Albspirit

Media/News/Publishing

Annie Ernaux: Unë luftoj për të gjetur fjalët e duhura

Shkrimtarja franceze Annie Ernaux fitoi Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2022. Më poshtë mund të lexoni një intervistë të saj dhënë gazetarit Marco Missiroli për shtojcën letrare të Corriere della Sera, «la Lettura». 17 prill 2016

Shtëpia e Annie Ernaux ka pamje nga qyteti i vjetër i Cergy-Préfecture, një qytet në rritje 40 minuta larg Parisit. Që nga viti 1975, autorja francez jeton në një vilë me një kopsht të madh ku dominon një mënjollë imponuese. Në hyrje bëjnë roje dy mace, Sam dhe Zoe, të cilët na ndjekin në dhomën e ndenjes me pamje nga arkipelagu i pellgjeve dhe lumi Oise. Drita hyn nga dritarja e madhe dhe derdhet mbi tavolinën rrethore ku do të zhvillohet intervista. Është një vend mikpritës dhe i thjeshtë, me heshtje absolute. Në fund, pak para rafteve të librave, është dera që të çon në studio: është e hapur dhe zbulon tavolinën në të cilën punon Ernaux çdo ditë, pothuajse gjithmonë në mëngjes. Është një raft antik, i zhveshur, por i përfunduar mirë, me një karrige të shtyrë paksa mënjanë. Pothuajse të nëntëmbëdhjetë veprat e shkrimtares franceze morën formë këtu, mes të cilave Vendi, që e bëri të njohur në Francë në vitin 1983 duke fituar çmimin Renaudot. Shenjtërimi në anën tjetër të Alpeve i erdhi me librin Vitet, kujtime intime dhe kolektive nga epoka e pasluftës deri në ditët e sotme…

Në vitin 1983, kur Gallimard botoi romanin “Vendi”, Franca zbuloi zërin e tuaj narrativ të paklasifikueshëm dhe thërrmues: nuk ishte roman, por një pjesë autobiografike kushtuar kujtimit të babait, e realizuar me një gjuhë të matur deri në kockë, pa gjurmë sentimentalizmi dhe me syrin kirurgjik të një rrëfimtari që nuk kishte frikë nga kujtesa.
Vendi është një libër i menduar për shtatë vjet dhe i skicuar si një roman. Por diçka nuk shkonte, kështu që për një kohë të gjatë kërkoja vazhdimisht zërin e duhur për t’ia thënë babait dhe familjes sime, përmes syve të një vajze që i dha vetes luksin e distancës. Distancë si vështrim i nevojshëm për të raportuar atë që ka qenë. Kështu që unë i mbajta fjalët hyrëse dhe i rishkrova këto njëqind faqe duke u përpjekur të riparoja një familje. Është libri i riparimit, kushtuar brezit të burrave që nuk arritën të studionin dhe fëmijëve të tyre. Do të them një gjë të tmerrshme, unë që nuk besoj më në asnjë formë religjioni: është një vepër që i detyrohet shumë figurës së Krishtit, e kuptuar si një sakrificë, si një rrugë dijeje, si një simbol i burrave; ashtu si babai im, të cilit i hiqet mbretëria prindërore për t’u parë nga vajza e tij për atë që është. Vihet në jetë një lloj humanizimi aty ku mund të kishte idealizim. M’u deshën nëntë muaj për ta rishkruar dhe për të respektuar një imperativ të vetëm: shkruaj vetëm atë që di”.

Sajimi bëhet kështu një zëvendësues narrativ. Çdo gjë që nuk ka ekzistuar nuk duhet treguar. Por çdo gjë që ka ekzistuar dhe që zgjidhet, tregohet për të njohur më mirë veten.
“Tregohet për të bërë të mundur të ekzistuarit. Dallimi është ky: Unë shkruaj për t’i përpjekur t’i jap ekzistencë asaj që do të humbiste. Nuk është thjesht një kundërshtim ndaj harresës apo vdekjes, është më tepër një mënyrë për të zbutur kohën. Zbutja e kohës, kjo është ajo. Nëse mendoj për veprën e Prustit, i cili ishte protagonisti i madh i përkohshëm i letërsisë, do të mund të thuhej se epoka historike e Recherche ishte lënë mënjanë në favor të epokës së brendshme të autorit të saj, me disa përjashtime. Ajo që më intereson mua është që Uni të jetë i lidhur me Ne dhe që të ketë një lidhje e pakëputshme me kolektivitetit dhe individualitetit përmes pranisë së Historisë”.

“Vitet” u shkrua me këtë ndërthurje të intimitetit personal dhe kolektiv. Nuk është roman, por në një farë mënyre është dhe forma e tij hibride ka ngjizur një konotacion të ri narrativ. Emmanuel Carrère e quajti atë ‘një libër i mrekullueshëm që të bën të pushtohesh nga admirimi’”.

“Falënderoj Carrère-n, të cilin nuk e njoh personalisht dhe për të cilin e kam në plotëni. Në një farë mënyre edhe ai punon mbi historinë, ndonëse me një Un që hyn në kushte të barabarta në ngjarjet e jashtme dhe në protagonistët e tij. Te ‘Vitet’, veten e parë njëjës dhe veta e parë shumës duhet të kishin të njëjtën peshë, vështirësia ishte kjo simetri. Kështu nisa të punoja me imazhe, kisha në mendje fragmente, sugjerime të shkurtra që kanë shënuar rritjen time dhe të një brezi, që më pas u bënë faqet e para të librit. Dyshimi ishte se si mund t’i bëja intime dhe kolektive njëkohësisht: nuk e kuptoja regjistrin, kështu që fillova të shkruaj një kronikë të saktë të kësaj metamorfoze ( Ernaux ngrihet dhe shkon në studion e saj, kthehet me një libër ciklamin të titulluar L’atelier noir, e shfleton dhe lexon). “Imazhet zhduken nga mendja ime me ndjenjën e neverisë se nuk e kam gjetur zërin tim. Sa më shumë që shkruaj, aq më shumë kuptoj ekzistencën e një zëri tjetër, të cilin, si në ëndrra, nuk arrij ta kuptoj”. Ky rrëfim daton në vitin 2002 dhe është një nga dyshimet e fundit përpara se të filloja librin, reflektimi i parë që kisha shkruar në vitin 1982: do të thotë se Vitet ka qenë i inkubuar për më shumë se një të tretën e jetës sime. Shkrimi ishte relativisht i shkurtër në krahasim me këtë fazë rraskapitëse kërkimore”.

Pothuajse një dekadë për ‘Vendin’, dyfish më shumë për ‘Vitet’: në secilën prej veprave tuaja është gjithmonë kaq e gjatë puna e konceptimit në krahasim me fazën e shkrimit?
“Është sikur faza e sajimit të zëvendësohej nga ripushtimi i reales që ka qenë dikur. Për të qenë në gjendje ta kapni atë të kaluar dhe ta bëni atë të tashme, duhet të prisni. Dhe duhet kohë për ta bërë të thjeshtë me shkrim. Edhe tani që jam duke punuar për një libër të ri, i kam rënë në të se e kam konceptuar që në vitin 2010,  në atë tërësinë e tij. Nevojitet një mbrojtje në të cilën gjithçka duhet të jetë sediment, e fshehtë dhe më pas të ripropozohet si diçka që është jetuar. Asgjë më shumë. Në këtë kuptim, fjalët janë themelore: les mots justes, kjo është çka dua. Ndiej se ka vetëm një fjalë të përshtatshme, mendoj se ajo fjalë duhet gjetur dhe përdorur për atë koncept. Më pas rilexoj veten dhe kënaqem me disa fjali, ndërsa të tjerat i shoh të gabuara, sado që dikur më dukeshin të përshtatshme. Mund të qëndroj me muaj për të rregulluar dhe nuk lejoj askënd që të më prekë librat, përveç ndërhyrjeve shumë të vogla. Është një proces që kalon fillimisht nga shënimet, më pas nga shkrimi i dorës dhe në fund te kompjuteri. Në mendjen time synoj gjithmonë të nxjerr në pah një histori që ia vlen të rijetohet, në mënyrën se si e kam përthithur: ky është obsesioni që më pushton nga zgjimi deri në aktin e të shkruarit dhe edhe më pas, gjithmonë. E vetmja herë që jam më e qetë është kur jam duke punuar në kopsht ose kur shkoj në hipermarket”.

Për këtë ai ka publikuar në Francë “Shiko dritat dashuria ime”, në të cilën rrëfen ritualin kolektiv dhe shumë intim të pazarit. As kjo nuk i shpëton shkrimit?
“Asgjë nuk i shpëton të shkruarit. Edhe një hipermarket, ku për mua të mund të vëzhgoj njerëzit është në të njëjtën kohë narracion dhe shpëtim prej tij.

Konsumizmi më mërzit, moda më mërzit, më intereson të shoh të bredhin njerëz që zgjedhin, blejnë, tregojnë para rafteve shumë më tepër sesa mendojnë se tregojnë. Ky shikim tashmë është shkrim, në një farë mënyre. Dyqanet e mëdha janë vendi ku fjalët më japin pushim, sepse tashmë janë fjalë. Nuk ka pasur kohë që nuk kam luftuar për t’i mbrojtur. Kam punuar dhjetë vjet si mësuese në lice dhe për njëzet e tre vjet kam përgatitur kurse korrespondence, plus kam pasur dy fëmijë, kam jetuar gjithmonë me një alarm se shkrimi mund të ikte duarsh. Supermarketi është një ritual që më kthente në mendimin narrativ dhe realitetin e konsumuar për të cilin mund të kisha shkruar. Sepse në fund të fundit nuk kam kurrë një ide të beftë që më bën të them “Ja, e gjeta”, por më duhen këto hapësira të vogla ku mund ta bëj të bashkëderdhet totalitetin”.

Hapësira minore, ku e zakonshmja befas bëhet zbulim. Ashtu si te “Vajza tjetër” kur tregon për momentin kur dëgjon fshehurazi nënën duke folur për një vajzë të vogël: është motra e saj, e cila ka vdekur para se të lindte dhe nuk përmendet kurrë në familje.
“Ishim në Yvetot, ishte viti 1950. Unë isha dhjetë vjeç dhe nëna ime po fliste me një fqinje, ndërsa unë luaja me një shoqe. Për një moment veshi im zuri bisedën e tyre dhe dëgjova këtë fjali: “Ajo ishte më e sjellshme se kjo këtu”. Motra ime kishte vdekur nga difteria dy vjet para se të lindja unë, askush në familje nuk më kishte folur për të. Askush nuk e përmendte kurrë, edhe pse e dija se diçka kishte aty. Duke dëgjuar nënën time zbulova se motra ime “e sjellshme” ishte shenjtorja, ndërsa unë mund të isha vetëm vajza tjetër, e keqja. Vajza me të cilën duhej të kënaqeshin, vajza tokësore. Vajza që po ndiqte një proces lumturimi familjar dhe që do të jetonte me hijen. Ky libër është fryt i tij dhe është një letër e hapur për motrën time, së cilës më në fund mund t’i them “Nuk shkruaj sepse ti ke vdekur. Ti ke vdekur që unë të shkruaj”.

Vdekja e tjetrit jo si mungesë, por si shtysë. Është një kërcim shumë i rëndë i shikimit. Ndoshta këtu nis masa juaj ekstreme në shkrim dhe në emocionalitetin që rrëfen.
“Nuk mund të provokohen vullnetarisht emocionet. Të zgjedhësh çfarë të tregosh dhe ta tregosh ashtu siç është, në mënyrën e duhur, mbetet tërë ajo që i nevojitet lexuesit. Distanca nga libri që po shkruani është e nevojshme për vetë librin. Ndërsa Vajza tjetër po merrte formë unë ndieja një dashuri të madhe për nënën time, edhe pse kjo nuk pasqyrohet në libër. E njëjta gjë ishte e vërtetë për Vendin, përpjekja kontroverse është të largosh babanë ndërsa shkruan për babanë. Dhe ka edhe një gjë tjetër: ndërsa shkruaj nuk mendoj se kush do ta lexojë librin, nëse ndonjë nga familjarët e mi apo kush e di kush, nuk e mendoj kurrë. Për shkak se trashëgimia nuk mund të matet, aq më pak kjo trashëgimi duhet të ndryshojë procesin krijues. Edhe në ‘Kujtimet e vajzës’ ku përpiqem të rindërtoj kalimin e një gruaje të re përmes dhunës fizike, nuk e shoh të kaluarën autobiografike me zemërim apo pjesëmarrje: ajo është e kaluara dhe e kthej në të tashmen me peshën e të tashmes. Është një ritual laik i shpëtimit që shkrimi mund t’ia lejojë vetes”.

Laiciteti i shkrimit dhe ekzistencës, edhe pse Zoti hyn në librat tuaj përmes besimtarëve që e rrethojnë, duke filluar nga familja juaj e origjinës.
“Unë u rrita me një arsimim monumental në katolicizëm. Fëmijët e mi nuk janë pagëzuar dhe unë nuk e praktikoj. Në këtë, unë kam një formim të ngjashëm me atë të Emmanuel Carrère-s dhe jam dakord me moton e tij: “Unë nuk jam mjaftueshëm besimtar për të qenë ateist”. Por duhet të kemi kujdes edhe kur përkufizojmë veten si laikë, sepse edhe ky dimension është bërë ekstrem, sidomos në Francë ku ka marrë konotacion fetar. Sulmi ndaj myslimanëve ka ardhur në mënyrë masive nga kjo anë, sikur të ishte një luftë religjionesh. Letërsia duhet t’i shmanget këtij kategorizimi, duke bërë atë që duhet”.

Çfarë duhet bërë letërsia, Ernaux?
“T’i heqë qafe hijet. Dhe të lërë anash pak jetë, duke na shpëtuar nga zhdukja e ardhshme. Ky veç tashmë shpëtimi. Nuk dua të fokusohem në një besim, nuk dua t’i shkel syrin lexuesit, nuk mund të konceptoj vepra që shkojnë ndesh me opinionin publik siç u përpoq të bënte Houellebecq me ‘Nënshtrimin’, të cilin vendosa të mos e lexoja më edhe për atë se si trajton trupin e femrës. Të shkruash, pa menduar se çfarë do të thonë të tjerët: këtë kërkoj. Të shkruaj në heshtjen e shtëpisë sime, vetëm, të luftoj kundër jetës së gjatë të të vdekurve”.

/Corriere Della Sera

/Përkthimi: Gazeta Express

Please follow and like us: