SFIDA E KËNGETARES ADRIANA THANASI ME KËNGËN E HAFIZE LESKOVIKUT
Niko MIHALI
Adriana Thanasi pa dyshim është një ndër këngëtaret më të mira e më unikale të muzikës popullore me saze. Ajo ka një përvojë gati 30 vjeçare në skenë dhe është pjesëmarrëse në dhjetra veprimtari e festivale kombëtare si në Gjirokastër, Tiranë, Përmet etj dhe pa dyshim një ndër ato artiste që ka promovuar këtë lloj kënge në dhjetra veprimtari ndërkombëtare. Ende pa përfunduar shkollën e mesme bëhet pjesë e sazeve të mjeshtrit Laver Bariu në Përmet dhe gradualisht krijoi profilin dhe identitetin e saj artistik. Çdo artist e ka të rregjistruar qartë në kujtesën e tij ditën e parë apo atë rast qe i jepet per t’u ngjitur në skenë dhe të fiksojë mirë ata që ia krijuan këtë mundësi.
Para disa ditësh e takova në Përmet, ku kishte ardhur nga Athina për të manaxhuar një projekt që kishte në fokus këngën e Hafize Leskovikut, këngëtares unikale që ka bërë emër në muzikën popullore në vitet 20 -30 të shekullit të kaluar me Sazet e Selim Leskovikut.
“Kisha kohë që mendoja e luftoja të hidhja në një CD e të regjistroja në digital disa nga këngët e Hafizesë që janë kënduar gati një shekull më parë e t’i sillja në një version të ri. E konsultova ketë gjë me shokët e mi me Sazet e Përmetit, që kemi kënduar së bashku në Shtëpinë e Kulturës të Përmetit qysh në vitet 80 po të shekullit të kaluar e në vijim. Këto saze edhe sot kanë një nivel të lartë interpretimi dhe mund të them se janë vijuese të denja të Sazeve të Usta Laverit dhe kanë marrë titullin “Mjeshtër i madh”. Dëshirën e kishim të madhe, por ishte ana financiare që na pengonte, se duhej gjetur një studio cilësore, duheshin bërë prova, duhej zgjedhur repertori etj. E bisedova me Josifin që ështe klarinetisti i grupit dhe u bëmë së bashku e mundoheshim të gjenim rrugën e duhur, të siguronim mbështetjen financiare. E desh fati ynë dhe kënga e Hafizesë na u gjend pranë. Dërguam një projekt për mbështetje financiare në Ministrinë e Kulturës qysh në muajin janar të këtij viti, i cili na u miratua mjaftueshëm. Kjo gjë na suprizoi e na bëri optimistë për ta bërë realitet këtë nismë. Qakua u bë udhëheqësi artistik i koncertit dhe së bashku me mua dhe Ylli Muçon, përcaktuam ato këngë që duheshin regjistruar e duheshin sjellë me një interpretim të ri, me një tingull të ri që të kishte jetëgjatësi, pasi ai produkt i Hafizesë me Sazet e Selimit ishte regjistruar me më të mirat e asaj kohe, por koha ka bërë të vetën. Ato kishin zënë vend në pllakat e gramafonit dhe koha i kishte dëmtuar, andaj ne donim t’i sillnim në një version të ri. Këtë punë e kemi filluar qysh në muajin prill e maj. Kam bërë prova së pari në Athinë, ku Qakua me llahutën e tij erdhi që nga Tirana dhe punuam disa ditë që zgjodhëm repertorin. Kam punuar gjatë me këto këngë, dhe ja tani këtë gusht, kur të gjithë janë me leje e shkojnë nëpër plazhe, ne siguruam një studio nga Tirana, e sollëm në Përmet dhe po bejmë regjistrimet e këngëve. Kjo punë ka angazhimin e të gjithë shokëve, të Yllit, Qakos, Josifit, por edhe të Ilias me violinë që erdhi nga Leskoviku e që rrjedh nga dega e muzikantëve të Leskovikut. Është kontributi i këngëtarëve të tjerë me të cilët kam kënduar këto vite si i Luljetës që erdhi nga Gjermania, i Evgjenisë, Robertit etj, me të cilët e kurorëzuam këtë projekt, për të cilin gjej rastin të falenderoj me shpirt e zemër Ministrinë e Kulturës, që e mori në konsideratë projektin tonë e i dha dritën jeshile, të sigurt se kemi sjellë një sfidë, për të cilën do flasin dëgjuesit e ata që pëlqejnë këngën e Përmetit…”, rrëfehet artistja.
Edhe pse kanë kaluar vite nga ajo ditë që u ngjit për herë të parë në skenë dhe kur jeta nuk është treguar gjithmonë e qetë me të, por ka patur shumë dallgë, ajo ruan ende atë fisnikërinë e saj, sinqeritetin, ato gjurmë të rinisë së hershme, me trupin e drejtë e të hijshëm dhe me zërin brilant. Edhe pse në emigracion, ajo nuk i ka shkëputur asnjëhere lidhjet e saj me vendlindjen, me shokët e saj artistë amatorë dhe ka qënë pjesë e shumë aktiviteteve sa në Athinë në Përmet, por edhe në studio televizionesh, në festivale nderkombëtare etj. Dhe në bisedë e sipër nuk mund të mos tregojë e kujtojë atë moment të vitit 1981. Kur ishte nxënëse në vitin e dytë a të tretë gjimnaz në “Sami Frashëri” në Përmet, erdhën dy nga punonjësit e Shtëpisë së Kulturës që të zgjidhnin elemente të rinj për të qënë pjesë e një koncerti konkurs midis qendrave të punës të qytetit, ku ishte dhe shkolla e tyre.
“Ishte Ylli me Qakon, dy muzikantë që i njihja, por nuk më qe dhënë rasti të komunikoja me ta. Sa herë kaloja para Shtëpisë së Kulturës e dëgjoja provat e Sazeve të Ustait, ndjeja se diçka më trazonte gjakun e zemrën. Ylli më thotë motivin e takimit dhe kush ka dëshirë të bëjmë një provë e pastaj do bisedojmë edhe me drejtorine e shkollës për më tej. U mblodhëm disa vajza nga klasa të ndryshme dhe nën tingujt e fisarmonikës së Yllit filluam të këndonim atë që na pëlqente më shumë dhe ishim të sigurta. Unë këndova një këngë që më ka pëlqyer që herët, nga ato që këndohej gjithmonë në stinën e dasmave në anët tona, e cila nuk ishte e panjohur për ata, por edhe për të tjerë. Ishte kënga “Penxheren e zotrisë sate, ta zuri pema jeshile”… U detyrova të përballoj ndrojtjen, mjedisin ku ishim dhe e këndova atë këngë me gjithë shpirt ashtu siç e ndjeja unë…”, thotë ajo.
Dy muzikantëve që bënin këtë testim, ai zë sikur i befasoi, shikuan njeri-tjetrin në sy dhe pa e diskutuar fare, e ftuan njëzëri të kalojë nga Shtëpia e Kulturës, ta dëgjonin më mirë e ta provonin me orkestër. Ndërkohë në sektorin e muzikës diskutonin se ky zë u dukej një risi dhe do ishte fat i madh edhe për sazet, se do sillnin diçka të re në skenë. Kur erdhi dita që do lidheshin me orkestër, me sazet, e përjetoi tamam si një provim.
“Ishte hera e parë qe i shikoja nga afër ata burra me vegla në duar, të ulur në formë rrethore në sallën e provave plot seriozitet dhe që kishin bërë histori në këtë fushë për disa vite rresht. Si tani i mbaj mend: Leferin me fisarmonikë, Xhelalin me llahutë, Krenari me dajre, Llazua me violinë, Sulua që kruante zërin, Jarekun me violinë apo me llahutë s’e mbaj mend dhe ndonjë tjetër, por ai që me hipnotizoi me portretin e tij ishte Laver Bariu, që i thoshin Ustai i Madh. Ustain e njihja, mund të isha shkëmbyer disa herë me të kur shkonim apo dilnim nga shkolla se në një rrugë kalonim, emrin ia kishe dëgjuar vite e vite më parë, por aty ai ishte gjithë seriozitet”, thotë ajo
“Hë moj bijë, më tha ai, Ustai,- ç’do na këndosh ti”?!
U hodh Ylli me Refanin që ishte shef muzike e i thotë se do bëjmë këngën “Penxheren e zotrisë sate”, ose “Hyn e del tek porta jashtë”.
“Ashtuuu, tha Ustai, po ta provojmë”, dhe kaloi njëherë dorën e djathtë tek mustaqet e tij simpatike, i qetësoi pak ato, përkëdheli edhe njëherë klarinetën që e kishte të hapur dhe filloi introduksionin. “Mos u emociono, vijoi ai, qetësohu -dhe sytë e tij jeshilë i ndriçuan sikur kaloi një rreze dielli mbi to…
Këngën e këndoi nja dy herë me disa vërejtje që i bënte herë Qakua, e here Fani dhe së fundi Ustai, sikur i vuri vulën, e vijoi:
“Mirë çupë e babait, nuk je keq, paske zë të bukur, do bëjmë edhe disa prova dhe besoj se do dalë mire”. Pastaj iu drejtua Fanit që ishte shef i muzikës: “Këto zëra të larta janë të rrallë, andaj duhet mbajtur afër kjo vajza, se këndon tamam si Hafizeja”.
“Unë këtë emër këtu e dëgjova për herë të parë dhe nuk e dija. Isha vetëm 16 vjeç, pastaj me të pyetur mësova se kush ishte ajo që kish krijuar emër në muzikën me saze dhe zëri i saj sepse më tërhiqte me ato kthesat e larta apo edhe tekstet e bukura e kjo më ngacmoi të dija më shumë për të. Dhe ç’të them për Ustane, më ka pritur shumë mirë mua, një vajzë 16-17 vjeçe dhe ishte i gatshëm të më ndihmonte, të bëja më të mirën. Pas një viti vinte Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës i viti 1983. U vendos që do të shkoja dhe komisioni mendoi se veç këngës së hapjes së Festivalit “Priti Gjirokastër kënget vallet tona“ që do ta këndoja me Ylli Muçon, paraqitja ime me një këngë të Hafizesë, do ishte akoma më mirë. Ishte një këngë që vërtet e kisha shumë për zemër dhe desha ta këndoja. E kisha dëgjuar disa herë në pllakat e gramafonit dhe ajo këngë me mbushte shpirtin si me tekstin e bukur, por edhe me vokalin. Këndohej pak lart që unë i kisha mundesitë. Ishte kënga ‘Sykaleshe’. Në dhomen e muzikës kishte një gramafon të cilin e kishte dhuruar për Shtëpinë e Kulturës Vangjel Mango, një burrë babaxhan që e donte dhe ai shumë këngën e Përmetit. E vendosnim pllakën me këtë këngë, por e dëgjonim mbytur, kishin kaluar vite e vite gati gjysëm shekulli dhe koha kish bërë të vetën, qenë degraduar, por unë linjën e këngës, tekstin e dinja sepse kjo këngë këndohej shpesh nëpër dasma e gëzime andej nga anët tona të Shqerisë. E këndova në festival me Bertin, me Berti Tralon që sot i thonë At Romanoi. Kënga doli bukur, shumë bukur dhe unë u shpalla Laureate e Festivalit të Gjirokastrës dhe isha vetëm 17 vjeç”, vijon ajo.
Pas dy muajsh shkon me grupin e Sazeve në Tiranë, në koncertet e Vitit të Ri që organizohej nga TVSH. Vera Grabocka, sa herë vinte grupi i Sazeve të Përmetit për Koncertin e Vitit te Ri, donte vetëm këngën “Do marr, çiften, do dal për gjah“ aq shumë e donte këtë këngë, por kur dëgjoi edhe këngën e saj e pëlqen shumë dhe e inkurajon, çka i krijoj shumë impresione.
Sot këta burra e këta artistë të sazeve që zuri në gojë dhe që i kujton me shumë mall e me shumë respekt nuk janë më, kanë shkuar të pushojnë atje lart ku e desh Zoti, por në kujtesën e saj edhe të shumë të tjerëve mbeten të gjallë përjetësisht dhe jetojnë në shumë zemra e në shumë mendje, jo vetëm në Përmet, po e po, por edhe në shumë vende të tjera.
“I kujtoj me kaq respekt, pasi në ditët që erdhën unë u bëra pjesë e tyre dhe ç’të them, kemi shkuar në shumë vende e kemi korrur shumë suksese dhe më kanë trajtuar si vajzën e tyre. Do ti, që këtë nofkë të kësaj kënge ma vunë dhe si ofiq. Kur shkoja në punë në Trikotazh, se atje kam punuar, të gjitha shoqet e gratë e trikotazhit më thoshin ‘Sykaleshe, mirë je’? Në fakt namin e mora unë po ajo këngë ishte më shumë produkt i një grupi të tërë, të shefave të muzikës, orkestrës së sazeve, i Ustait të Madh që e qante atë klarinetën e shkretë sa të mbushte shpirtin… merita këto që u takojnë së pari atyre e pastaj ne këngëtarëve. Edhe sot që ndodhem këtu në Përmet e do të fillojmë regjistrimet, unë shkova në kishë e ndeza një qiri për ata, u luta për ta, i kujtova dhe i falenderova në altarin e Perëndisë”.
***
Dhe kështu Adriana filloi të ngjiste shkallët e artit si këngëtare me zë të veçantë e të bukur, por jo vetëm kaq, por edhe si një këngëtare që ka risjell në skenë Hafize Leskovikun, artin dhe këngën e saj, këngëtare që ka krijuar epokë ne vitet 1920-1930 sa në Leskovik edhe në vende te tjera ku kish regjistruar zërin e saj në ca pllaka gramafoni të firmës ‘Columbia’, të cilat edhe Adriana i kishte në shtëpinë e saj, atje në fshatin e lindjes në Shqeri dhe i kish dëgjuar sa e sa herë dhe i kishte mësuar së bashku me babanë e saj, por si këngë pa i kushtuar shumë vëmëndje emrit të këngëtares pasi ishte edhe fëmijë. Dhe kjo jo rastësisht, ndaj e ndjen të nevojshme ta plotësojë këtë interesim për këtë këngëtare e këngën e saj me ca kujtime që ia mbushin sytë me lot.
Ka lindur në një nga fshatrat e Shqerisë të Përmetit, në një nga zonat më të veçanta e me një pasuri të madhe kulturore, e dalluar për folklorin e pasur, këngët e veçanta e plot bukuri si për dashurinë edhe për kurbetin, zonë me një pasuri të madhe etnografike, me shtëpi të larta e të bukura, rrethuar me mure të larta e rrugica me kalldrëm, me oborre të mbushura me lule plot aroma, ku veçohej borziloku gjethevogël erëmirë, me oda të stolisura gjithmonë si për dasmë ku dallohej vendi i sazeve dhe ku veç të tjerash, zona me një kulinari nga më të mirat. Në çdo fshat të Shqerisë kishte kisha të larta me plot ikona e afreske, ku organizoheshin jo vetëm shërbesa fetare, por edhe panaire e festa të tjera, me çezma të mbulurara e me sofate ku vinin njerëzit jo vetëm për të mbushur ujë, por ato ishin dhe si vende takimi plot romantizëm, ishin edhe posta e fshatit dhe e kurbeti, ku bëheshin thashetheme, por edhe merrej informacion e niste ndonjë këngë… “Edhe tani më kujtohen si në ëndërr ato dasmat e bukura me krushq të kapardisur nëpër kuaj e mushka të stolisur me qilima e lule, që këputnin degët e borzilokut e kërcisnin oborretë, ku rrokullisej ibriku i nuses dhe thyhej kulaç e lyej dera me mjaltë. Gjithë ky mjedis e këto lëvizje janë ngjizur në këngë, janë shumica e atyre këngëve që i këndojmë dhe ne sot“, thotë ajo.
Pikërisht në këtë zonë qysh fëmijë ra në kontakt me këngët e Sazeve të Leskovikut, të cilat i dëgjonin në shtëpinë e tyre nga pllakat e gramafonit dhe pasi i dëgjonin, babai ia mësonte edhe t’i këndonin. Babai në ato vite kur ajo ishte ende fëmijë kishte pësuar një paralizë dhe qëndronte pothuajse tërë ditën shtrirë. E priste sa vinte nga shkolla dhe si për të shtyrë kohën i lexonte libra, shkruante vetë ndonjë poezi që improvizonte vetë dhe kishte edhe një fletore ku shënonte këngët më të bukura të zonës së tyre, që ishin përmbledhur në vëllimin “Visaret e Kombit” dhe ku mes atyre që i kishin mbledhur ato këngë, ishte edhe mësuesi i tij i hershëm, Dhosi Liperi nga Lipivani.
Vendlindja e Adrinës ishte një zonë e ndërmjetme mes Përmetit e Leskovikut dhe kujtimi për këto saze ishte ende i gjallë në dhjetra familje e mosha të thyera të cilat i kishin patur mysafirë në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në gëzimet e tyre, ku Afizeja ishte dhe mbetej legjendë. Duke i kënduar ato së bashku me babanë apo edhe me burrat e fshatit që mblidheshin darkave nëpër sofatet e portave, sikur ia largonte pak stresin e dhimbjen atij dhe ndjehej mirë. Pra Hafizeja nuk ishte një rastësi në vokalin e saj, ushtrohej me babain i cili nuk këndonte keq dhe kishte raste që shumë herë e inkurajonte dhe kështu e dashuroi që në fëmijëri atë zë pa e ditur kush ish e çfare kontributi kishte dhënë. “Më vjen keq, shumë keq që ai nuk arriti të më shikonte në skenë se po të më kishte parë, me siguri do e kish larguar sëmundjen e dhëmbjet e saj“.
Dhe kështu vitet kalonin. Ajo ishte një amatore e rregullt. Nuk kishin asnjë lloj shpërblimi, as recitale, veë këndonin në aktivitetin e radhës, bënin regjistrime në Radio e Televizion, vinte autobuzi i madh i TVSH nga Tirana dhe s’mbeti rrugicë, e shesh, e portë, e burim i qytetit e zonës përreth që nga Ura e Katiut e Ujërat Termale në Bënjë, tek Uji i Varur në Grykën e Këlcyrës e gjer tek Ujët e Ftohtë në Tepelenë, pa u bërë pjesë e këngëve të tyre. Mes të tjerash i kujtohet dokumentari “ Këngët e zemrës“ i Kinostudios me skenar të Vath Koreshit ku ajo ishte një ndër zërat më të bukur të atij filmi bashkë me Sazet, Bertin, Ustanë, Donikën, etj.
Në ato vite edhe unë isha kthyer përsëri në Shtëpinë e Kulturës si drejtor i saj dhe formacioni i Sazeve të Ustait, ansambli i këngës e valles popullore të Përmetit ishte në aktivitete të shumta. Këngët “Zura një bilbil me vesë”, “Mora rrugën për Janinë” kënduar nga M. Xhemali dhe Y. Zeqiri si dhe një nga vallet e atyre viteve “ Poshtë nga çairetë. ..” e kënduar nga R. Malka dhe V. Gore, shoqëruar nga grupi shumë simpatik i valleve me koreografe K. Gura, u bënë hit, u regjistruan në TV, shkuan në disa evente kombëtare, në dasma, mbrëmje vallzimi e kudo.
Në vitin 1987, Adriana bashkë me Sazet e Usta Laverit, shkoi në një festival ndërkombëtar në Delvinaq të Greqisë. Ishta dalja e parë jashtë shtetit edhe pse në një qytet periferik të Greqisë, por pritën shumë mirë pasi Laver Bariu njihej mirë e dëgjohej edhe nga ana tjetër e kufirit, edhe pse ai qe i rrethuar me tela me gjëmba. Kthehen që andej dhe në shtator të po atij viti udhëtojmë së bashku në një festival tjetër ndërkombëtar në Bonifacio të Korsikës në Francë. Sa kishte ikur shtërgu i parë i refugjatëve shqiptarë. Ishim një grup prej 7-8 vetash me usta Laverin, Vaso Tolen, Adrianën, Qako Vangjelin, Berti Tralon, Faik Ramadanin, Agron Tolen që shkuam në Korsikë, pasi kapërcyem një sërë pengesash që diktonte ai sistem. Do ti, që qysh ditën e parë të koncertit, kur dolëm për një defile në rrugët e Bonifacios, takojmë një përmetar nga zona e Shqerisë së Adrianës, nga familja e Koçobashëve, i cili e kish lënë Shqipërinë herët pas përfundimit të Luftës edhe pse nuk ishin pa kontribute në këtë Luftë. Fillimisht kishin ikur në Stamboll e që andej kishin përfunduar në Hamburg të Gjermanisë dhe kishin një biznes lulesh. Në Korsikë ndodhej bashkë me zonjën e tij për pushime. Po pushonte në hotel, kur sa dëgjoi këngët e vendlindjes dhe kabanë e Laverit, iu duk vetja se ndodhej në Përmet. Zbriti nga hoteli dhe u çudit nga sa pa! U befasua si në ëndërr. Ishte suprizë e bukur shumë. Në mbrëmje u mblodhëm së bashku me të në një lokal buzë detit, ku ai erdhi së bashku me zonjën e tij gjermane. Këngët e Shqerisë dhe ato të Hafizesë e mbushën darkën dhe lot gëzimi pa fund derdhte Stire Koçobashi, nga malli që kish për Delvinën e tij të dashur, për atë Goricën e lotëve, për varret e prindërve të tij…
Në këtë festival, në ato 5 ditë që qëndruam Adriana nuk këndoi vetëm këngë me saze me Robertin, por edhe akapela. Bashkë me Ustain këndoi këngën polifonike himariote “Vajza e valëve”, ku ustai shkëlqeu me atë të hedhurën e tij me ohohhoo sa i magjepsi dëgjuesit e mbledhur në atë kishë të Bonifacios mbi det, e në veçanti një studente serbe që studionte në Sorbonë. Ajo që të nesërmen e këngës, e takonte Ustanë në hotel apo restorante ku drekonim, e përqafonte me shumë dashuri dhe i thoshte “edhe njëherë atë ohhoohhoo…” dhe Laveri i përgjigjeji “ikë, moj shejtane! Shiko, shiko, kjo”!
Pastaj erdhën vitet e gjata të emigracionit. Adriana me familjen u vendos në Athinë së bashku me fëmijët e saj. Ishin ditë e net të vështira ku mendohej e luftohej për ekzistencë dhe s’të vinte mendja tek kënga e për më shumë të këndonte në skenë. Sytë dhe veshët i kishte këndej nga vendlindja, më shumë për të ditur se ç’bëhej dhe në se kishte ndonjë koncert apo aktivitet, edhe mund të afrohej… por jo, tanimë ishte çdo gjë e vështirë dhe do e ndrydhte në brendësi të shpirtit dëshirën për këngë. Më vonë, pasi u qetësua situata, në një fare mase filloi të angazhohej me disa këngëtarë të vendlindjes që ishin në Athinë, dhe nuk ishin pak. Shtëpisë së kulturës në Përmet i kishin dalë themelet dhe atje ata sikur gjetën një pjesë të saj. Bashkë me Qakon, Donikën, Fatmirin, Gencin, etj mblidheshin e organizonin takime me bashkëtadhetarët, organizonin ndonjë takim apo festival të këngës popullore, filluan një bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Athinë, por… prapë ishin gjëra rastësore.
Në maj të vitit 2014 në Festivalin e Sazeve qe organizohej nga CIOFF Albania dhe Bashkia në Përmet me rastin e ditëlindjes së Usta Laverit, i cili kishte mbyllur sytë disa muaj para, ajo erdhi me shumë dëshirë. E si të mungonte ajo në këtë përvjetor të Laverit që e kish idhull dhe e kishte ndihmuar goxha!? U ngjit në skenë, falenderoi me shpirt ustanë dhe këndoi përsëri disa këngë po të Hafizesë dhe sikur iu mbush shpirti me më shumë dashuri. Juria e Festivalit me kryetar K. Qafoku dhe anëtarë muzikologët E. Koço, K Loli , E. Shëngjergji e vlerësoi atë dhe bashkë me të, edhe Donikën e Evgjeninë, si këngëtaret më të mira të atij festivali me çmimin “Hafize Leskoviku“, ndërsa kolegu i saj klarinetisti Josif Shukallari u vlerësua me çmimin e madh “Laver Bariu”.
Kjo rastësi e këto trofe unikale sikur i bashkuan më shumë këta dy artistë e kjo gjë do i intrigonte për diçka më shumë në të ardhmen… Si duket Usta Laveri edhe pse nuk jetonte më, i ndiqte nga lart, nga Parajsa e pafund dhe i përlotur nga emocionet për të mirën e këngës së Përmetit sikur dëshironte që të kishin një bashkëpunim edhe më tej.
***
Diçka ndryshoi këtë dekadën e fundit. Edit Pulaj, një manaxhere ndërkombëtare arti në Tiranë, pas një ekspedite me një grup të BBC Word në zonat e Iso-Polifonisë aty nga viti 2015-2016, krijoi një parafytyrim më të plotë për vlerën e këtyre këngëve që ende nuk i ishin treguar botës perëndimore si duhet. Një ftesë e nominuar që na erdhi nga BBC për të marrë pjesë në një festival në Londër ku do të interpretonim kryesisht këngë polifonike me dhe pa saze, nuk mundëm ta realizonim, pasi kërkonte shumë shpenzime dhe nuk mundëm t‘i siguronim. Por dy vjet më vonë Editi, bashkëpunon me Joe Boyd, një producent amerikan dhe znj. Andrean, një gjermane që punonte në Tiranë dhe me një ngacmim po nga BBC Word e Londrës, u angazhuan në një projekt me emrin “Saz‘Iso” që shënoi prodhimin e një CD-je me këngë përmetare të shoqëruar me një orkestër nga Korça, me specialistë të mirë si Telando Feten me klarinetë, Aurel Qirjon me violinë etj. Ishte bashkë me Donika Peçollarin dhe Robert Tralon. Edhe pse e ndjente veten pak ngushtë nga mungesa e Sazeve të Përmetit, me klarinetën e Josifit e llahutën e Qakos apo Jarekut, prapë e dhanë maksimumin dhe CD-ja doli e pati shumë sukses. Më ka rënë rasti të takohem me producentin Joe Boyd në shtëpinë e tij provizore tek Shallvaret pranë Tajvanit, kur i dorëzova tekstet e këngëve të CD-së të redaktuara, e më ftoi t’i dëgjoja një pjesë të cilat faktikisht ishin shumë të arrira dhe vura re se ai e shtrëngonte kompjuterin ku ndodheshin tanimë ato këngë në pritje për produksion në ndonjë studio në Londër, aq fort, në gjirin e vet, thua se kishte me vete një pasuri të madhe. Isha bashkë me znj. Andrean dhe ajo qe në qiellin e shtatë. U bëra pjesë e promovimit të kësaj CD-je një mbasdite tek shkolla e Kinematografisë në Kinostudio, ku asistonte dhe akademiku prof. Vasil S. Tole që ishte konsulent muzike për këtë product dhe ishte diçka e bukur. Organizatorët, tanimë këtë produkt ua kishin shitur me të drejta autori disa televizioneve kombëtare e më tej, e kishin hedhur CD-në në treg ndërkombëtar të muzikës ku shitjet ishin optimiste, por ndërkohë e promovuan duke organizuar edhe disa koncerte nëpër Europë. Kështu edhe Adriana, si pjesë e grupit të vogël “Sazeiso“ tanimë udhëton nga Athina në Tiranë e mandej në Rudolfshtand dhe Dortmund Gjermani, në Prishtinë, Francë, Budapest, në Varshavë të Polonisë, në Vjenë të Austrisë, në Bruksel, në Malmoe Suedi, në Kopenhagen Danimarkë, në Lubjanna të Sllovenisë, Nimengen Hollandë, në 11 qytete përreth Londrës e gjer në studiot e BBC Word, ku veç koncertit të programuar në emisionet e saj për promovimin e isopolifonisë, dhanë edhe intervista e përshendetën nga studiot e kësaj radio prestigjioze me audiencë ndërkombëtare . Njohën e zunë shumë shokë e miq që flisnin me superlativa për Shqipërinë dhe këngën polifonike, njerëz të thjeshtë që i duartrokisnin e u dhuronin lule e ëmbëlsira, vallzonin e këndonin së bashku…
“Atje kam ndjerë shumë emocione, thotë Adriana, dhe nuk e di pse fjalët më rrodhën ashtu si kënga! Falenderova Zotin dhe ata që më ndihmuan, falenderova ata që më kishin mbështetur e më krijuan këtë mundësi që nga Edit Pulaj, Vason, Kulin, ty, Fanin, Yllin e të tjerë e të tjerë dhe tek flisja e zëri im shpërndahej në eter, në mendje më vinin lloj-lloj mendimesh, me vinin si një përrua pranveror e sikur më thoshin se kjo radio nuk është stacioni i fundit për ty. Dhe vërtet, para ca ditësh, Editi na njoftoi se do nisemi pëseri për në Lisbonë të Portugalisë e supriza të tjera na presin në ditët që vijnë”.
Kënga e Përmetit është në vetvete si një magnet që tërheq shumë manaxherë, regjisorë, televizione etj. Dhe një ditë grupi simpatik i sazeve kish trokitur në dyert e TV dhe kish kërkuar të bënte disa regjistrime të reja, ku të evidentonte perfomancën e klarinetistit Josif Shukallari i cili kishte krijuar një portret të plotë artistik nga viti në vit, si bashkëkohës e pjesë e grupit të Sazeve të Përmetit të drejtuara nga Mjeshtri i Madh. U përgatit një skenar dhe këngët e kabatë do të ishin ato që do plotësonin këtë dokumentar. Grupi mblidhet në Tiranë, punon disa ditë edhe me konsulencën e prof. V. S. Toles dhe këngëtaret Adriana Thanasi dhe Evgjeni Çulli, e pasuruan këtë dokumentar me zërin e tyre. Pas ca ditësh grupi i xhirimit zbriti në Përmet dhe në ato mjedise u ngjiz dokumentari “Sazet e Përmetit dhe ustai i traditës“. Dokumentari pati shumë sukses dhe u promovua në rjetet sociale, u bë pjesë online e Festivalit Ballkan Trafik 2020 në Bruksel dhe ndodhet në youtube me plot konsiderata si për klarinetistin edhe për Adrianën e Evgjeninë, të cilat kënduan shumë bukur këngët “Hyn e del tek porta jashtë”, “Vura shkallët mbi avlli”, “Në bahçenë tënde 40 rrënjë mollë”, “Në gushën tënde varur një flori” etj… Dhe një pjesë e tyre janë kënduar herët edhe nga Hafizeja.
Po mbusheshin gati 30 vjet plot që është në skenë, ka kënduar e kënduar sa nuk i mban mend gjithë ato këngë e ato vende ku ka kenduar dhe një ditë, kur ndodhej në Athinë, në këtë qytet ku arti ka shtëpinë e tij prej mijëra e mijëra vjetësh, i mblodhi në fletore gjithë këngët e saj të shpërndara gjithë andej, nëpër koncerte në Përmet e në botë, nëpër studjo radiosh e televizionesh, nëpër festivale e kudo dhe…
“Mora në telefon Josifin, thotë Adriana, bisedova me Qakon e Yllin që kanë vite me Sazet e Përmetit, u lidha me mikeshat e mia, Evgjeninë, Luljeta Ilian, Mikelin e Bertin dhe hodha në letër linjat e një projekti që këngët e kënduara nga Hafizeja, unë bashkë me shoqet e shokët e mi, të mund t’i regjistroja në një studio me Sazet e Përmetit ‘Mjeshtër i madh’ dhe të kisha një CD timen. Me këtë produkt unë nuk sfidoj Hafizenë, se ajo ka vendin dhe vlerat e saj, por po i bëj një sfidë vetes sime në kuptimin e mirë të fjalës, shpreh dëshirën për të treguar se kënga e Hafize Leskovikut rron dhe do të rrojë edhe në vite e vite dhe ky regjstrim në digital do ua zgjasë jetën, që mund të pasohet me zëra të rinj në vitet që presim… Fati e desh që ky projekt i përbashkët mes meje dhe Josifit gjeti mbështetjen në kohën e duhur, pati angazhim të gjithë grupit, të shokëve e miqve tanë, të institucioneve përkatëse që nga Bashkia e qytetit e më lart, por nuk përjashtojmë edhe kontributin tonë individual, professional dhe financiar, që u bë i mundur e i dhamë jetë duke sfiduar emigracionin, xhelozitë, largësitë, moshën, egoizmin, infrastrukturën e shumë të tjera, që nuk dua t’i përmend…”.
CD e emërtuar ‘Muzikë qytetare me saze Këngët e Hafizesë” ka një faqosje cilësore ku evidentohen bukur dy aktorët kryesorë të saj, ka gjithesej 17 këngë e kaba, ku Adriana, zëri më përfaqësues i kësaj kënge ka 10 numra, Evgjenia ka 3 numra dhe 4 kaba të emërtuara: Kaba leskoviqare, Kabaja e Mediut, Kabaja e Laverit në FFKGJ dhe kaba përmetare në Fa të gërnetarit J. Shukallari, ku evidentohet qartë e bukur edhe ëmbëlsia e violinës e leskoviqarit Jani Jorgo. Jo pa interes dhe shumë të gjetur janë edhe prerësit e këtyre këngëve Luljeta Ilia, Robert Tralo, Mikel Rrapaj dhe inxhinieri i zërit K. Qafoku, që për nje moment harroi regjistruesin e u bë prerës i një kënge. Nga ky produksion dua të evidentoj këngët : Gjethëza, Hundë e bukur qelibar, Kur më ngjisje shkallët, Në cep të shamisë varur një flori, Përmbi Tepelenë, Hundë e bukur qelibar, Zonjë e vogël në lëmë, Më zuri taksiri, Mu në bahçen tënde etj si dhe 5 kaba të Josifit të cilat janë shumë të arira. Zërat e tyre duket se vijnë nga vite e vite larg, shpalosin bukur mjedisin shqiptar, dasmat shqiptare të Jug-Lindjes, portretizojnë bukurinë dhe portretin e vajzës shqiptare, ndjenjat e saj për të bukurën në jetë. Ato zëra duket sikur zbresin nga Melesini, mal i lartë dhe nga vreshat e Leskovikut e përzihen me ujërat e Vjosës, ku kërkojnë me siguri identitete të tjera, përcjellin trashëgiminë tonë kulturore juglindore dhe e pasurojnë atë.
Në hapësirën e këtij shekulli, ka patur raste sporadike të interpretimit të kësaj kënge, por nuk i kanë rezistuar kohës e janë shuar shpejt, ndërsa zëri i Adrianës është sa unikal dhe tepër elegant, i mbajtur gjallë prej katër dekadash në skenë e në jetë dhe gjeti bartësit autentikë e cilësorë me këto saze, me një histori po prej aq dekadash, të cilët jo veç e veç, kanë patur që në fillimet e tyre skenike, dorën e ngrohtë të Ustait të Madh, Laver Bariu, për të cilin janë sa krenarë, por edhe mirënjohës, pa harruar edhe konsultat sistematike me muzikologë e specialistë të fushës rast pas rasti , si një domosdoshmëri suksesi…
CD-ja ka një paraqitje të bukur, dinjitoze dhe shumë vlerë. Ajo sa doli në qarkullim këto ditë dhe ne s’na mbetet gjë, veç t’i urojmë rrugë të mbarë, të bëhet pjesë e gëzimit të njerëzve tanë, t’u pëlqejë atyre dhe ne të falenderojmë bashkëpuntorët tanë duke veçuar Ministrinë e Kulturës dhe Bobbyn, Bashkim Arifin nga Amerika, një dashamirës dhe njohës i mirë i sazeve të Jugut e i këngës me saze, të cilat e lidhin me vendlindjen e tij Manastirin. Ai erdhi enkas në Përmet, i ndoqi në prova, i inkurajoi me praninë e tij dhe natën e fundit na mblodhi të gjithëve në një darkë të këndshme tek “Familjari” bashkë me kompozitorët Klodi Qafoku e Endri Sina dhe zonjat e tyre muzikante, që na komplimentuan shumë miqësisht për punën e bërë. Ishte një mbyllje e bukur, ku veç verës dhe ushqimeve tradicionale të përgatitura nga Sanoja dhe Dani, u argëtuam dhe u impresionuam me këngët tona. Kjo pasuri nuk shteron dhe fusha e lojës është e hapur, ku çdo kush gjen pozicionin e vet…
Tiranë, më 8. 10. 2022.
President i Seksionit Kombëtar Shqiptar të CIOFF. Ish-drejtor i Shtëpisë Kulturës “N Frashëri” Përmet, në vitet 1988-1991.