që përjetoi ai.

Në gjithë sjelljen e punën e Agronit spikaste dashuria për vendin e njerëzit, gëzimi për të bukurën e të drejtën, për t’i sjellë ato në mikrofon a ekran. Ai nuk ka pasë ndonjë armik, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, madje as kundërshtar, sepse ka qenë njeri shpirtbutë, i dashur e i sjellshëm, me të njohur e të panjohur. Ai i ka dashur veçanërisht krijuesit e artistët, të gjithë ata që kontribuonin që, brenda mundësive, jeta të bëhej më e plotë e njerëzit të ishin më të gëzuar, pavarësisht kushteve të vështira të jetesës e kontrollit politik të partisë-shtet mbi gjithë jetën e vendit. Duke ecur në gjurmët e radiokronistëve më të hershëm, K. Stillo, Th. Kërkeshi. P. Lina e të tjerë, në miqësi të ngushtë e rivalitet shumë të bukur me kolegun e tij për disa dekada, ikonën tjetër të medias shqiptare, A. Gurashin, ai u rrit profesionalisht. Miqësia me artistet e mëdha Vace Zela e Nexhmije Pagarusha, me regjisorin K. Spahivogli e piktorin K. Buza, me shkrimtarët K. Blushi e N. Lera, me kompozitorët L. Dizdari, A. Krajka, e të tjerë, me muzikologun e talentuar Gj. Simoni, me përkthyesin e njohur R. Shvarc, me mjekun F. Meksi,- përmenda fare pak emra-, i kanë hapur atij horizont dhe i kanë dhënë siguri për rrugën e bukur ku ecte. Ai u bë një zë i njohur dhe i ngrohtë, në krah të personaliteteve të mikrofonit H. Bejleri, V. Zhej, K. Fotiadhi. Për pasojë, ndër vite përvoja që sillte Agroni u bë shkollë ku mësuan mjaft kronistë e analistë të tjerë në RTVSH.

I kthyer përsëri në Radiotelevizionin shqiptar, në atë çerdhe talentesh, ku njihte çdokënd, çdo skutë e çdo burgji, ku provoi të ishte edhe drejtor i përgjithshëm, Agroni e vazhdoi misionin e tij të gazetarit e drejtuesit në fillim të viteve 90-të, me kthesën historike nga diktatura në demokraci. Një hollësi meriton të sillet me këtë rast, sepse shpreh më së miri natyrën e shpirtin e tij prej demokrati: Më 22 mars të 92-shit, kur kishte fituar për herë të parë e mbase edhe të fundit bindshëm zgjedhjet e parakohshme PD, në një takim të rastit me kreun e socialistëve F. Nano, ky i fundit i zgjati atij një cigare, por s’kishte shkrepëse. Agroni ia ndezi dhe Fatosi i tha “Ky është i vetmi nder që më bëre gjatë gjithë kësaj fushate”. Fakt është që në ato zhvillime politike shumë delikate, edhe me kontributin e Agronit, RTV ruajti ekuilibret, kahjen e historisë, por fatkeqësisht ata që erdhën në pushtet nxituan ta largojnë përsëri nga detyra këtë emblemë të gazetarisë radio- televizive, ndërkohë që RTV, ende i vetmi në vend aso kohe u kthye në një “kobure me leje shtetërore” kundër shumë vlerave të krijuara nga populli, sa atdhetare aq edhe demokratike.

Prandaj, pa e tepruar them se gjithë jeta e tij si krijues e qytetar u përshkua nga korrektesa, sinqeriteti, besnikëria, apo edhe idealet e përbashkëta që kishte me shokët, se edhe idealist ka qenë si plot të tjerë. Agroni ishte kronikani deri në imtësi dhe i përditshëm i çdo situate që kalonte vendi, qëkur nisi punë si fillestar e derisa u bë drejtor i përgjithshëm i RTV. Pakkush si ai mbante shënime për imtësi jete, batuta, debate e takime, qoftë edhe të disa dekadave të shkuara? Kush njihte, siç thonë në Shkodër “me rroc e koc”, artistë, sportistë, mjekë a juristë, deri zanatalij gjithfarësh në Tiranë e jo vetëm? Jeta aktive e kishte kthyer atë në “Gjendjen civile” të kryeqytetit, siç e cilësonte një nga miqtë e tij, kur bënte shumë bukur kompetentin për sport e art, për politikë e ideologji, për ekonomi e kulturë, për këngë e valle? Mjaft shprehëse janë kujtimet për të kur dorëzohej në ndonjë fushë që nuk ia thoshte dhe e sfidonin miqësisht me kompetencë a shkencërisht. Në një rast, kur sapo ishte zgjedhur drejtor dhe bëheshin provat për festivalin e njohur të fundvitit në Radiotelevizion, në korridoret e Radios ai përpiqej të fërshëllente melodinë e një kënge që sapo e kishte sjellë i mirënjohuri A. Krajka. Ndërkohë, Agimi po e dëgjonte dhe i tha: “Vazhdo, Agron, vazhdo, se më dhe shtratin e një kënge tjetër që do të krijoj”. Ai s’kishte vesh për muzikë, por kishte intuitë, s’kishte zë për të çuar deri në fund një këngë, por kishte përgjegjësi e dashamirësi si pakkush për krijimet e atyre kohëve.

***

Sot në këtë përvjetor të largimit nga kjo botë të A. Çobanit shumë ndryshime kanë ndodhur edhe në media, por nga distanca e viteve themi që gazetar atdhetar, punëtor dhe novator si ai është vështirë që gjenden në rrethin e madh të punonjësve të shtypit, ndërkohë që media është bërë një fushë ku fatkeqësisht gëlon leku, shërbimet e pacipta, favoret e servilizmi, programet vulgare e deri imitimet e shpëlara.

Agroni gëzohej si fëmijë për gëzimet e shokut a të shoqes. “Ne shoqëria na ka rritur, pa të secili do të ishte qyq. U rritëm dhe u thinjëm në një shoqëri ku njeriu për njeriun shpesh nuk ishte mik, përkundrazi, ishte edhe ujk”, theksonte ai dhe kjo cilësi – mbajtja e shokut në krah në të mirë e në të keq, – i ka rritur në sytë e kujtdo që e ka njohur vlerat e vërteta të tij si qytetar e gazetar, të mirësisë, bujarisë, inteligjencës natyrale, kujtesës së jashtëzakonshme që shfaqte. Duke e kujtuar shpesh mes miqve të tij lindnin pyetje të tilla: Kush ka qenë “hazërxhevap” si ai? Kush ishte sfidant në debat si ai? Kush dinte të bënte shaka dashamirëse si ai? Individualizimi i personalitetit të shumëkujt që njohu, atmosfera plot humor që krijonte me cilindo, janë shembuj raportesh të shëndetshme urbane, që aq shumë mungojnë në ditët e sotme në mediat materialiste sidomos, të pushtuara shpesh e fatkeqësisht edhe nga protagonizmi fallso, ca emisione surrogato e personazhe me dije te mangëta e partishmëri të paguar.

Ja, për të gjitha këto arsye, me përkushtim shembullor në pune e në marrëdhëniet me cilindo, në atë mjedis të zgjedhur e delikat siç ishte RTVSH dikur, Agroni u bë figura numër një e transmetimeve radiotelevizive, e, për pasojë, zëri i tij, portreti i tij, ishin aq popullor sa edhe në fshatin më të largët njihej, çmohej, nderohej. Në gazetarinë e kohës ai ishte krijues i llojit të veçantë, gjithë energji, ishte “shkollë”. Ja përse  përvoja e tij, imtësitë në dije, sjellje, kulturë e kërkim të vazhdueshëm, bëjnë rrugën e gazetarit të vërtetë të kohëve të sotme, dhe vlejnë si shembull për armatën e “punëtorëve të shtypit” sot.

***

U përpoqa të them disa fjalë për një shok që ka dhjetë vjet që më mungon, dhe jo vetëm mua. Po sa ia kam arritur kësaj? Kjo pyetje më mundoi deri kur u kujtova që në librin e tij “Ju flet Tirana” e ka dhënë vetë përgjigjen shteruese. Ja si i drejtohet ai sekretares së tij, pra të drejtorit të përgjithshëm të RTVSH, pas kthimit të tretë në krye të këtij institucioni: “….Ti vërtetë je profesioniste e vjetër në këtë punë, ke kaluar sa e sa drejtorë, ata ik e ti në vend. Kështu do të ndodhë edhe me mua.

– Larg qoftë!- tha ajo me gjysmë zëri.

– Por mos harro, – vazhdova unë, – Agroni, Agron ka qenë  dhe Agron do të mbetet….”.

…I tillë ka qenë ai. Iku në amshim dhjetë vjet të shkuara pa asnjë peng, asnjë borxh, asnjë vilë në Lalëz a kudo qoftë, por la pas kujtimet më të mira, të një “ikone” me gërma të mëdha në gazetarinë shqiptare./gazeta dita

Please follow and like us: